Legalizimet Rama: PD do 160 vite. Olldashi: Bën sikur qan hallin e atyre që i ka quajtur “çeçenë e të palarë”

0
129

Gëzim Saliu

rama per legalizimet.Tryeza për legalizimet, kreu i PS-së: Procesi i legalizimeve, së bashku me procesin e regjistrimit të pronave

Olldashi: Legalizimet mbyllen brenda vitit 2013, çdo muaj legalizohen rreth 10.000

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzon mazhorancën qeverisëse se ka dështuar në procesin e legalizimeve në vend. Në tryezën e organizuar dje nga PS për legalizimet, ku ishin të ftuar banorë nga rrethinat e Tiranës dhe më gjerë, kryesocialisti deklaroi se PD do 160 vite për të legalizuar të gjithë shqiptarët. “Ata po e lenë Shqipërinë me 400 ndërtime pa leje dhe më një numër qesharak legalizimesh dhe përkundër një numri që presin legalizime. Nga njëra anë e gjetën kuadrin ligjor me një ligj që ishte operativ, dhe pse kishte nevojë për shumë elementë të tjerë dhe po e lenë sot me një kaos të gjerë. Me këta që janë në qeveri, këta do lenë stërnipërit e stërnipërve e stërnipërit e stërnipërve pa u legalizuar”, – tha kreu i PS-së. Por ndaj këtyre akuzave ka reaguar ministri i Transporteve Sokol Olldashi, i cili deklaroi se Rama nuk bëri asgjë për procesin e legalizimeve në kohën e drejtimit të bashkisë së kryeqytetit. “Zoti Rama u tha qytetarëve që “i pikon shpirti e s’e zë gjumi natën” për hallin e tyre. Gënjeu! Vetëm pak vite më parë i quante “çeçenët e Saliut që po shëmtojnë Tiranën”. Zoti Rama tha se qeverisë do t’i duhen 160 vjet për të mbyllur procesin. Gënjeu! Megjithëse vetë ai kur drejtonte bashkinë dhe, me porosi e gjithë kryetarët socialistë të bashkive dhe komunave kanë bërë çdo përpjekje për ta penguar procesin, legalizimet do mbyllen brenda vitit 2013”, – u shpreh Olldashi në rrjetin sociali “Facebook”. Më tej ministri bëri të ditur edhe arritjet e mazhorancës qeverisëse në këtë kuadër, duke theksuar se aktualisht po legalizohen më shumë se 2300 objekte, pra rreth 10.000 në muaj. “Deri tani nga 270 mijë aplikime, janë kualifikuar 230 mijë, janë përditësuar në terren 140 mijë, është bërë kalimi i pronësisë për 103 mijë parcela, janë dhënë lejet për 65 mijë ndërtime, janë dëmshpërblyer 5458 pronarë, me 5.527 miliardë lekë të reja. Këto janë statistikat e legalizimeve, të cilat tregojnë se angazhimi ynë për të mbyllur procesin brenda vitit 2013 është real dhe i vërtetë. Njeriu që krijoi paligjshmërinë nuk mund të premtojë legalizimin. Njeriu që i quajt banorët “cecenë e të palarë” nuk mund të përlotë sot për “hallet” e tyre”, – deklaroi Olldashi.

 

Programi i PS-së

Ndërkohë në tryezën për legalizimet, kreu socialist, duke bërë të ditur se vetëm 60 për qind e pronave në vend janë të regjistruara tha se PS do ta integrojë procesin e legalizimeve me procesin e regjistrimit të pronave. “Ne do legalizojmë me prioritet maksimal qofshin ndërtimet në tokë private apo shtetërore. Nuk ka asnjë arsye që në këto dy kategori të ketë zvarritje. Aty ku toka është private dhe atyre që kanë ndërtuar në truallin e tyre shtëpinë dhe aty ku është shtet do legalizohet përderisa është thënë se do legalizohet. Por në pjesën ku shtëpia është ndërtuar në pronën e dikujt, legalizimi të kalojë në proces normal të sigurt që duhet ta garantojmë ne si qeveri, për pronarët”, u shpreh Rama. Në të njëjtën linjë, lideri socialisti theksoi se të gjitha pronat që kërkojnë legalizim përbëjnë një kuadrat me përmasa 7 me 8 km dhe se ky kuadrat sipas tij do të legalizohet me ardhjen e PS-së në pushtet. “Dikush tha në televizion “Mallkuar qoftë Enver Hoxha që nuk i dogji hipotekat se kam 20 vjet endem gjyqeve dhe po u lë fëmijëve sherre pas. Unë mendoj se mallkimi për çka ndodh sot me pronën u takon atyre që ndërmorën gjithë këtë proces shkatërrimi të dokumentacionit që lidhet me legalizimin dhe kthimin e pronave. I kanë shkatërruar psikologjikisht të gjithë ata që presin legalizimin dhe kompensimin. Marrja e tokës në Shqipëri mbetet ëndërr”, – pohoi Rama. Ne tryezën e organizuar nga PS ekspertët që po punojnë me draftin theksuar se nga 270 mijë vetëdeklarime janë dhënë vetëm 18 mijë leje për legalizim.

 

 

PS, Leskaj: Do mbështesim biznesin fason

Partia Socialiste premton se do të mbështesë biznesin fason me lehtësi fiskale. Gjatë një takimi në një ndërmarrje fasonerie në Vlorë, deputetja socialiste Valentina Leskaj deklaroi se PS ka propozuar që dhe makineritë që vijnë nga jashtë t’u hiqet TVSH-ja. Gjatë takimit me punonjësit, Leskaj theksoi faktin se për shkak të vështirësive të mëdha, bizneset fasone kanë ulur ndjeshëm numrin e punonjësve. Deputetja socialiste pohoi më tej se rritja e punësimit do të realizohet duke krijuar lehtësi dhe duke mbështetur biznesin fason që krijon një numër të madh vendesh pune. “Ne do të punojmë që të krijojmë tregun e brendshëm duke realizuar mundësinë e kredive të buta dhe bankave specifikeve”, – tha ligjvënësja e PS Valentina Leskaj.

 

Ahmetaj: Qeveria dështoi me sektorin e naftës

Partia Socialiste vazhdoi edhe dje fushatën “100 arsye për të mos votuar Berishën”, ku me natë të sekretarit për sipërmarrjen në këtë parti Arben Ahmetaj deklaroi se qeveria ka dështuar me sektorin e naftës duke filluar që nga kërkimi, prodhimi, përpunimi e deri tek tregtimi me pakicë. “Në këto 8 vjet, kërkimi në sektorin e naftës ka dështuar dhe asnjë pikë naftë e re nuk është zbuluar. Shkrirja e institutit të naftës, eliminimi i mbikëqyrjes së prodhimit dhe i monitorimit të impaktit në mjedis, janë veç disa nga veprimet e kësaj qeverie që kanë mundësuar daljen jashtë çdo kontrolli të këtij sektori”, tha Ahmetaj. Më tej ai shtoi: “koncesionet jotransparente, klienteliste, korruptive dhe pa asnjë logjikë ekonomike në sektorin e naftës janë një tjetër dështim i Sali Berishës, ndaj pas 89 ditësh ky sektor do të fillojë të rilindë së bashku me ekonominë shqiptare”.

 

Ish-të përndjekurit: Të hapen dosjet

Ish të burgosurit dhe ish të përndjekurit politik të regjimit komunist apelojnë për ballafaqimin e shoqërisë shqiptare me të shkuarën. Në një aktivitet të zhvilluar për këtë qellim, sekretari i përgjithshëm i shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, tha dje se pas 23 vjetësh të vendosjes së pluralizmit në Shqipëri krimi komunist nuk është dënuar. “Në Shqipëri jo vetëm që nuk është dënuar krimi dhe krimineli por viktimat e komunizmit vazhdojnë të vuajnë, pa bukë, pa punë, pa strehë, pa përkrahje dhe mbi të gjitha, pa mirënjohje”, – u shpreh Ndregjoni. Në këtë kontekst, ai ka paralajmëruar se ish të përndjekurit politik nuk do të votojnë asnjë parti në zgjedhjet e ardhshme pasi vota e tyre është keqpërdorur. “Asnjë nga partitë politike nuk ka në programin e saj dokumentimin e krimit komunist 45-vjeçar dhe dënimin e saj. Pra, partitë na ftojnë ne: “Votoni për ne, ju jeni skllevër vetëm për të votuar”, kurse në Parlament duhet të vijnë djemtë e ish bashkëpunëtorëve të diktaturës komuniste, ata duhet të na bëjnë leksion demokracie”, – u shpreh Ndregjoni. Në këtë aktivitet u theksua se nuk është vonë për të dënuar krimet e komuzmit dhe për të hapur dosjet.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency