Fërshëllimat për Nojerin, Gjermania del kundër tifozëve te vet: U treguat antisportivë

0
161

Përgatiti Altin Vorpsi  

 

manuel-neuer-bayerNë Nuremberg, tifozët vendas “dënuan” rëndë beniaminin e Gjermanisë, Manuel Nojer

Portieri gaboi në mbajtjen e topit dhe pësoi gol

 

Numri një i Bajernit dhe i Gjermanisë po kalon orë të vështira. Një nga tre portierët më të mirë të botës është vënë në diskutim nga tifozeria e njërit prej impianteve më të vjetra. Dikur “Franken-Stadion” ndërkohë që sot njihet si “Grundig-Stadion”… qyteti është po ai i njëjtë, Nurembergu. Siç dihet fare mirë, ky vend në Bavari ushqen urrejtje për Bajernin e Mynihut, skuadrën e Nojerit, jo vetëm prej futbollit (janë frankë). Të parët kanë “mbretëruar” futbollin gjerman deri para se të krijohej Bundesliga, ndërkohë që të dytët kanë dominuar Bundesligën për plot 50 vite. Vetëm ky fakt mund të “justifikojë” kontradiktat me Nojerin.

 

Gafa

Të martën përballë Kazakistanit duhej të ishte një shëtitje për numrin 1 të kombëtares, por gafa në minutën e 46-të, që i lejoi kombëtares së 139-të në renditjen e FIFA-s të festonte në mes të Gjermanisë, nuk është toleruar nga tifozët e “pancerave”. Gjermania fitoi 4-1 dhe nuk e vuri kurrë në diskutim triumfin në “Grundig-Stadion”. E megjithatë, çdo kontakt i portierit me topin dhe fërshëllima finale e arbitrit turk u shoqërua me fërshëllimën mbytëse të pjesës më të madhe të mbi 43 mijë tifozëve që kishin mbushur shkallët e stadiumit.

 

Kronologjia

Topi i kthyer pas nga Mertezakeri ndalet keq nga portieri dhe pasi i kërcen mbi këmbë i jep shansin Hainrih Shmidtgalit të shkurtojë diferencën në 3-1. Nojeri festoi dje ndoshta datëlindjen më të vështirë në jetën e tij (mbushi 27 vjeç). Portieri i cili këtë sezon në Bundesligë ka pësuar vetëm 11 gola, u kërkoi atyre ndjesë në fushë, por edhe jashtë saj. Indinjatë për reagimin e fansave kanë shprehur thuajse të gjithë lojtarët e kombëtares, duke filluar që nga trajneri. Vetë Lëvi tha: “Nuk më pëlqeu që Nojeri u fërshëllye pas gabimit. Ai është një ndër portierët më të mirë në botë. Bëri thjesht një gabim njerëzor, që u shoqërua me ironinë e tifozëve gjatë gjithë ndeshjes. Sjellja e tyre është antisportive dhe e papranueshme”. Ndërkohë, Myleri u shpreh: “Nuk i kuptoj absolutisht ato fërshëllima. Ishin antisportive dhe me të vërtetë të patolerueshme”.

 

 

 

 

Statistikat

Me Van Galin Holanda është e frikshme

“Pokeri” ndaj Rumanisë, nuk është vetëm Robin van Persi ai që ka thyer rekord. Sulmuesi me dopietën e tij (34 gola në 74 ndeshje) la pas legjendën Johan Krujf në listën e shënuesve më të mirë të “tulipanëve” (33). Por edhe Van der Varti nuk mbetet pas. Fantazisti, i cili shënoi golin e parë në minutën e 12-të, realizoi në ndeshjen e katërt radhazi kualifikuese të këtij botërori. Një gjë të tillë deri të martën e kishte realizuar Patrik Klajvert, sot asistenti i Luis van Galit. Edhe portieri Kenet Vermer është pranë një rekordi. Numri 1 i Ajaksit ruajti për të tretën ndeshje radhazi rrjetën e paprekur (270 minuta në total). Rekordin pa pësuar gol e mban portieri i PSV-së, Ronald Vaterus, me 337 minuta.

 

Amerika Latine

Mesi: Në Bolivi nuk luhet futboll

Leo Mesi ishte një nga lojtarët që e vuajti më shumë se argjentinasit e tjerë lartësinë në ndeshjen kundër Bolivisë. Në La Paz u luajt 4000 metra mbi nivelin e detit dhe mungesa e oksigjenit ka qenë gjithnjë një pengesë për rivalët bolivianë. Di Maria përdori edhe bombolën e oksigjenit për të rezistuar, ndërsa kapiteni volli në fund të pjesës së parë. Argjentina nuk fitoi dot sërish në këtë fushë (1-1). “Është e tmerrshme të luash në këtë lartësi. Pas një sprinti është e pamundur të rimarrësh forcat. Duhet t’i gëzohemi kësaj pike, por nuk jemi kualifikuar ende, edhe pse jemi shumë pranë”, – përfundoi “Topi i Artë”.

 

Grushti

Suarezi është sërish në mes të polemikave

Sikur të mos mjaftonte zbritja në vend të 6-të në grupin kualifikues të Amerikës së Jugut (13 pikë) Luis Suarezi ka menduar të shtojë telashet për skuadrën e Oskar Tabarezit. Uruguai u mund 2-0 nga Kili, por Luis Suarezi ka goditur me grusht mbrojtësin kilian Gonzalo Jara. Incidenti i cili u shpëtoi syve të arbitrit, ndodhi gjatë ekzekutimit të një goditjeje këndi. Mbrojtësi i Uest Bromuiçit po mundohej me të gjitha mënyrat për të ndalur sulmuesin e Liverpulit në zonë dhe në nervozizëm e sipër Suarezi i dha një grusht me të djathtën. Jara nuk u rrëzua, ndërsa debati i tyre dhe përplasjet fizike vijuan gjatë gjithë ndeshjes. Suarezi do të jetë i pezulluar ndaj Venezuelës, pasi u ndëshkua me karton të verdhë gjatë ndeshjes, por ai rrezikon një mungesë më të gjatë në rast se do të shpallet fajtor. FIFA reagoi duke theksuar se do të presë raportin e gjyqtarit Nestor Pitana brenda ditës së enjte (sotme) për të marrë një vendim. Humbja në Santiago e lë Uruguain në vend të 6-të. Kryeson Argjentina me 24 pikë, e ndjekur nga Ekuadori (20), Kolumbia (19) dhe Kili me Venezuelën (15).

 

 

Merkato

Vidali është “preja” e Bajernit

Ndërsa në vitet e fundit, Juventusi është mësuar që të jetë protagonist i merkatos italiane, duke realizuar përforcime të shumta, në këtë sezon, për herë të parë kampionët e Italisë duket se do të përballen me një ofensivë të klubeve të mëdha për yjet e tyre. I pari që ka tërhequr vëmendjen është mesfushori Arturo Vidal, i cili ka një kontratë deri në 2016-ën, por që nuk pengon klube të mëdha që të jenë të gatshme të ofrojnë shuma të rëndësishme për të. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, e cila citoi burime të besueshme, për kilianin janë realizuar kontaktet e para me Bajernin e Mynihut dhe Realin e Madridit, që do të ishte edhe destinacioni i preferuar për Vidalin. Nga pikëpamja ekonomike, në çdo rast Juventusi pritet të dalë i përfituar, pasi futbollistin që bleu për 10,5 milionë euro nga Leverkuseni, pritet që ta shesë për një vlerë midis 30-40 milionëve. Megjithatë, në ditët e fundit, për Vidalin po shfaqet edhe mundësia e kalimit në “Camp Nou”. Gjithmonë sipas të përditshmes italiane, Aleksis Sançez ka shfaqur pakënaqësinë e tij për minutat e pakta që ka në radhët e katalanasve dhe Barça mund të ofrojë shkëmbimin kokë më kokë mes dy bashkëkombësve. Një mundësi e tillë do të ishte e parapëlqyer për Juventusin, që ka shfaqur gjithmonë një vlerësim të lartë për Aleksisin, ish-futbollistin e Udinezes, që do të ishte në gjendje të përforconte skuadrën atje ku ka ajo më shumë nevojë, në repartin sulmues.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency