Standard.al

Fyle: Të respektohet rezultati i 23 qershorit, integrimi jo viktimë e interesave partiake

Gëzim Saliu

FYLEKonferenca “Just BE”, Kukan: Pas zgjedhjeve të miratohet një platformë për Evropën

“Zgjedhjet e 23 qershorit nuk duhet të lënë vend për kontestime. Ky do të ishte një mesazh i qartë për BE-në”

 

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë në Komisionin Evropian, Stefan Fyle, kërkon që integrimi të jetë prioritet në axhendën politike dhe jo viktimë e politikave të brendshme partiake. Pjesëmarrës në punimet e konferencës me temë “Just BE”, komisioneri theksoi se politika dhe qytetarët shqiptarë e kanë vetë në dorë përparimin e vendit drejt integrimit evropian. “Ka ardhur koha që Shqipëria të japë rezultate, Konsensusi i gjerë për integrimin duhet të konfirmohet në vepra, qëllimi i Shqipërisë për tu integruar në Bashkimin Evropian duhet të jetë pjesë e axhendave dhe programeve politike. Ky objektiv nuk duhet të bjerë viktimë e politikave të brendshme partiake. 2013-ta është viti i mundësive për Shqipërinë dhe unë ju kërkoj një angazhim maksimal në procesin integrues”, – tha Fyle.

 

Komisioneri

Gjatë fjalës së tij në konferencë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të shoqërisë civile, të biznesit dhe deputetë, komisioneri për zgjerimin në KE nënvizoi rëndësinë që kanë zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas Fyles, mbajtja e zgjedhjeve në standardet e BE-së do të ishte një mesazh mjaft i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit. “Është përgjegjësia e të gjitha partive politike, e gjithë shoqërisë shqiptare që të kontribuojë që zgjedhjet e ardhshme të arrijnë një nivel të lartë të standardeve demokratike, duke mos lënë vend për të kontestuar. Kjo arritje do të na çojë një mesazh të qartë. Publiku shqiptar duhet të kuptojë se çfarë është BE-ja dhe duhet që udhëheqësit shqiptarë ta çojnë vendin përpara”, – deklaroi ai. Më tej, komisioneri bëri të ditur se duhet të intensifikohet dhe të fuqizohet angazhimi i klasës politike në kuadër të integrimit evropian, pavarësisht se vëmendja e tyre përqendrohet në zgjedhjet e ardhshme. “Duke mbajtur Evropën si prioritet ne axhendën politike, së bashku me çështje të tjera të rëndësishme është shumë e rëndësishme. Nuk erdhëm këtu për tu bërë pjesë e fushatës politike, ne respektojmë zgjedhjen që do të bëjnë zgjedhësit shqiptare dhe unë shpresoj që politikanët në Shqipëri të respektojnë rezultatet”, – u shpreh Fyle. Ndërsa përmendi përfitimet që do të ketë vendi pas çeljes së negociatave për anëtarësim në BE, eurokomisioneri theksoi se ka ardhur koha që Shqipëria të tregojë rezultatet e pritshme dhe qytetarët të përfitojnë nga këto mundësi.

 

Kukan

Ndërkohë, kreu i delegacionit të PE-së për Ballkanin, Eduard Kukan, deklaroi në konferencën “Just BE” se partitë politike duhet të vendosin të ardhmen evropiane të shqiptarëve si prioritet duke lënë mënjanë problemet e brendshme. “Përpara 10 vitesh kur Sllovakia hyri dyert e BE nuk është se nuk kishim të meta, por e përdorëm potencialin tonë për ti bërë gjërat që të funksiononin, ne e kapëm mundësinë që na u dha, e kam për të gjithë Sllovakinë. Po ti kthehemi Shqipërisë, vjet festoi 100- vjetorin, kam parë shumë shqiptarë që shikojnë drejt së ardhmes. Shqipëria ka nevojë për praninë evropiane dhe BE që ka nevojë për Shqipërinë partnere të fortë në BE dhe anëtare të saj. Sot jam këtu që të theksoj mundësinë që i jepet Shqipërisë me integrimin, që shoqëria të transformohet. Ne duhet të vëmë të ardhmen mbi cdo lloj problemi të brendshëm. Vetëm duke mos harruar këtë, vendi do jetë pjesë integrale e BE”, – tha Kukan. Më tej, ai bëri të ditur se ashtu siç axhenda e integrimit tuja është në listën e prioriteteve të BE-së, ashtu duhet të jetë edhe për Shqipërinë. Zënkat dhe problemet politike nuk duhet ta ndërpresin këtë proces, të tejkalohen dallimet me njëri-tjetrin, që mund të jenë duke mbajtur peng progresin e vendit në këtë proces. Parlamenti duhet të jetë një vend ku marrëveshjet politike të diskutohen, qeveria të sqarohet, qytetarët të kenë mundësi ta shikojnë jetën politike të vendit. Ju duhet të ndërtoni institucione të forta dhe demokratik,. Ne i njohim politikanët tuaj, ata kanë mundësi, por përpjekjet e tyre duhet të kenë rrënjët tek demokracia”, – deklaroi kreu i delegacionit të PE-së për Ballkanin Eduard Kukan. Në fund të konferencës u lançua edhe portali i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ku gjithkush mund të informohet dhe të diskutoje për çështje që lidhen BE-në dhe procesin e zgjerimit.

 

“Do të vazhdoj që të vij në Shqipëri dhe të luftojmë edhe natyrën, sepse herën e fundit që isha këtu, dy herë i ra rrufeja avionit dhe sërish jam këtu” Stefan Fyle

“Zëri juaj duhet të dëgjohet dhe jo vetëm në mënyrë simbolike, por si një zë që duhet t’u kërkojë llogari përfaqësuesve tuaj politikë për procesin e integrimit” Eduard Kukan

 

Sekui:

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, mbajti edhe fjalën e hapjes në konferencën “Just BE” për rëndësinë që Bashkimi Evropian ka për shqiptarët, duke theksuar se Evropa është një shpresë e madhe. “Ky diskutim përqendrohet në një varg aspektesh të integrimit në BE. Do të paraqesim një platformë për të gjithë ata që dëshirojnë të informohen për BE-në. BE përfaqëson sot një shoqëri më moderne që përcakton në thelb vlerat e paqes, respektit për të drejtat e njeriut, një sistem vlerash dhe rregullash që ne i ndajmë”, – tha ambasadori. Sipas Seqkuit integrimi në BE do të thotë më shumë përfitime, punë më të shumta, rritje ekonomike, mbrojtja e konsumatorëve, më pak korrupsion. Ambasadori theksoi se Evropa është shpresë e madhe se përfaqëson të drejtat, sistemin e disa vlerave dhe rregullave dhe të gjithë ata të cilët ndajnë këto vlera janë pjesë e këtij projekti.”Të gjithë ata që ndajnë këto rregulla janë pjesë e të njëjtit projekt, këta janë qytetarë të BE-së. Kjo është një ftesë që të themi se jemi evropianë dhe të jemi të angazhuar për këto vlera”, – u shpreh ambasadori i BE-së në vend Ettore Sequi.

 

 

 

Tri kushtet

Në 10 tetor të vitit të kaluar Shqipëria mori nga Komisioni Evropian statusin e vendit kandidat, por me kushtin që brenda dhjetorit të plotësonte tri kritere kyçe. Projektligji për Gjykatën e Lartë, ai për statusin e nëpunësit civil dhe rregullorja parlamentare përbënin tri kriteret e Brukselit, të cilat nuk u votuan me konsensus mes palëve, duke çuar kështu vendin në dështimin e tretë radhazi në marrjen e statusit kandidat. Opozita kushtëzoi votimin e këtyre ligjeve me çështjen e Fierit, ku sipas saj më parë duhet të njihen vendimet e gjykatave për këtë qark dhe vetëm më pas mund të votohen ligjet e integrimit. Nga ana e saj mazhoranca, duke marrë parasysh kundërshtitë e opozitës, ka propozuar mbajtjen e një referendumi popullor për tri ligjet, i cili në rast të fitores së të djathtës në zgjedhje, pritet të zhvillohet pas 23 qershorit.

 

Topi: Partitë kopjojnë programet e njëra-tjetrës

Kreu i FRD-së, Bamir Topi, gjatë tryezës për sistemin shëndetësor, kritikoi kundërshtarët politikë se po kthehen në qesharakë me programet që i kopjojnë njëri-tjetrit. “Do bëja një koment shumë të shkurtër politik që lidhet me prezantimin e programeve nga partitë politike. Nuk dëshiroj të jem jo vetëm në rolin e një kryetari partie politike, por në shërbim të publikut. Sot ne dëgjojmë nga kampet kundërshtare që prezantohen programe politike dhe gati kemi rënë në një situatë qesharake. Del një parti prezanton programin, del tjetri në mbrëmje apo nëse huazon pjesë nga programi i tjetrit dhe e vendos të program të tij. Kemi kaluar në situata paradoksale, dihet situata e ekonomisë dhe e borxheve, dihet ajo situatë që qeveria del dhe emeton bono thesari për t’i dhënë rrogën administratës, dihen premtimet për rritje rrogash dhe ulje taksash dhe në shifra qesharake për qindra vende të reja pune. Një qytetar e ka të pamundur të orientohet”, – tha Topi. Sipas kreut të FRD-së, programi i kësaj force politike për shëndetësinë është realist.

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.