Takimi me biznesin, Berisha: Vota për PD-në, siguri që taksat nuk rriten

0
148

Gëzim Saliu

berisha me biznesin

Kryeministri: Rama bllokoi Gjykatën Administrative se do ta zëvendësojë më zyrë të posaçme në Kryeministri

 

Kryeministri i vendit, Berisha, deklaron se për sa kohë qytetarët do të votojnë Partinë Demokratike, asnjë nga taksat për biznesin nuk do të rritet. Në një takim me një grup biznesmenësh të bizneseve të vogla në Bërzhitë, para të cilëve shpalosi projektet dhe masat që qeveria do të marrë për këto biznese në 4 vitet e ardhshme, kreu i qeverisë deklaroi se premtimet e kryesocialistit për heqjen e taksave janë mashtrime. “Sot ka një diskutim, të heqim taksën mbi biznesin e vogël. Taksa mbi biznesin e vogël është më e vogël, si shumë, sesa taksa që ne hoqëm mbi të ardhurat personale. Por taksa nuk hiqet. Këtë deklaratë e bëjnë vetëm ata, siç është zotëria që punon çdo ditë kundër ligjit dhe u bën thirrje “mos paguani gjobat”. Sipas kësaj logjike, sëpatat dhe sharrat duhet të vazhdojnë e të presin pyjet. Ai u bën thirrje dhe u premton se do të anulojë gjobat, pas zgjedhjeve. Sipas kësaj logjike, bëni evazion sa të mundeni. Në qoftë se nuk paguan taksat, çatia nuk qëndron. Unë ju premtoj se për sa kohë të votoni Partinë Demokratike, ju nuk do keni ndonjëherë rritje taksash”, – tha Berisha.

 

Gjykata Administrative

Kryeministri akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, se me bllokimin e ligjit për Gjykatën Administrative kërkon zëvendësimin e kësaj gjykate me një zyrë të posaçme në Kryeministri. Sipas Berishës ekzekutivi ka sistem të veçantë për shqyrtimin e ankesave, por nuk mund të zëvendësojë gjykatën. “Ndjeva keqardhje të madhe kur dëgjoj se kryetari i opozitës e paska bllokuar ligjin. Ligjin e votuan ata nen për nen në parlament, dhe tani ka mbetur vetëm një ndryshim në ligjin e Gjykatës së Lartë,që të ngrihet sistemi i plotë i Gjykatës Administrative. Del se ky zotëria nuk e ka votuar ligjin, sepse do të ngrejë një zyrë në Kryeministri, e cila të zëvendësojë gjykatën. Ju garantoj ju se ky është lajmi më i keq që një njeri apo një administratë mund tu japë bizneseve. E ka populli një fjalë të vjetër “Vetë Vali, vetë Kadi”. Kjo nuk mund të ndodhë, pasi ekzekutivi është ekzekutiv, ka sistemin e tij të shqyrtimit të ankesave, por s’mund të jetë ai fjale e fundit, sepse fjala e fundit është gjykata. Këtë ai e ka tërësisht koncept të huazuar nga një grup i vogël biznesmenësh, të cilët ëndërrojnë pushtetin për të prerë gjoba në këtë mënyrë”, – tha Berisha. Më tej, ai pohoi se Kryeministri ka për detyrë të shqyrtojë ankesat, por nuk mund të ketë asnjë agjenci speciale për taksat. “Nuk mund të zëvendësojë Kryeministri dhe zyra e tij Komisionin e Apelimit të sistemit tatimor. Nuk mund të zëvendësojë Kryeministri, kurrën e kurrës, sistemin gjyqësor. PS është duke diskutuar mundësinë e futjes së një instance paragjyqësore në marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit, duke menduar se në një moment të caktuar qeveria dhe komuniteti i biznesit të bien dakord për arbitrazhin”.

Punësimi

Duke bërë të ditura arritjet e qeverisë që drejton, Berisha deklaroi në takimin me biznesin se punësimi përbën prioritetin kryesore të mazhorancës. Sipas Kryeministrit, vetëm në punët publike të infrastrukturës, në ndërtimin e 10.000 kilometrave rrugë, në ndërtimin dhe rindërtimin e 1300 shkollave, në ndërtimin dhe rindërtimin e mbi 300 sistemeve të ujësjellësve dhe 410 sisteme kanalizimesh, në ndërtimin e qindra qendrave shëndetësore, spitaleve dhe objekteve të tjera publike janë punësuar mbi 58 000 qytetarë shqiptarë. Më tej duke theksuar se nuk mund të jetë shteti gjenerator kryesor i vendeve të punës, kreu i ekzekutivit pohoi se gjenerator kryesor i vendeve të punës është dhe do të mbetet biznesi. “Ne ia kemi dalë, nëpërmjet reformave të thella, të thithim në katër vitet e kulmit të krizës investime të huaja direkte më shumë se në tërë historinë tonë. Ne, në katër vitet e fundit, kemi thithur mbi 4 miliardë dollarë investime, me të cilat janë krijuar dhjetëra e mijëra vende pune. Ne kemi subvencionuar, nga 2007 e deri më sot, 42 mijë familje fermerësh për fermat e tyre. Ne përgjysmuam taksën mbi xhiron, më vonë zbritën nga 25 në 10% tatimin mbi fitimin, në 10% tatimin mbi të ardhurat personale, tani po e heqim për ata që marrin 30 mijë lekë. 6 vjet më parë kontributet e sigurimeve shoqërore për sipërmarrësin ishin 30 tani 15%. Ne hoqëm dhe do heqim çdo lloj detyrimi tatimor”, – bëri të ditur Kryeministri i vendi Sali Berisha.

 

 

Rama: Gjykata Administrative, një thertore

Gjatë takimit të zhvilluar pak ditë më parë me biznesin, kryesocialisti Rama e cilësoi Gjykatën Administrative si një tjetër mekanizëm ku biznesi nuk do të gjejë drejtësi. “Ne e kemi votuar ligjin për Gjykatën Administrative dhe unë personalisht s’kam pritur dhe nuk pres nga ajo më shumë se një thertore më shumë ndaj biznesit. Nuk mund të gjesh të drejtën në asnjë vendim gjykate në një vend ku qeveriset me padrejtësi. Ngritja e Këshillit Kombëtar dhe e zyrës së posaçme për biznesin në Kryeministri ka të bëjë me ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm”, – u shpreh Rama.

 

 

Berisha – De Groot: Politikani duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve

Kryeministri Berisha priti dje në një takim drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, zotin Robert de Groot. Ky i fundit e risiguroi Kryeministrin Berisha se Mbretëria e Vendeve të Ulëta do të vijojë të mbështesë Shqipërinë, si në kuadër të projekteve dypalëshe, ashtu edhe në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të ecur me shpejtësi drejt anëtarësimit në BE. Nga ana e tij kreu i mazhorancës qeverisëse theksoi: “Qeveria shqiptare mbetet e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të realizuar sa më parë këtë projekt madhor kombëtar, integrimin në BE, si e ardhmja më e mirë dhe me e sigurt për Shqipërinë dhe qytetarët e saj”. Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kreu i ekzekutivit e njohu de Groot me arritjet e rëndësishme për sa i përket përmirësimit dhe përditësimit të kuadrit ligjor zgjedhor, ku janë adresuar të gjithë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe amendimet e reja bazuar tërësisht në propozimet e opozitës. Më tej duke theksuar rëndësinë e pranimit të rezultatit të zgjedhjeve Kryeministri Berisha nënvizoi se elementi thelbësor i çdo politikani është dhe mbetet pranimi i verdiktit të qytetarëve, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve demokratike.

 

PD, Bogdani: I vetmi hall që ka Rama është të punësojë vetveten si kryetar i PS-së

Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet deputetit të selisë blu, Gerti Bogani, ndaj deklaratave të kreut socialist Edi Rama lidhur me turizmin, duke theksuar se në 11 vjet në krye të bashkisë së Tiranës, ai nuk hapi asnjë zyrë për promovimin e turizmit. “Kryeministri ka kohë që është kthyer në një dëgjues të vëmendshëm të zërave nga grupet e interesit. Nga ana tjetër z. Rama në fundjavë, vazhdoi me barcaleta duke konkurruar “Portokallinë”. Tre sloganet e tij për turizmin? Hapi i parë: Analiza e tij. Po mirë z. Rama, atëherë kjo është analiza, ka më shumë turistë që vijnë në Shqipëri, duke krijuar më shumë vende pune më saktë analiza tregon se numri i turistëve dhe vizitorëve është rritur nga 300 mijë që ishte në vitin 2004 në 4.7 milionë në vitin 2012. Hapi i dytë: Promovimi i tij. Po mirë z. Rama, a ndihmuan grevat e tua të urisë, shpërndarja e plehrave në Tiranë nga ju si kryetare bashkie bojkotet dhe aksionet e dhunshme, në tërheqjen e turistëve në Shqipëri? Hapi i tretë: Krijimi i një Plani. Kjo është e drejtë, Plani i z. Rama, është se si të bëjë një Plan. Kjo është e gjitha”, tha Bogdani. Sipas deputetit demokrat, kreu i opozitës nuk ka asnjë plan të vetëm për rritjen e turizmit dhe për krijimin e vendeve të punës. “Z. Rama ka vetëm slogane të sajuara në dhomën e tij të gjumit, sepse i vetmi hall që ka është të punësoje vetveten si kryetar i Partisë Socialiste. Në fakt, plani i vetëm i z. Rama është të rrisë taksat, çka do të sjellë humbje të vendeve të punës. Në fakt ai e ka vërtetuar që është një mace e zezë për bizneset. Nëse do të donte, ai si kryebashkiak i Tiranës, mund të kishte promovuar turizmin, por në fakt ai zgjodhi të kujdesej për punën e tij, dhe jo të krijonte vende pune për qytetarët. Në 11 vite, z. Rama nuk mori as mundimin më të vogël të hapte një zyrë turistike për turistët në Kryeqytet”, – deklaroi Bogdani.

 

Sekretari amerikan John Kerry, letër falënderimi Berishës: Të thellojmë bashkëpunimin

Kryeministri i vendit mori dje një letër falënderimi nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, John Kerry, në përgjigje të urimit që Berisha i dërgoi atij me rastin e emërimit në detyrën e Sekretarit të Shtetit. Në këtë letër, shkruhej: “I dashur zoti Kryeministër, Ju falenderoj për mesazhin tuaj të urimit. Unë i vlerësoj shumë fjalët tuaja të ngrohta të mbështetjes dhe inkurajimit edhe pres me padurim që të punoj me ju për të adresuar sfidat, pabesueshmërisht komplekse, të një bote të sotme që ndryshon vazhdimisht. Ndërsa marr detyrën e Sekretarit të Shtetit, unë shpresoj që ne jemi të aftë për të çuar më tej interesat tona të përbashkëta dhe për të punuar së bashku për ndërtimin e një të ardhmeje në paqe, prosperitet dhe liri të vendeve tona”, – mbyll letrën Sekretari Kerry.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency