Mandati i ardhshëm Berisha: 3-fishojmë grantet për fermerët

0
132

Ina Jano

berishaKryeministri: Kam një sugjerim. Tani (Rama) ka nxjerrë teorinë se do të rilindë toka e bukës. Ndaj ftojeni këtu, i thoni: Urdhëro zoti Edi, shikoje, ka rilindur apo jo, kjo tokë

Bujqësia, sektori i vetëm ku mund të 10-fishojmë prodhimin. Premtojmë sistem modern për vaditjen

 

Kryeministri Berisha, në vijim të takimeve të tij me qytetarët në mbarë vendin, dje u takua me fermerë të Lushnjës, me të cilët zhvilloi një takim të përzemërt. Kreu i ekzekutivit u shpreh se gjatë mandatit të ardhshëm Partia Demokratike do të trefishojë grantet për të gjithë fermerët, ndërsa theksoi se, në fakt, deri më tani sektori i bujqësisë është i vetmi që merr të tilla grante nga qeveria. Sipas numrit një të mazhorancës, subvencionimi i fermerëve mbetet rruga më e shkurtër për punësimin e të gjithë njerëzve. Për të treguar se jo vetëm puna e qeverisë ndihmon në rregullimin dhe përmirësimin e situatës në vend, Berisha pohoi se në fakt të gjitha masat e marra nga ekzekutivi janë vetëm ¼ e asaj që fermerët kanë bërë me forcat e tyre. “Këto që kemi arritur janë inkurajuese, por unë ju garantoj se katër vitet që vijnë ne do të trefishojmë grantet për fermerët e Lushnjës, për fermerët e Shqipërisë. Qëllimi ynë më kryesor është punësimi i qytetarëve shqiptarë dhe dua t’ju rrëfej këtu se investimi në bujqësi, subvencionimi i fermerëve është rruga më e shkurtër dhe më e sigurt e punësimit të qytetarëve. Ne kemi subvencionuar 42 mijë familje”, – u shpreh kreu i qeverisë.

Ndërsa nuk mund të mungonte edhe një batutë nga ana e Berishës, në lidhje me kundërshtarin e tij në këto zgjedhje, Edi Rama. “Jam shumë i kënaqur edhe nga politikat e qeverisë, edhe nga prodhimet e mia. Keni bërë gjënë më të madhe që na keni bekuar fshatin, një fshat nacionalistësh prej 50 vitesh, në të cilin edhe një mik që donte të vinte, duhet të merrte leje nga dega e brendshme. Falë demokracisë kemi kuadro të mirë, kemi njerëz të mirë. Sa për opozitën, Edi Rama të mos lodhet kot, ai le të mbajë pikturat shkarravinat”, – i tha njëri prej fermerëve Kryeministrit. Ndërsa përgjigjja e këtij të fundit ishte: “Ju falënderoj shumë, por kam një sugjerim. Tani ka nxjerrë teorinë se do të rilindë toka e bukës. Ndaj ftojeni këtu, i thoni: Urdhëro zoti Edi, shikojë ka rilindur apo jo, kjo tokë”.

 

Sistemi i vaditjes është një tjetër çështje, e cila u ngrit si problem nga të pranishmit, të cilët i drejtuan Kryeministrit pyetje të shumta. Lideri i qeverisë tha se vaditja është një tjetër projekt i madh i mazhorancës, i cili ka filluar dalëngadalë të zbatohet megjithatë në vitet e mandatit të tretë do të marrë një formë edhe më të zhvilluar. Ai pohoi se shumë fermerë nga të gjitha anët e vendit, ia kanë ngritur atij këtë problem, por Kryeministri pranoi se më përpara duhet që të fokusoheshin tek infrastruktura. Fermerët kërkuan që të ndryshojë mënyra e subvencionimit të tyre, për të mos mbetur vetëm tek akciza e naftës, por edhe për të kaluar tek subvencionimi mbi bazën e njësive të prodhimit. Për fermerët kjo është mënyra më e ndershme, me të cilën shteti mund që ti ndihmojë realisht ata. Propozimi i disa prej fermerëve gjeti mbështetjen e menjëhershme të Kryeministrit, i cili premtoi se një gjë e tillë do të shqyrtohet me një përparësi të madhe. Në takimin me fermerët e Kosovës së Vogël në Lushnjë, kryetari i mazhorancës ishte i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, zoti Genc Ruli dhe ai i Transporteve Sokol Olldashi. E pranishme ishte edhe deputetja demokrate Mesila Doda, të cilët e shoqërojnë numrin një të qeverisë në town-hall-et që ai zhvillon me grupe të caktuara të popullsisë. Ky është takimi i dytë që kreu i ekzekutivit zhvillon me fermerët e Lushnjës në një kohë të shkurtër, në kuadër të shkëmbimit të mendimeve për të hartuar programin e ri elektoral, që do të jetë edhe ai i qeverisë, nëse Partia Demokratike do të marrë votën e qytetarëve shqiptarë.

 

 

Kryeministri, takim me Haradinajn: AAK, rol konstruktiv në Kosovë

Kryeministri Berisha zhvilloi të hënën në mesditë një takim me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), zotin Ramush Haradinaj. Kreu i qeverisë dhe zoti Haradinaj diskutuan gjerësisht për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri, si edhe për bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Gjithashtu, ai shprehu vlerësimet e tij për qëndrimet dhe rolin konstruktiv të AAK-së në zhvillimet politike në Kosovë. Berisha dhe kryetari i AAK-së, zoti Ramush Haradinaj, vlerësuan ecurinë e procesit të bisedimeve të zhvilluara në Bruksel, si një zhvillim i rëndësishëm jo vetëm për marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë, por edhe për rajonin në tërësi, paqen dhe stabilitetin.

 

Bozdo: Rritja e taksave, plani i vetëm i Ramës

Zv.ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, nga selia blu dje deklaroi se plani i vetëm i Edi Ramës është ai për të rritur taksat. Numri dy i Ekonomisë u shpreh se sloganet e përdorura nga kryesocialisti janë boshe. “Ai vazhdon me slogane boshe të ngjizura në dhomën e tij pink të gjumit, ndërkohë që nuk ka ende një plan për krijimin e vendeve të punës, por vetëm një plan për rritjen e taksave që shkaktojnë humbje të vendeve të punës. Le t’i pyesë zoti Rama këta sipërmarrës, se si ndihen ata për planin e tij, për rritjen e taksave? Le t’i pyesë ata po pati guxim, kur ata vetë e dinë që do të detyrohen t’i heqin punëtoret nga puna po u ra për pjesë taksa me kate e Ramës, që edhe ai vetë nuk e di se sa kate do të ketë. Por ka thënë se do t’ua tregojë pas zgjedhjeve”, – deklaroi Bozdo. Ky i fundit i bëri ftesë Ramës që të shkojë dhe të takojë të gjithë qytetarët për ti shpjeguar planin e tij për të rritur taksat 50 për qind, për të gjithë biznesin e vogël. “Ata do të tregojnë se i vetmi plan konkret qe ke ti zoti Rama, plani për rritjen e taksave me 50% për bizneset e vogla, dëmton pikërisht ata sipërmarrës që krijojnë vende pune. Ata do të të tregojnë, z. Rama, se je ti me taksën tënde më kate që shkatërron klimën e favorshme për rritjen e biznesit. Ata do të të thonë z.Rama se je ti që ke bllokuar Gjykatën Administrative që do t’i ndihmonte ata për të zgjidhur çështjet me qeverinë, në mënyrë të ndershme dhe të paanshme. Ata e dinë shumë mirë tashmë që në vend të kësaj gjykate, ti zoti Rama, kërkon të kesh një zyre politike që të raportojë tek ti. Dhe ti në mënyrë selektive të ndëshkosh ata që s’do dhe të falesh ata kontrabandistë pa të cilët ti nuk merr dot frymë, pa të cilët ti nuk e mban dot Partinë Socialiste. Ata e dinë tashmë, zoti Rama, se ti je një mace e zezë për bizneset dhe punësimin që u pret jo vetëm rrugën, por ua prish edhe ëndrrat. Partia Demokratike do vazhdojë të fokusohet për të përmirësuar klimën e biznesit te vogël, që ai te rritet e të krijojë vende pune, sepse ne e dimë që kemi bërë shumë, por ka ende për të bërë”, – përfundoi nga zv.ministri Bozdo.

 

Noka, në krye të listës për deputetë në Kukës

Ministri i Brendshëm Flamur Noka do të kryesojë listën e Partisë Demokratike për Qarkun e Kukësit. Me gjithë zërat që janë duke qarkulluar për deputetët apo emrat e mundshëm për kandidatët potencialë, nga ana e selisë blu nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar për emrat e përveçëm. Kryeministri Berisha ka pohuar se ai nuk ka ndërmend që të prezantojë kandidatët për deputetë të PD-së, pasi, sipas tij, kjo është një reprezalje për deputetët aktualë. Me rastin e sekretarit organizativ të PD-së duket se ka ndodhur e kundërta, pasi është vetë kryetari i degës së demokratëve në Kukës. Lajmi është konfirmuar nga kryetari i Partisë Demokratike në këtë qytet, Ibsen Elezi. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Elezi theksoi se PD do të arrijë të marrë 4 mandate në Kukës, Has dhe Tropojë. Përpara elektoratit, Partia Demokratike në Kukës pritet të dalë me një kartë të fortë në dorë, pjesë e së cilës janë ndërtimi i Rrugës së Kombit, hapja e vendeve të punës, investimet në infrastrukturë, mirëqeverisja etj. PD është forca politike që ka marrë më shumë vota në çdo betejë elektorale. Në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës PD mori më shumë se 27 mijë vota, çka u përkthye në tri mandate në Parlament. Ai shtoi se PD është një forcë politike që del para elektoratit me premtime të mbajtura.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency