Trillon një pengmarrje pas i vjedh 500 mijë lekë babait, pranga 18-vjeçarit

0
162

Sonja Caka

pengmarrjaFamilja Bushi, 10 ditë ankth e tmerr për fatin e djalit dhe sms kërcënuese në telefon

Zbulimi, Florenc Bushi u arratis nga shtëpia pasi vodhi prindërit, inskenoi një pengmarrje

 

Dhjetë ditë ankth e tmerr për fatin e djalit 18-vjeçar të rrëmbyer dhe habiten kur përballen me të vërtetën tronditëse, djali i tyre kishte trilluar një pengmarrje dhe kërkonte nga familja para për t’u argëtuar lokaleve të natës në Tiranë. Kjo ka qenë fabula e një rrëmbimi të trilluar nga një 18-vjeçar nga fshati Draç i Ishmit në Durrës, i cili dërgonte sms kërcënuese në telefonin e familjarëve të tij, duke vënë gjoba në këmbim të lirisë së tij. Por, ndërsa u vendoste gjoba familjarëve për çlirimin nga pengmarrësit imagjinarë, Florenc Bushi argëtohej deri në orët e para të mëngjesit në lokalet e natës në kryeqytet. Familja do përjetonte 10 ditë ankthi për fatin e djalit të tyre vetëm 18-vjeç, ndërkohë që ky i fundit u kishte vjedhur 500 mijë lekë në banesë dhe më pas u kërkonte para edhe në formë gjobe për lirimin e tij. Familja e 18-vjeçarit të marrë “peng” iu drejtua policisë së qytetit bregdetar të Durrësit me një kallëzim ku denonconte rrëmbimin e djalit të tyre, ndërsa policia vuri nën përgjim telefonin e familjes Bushi nga fshati Draç i Ishmit dhe nisi nga puna për identifikimin e “rrëmbyesve”.

Arrestimi

Policia e Durrësit ka vënë në pranga 18-vjeçarin Florenc Bushi nga fshati Draç i komunës Ishëm në Durrës. Prangosja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. I riu akuzohet për kallëzim të rremë dhe njoftimit të rremë në organet e rendit. Gjithashtu, sipas burimeve policore, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për deklarim të rremë para oficerit të Policisë Gjyqësore ndaj shtetasit S. E., 33 vjeç, banues në fshatin Rrotull Ishëm, i njohur për lidhje shoqërore me Florencin. Sipas policisë së Durrësit, 18-vjeçari kishte vjedhur në shtëpinë e tij një shumë prej 500 mijë lekësh dhe ishte larguar nga banesa. Babai i tij bëri padi në polici pas zhdukjes së të birit dhe disa orë më vonë merr një mesazh telefonik sipas të cilit, disa persona i kërkonin para në shkëmbim të jetës së djalit të tij. Policia menjëherë nisi hetimin e kërkimin dhe mëngjesin e djeshëm arrestoi në Gjirin e Lalzit 18-vjeçarin që kishte sajuar gjithçka. Paratë e vjedhura në shtëpinë e tij ai i kishte shpenzuar nëpër lokale nate në Tiranë dhe kishte qëndruar në disa hotele të ndryshme në kryeqytet. Më pas, i kishte kërkuar lekët sërish të atit duke trilluar një histori pengmarrjeje. Policia ka vënë në ndjekje penale edhe një shtetas tjetër për arsye se duke pasur dijeni dhe ndihmuar për largimin drejt Tiranës të Florenc Bushit, i cili gjatë zhvillimit të hetimeve për gjetjen e tij ka deklaruar të kundërtën para oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Kallëzimi

Policia e Durrësit bën me dije se më date 16.3.2013, ora 10:00, në komisariatin e Policisë Shijak është paraqitur shtetasi P. Bushi, 38 vjeç, i cili ka bërë kallëzim se rreth orës 22:00 është larguar nga banesa djali i tij, shtetasi Florenc Bushi. I njëjti shtetas, sipas policisë, pas 24-orëve deklaroi në polici se në telefonin e tij kanë mbërritur mesazhe mbi marrjen peng të të birit nga persona të panjohur. Që me marrjen e sinjalizimit të parë, strukturat policore të Durrësit kanë filluar hetimet, të cilat më pas janë zhvilluar në mënyrë intensive në bashkëpunim mes disa strukturave dhe të orientuara nga Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë. Nga ana e tyre është punuar paralelisht në disa pista. Në përfundim të hetimeve, në orët e vona të mbrëmjes së ditës së hënë, u bë e mundur të lokalizohet dhe kapet në Gjirin e Lalzit 18-vjeçari Florenc Bushi. Gjatë marrjes në pyetje, 18-vjeçari Bushi ka deklaruar inskenimin e realizuar prej tij, sipas së cilit disa ditë para se të largohej nga shtëpia, kishte vjedhur në të një sasi prej 500.000 lekësh, dhe më datë 16.3.2013, rreth orës 02:00, ishte larguar pa dijeninë e prindërve nga banesa, duke shkuar në Tiranë ku kishte qëndruar në disa lokale me muzikë e hotele të ndryshme. Pas 24 orëve, në telefonin e babait të tij ai ka dërguar disa mesazhe mbi marrjen peng nga disa persona. Ndërkohë që, sipas policisë së Durrësit, procedimi penal ndaj shtetasit S. E. filloi për arsye se duke pasur dijeni dhe ndihmuar për largimin drejt Tiranës të Florenc Bushit, gjatë zhvillimit të hetimeve për gjetjen e tij, ka deklaruar të kundërtën para oficerëve të Policisë Gjyqësore. Lidhur me rastin në fjalë u kryen gjithë veprimet e nevojshme procedurale për të cilat materialet shtesë iu përcollën për ndjekje e vlerësim Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë.

 

I vodhi kamionin një personi me mashtrim, prangoset Mane

Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një 47-vjeçar, i cili kërkohej për veprën penale të mashtrimit. Sipas burimeve zyrtare policore, dje, në rrugën “Mine Peza” u bë kapja e personit në kërkim Erzen Mane, 47 vjeç, lindur në Bilisht të Korçës dhe banues në Tiranë. Kapja dhe shoqërimi i tij u bë pasi ishte shpallur në kërkim më 11 mars të këtij viti, pasi dyshohet se para rreth tri viteve ka vjedhur duke mashtruar një kamion tip “Mercedes-Benz”, me targa TR 1139J, shtetasit Agron Marku. Materialet hetimore ndaj 47-vjeçarit i kanë kaluar për hetime të mëtejshme organit të akuzës, për veprën penale parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal.

Plagosi një shtetas me mjete të mprehta, arrestohet 56-vjeçari

Një 56-vjeçar është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit pasi ishte shpallur në kërkim për plagosjen e një shtetasi. Sipas burimeve policore, në rrugën “Ali Demi” në banesën e tij, u bë kapja e personit në kërkim Nexhat Brahimi, 56 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Të njëjtat burime bëjnë me dije se kapja dhe shoqërimi i tij u bë pasi është shpallur në kërkim më datë 18 shkurt pasi një ditë më parë po në rrugën ku banon, ka plagosur me mjete të mprehta, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasin Andrus Alku. Pas arrestimit, materialet hetimore ndaj tij i janë referuar për hetime të mëtejshme organit të akuzës së kryeqytetit për veprën penale të parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal.

Arrestohet “lojtari” humbës, vodhi tri kazino në Elbasan

Një lojtar kazinoje është vënë në pranga pasi akuzohet për vjedhjen e tri kazinove brenda pak minutave në bulevardin “Aqif Pasha” në qytetin e Elbasanit. Sipas policisë, pasi humbi paratë në kazino, i riu 33-vjeçar i sulmoi brenda pak minutave të tria, pasi ndodheshin në largësi 100 metra larg njëra-tjetrës, për t’u kapur më pas nga uniformat blu. Po sipas policisë, dyshohet se Artur Mehja në momentin e sulmit ka qenë nën efektin e narkotikëve, ndërsa shuma e humbur në lojërat e fatit ka qenë 600 mijë lekë. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, përkatësisht rreth orës 05:30-06:00, vetëm disa minuta pasi kishte humbur paratë. Policia bën me dije se 33-vjeçari ka qenë i armatosur, ndërsa në njërën prej kazinove ka qëlluar edhe në ajër, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.

 

Rispedal në gjykatë

Sot masa për babanë e deputetit Tahiri, Prokuroria kërkon lirimin e tij

Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar dje në Gjykatë dosjen me akuzuat dhe masën e sigurisë për Bashkim Tahirin, babain e deputetit të PS-së Saimir Tahiri, për të cilin kërkohet lirimi nën masën “Detyrim paraqitje”, i akuzuar për tregtim të ilaçeve kontrabandë. Ndërkohë, për të cilësuarin si bashkëpunëtorin e tij, Dritan Gjiza, organi i akuzës kërkon nga gjykata caktimin e masës “Arrest shtëpie”, ndërsa për Nadire Tagën kërkoi hetim në gjendej të lirë. Dosja me faktet rreth akuzës së kontrabandës së ilaçeve mbërriti në organin e akuzës dhe sot pritet që tri personave t’u komunikohet masa e arrestit në gjykatë. Para togave të zeza, babai i deputetit socialist do të njihet me akuzën e “Tregtimit të mallrave kontrabandë”, ndërsa i akuzuari Gjiza me atë të “Kontrabandës së medikamenteve mjekësore”. Dy ditë më parë, përmes një komunikate për shtyp, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e tre personave nën akuzën e kontrabandës, njëri prej të cilëve babai i deputetit socialist Saimir Tahiri. Bashkim Tahiri u arrestua rreth orës 13:00 të së hënës, në afërsi të rrugës “Todi Shkurti” në Tiranë. Operacioni për kapjen e tij u kodua “Rispedal” dhe në pranga veç babait të deputetit socialist Saimir Tahiri, përfunduan edhe Dritan Gjiza e Nadire Taga. Sipas policisë, tre të dyshuarit janë mbajtur nën përgjim për tre muaj me radhë, nga ku ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mundësuar transportimin e medikamenteve, ku siguroheshin në mënyrë të jashtëligjshme në një qendër shëndetësore në Itali dhe shiteshin në Tiranë. Në momentin e arrestimit, sipas policisë, tre të dyshuarit u kapën duke shkëmbyer medikamente me vlerë 10 mijë euro.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency