Përplasja për shëndetësinë, Rama: Ftoj Kryeministrin në debat publik

0
154

Gëzim Saliu

rama beroLSI kundër PS-së, Vasili: Deklaratat e nxituara dhe pa seriozitet janë të papranueshme

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkon një debat publik për shëndetësinë me Kryeministrin e vendit, Berisha. Duke marrë shkas nga kritikat e kreut të qeverisë, i cili theksoi se Rama duhet t’u kërkojë publikisht ndjesë infermiereve për deklaratat e tij, kreu socialist e ftoi lidershipin e mazhorancës në debat për të folur për këtë çështje. “Pse mos bëjmë një debat publik për shëndetësinë dhe për kush duhet t’u kërkojë ndjesë jo vetëm infermiereve po të vdekurve e të gjallëve? Po nëse ia mban zemra debatin le ta zgjedhë vetë vendin, formatin gazetarët, ditën, orën dhe le t’i shohim aty pastaj sukseset në shëndetësi!”, – shkruante Rama përmes rrjetit social “Facebook”. Më tej në reagimin e tij, kryesocialisti theksoi se mazhoranca qeverisëse është fajtorja kryesore për gjendjen e vështirë sipas tij të sistemit shëndetësor në vend. “Një kardiolog në pushtet që rrënoi shëndetësinë dhe një KM që takson më shumë infermieret se veten duhet të ikë me vrap e të fshihet. Turp!”, – u shpreh Rama.

LSI

Ndërkohë, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ish-ministër i Shëndetësisë, i cilësoi dje si të papranueshme akuzat e kryesocialistit Rama në drejtim të infermiereve. I pyetur për këtë çështje gjatë një konference për shtyp, Vasili theksoi se duhet të ketë një vlerësim maksimal për punën dhe kontributin e infermiereve në sistemin shëndetësor. “Nuk ka një sistem shëndetësor në Shqipëri apo në botë që të ekzistojë pa praninë e figurës themelore të infermierit në sistem. Sigurisht që deklaratat e nxituara, pa vend dhe pa seriozitetin e duhur sigurisht që janë të papranueshme dhe në vend të këtyre duhet të ketë një vlerësim maksimal për punën e tyre duke vlerësuar dhe kushtet jo të lehta në të cilat ajo zhvillohet, përballjen jo vetëm me të sëmurin dhe problematikën shëndetësore që vetë përbën një problematikë shumë të komplikuar, por edhe me vështirësi të tjera të gjitha llojeve që infermieret hasin, qoftë në planin psikologjik në raportin e tyre me të sëmurin dhe familjarët por edhe me raportin e plotësimit e të gjitha atyre procedurave mjekësore të cilat duhen përmbushur”, – pohoi ai. Në këtë kontekst, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim vlerësoi sistemin shëndetësor, duke nënvizuar se një ndër sfidat kryesore në këtë drejtim përbën masa dhe sasia e financimit. “Këtu ka ende shumë për të bërë në mënyrë që sistemi të jetë gjithmonë e më efikas, kompetitiv dhe t’i japë gjithmonë e më shumë përgjigje sa më të shpejta qytetarëve. Por kjo është në sfidë e cila do të jetë e pandryshuar prej të gjitha qeverisjeve në Shqipëri dhe besoj që te gjitha qeverisjet kanë përgjegjësitë e tyre për masën e ulët të financimit në shëndetësi”, – u shpreh ai. Nga ana tjetër, Vasili tërhoqi vëmendjen ndaj administratës qendrore dhe lokale duke kërkuar që të rikthehet me përqendrimin e duhur në të gjitha problemet që janë përgjegjësi shtetërore, administrative dhe burokratike. “Gjithashtu është për ne problematikë edhe qëndrimi apo heshtja në përgjithësi e politikës shqiptare ndaj apeleve të rëndësishme të bëra nga z. Fule dhe nga z. Kukan në lidhje me ngecjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe pandjeshmërinë a një pjesë të madhe të klasës politike dhe përqendrimin e energjive vetëm në fushatën zgjedhore duke zëvendësuar një prioritet madhor e historik siç është integrimi me ethet elektorale të zgjedhjeve të radhës”, – deklaroi nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

 

Kodheli: Pas 23 qershorit, Kryeministri, taksapaguesi më i madh

 

Partia Socialiste ka kritikuar dje edhe një herë tjetër taksën e sheshtë, duke e cilësuar atë si të pandershme dhe që penalizon 95 për qind të shqiptarëve. Në një deklaratë për mediat, deputetja socialiste Mimi Kodheli tha se policët, infermierët, mjekët, mësuesit dhe të gjithë punonjësit e tjerë të administratës do të përfitojnë një taksim të ndershëm që do t’u sigurojë, sipas saj, që në fund të vitit të marrin mbi 13 paga, jo 12 sa marrin aktualisht. “Taksa e sheshtë ka rënduar xhepat e shqiptarëve. Një mësues, një mjek, një polic apo infermier sot paguan më shumë taksa se sa Kryeministri, ministrat apo një deputet. Ne i kemi kërkuar Kryeministrit të zëvendësojë taksën e sheshtë me një taksë më të ndershme për shqiptarët. Dje i kemi riparaqitur Kuvendit amendimet tona. Falë propozimit tonë për taksim të ndershëm, 95 përqind e shqiptarëve do të paguajnë më pak. Një infermier, një mësues, një polic apo një mjek, falë propozimit tonë, do të marrë 1 rrogë e gjysmë më shumë në fund të vitit”, – tha Kodheli. Më tej, ligjvënësja e PS-së bëri të ditur se taksa e sheshtë do të zëvendësohet nga ajo progresive pas 23 qershorit, ku deputetët, ministrat dhe Kryeministri do të paguajnë më shumë. “Kryeministri, ministrat dhe deputetët do të paguajnë më shumë. Pas 23 qershorit Rama Kryeministër do të paguajë 2 mln lekë më shumë nga sa paguan Berisha sot. Opozita fton mazhorancën të mbështesë propozimin tonë. Të jeni të bindur që taksa e sheshtë e Berishës do të zëvendësohet me propozimin e Partisë Socialiste”, – u shpreh Kodheli.

 

 

 

Arvizu: Duhet kompromis mes palëve për çështje të rëndësishme kombëtare

Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Alexander Arvizu, kërkon që zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit të zhvillohen të lira dhe të ndershme. Pjesëmarrës në një tryezë të organizuar nga FRESSH, me temë “Arsimi dhe punësimi rinor”, Arvizu nënvizoi se në këtë kuadër merr një rëndësi të veçantë edhe aktivizimi i qytetarëve. “Gjatë vizitës në Tiranë, ish-sekretarja Hillary Clinton i kërkoi politikës që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme e të shihen të tilla nga e gjithë bota. Në radhë të parë kjo t’i shërbejë popullit shqiptar dhe juve të rinjve që të krijoni besimin tek udhëheqësit tuaj. Gjithashtu, Clinton tha se demokracia nënkupton jo vetëm zgjedhjet për të zgjedhur udhëheqësit por nënkupton edhe qytetar aktiv, shtyp të lirë, gjyqësor të pavarur, institucione të pavarura transparente dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve, me qëllim që tju shërbejnë qytetarëve në respektim të të drejtave të tyre”, – tha ambasadori, duke shtuar se një element tjetër është pjesëmarrja e të rinjve në zgjedhje, pasi sipas tij udhëheqësit e mençur duhet ta vlerësojnë këtë element. Më tej në fjalën e tij, kryediplomati amerikan kërkoi konsensus mes mazhorancës dhe opozitës për çështje të rëndësishme, duke cituar fjalimin e sekretarit amerikan të shtetit në Egjipt, i cili kishte kërkuar pikërisht bashkëpunim mes palëve në të mirë të vendit. “Sekretari Kerry vizitoi Egjiptin, një vend që po lufton me vetë vizionin e tij të së ardhmes demokratike. Ka mesazhe të vlefshme të vizitës së tij aty, nga të cilat mund të nxjerrë mësim dhe Shqipëria. Ai nënvizoi me qeverinë dhe opozitën: duhet të ketë gatishmëri nga të gjitha palët për të bërë kompromise kuptimplota në çështje që kanë më shumë rëndësi për popullin. Të arriturit aty kërkon lëshime të vërteta mes udhëheqësve politikë dhe shoqërisë civile”, – theksoi Arvizu.

Ndërkohë që në fjalën e saj kryetarja e FRESSH, Elisa Spiropali, u shpreh se tryeza përbën një mesazh për t’u fokusuar jo tek temat që ndajnë palët, por te zgjidhjet që i bashkojnë.

“Nuk do të doja të mbaja në hyrje një fjalim mbushur me zgjidhje të bukura që mbeten në letër. Preferoj të shtroj për diskutim disa pyetje. Cili është shpirti i gjeneratës së re? A është kjo gjeneratë e braktisur në fatin e vet? A merr kjo gjeneratë shërbime që janë të denja për një gjeneratë të re evropianësh? A ka një vullnet, projekt dhe vizion për të hapur rrugë të rejave dhe të rinjve për zhvillimin e perspektivës drejt stacionit të BE-së? A japin shkollat tona dije dhe aftësim apo vetëm diploma?”, – pyeti Spiropali.

 

Qeveria ekzekuton vendimin e Gjykatës Evropiane: 1.500 euro Almir Rrapos

Qeveria vendosi dje të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila e cilësoi ekstradimin e Almir Rrapos drejt SHBA-së si të paligjshëm. Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhej se akordohet shuma prej 1.500 euro që kishte caktuar Gjykata Evropiane në formën e dëmit moral që i ishte shkaktuar Rrapos. “Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 25.9.2012, për çështjen nr. 58555/10, “Rrapo kundër Shqipërisë”, në shumën 1.500 (një mijë e pesëqind) euro, si dhe çdo taksë që mund të jetë e ngarkueshme për dëmin moral. 2. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. 3. Shuma e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesit, z. Almir Rrapo dhe të konvertohet në lekë me kursin e këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës”, – thuhej në vendim. Më tej, në të nënvizohet se në rast mospagimi brenda afatit, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin margjinal të huasë së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind. Almir Rrapo, ish-punonjësi i Ministrisë së Jashtme, akuzohej për krime të rënda në kuadër të një bande kriminale të drejtuar nga vëllezërit Krasniqi dhe avokati i tij ngriti pretendimin se Rrapo rrezikonte dënimin me vdekje. Ndaj sipas tij duhej të rrëzohej kërkesa për ekstradim nga gjykata shqiptare. Ndërkohë që procesi vazhdonte Gjykata Evropiane firmosi një urdhër për ndalimin e ekstradimit. Por pavarësisht kësaj, autoritetet shqiptare e dorëzuan Almir Rrapon në duart e policisë amerikane.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency