Pseudoprivatizimi i Albpetrolit, Rama: Hetim për ata që mashtruan shtetin me një ofertë fiktive

0
115

 

petrolPartia Socialiste ka zhvilluar dje në qytetin e Patosit konferencën rajonale për prezantimin e programit “Për një rilindje shqiptare” në fushën e naftës dhe hidrokarbureve. Kryetari i PS-së, Edi Rama, në diskutimin e tij nuk ka ngurruar të sulmojë privatizimin e Albpetrolit, duke pohuar se nga ai nuk ka asnjë fitim. “Ne nuk e ndryshuam sistemin që ta japim naftën me koncesione nga të cilat përfitojmë si shtet minimumin e të drejtës sovrane. Minimumin! Asnjë vend tjetër që ka naftë nuk ja lejon dot vetes këtë që qeveria e Shqipërisë i ka imponuar këtij vendi dhe kësaj shoqërie; Të koncesionojë një pasuri kombëtare strategjike siç është nafta dhe nga këto koncesione të përfitojë minimumin e të drejtës sovrane, për të shkuar deri në pikën që të privatizojë Albpetrolin, duke dorëzuar të drejtën sovrane dhe duke guxuar që ta kthejë Albpetrolin në ministrinë e Naftës, por me pronarë private”, – tha Rama. Në këtë kontekst, kreu socialist ka renditur të gjitha hapat që përfshin programi i PS-së për sektorin e naftës dhe hidrokarbureve. “Brenda 300 ditësh ne do të realizojmë një ekspertizë të plotë në nivel qendror, të gjithanshme, ekonomike, financiare, ligjore, administrative, për të gjithë sektorin e naftës, nga një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë. Do të angazhohemi që do të zbatojmë pikë për pikë të gjitha orientimet që do të dalin vetiu nga kjo analizë e plotë, e thellë dhe shteruese. Do të kontrollojmë me rigorozitet se si janë zbatuar të gjitha kontratat e hidrokarbureve, si janë dhënë lejet për zhvillim-kërkim dhe si janë marrë licencat dhe do të zhbëjmë çdo praktikë që gjendet jashtë kuadrit ligjor të Republikës së Shqipërisë”, – u shpreh ai. Duke iu rikthyer çështjes së privatizimit të Albpetrolit, kryesocialisti bëri të ditur se duhej hetim si për ata që realizuan privatizimin ashtu edhe për ata që mashtruan shtetin me një ofertë fiktive. “Për ne do të kishte mjaftuar vetëm pseudoprivatizimi i Albpetrolit për të ndërmarrë një nismë të plotë hetimi dhe gjykimi dhe për të parë mbrapa hekurave ata që morën pjesë në këtë mashtrim të madh të popullit shqiptar, qofshin ata që e projektuan nga ana e qeverisë atë privatizim, qofshin ata që përmes atij privatizimi në emër të pushtetit si sekserë tentuan të përfitojnë dhe qofshin ata që mashtruan popullin shqiptar, mashtruan shtetin shqiptar me një ofertë fiktive dhe qofshin ata që e garantuan ekzistencën e asaj oferte”, – deklaroi kryetari i PS-së, Edi Rama. Në konferencën e djeshme rajonale në qytetin e Patosit, lideri socialist ishte i shoqëruar nga sekretari për programin, Ilir Beqja, sekretari për sipërmarrjen, Arben Ahmetaj, si dhe deputetët Eduard Shalsi dhe Armando Subashi.

 

 

Ironia e deputetit, Braçe: A mund t’ia thotë ndokush Ramës për denoncimin tim për ARMO-n?

Ndaj deklaratave të kreut socialist Rama lidhur me privatizimin e Albpetrolit ka reaguar dje anëtari i kryesisë së PS-së, Erion Braçe, i cili duke ironizuar sulmin e lidershipit, ka pohuar se ka më shumë se një muaj që ka depozituar një kallëzim penal për këtë privatizim. “A mund t’ia thotë njeri? Kur unë hetova, denoncova publikisht privatizimin e ARMO-s dhe paralajmërova dështimin e saj; Kur unë hetova, denoncova publikisht marrëdhënien kriminale financiare mes ARMO dhe Albpetrol në dëm të këtij të fundit me 50 milion dollarë; Kur unë hetova, denoncova publikisht paligjshmërinë dhe pa dobishmërinë ekonomike të marrëveshjes hidrokarbure me kompaninë Bankers Petroleum e degraduar në zhvatje dhe shmangie fiskale në dëm të interesit publik; Kur unë hetova, denoncova publikisht procedurën e paligjshme, klienteliste dhe politike, të lidhjes së marrëveshjes hidrokarbure me kompaninë Stream Oil të degraduar në zhvatje, mungesë investimesh shmangie fiskale në dem të interesit publik; Kur unë hetova dhe denoncova në kohë dhe qysh në momentin e parë blerësin e kompanisë Albpetrol, përfaqësuar në tender nga “talenti çudibërës” në mes aradhës politike të Tiranës e Prishtinës, Esad Pushkar; Ata…. lëre fare… Vetëm t’i thotë dikush që: Unë Erion Braçe në cilësinë time si deputet i PS-së, por edhe si qytetar, kam kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës prej një muaji, shpërdorimin e detyrës dhe mashtrimin me pasojë dëmin ekonomik 85 milionë euro në procedurën e dështuar të privatizimit të kompanisë Albpetrol”, – reagoi deputeti socialist në rrjetin social.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency