Standard.al

Topalli: Evis Kushi kundër Ramës, ka firmosur peticionin për tri ligjet

Florenc Drizari

topalliKryetarja e Kuvendit: Ai i ka cilësuar si specie të krijuara në laboratorin e Enver Hoxhës

 

Rikthehen pas dy muajsh akuzat lidhur me emrat e një grupi intelektualësh që firmosën peticionin drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për votimin e tri ligjeve të integrimit. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli vuri në fokus të deklaratave të saj prezantimin e dekanes Evis Kushi nga kryesocialisti Edi Rama dy ditë më parë në Elbasan, duke thënë se ajo është njëra ndër nënshkrueset e peticionit të intelektualëve, që firmosën kundër tij për votimin e tri ligjeve të integrimit. Pasi bëri një prezantim të shkurtë të iniciativës së një grupi intelektualësh që iu bashkuan asaj nisme në fillim të muajit janar të 2013-ës, zonja Topalli tregoi listën ku figuron edhe emri i kandidates Kushi për deputete nga radhët e së majtës për qytetin e Elbasanit. “Po të shikoni emrin mes emrave të këtyre listave, po ju tregoj vetëm atë që vjen nga Universiteti i Elbasanit. Është Evis Kushi, e cila i kërkon përgjegjësi z. Rama që të votojë tri ligjet. Evis Kushi ka firmosur kundër Edi Ramës një peticion duke i kërkuar votimin e tri ligjeve. Evis Kushi, pedagoge e Universitetit të Elbasanit, dje doli së bashku me z. Rama duke i thënë shqiptarëve se tani po. Se Evis Kushi, si çdo socialist, kur është puna për integrimin kërkon votimin e tri ligjeve. Është kjo zonjë e cila bën këtë peticion kundra z. Rama duke i kërkuar që të votojë tri ligjet. Dhe po të kërkojmë më thellë në listën e pedagogëve, në elitën shqiptare, sigurisht që të tjerë socialist do të gjenden në këtë listë”, – deklaroi Kryeparlamentarja Topalli.

Kryetarja e Kuvendit duke i bërë thirrje deputetëve socialistë për të votuar tri ligjet e integrimit, citoi disa deklarata që kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ma bërë për etiketimin e atyre që firmosën peticionin për ligjet. “Ndaj dhe jua them sinqerisht, votoni këto tri ligje! Nuk ka socialistë kur vjen puna për çështjen e integrimit që të mos kërkojë votimin e tri ligjeve. Evis Kushi është njëra prej tyre. I vetmi që nuk do e ka emrin Edi Rama. Jua them miqësisht, mos u bëni mish për top se ju jeni kolegët e mi, sepse pas 23 qershorit kur të humbi përsëri, ai do ju thotë shqiptarëve se ishte grupi parlamentar që nuk votoi tri ligjet për marrjen e statusit, sepse ai kërkon të vendosë këto emra që kanë firmos kundra tij. Në fakt, ai i ka cilësuar si specie të krijuara në laboratorin e Enver Hoxhës. Dje tha të kundërtën që ka thënë tre muaj përpara”, – tha Topalli.

PETICIONI
Kandidatja e prezantuar së fundmi nga kryesocialisti Rama për deputete në Qarkun e Elbasanit, dekania e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Evis Kushi, i është bashkuar nismës së bashku me 100 pedagogë të tjerë në javën e tretë të janarit të shkuar. Piktorë, skulptorë, aktorë e shkrimtarë, edhe nga Korça, kanë hedhur firmat në letrën drejtuar kreut të PS-së, Edi Rama, ku i kërkonin atij votimin e tri ligjeve. Nga emrat që kanë firmosur peticionin spikasin ata të rektorit, prof. dr. Liman Varoshi, dekanët prof. dr. Vilson Kuri, prof. dr. Roland Gjini, prof. dr. Skënder Topi, prof. as. dr. Evis Kushi, prof. as. dr. Peci Naqellari si dhe profesorë, profesorë të asociuar, doktorë, pedagoge e pedagogë kanë firmosur në letrën drejtuar z. Rama. Në letrën e tyre ata kërkonin që “Vullneti i shumicës parlamentare të bëhet edhe vullnet i pakicës, i opozitës, që kanë refuzuar votimin e tri ligjeve të vëna si kusht nga Brukseli.

 

Reagon Evis Kushi: Kam firmosur një nismë jopolitike

Pas deklaratave të Kryeparlamentares Jozefina Topalli reagoi një ditë më parë edhe kandidatja për deputete në Qarkun e Elbasanit, dekania Evis Kushi duke pranuar hedhjen e firmës nga ana e saj dhe përgënjeshtrimin se iniciativa është bërë për arsye politike. Me anë të një njoftimi të shpërndarë nga zyra e shtypit e PS-së, mësohet se Evis Kushi ka thënë: “Kam firmosur fare sinqerisht mbi një letër të bardhë pasi m’u tha se ishte fjala për një nisëm jopolitike, ku kërkohej bashkëpunimi i të gjitha forcave politike në funksion të integrimit. Por, fatkeqësisht, ajo nisëm s’ishte aspak jopolitike dhe aspak në frymën e bashkëpunimit që u tha se bota akademike ia kërkonte politikës për të mirën e vendit. Përkundrazi, ishte pjesë e atij politizimi të skajshëm që po e rrënon nga themelet botën akademike duke e kthyer universitetin në një hapësirë asfiksuese për lirinë e të menduarit. Ky politizim skandaloz në dhunim të lirisë akademike është një nga shumë arsyet që më nxitën t’i them “Po!” ftesës Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Sot, duke dëgjuar mirëseardhjen e vrazhdë në politikë që më rezervoi kryetarja e Kuvendit, ndjehem edhe më e motivuar se dje për të luftuar në gjirin e skuadrës për rilindjen e Elbasanit e të gjithë Shqipërisë”.

 

Votimi në Kuvendin e Shqipërisë
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së huas për financimin dhe projektit nëpërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministria e Financave, e shoqatës rajonale për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në Korçë dhe për financimin e projektit për menaxhimin e projektit të mbetjeve në Shqipërinë e Jugut.

118 pro

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektin për përmirësimin e sigurisë së hidrocentralin e Komanit.

115 pro

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë, Republikës së Italisë për projektin e gazsjellësit TAP”

118 pro

Projektrezoluta “Për vlerësimin e punës së Komisionit për Mbrojtjen dhe Diskriminimin për vitin 2012”
103 vota pro

Projektrezoluta për vlerësimin e punës së Këshillit Drejtues të RTSH-së për vitin 2012

67 pro
33 kundër

Projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2012
101 pro

 

 

Topalli takohet me themeluesin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare

Kryetarja e Kuvendit priti dje në një takim profesor Cherif Bassiouni, një ndër ekspertët më të mirë të së drejtës penale, i njohur edhe si “babai i të drejtës ndërkombëtare penale”. Zoti Bassiouni, një ndër themeluesit e Statutit të Romës dhe të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë në kuadrin e një konferencë ndërkombëtare që organizohet me rastin e 10-vjetorit të ratifikimit të Statutit të Romës nga Shqipëria, e cila është nënshkruese e këtij statuti që prej vitit 1998. “Shqipëria e ka nënshkruar Statutin e Romës që në vitin 1998 dhe në vitin 2003 e ka ratifikuar dhe ka dorëzuar instrumentin përkatës”, – tha zonja Jozefina Topalli. Nga ana e tij, profesor Bassiouni u shpreh se ndihej i lumtur që vizitonte për herë të parë Shqipërinë dhe se do të donte të shihte shumë shpejt gjykatës shqiptarë në Hagë. Gjatë bisedës Kryeparlamentarja Topalli dhe profesor Bassiouni shkëmbyen mendime në lidhje me çështje të së drejtës ndërkombëtare dhe të gjeopolitikës.

 

Comments are closed.