Standard.al

Interpelanca me ministrin e Ekonomisë për koncesionet

Florenc Drizari

braceeePrivatizimet përplasin Braçen me Haxhinaston, akuza për mashtrime publike

Erjon Brace: Për privatizimin e Albpetrolit më gënjyet. Haxhinasto: Mos spekuloni, Nëse dini shkelje, bëjini publike

 

Interpelanca e djeshme mes deputetit socialist Erjon Braçe dhe ministrit të Ekonomisë Edmond Haxhinasto lidhur me privatizimet dhe koncesionet e dhëna nga qeveria në miniera dhe hidrocentrale, u shoqërua me debate dhe akuza të ndërsjella mes tyre. Deputeti Braçe akuzoi ministrin e Ekonomisë për dështime në privatizimin e disa prej sektorëve kyç të vendit si dhe favorizime të atyre kompanive që sipas tij, janë kliente me pushtetin, ndërsa Haxhinasto i kërkoi atij të mos spekulojë me shifra të paqena dhe nëse ka fakte konkrete, ti bëjë ato publike duke i dërguar edhe në prokurori. Më konkretisht, deputeti Brace përmendi disa abuzime që janë bërë në licencimin e kompanive në fushën minerare.

ERJON BRACE

“Për të qendruar tek bakri, ministër, dua të pyes për minierat e tjera, Arrez, Tuc, Paluce, Qafe Bari, Gurth 1 e Gurth 2, Letitna. Ke kurajo të madhe që ke shkelur ligjin dhe ke licensuar kompanine Tirex për këto miniera. Pa garë. Madje duke anulluar një garë e duke refuzuar një tjetër. Natyrisht, kur Beralb nuk ka respektuar një kontrate nuk ka pse të marrë një të dytë, por kush je ti që zgjedh kompaninë tënde sponsor për të falur 5 vendburime të tjera bakri?”, – deklaroi deputeti Braçe.

EDMOND HAXHINASTO

Në replikë me deputetin socialist, ministri Haxhinasto pranoi disa probleme të hasura në ecurinë e dhënies me koncensio të disa asateve publike, por sipas tij, Erjon Braçe nuk i referohej plotësisht iniciativave që ka ndërmarrë ministria që ai drejton për problemet e ngritura. “Përmendët kontratën konçensionare të Vlahmës, Kalimashit, është nisur një procedurë për heqjen e kësaj licence. Sigurisht që ka edhe një numër tjetër masash të cilat Ministria e Ekonomisë i ka iniciuar dhe vazhdon ti iniciojë për kontratat koncensionare. Do të zbatojmë ligjin, dhe ligji ka hapsirës që në raste klime të caktuar ekonomike siç ajo në evropë dhe vendet fqinje që ka pasur ndikimin e drejtpërdrejtë në vendin tonë, të zbatohen këto kontrata, dhe të tregohet fleksibiliteti maksimal në çdo qindarkë të hedhur nga investitoreët shqiptar dhe të huaj. Nëse dini shkeleje ligjore, bëjini publike”, – deklaroi Haxhinasto. Për këtë ministri i Ekonomisë i kërkoi deputetit Braçë që nëse ka të dhëna për shkelje ti bëjë ato publike. “Ju ftoj ti çoni edhe për procedim penal, por nuk do t’ju lejoja që të spekuloni përpara publikut dhe për të folur për shkelje ligjore për Tirex. E keni shumë gabim z. Braçe, asnjë shkelje ligjore”, – tha ai.

Sakaq, lidhur me ftesën e ministrit për të denoncuar shkeljet e gjetura për koncesionet dhe privatizimet e kësaj Ministrisë së Ekonomisë, deputeti Socialist Erjon Brace tha se Edmond Haxhinasto duhet të reflektojë mbi akuzat e tij dhe se çdo gjë ka një kufi. “Nuk di se c’tju them më! Kemi tre javë që komunikojmë bashkë në energji, naftë, në privatizime dhe koncesione, vetëm shkelje ju kam dhënë dhe ju pretendoni që unë t’ju tregoj të tjera. Ka një kufi. Reflektoni për këto shkelje dhe pastaj t’ju them të tjera dhe bëjeni këtë me ndershmëri z. Haxhinasto. Për privatizimin e Albpetrolit më gënjyet. Vetëm dje e ke çuar kërkesën. Ju e keni çveshur Shqipërinë nga çdo interes shqiptar. Këto para ne i paguajmë dhe koncensionarët i transferojnë larg që këtu”, u tha deputeti Braçe.

 

 

KQZ gjedh INDRA-n për Tiranën, projekti kushton 2. 6 milion euro

Komisioni Qendrori i Zgjedhjeve bëri të ditur se ka përzgjedhur kompaninë spanjolle INDRA për të aplikuar teknologjinë e identifikimit elektronik të kartave për Tiranën, kompani e cila ka fituar edhe tenderin për mundësimin e numërimit elektronik të votave edhe në Qarkun e Fierit. Komisioni më i lartë i administrimit zgjedhor sqaroi se brenda muajit shkurt do të mundësohet testimi i dy projekteve pilot, ndërkohë që shuma për aplikimin e teknologjisë për zonën e Tiranës shkon 2.6 milion euro. “Është nënshkruar kontrata mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kompanisë spanjolle INDRA, e cila do të realizojë projektin e “Sistemit Elektronik të Verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve në Qarkun e Tiranës”. Theksojmë edhe një herë se vonesat në përzgjedhjen e kompanisë fituese për këtë projekt erdhën jo vetëm për shkak të kompleksitetit të tij por edhe për shkak të rritjes së Qendrave të Votimit në Qarkun e Tiranës, të cilat nga 875 QV në zgjedhjet e vitit 2011 u bënë 1420 QV këtë viti, si rezultat i zbatimit të kërkesave të reja të Kodit Zgjedhor. Duke përfshirë të gjitha ndryshimet e përmendura më sipër,  vlera e ofruar nga kompania INDRA për realizimin e këtij projekti është  2, 660,995 Euro pa TVSH. Ashtu siç ju kemi njoftuar, edhe pse negociatat zgjatën tej parashikimeve, në kontratë është parashikuar që testi i parë i këtij projekti do të zhvillohet me datë 23 prill 2013, ashtu si parashikohet në Kodin Zgjedhor. E theksoj se testi i parë do të zhvillohet në afatin e parashikuar në Kodin Zgjedhor pra data 23 prill 2013.  Pavarësisht konstituimit me vonesë të KQZ_së, që ndikoi dhe në tejzgjatjen e afateve të procedurave prokuruese, ju garantojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar maksimalisht që dy projektet pilot, Sistemi Elektronik i Numërimit të Votave në qarkun e Fierit dhe Sistemi Elektronik i Verifikimit dhe Regjistrimit të zgjedhësve në qarkun e Tiranës,  të realizohen me sukses”, deklaroi një ditë më parë zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

 

Zgjedhjet, Dule: Sistemi zgjedhor vijon të penalizojë forcat e vogla

Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule mori pjesë dje në ceremoninë festive që u organizua në Dervician, me rastin e 192-vjetorit të pavarësisë së Greqisë. I pyetur mbi situatën parazgjedhore në vend, Dule deklaroi se Shqipëria duhet të dalë nga cikli i postkomunizmit dhe të hyjë në atë të evropianizimit të mirëfilltë. “Situata parazgjedhore e cila paralajmëron përsëritje e ritualit zgjedhor në Shqipëri, ende vazhdojmë me logjikën e vjetër të matematikës elektorale pa përmbajtje programative, Shqipëria ka nevojë që aritmetika parlamentare të mbështesë një axhendë të qartë vizionare që do ta nxjerrë Shqipërinë nga cikli i përzgjatur postkomunist dhe do ta fusi në atë cikël të Evropianizimit të mirëfilltë të jetës së qytetarëve në çdo qelizë të saj. Jemi shumë larg të qenit të devotshëm në shërbimin e këtij misioni që kërkon qytetarët dhe shoqëria. Zyrtarisht do të flasim kur të vijnë edhe afatet ligjorë ,për momentin PBDNJ është duke kërkuar të gjitha hapësirat e mundshme të negocimit për të garantuar shërbimin më të mirë për programet e veta si parazgjedhore e ashtu edhe pas saj”, ka thënë Dule.

 

Comments are closed.