Prrenjasi, tri herë në Sharrë asnjë gjurmë për 11-vjeçarin

0
157

Elton Qyno

perrenjasiMonstra i Laprakës në hetim për zhdukjen e një fëmije nga markatoja e qytetit të Elbasanit

 

Dërgohet për herë të tretë në landfillin e Sharrës monstra i Laprakës Ardian Prrenjasi. Për gati një orë me radhë, 45-vjeçari ka qëndruar nën shoqërinë e efektivave të policisë së Tiranës, duke u treguar atyre pozicionet e mundshme se ku kishte hedhur trupin e pajetë të 11-vjeçarit Julian Çela, të cilin e ka vrarë në 30 nëntor 2012. Sipas dëshmisë së Prrenjasit, vendi ku policia dhe efektivat e ushtrisë po kryenin gërmime, ishte ai ku Prrenjasi e ka hedhur trupin e pajetë të 11-vjeçarit. Nisur nga kjo situatë policia dhe prokuroria kanë urdhëruar intensifikimin e kërkimeve në zonë, ndërkohë kur kanë kaluar më shumë se një javë nga arrestimi i 45-vjeçarit, policia nuk ka qenë në gjendje ende dhe sot të gjejë trupin e pajetë të djalit të zv.drejtorit të Antiterrorit në SHISH, shtetasit Skënder Çela. Ky i fundit në ditët e para të zhdukjes së të birit denoncoi ngjarjen disa herë në media, por në pamundësi për të gjetur trupin, tashmë është tërhequr duke qëndruar pranë bashkëshortes së tij, e cila sipas të afërmve arrin të qëndrojë në këmbë vetëm falë ilaçeve antidepresivë që është duke marrë. Që prej datës 30 nëntor 2012, familja Çela, që banonte vetëm 100 metra nga banesa e mostrës së Laprakës, është duke hequr një torturë të vërtetë mendore.

Hetimi për rastin e 2004-ës

Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës është i bindur se dy rastet e fundit të pranuara edhe nga vet pedofili, mund të mos jenë të vetmet që ai ka abuzuar me të miturit. Bazuar në këto dyshime, prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe në qytetet e tjera, përveç Tiranës. Sipas burimeve Prrenjasi po hetohet edhe për rastin e zhdukjes së të miturit në qytetin e Elbasanit. Hetimet janë përqendruar më shumë tek zhdukja e 7 korrikut 2004, kur i mituri 9-vjeçar Artur Carja, ka humbur pa gjurmë nga markata e qytetit të Elbasanit. I pyetur nga grupi hetimor për këtë rast, Prrenjasi ka pranuar se në markatën e Elbasanit ka qenë vetëm njëherë në jetën e tij, kur ka transportuar miell drejt Tiranës. Por nuk ka qenë në gjendje të specifikojë vitin dhe kohën kur ka ndodhur kjo. Për të provuar këto lëvizje dhe të tjera si këto, prokuroria ka marr në pyetje gjatë paradites së të hënës, familjarët e Ardian Prrenjasit. Ata janë pyetur për marrëdhëniet me 45-vjeçarin, kontaktet me atë dhe takimet ndër vite. Pritet që pas marrjes së deklarimeve të familjarëve, prokuroria të nxjerr një konkluzion në lidhje me lëvizjen e Prrenjasit nga Tiranë në Elbasan.

Kërkime në 20 dynymë

Për gjatë ditës së djeshme, prokurori i çështjes Ervin Karanxha ka urdhëruar zgjerimin e perimetrit të kërkimit, njëkohësisht edhe kryerjen e gërmimeve në një thellësi prej dy deri në tre metra. Vetë prokurori Karanxha ka qenë prezent gjatë këtyre ditëve të kërkimit të trupit të Julian Çelës, ndërkohë që ai shprehet i bindur se në të ardhmen do arrijë ta gjejë trupin e Julianit. Aktualisht prokuroria po kërkon në një sipërfaqe prej 20 dynym dhe se prej tetë ditësh nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë për vendndodhjen e 11-vjeçarit. Lidhur me ketë ngjarje, gjatë ditës së enjte, prokuroria e Tiranës në prani edhe të oficerëve të policisë, kanë rimarrë në pyetje 45-vjeçarin Ardian Prrenjasi, i cili ka treguar edhe një herë tjetër se i qëndronte plotësisht deklarimeve të dhëna, ndërsa për sa i përket vendit të hedhjes së trupit të pajetë të 11-vjeçarit, Prrenjasi ka treguar se pikërisht vendi ku ka treguar ditën e parë, ishte hedhur në mesnatën e 30 nëntorit 2012 trupi i Julian Çelës. Kërkimet për gjetjen e këtij të fundit kanë zgjatur deri në orën 15:00, ndërkohë që ato pritet të rifillojnë sërish ditën e sotme.

 

Sherri për pronën

Plagos kushërirën dhe dy fëmijët e saj

Tre persona kanë mbetur të plagosur me thikë në Laç pas një konflikti për çështje pronësie. Shtetasja, Dava Deda dhe 2 fëmijët e saj, Sandër dhe Ded Deda janë sulmuar nga Agustin Deda, kushëriri i tyre. Sipas policisë, autori i dyshuar prej kohësh ishte në konflikt me këtë familje. 40-vjeçari në sherr e sipër ka goditur me thikë 3 anëtarët e kësaj familjeje. Dava Deda është transportuar drejt spitalit Ushtarak në gjendje kritike për jetën, ndërsa fëmijët e saj janë duke marrë ndihmën e parë në spitalin e Lezhës. Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të kësaj ngjarje të rëndë. Kërkime janë kryer në disa banesa, ku mendohet se është fshehur autori pas kryerjes së krimit, por që në fakt nuk ka qenë prezent.

 

Ngjarja në Tiranë

Pranga 2 personave, trafikonin motorë

Skuadra e antitrafikut ka zbuluar një linjë të vjedhjes në Itali të motorëve luksozë dhe trafikimin e më pas shitjen e tyre në Tiranë. Policia arrestoi 2 persona dhe sekuestroi 4 motorë me vlerë mbi 50 mijë euro. Ardian Zhegu e Besnik Hoxhallari janë arrestuar, ndërsa Shuaip Elezaj, personi i cili i ka sjellë motorët nga Italia është shpallur në kërkim. Skuadra e antitrafikut e policisë së Tiranës e kodoi “Montimi” operacionin policor që zbuloi linjën e trafikimit dhe shitjes së motorëve të vjedhur jashtë vendit. Katër motorët e sekuestruar me vlerë mbi 50 mijë euro ndodhen në oborrin e drejtorisë së policisë së Tiranës. Ndërkaq janë njoftuar autoritetet policore italiane për kthimin e tyre pronarëve, të cilëve u janë vjedhur në Itali.

 

I dënuari

Tentoi të digjte familjen, pranga Selmanit

Arrestohet në Tiranë i shumëkërkuari Besim Selmani. Burime policore bëjnë me dije se Selmani ishte dënuar me 10 vjet heqje lirie, pasi ka tentuar të djegë dy herë me benzinë një familje në Pukë. Arrestimi i shumë të kërkuarit u bë nga blutë e Pukës në rrugën “5 Maji” në kryeqytet. Selmani ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2010, ndërkohë që blutë e Pukës kishin dy muaj që ishin vënë në ndjekje të tij. Në bazë të informacioneve paraprake është arritur të mblidhen të dhëna se Selmani qëndronte i lirë në rrugët e Tiranës, ku gjatë një vëzhgimi disa ditor është bërë arrestimi i tij në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka verifikimi ka rezultuar se Selmani ka qenë person në kërkim.

 

 

Një patrullë policie liron 18-vjeçaren E. Xherimeja

I riu rrëmben adoleshenten në Berat

“Nëse s’bëhesh e dashura ime, të thera”

Një vajzë 18-vjeçare është arritur të lirohet nga policia e Beratit, pasi ishte rrëmbyer për disa orë nga një shtetas 24-vjeçar, i cili pretendonte se ishte i dashuri i adoleshentes. Për pesë orë me radhë kjo e fundit ka qenë nën trysninë e presionit të 24-vjeçarit me mbiemrin Kanaçi, i cili me një thikë në dorë e ka kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme vajzën duke i pohuar se nëse nuk bëhej e dashura e tij, ai do e therte me thikë. Sipas policisë së Beratit e gjithë skena ka ndodhur në makinën e autorit të krimit. “Më kërcënoi me jetë, nëse nuk bëhesha e dashura e tij, do të më vriste”, – është shprehur vajza 18-vjeçare E. Xherimeja në polici, pas lirimit të saj. Ajo rrëfen se i riu e ka marrë më forcë në makinë dhe ka shpëtuar vetëm në momentin që ka parë një makinë policie që patrullonte në rrugë, nga të cilët kërkoi ndihmë. Por kundrejt deklaratës së vajzës, vjen pretendimi i të riut, Kanaçi. Sipas këtij të fundit vajza që ndodhet në makinë me të, është e dashura e tij dhe se nuk e kishte marrë me forcë, por ajo kishte shkuar vetë me dëshirë. “Nuk është hera e parë që ajo vjen në makinën time”, – ka pohuar gjatë dëshmisë 24-vjeçari. Policia ka arrestuar ndërkaq 24-vjeçarin dhe ka nisur hetimin për qartësimin e rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja. Pritet që në ditët në vijim të dilet në një konkluzion më të saktë rreth kësaj situate, ndërkohë që i riu është mbajtur i izoluar deri në momentin kur do të dalë para Gjykatës së Tiranës, për t’u njohur me masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesi i prokurorisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency