Dilema verikoreane

0

dilemaParandalimi i regjimit të Koresë Veriore kërkon aksion të ashpër nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan në fillim të editorialit të djeshëm e përditshmja londineze “Times”.

Loading...

Dinastia tiranike e formuar në kultin e personalitetit kuazi-religjioz, ku Presidenti i Përjetshëm është i vdekur për afro 20 vjet, nuk është shtet normal. Diplomacia perëndimore duhet ta pranojë këtë konkluzë shqetësuese derisa merret me Korenë Veriore.

Kur Kim Jong Un e mori pushtetin absolut, në vitin 2011, duke e trashëguar babain dhe gjyshin e tij, mosha e tij e re dhe arsimi i jashtëm patën sjellë një shpresë të shkrirjes në politikën e akullt të këtij vendi.

Në atë kohë nuk ekzistonte asnjë dëshmi për këtë, por kjo nuk u tregua, për shkak të armiqësisë aktuale të Koresë Veriore.

E përditshmja londineze “Times” më tutje shkruan se mundësia e arritjes së marrëveshjes së madhe me despotizmin e ndryshueshëm është ekstremisht e vogël.

E vetmja mundësi e urtë për Shtetet e Bashkuara është për ta theksuar aleancën me Korenë Jugore dhe Japoninë, të sigurojë se Pheniani e kupton se nuk do të fitojë asgjë nga sjellja e vet kriminale dhe të punojë me Kinën për të ndihmuar në frenimin e aleatit të saj të çoroditur.

Pheniani pretendon se i ka pozicionuar raketat për t’i sulmuar bazat e ushtrisë amerikane, që shtrihen nga Paqësori e deri në tokën e Shteteve të Bashkuara.

Është joshëse për ta parë regjimin e Koresë Veriore dhe sunduesin e saj të trashë dhe të papërvojë, si më tepër teatral sesa kërcënues, shkruan “Times”, duke vlerësuar se kjo do të ishte e gabueshme. Në këtë kuadër, gazeta e merr shembullin e Osama bin Ladenit, për të cilin shkruan se gjithashtu dukej si figurë donkishoteske në vitin 1998, kur kërkoi nga mbështetësit e tij për t’i vrarë amerikanët dhe aleatët e tyre, por fanatizmi i tij ishte serioz.

Parandalimi i Koresë Veriore kërkon që regjimi të mos shpërblehet për koncesione kozmetike. Administrata “Obama” ka përvojë të mundimshme në këtë aspekt. Vitin e kaluar nënshkroi një marrëveshje, sipas të cilës, Koreja Veriore ka premtuar që të mos lansojë raketë me rreze të gjatë veprimi. Por, qartas regjimi nuk kishte kurrfarë qëllimesh paqësore. Disa ditë më vonë e lansoi provën e satelitit, që dështoi, dhe prej atëherë i ka deklaruar tri prova atomike.

Modeli i negociatave të kota ishte sajuar në vitin 1994, shkruan “Times”, dhe shpjegon se administrata “Clinton” e kishte nënshkruar një marrëveshje përmes së cilës Koreja Veriore do ta suspendonte punën në grafitin e reaktorëve atomikë, të aftë për të prodhuar plutonium në shkallë të nevojshme për armatim, në këmbim për reaktorë të lehtë të ujit. Regjimi i Koresë Veriore nuk kishte qëllim ta respektoj marrëveshjen, ose t’i nënshtrohej ndonjë obligimi ndërkombëtar, që e konsideronte imituese.

Sanksionet e Kombeve të Bashkuara, të imponuara në vitin 2006, në përgjigje të provës së parë bërthamore të Koresë Veriore,nuk e kanë larguar regjimin nga binarët e as nuk e kanë parandaluar agresionin direkt të tij kundër territorit dhe transportit detar të Koresë Jugore.

Derisa perëndimi i ka dërguar ndihma ushqimore për vendin, i cili po vuante nga uria, Pheniani e ka trajtuar atë si një mundësi për propagandë, e jo si ndihmë humanitare, shkruan “Times” londineze.

Administrata “Obama” ka pasur qasje të “durimit strategjik”, me Korenë Veriore, siç është shprehur Hillary Clinton. Parandalimi efektiv me të vërtetë kërkon durim dhe vendosmëri. Po ashtu, kërkohet braktisje e iluzioneve se stimulimet për Korenë Veriore do të kenë efekt.

E gjithë kjo po ndodhë sepse regjimi kriminal i shfrytëzon ato dhe është më afër për të qenë i aftë për ta kërcënuar territorin e Shteteve të Bashkuara, me pajisje atomike.

Shtetet perëndimore duhet të punojnë me Kinën për forcimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara. Duhet të ketë moslejim të transporteve detare të Koresë Veriore dyshuara se bartin materiale të palejueshme.

Pamundësimi i të ardhurave për regjimin (ashtu siç janë imponuar sanksionet ndaj Iranit), mund të shkaktoj çarje në bllokun e gurit.

Duke e thënë të vërtetën për ankthin e shtetit totalitar, ndoshta mund të reduktohen përpjekjet e qeverive perëndimore për të synuar pajtueshmëri të pafrytshme dhe amorale me të, shkruan në fund të editorialit të vet, e përditshmja londineze “Times”.

 

 

Info/Bota

 

KE ndan mbi 272 milionë euro për Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian do të investojë 272.75 milionë euro për promovimin e bashkëpunimit rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, në vitin 2013.

“Këto mjete janë një lajm i mirë, marrë parasysh se bashkëpunimi rajonal është esencial për reformimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ato po ashtu i ndihmojnë rajonit që të arrijë prosperitet ekonomik dhe stabilitet politik”, – ka thënë komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule. Paratë do të ndahen nga fondi i paraanëtarësimit evropian.

 

Vetëm një i marrë “do të donte qeverisjen në Itali”

Lideri i së majtës italiane, Pier Luigi Bersani, i cili po bën përpjekje të formojë qeverinë e re, ka thënë se vetëm një person i sëmurë mendërisht do të donte të qeveriste tani Italinë.

Ai i ka bërë këto komente gjatë bisedimeve me partitë politike për krijimin e një koalicioni qeverisës. Javën e kaluar, atij i është kërkuar zyrtarisht nga Presidenti Giorgio Napolitano që të bëjë përpjekje për formimin e qeverisë, pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, të cilat nuk kanë rezultuar me fitues të qartë. “Dua që gjërat të jenë të qarta: Unë jam i gatshëm të marr një sasi të madhe të përgjegjësisë, por kërkoj edhe nga të tjerët që të marrin nga pak”, – ka thënë Bersani.

Italia, ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë, po përballet aktualisht me recesionin më të gjatë në dy dekada.

 

Britania s’arrin të ekstradojë klerikun mysliman

Qeveria britanike ka humbur apelin kundër një vendimi të gjykatës, i cili i lejon klerikut radikal mysliman, Abu Qatada, të mbetet në Britani. Abu Qatada, emri i vërtetë i të cilit është Omar Mahmud Muhammad Othman, është dënuar në mungesë në Jordani për planifikim të sulmeve terroriste më 1999 dhe 2000. Qeveria britanike, qysh në vitin 2001, ka qenë e pasuksesshme në përpjekjet e saj për të ekstraduar Abu Qatadan, të cilin prokurorët e përshkruajnë si “operues kyç të Al Kaedës në Evropë”. Gjykatësit e Gjykatës së Apelit në Londër kanë rrëzuar sot kërkesën për ekstradim, duke thënë se ka rrezik që provat e siguruara përmes torturës në Jordani, të përdoren kundër klerikut.

 

Gjermania, e shqetësuar rreth bastisjeve të OJQ-ve në Rusi

Gjermania është ankuar për Rusinë, në lidhje me disa bastisje në organizatat joqeveritare që veprojnë atje. Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme tha se ministri i Jashtëm Guido Westerwelle dy ditë me parë ka ftuar diplomatë nga ambasada ruse në Gjermani për të shprehur shqetësimet.

Mediat gjermane citojnë një diplomat të ketë thënë se “pengimi i veprimtarisë së fondacioneve gjermane mund të shkaktojnë dëme të rënda në marrëdhëniet dypalëshe”.

Autoritetet ruse kanë deklaruar se inspektimet kanë për qëllim përcaktimin nëse organizatat janë duke vepruar në përputhje me ligjet ruse. Aktivistët këto veprime i kanë parë si një goditje.

Loading...