Dhunon të dashurën në krevat binjakja i ngul thikën e bukës

0
139

Elton Qyno

policiaPlagoset lehtë 30-vjeçari K. Kuleli. Shkak i konfliktit, xhelozia për të dashurën

 

Një 30-vjeçar është plagosur në pjesën e shpinës nga motra e të dashurës së tij, të cilën ai po e keqtrajtonte. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në kryeqytet, ku pas një sherri për motive xhelozie shtetasi K. Kuleli, 30 vjeç, nga Dibra, ka filluar të qëllojë me grushte shtetasen S. Buzuko, e cila në momentin e përplasjes me të dashurin e saj, ka qenë në shoqërinë e motrës, shtetases A. Buzuko. Për shkak se motra binjake është qëlluar disa herë me grushte nga i dashuri i saj, binjakja tjetër ka reaguar tepër dhunshëm, duke rrëmbyer një thikë në pjesën e kuzhinës dhe me thikën e bukës ka qëlluar dy herë në pjesën e shpinës 30-vjeçarin. Ky i fundit pas kësaj goditjeje ka ndalur sulmin fizik ndaj të dashurës së tij, duke rënë në tokë. Mirëpo edhe pas këtyre goditjeve, motra binjake e 22-vjeçares S. Buzuko nuk e ka lëshuar thikën nga dora, deri në momentin e largimit së bashku me motrën e saj nga banesa, ku dhe më pas të dyja së bashku kanë denoncuar në policinë e Tiranës. Sipas burimeve të uniformave blu e gjithë ngjarja është regjistruar mesnatën e të shtunës së kaluar, ndërkohë që i plagosuri K. Kuleli, është transportuar në drejtim të spitalit ushtarak, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, bluzat e bardha kanë bërë me dije se Kuleli ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja në mesnatë

Ka qenë ora 12:30, ku në banesën e marrë me qira nga dy motrat binjake është shfaqur shtetasi 30-vjeçar K. Kuleli, i cili pa bërë asnjë paralajmërim ka sulmuar derën e banesës ku jetonin me qira dy motrat, duke e shpërthyer atë. Sapo ka hapur derën, K. Kuleli ka është gjendur brenda shtëpisë dhe menjëherë është drejtuar në dhomën ku flinte 22-vjeçarja S. Buzuko. Në gjendje gjumi, siç ndodhej, kjo e fundit është sulmuar egërsisht nga i dashuri i saj, i cili në për motive xhelozie e ka qëlluar disa herë me grushte. Klithmat e 22-vjeçares kanë alarmuar motrën tjetër, e cila ka tentuar të ndihmojë binjaken e saj, por sërish 30-vjeçari nuk e lëshonte nga duart, duke e qëlluar në fytyrë dhe pjesë të ndryshme të trupit me grushte. Gjatë kësaj kohe, 22-vjeçarja ka filluar të bërtasë dhe nga goja i ka dalë gjak, kjo për shkak të goditjeve me grushte nga i dashuri i saj. E ndodhur në këtë situatë të vështirë, binjakja tjetër ka vrapuar drejt tavolinës së ngrënies, ku prej andej ka marrë një thikën e bukës, ku e ka qëlluar dy herë në shpinë, të dashurin e motrës. Kanë qenë këto goditje që e kanë ndaluar 30-vjeçarin të godasë dhe kërcënojë me jetë më tej, të dashurën e tij. Pas kësaj, binjakja ka mundur ti japë ndihmë motrës së saj, e cila e përgjakur së bashku me motrën tjetër, janë larguar me shpejtësi nga banesa, duke denoncuar ngjarjen në policinë e Tiranës. Për krimin e rëndë policia e Tiranës është njoftuar dhe nga disa banorë të zonës, të cilët kanë telefonuar policinë për një konflikt që kishte ndodhur në banesën e dy studenteve. Policia e cila ka shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes, ka bërë arrestimin e të tre protagonistëve të këtij, krimi duke ngritur akuzë ndaj tyre. Ndërkohë që pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin Ushtarak, sipas burimeve të policisë 30-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet e policisë

Një patrullë policie që ka shkuar në vendngjarje, ka bërë shoqërimin e dy vajzave në polici, ku gjatë marrjes në pyetje ato kanë treguar me detaje të gjithë skemën e krimit. Pas kësaj në pyetje është marrë dhe shtetasi K. Kuleli, i cili ka deklaruar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dashurës së tij, për shkak se kjo e fundit ishte shoqëruar me disa meshkujt të tjerë, dhe se kohët e fundit s’ka pranuar të dalë me të. Të njëjtin version kanë dhënë dhe dy binjaket, të cilat kanë treguar se K. Kuleli ka qëlluar me grushte për shkak të xhelozisë. Për pasojë policia e Tiranës, ka vënë nën hetim shtetasin 30-vjeçar duke e akuzuar këtë të fundit për akuzën e “Plagosjes se lehtë me dashje” dhe “Shkatërrim banese”, ndërsa nën akuzë është venë dhe shtetasja A. Buzuko, e cila sipas policisë ka qëlluar me thikën e bukës 30-vjeçarin. Aktualisht ndaj dy këtyre personave materiali hetimor i është dërguar prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.

 

Të afërmit shkojnë për ngushëllime, nuk pranohen

Familja e monstrës kërkon mbrojtje nga

policia, tetë ditë kërkime për Julianin

 

Familja e mostrës së Laprakës që banon në qytetin e Përrenjasit, ka kërkuar mbrojtjen e policisë, pasi ndihet e kërcënuar. Sipas anëtarëve të familjes, kohët e fundit kanë marrë telefonata kërcënuese nga persona të ndryshëm, dhe nisur nga kjo situatë, ata i janë drejtuar policisë, për ti marrë në mbrojtje. Disa nga anëtarët e familjes, kanë zgjedhur të zgjidhin në mënyrë private konfliktet e lindura pas arrestimit të Ardian Prrenjasit, duke shkuar në banesën e 11-vjeçarit Julian Çela, por sipas banorëve në qytetin e Përrenjasit, kjo familje nuk i ka pranuar. Nisur nga kjo situatë, nga frika e një hakmarrje të mundshme, të gjithë anëtarët e kësaj familje janë ngujuar, ndërkohë që disa prej tyre kanë emigruar në shtetit Grek. Ndërkohë që pavarësisht kësaj situate, kërkimet për gjetjen e trupit të 11-vjeçarit Julian Çela kanë vazhduar për të tetën ditë me radhë, duke përdorur po të njëjtin mjet. Por, edhe gjatë së martës paradite, pavarësisht një kërkimi të imët të zonës së piketuar nga prokuroria, nuk u dha ndonjë rezultat. Prokuroria po këmbëngul në kërkimin e saj vetëm në një zonë tek e cila mendon se është hedhur trupi, sipas dëshmive të vetë Prrenjasit. Mëngjesin e së martës hetuesit morën sërish në pyetje punëtorët e landfillit të Sharrës, me pretendimin se mos evidenca mund të kishte ndonjë gabim në vendin ku ka shkarkuar automjeti i Prrenjasit në datën 30 nëntor 2012 në mbrëmje. Grupi hetimor vazhdon të insistojë në kërkim me vetëm një ekskavator me kovë të vogël, duke pasur pretendimin e saj për mos shkatërrim të provave materiale gjatë procesit të kërkimit. Familjarët e vogëlushit Çela vazhdojnë të këqyrin punën në landfillin e Sharrës, nga jashtë rrethimit të saj, duke pritur që t’i jepet një përfundim kësaj çështjeje që zgjat prej kaq ditësh.

 

Klandestinët

Kapet turku së bashku me 6 pakistanezë

 

Policia e Tiranës ka arrestuar një shtetas turk pasi akuzohet se u ka dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit 6 pakistanezëve. Sipas policisë është arrestuar në flagrancë shtetasi turk Ramadan Mehmet Sancaktar, 56-vjeç pasi gjatë kontrollit të ushtruar në kamionin e tij, tip “Mercedes-Benz” trajler me targa turke 35AH2075 janë gjetur të fshehur pasi kanë kaluar kufirin nga Greqia 6 – shtetas me origjinë pakistaneze me destinacion më pas Italinë. Aktualisht, anë kryer të gjitha veprimet e duhura procedurale ku janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kamion “Mercedes-Benz” trajler, 1 aparat celular si dhe sende të tjera. Shtetasit pakistanez pasi u intervistuan në prani të përkthyesit do të akomodohen në Karec, Vorë, Tiranë për veprime të mëtejshme dhe kompetencë Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin. Ndërkohë materialet në ngarkim të shtetasit turk i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

 

Dy në pranga

Vidhnin monumentin e pavarësisë, arrestohen

 

Komisariati i policisë nr. 3 Tiranë ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Amarildo Demiri, 18 vjeç, dhe Qemal Mustafa, 18 vjeç. Arrestimi i këtyre dy shtetasve është bërë pasi me datë 25 mars 2013, rreth orës 20:10 në vendin e quajtur sheshi “Pavarësia”, shtetasi Qemal Mustafa është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë duke vjedhur pllakën e Monumentit të Pavarësisë. Shtetasi Qemal Mustafa kur është pyetur nga ana e policisë ka deklaruar se ato pllaka i ka shitur në pikën e grumbullimit hekurit në rrugën “Jordan Misja” të cilat janë blerë nga ana e shtetasit Amarildo Demiri, me një vlerë 2000 lekë. Të cilat pastaj ky shtetas i ka shitur në pikën e grumbullimit në Kashar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestrua një sqepar dhe një thikë që u ka shërbyer për heqjen e pllakave.

 

Zgjedhjet 2013

Fillon fushata e trajnimit të policisë

 

Policia e Shtetit filloi dje procesin e trajnimit të punonjësve të policisë, që do të ngarkohen me detyra për garantimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, që do të zhvillohen më datë 23 qershor 2013. Në këtë trajnim të parë, të zhvilluar pranë Qendrës së Formimit Policor, janë përfshirë drejtuesit më te lartë të Policisë së Shtetit në nivel Qendror dhe Lokal, ndërkohë që në ditët në vijim do zhvillohen të tjera trajnime për të gjithë punonjësit e policisë, që do angazhohen me detyra gjatë këtij procesi zgjedhor. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë fjalës së tij në hapjen e këtij trajnimi, i vlerësoi zgjedhjet e 23 qershorit 2013, për Kuvendin e Shqipërisë, si një ngjarje shumë të rëndësishme politike e sociale për vendin, por edhe si një detyrim i madh për të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit, detyrim i cili kërkon domosdoshmërish parapërgatitjen e të gjithë strukturave për të përballuar situatën.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency