Besës së zhdukur tërësisht nga bota

0
134

Lexime filozofike

25 mars Edouard Manet Surprised nymph 1861Fragmenti i Krakovit për “Grindjen e fakulteteve” /Sërishmi pyetja, nëse raca njerëzore është në përparim të qëndrueshëm drejt më të mirës?

 

Immanuel Kant

Rënia drejt më të keqes ka limitin e vet, prej ku është e pamundur që të biesh më thellë dhe meqë pas kësaj nuk mund të bëhet më keq në botë (në ligësi dhe vuajtje), atëherë të ndriçuarit nga apokalipsi parashikojnë Ditën e Fundit [Ditën më të Re, Ditën e Qametit] dhe fundin e shoqëruar me tmerr të botës gjatë luftërave gjakatare, gjatë murtajave të lidhura me to dhe besës së zhdukur tërësisht nga bota;- sepse e liga nënjë subjekt e çon vetveten drejt fundit [vdekjes], meqë ajo punon në shkatërrimin e vetvetes.

Rënia e vazhdueshme drejt më të keqes, ecuria e qëndrueshme drejt më të mirës, më në fund luhatja tutje-tëhu nga një gjendje në tjetrën, që ka të njëjtën pasojë sikur të mos ishte bërë asnjë hap fare, këto janë tre llojet e përfytyrimit të mundshëm të historisë morale të gjinisë njerëzore. Nga këto shumicës së njerëzve i ka pëlqyer që të pranojë hipotezën e fundit dhe ta mbajë kështu tokën, duke e parë vendqëndrimin tonë nga një pikë më e lartë (si të thuash nga sipër), për një çmendinë apo për një burg të rëndë, sipas larmisë së tekave [gjendjes shpirtërore] të çdonjërit. – Përfytyrimi i parë dhe i dytë shpallen si ëndrra madje dhe nga teologët e iluminuar; i pari pret Ditën e Fundit [Ditën më të Re, Ditën e qametit], meqë në botë nuk mund të ndodhë më keq, tjetri, meqë pas rrëzimit të të parit në kënetën sulfurore, të përzgjedhurit presin një lumnim të papushimtë në Tokë, presin Mbretërinë Njëmijëvjeçare. Mirëpo këtu duhet shtuar se madje dhe filozofë të pastër moralistë dashamirës të qenies (ekzistencës) duan ta mohojnë përparimin e papushimtë drejt më të mirës dhe nuk ngurrojnë që ta shpallin ëndërrim besimin në këtë gjë. Ne do gjejmë se ndërmjet dijetarëve janë juristët në pjesën më të madhe (edhe pse disa merren sipas rastit edhe me filozofi), që e pohojnë zakonisht këtë parim mohues. Xhanëm është tashmë një atmosferë e zakonshme e forcës së tyre gjykuese për të folur pro apo kundra në bazë të asnjë ligji tjetër, përveçse të ligjeve që ekzistojnë tani (si rrjedhim pushtetmbajtëse).- Në këtë mes ata nuk parasysh se këto ligje sigurisht edhe mund të pësojnë një ndryshim, bile mund ta kenë të nevojshme atë, sepse kjo nuk është çështje e tyre, por e pushtetmbajtësit më të lartë. – Prandaj filozofi çifut Moses Mendelessohn, i cili ishte i lidhur në mënyrë të ngjashme me ligjshmërinë izraelite, madje e kishte për nder, ishte tërësisht larg dhe nga besimi në përparimin e racës njerëzore në çdo të ardhme drejt më të mirës.

Një besëtytni e vjetër, e lidhur me ligjin pozitiv të popullit të tij, ishte për atë më argumentuese se një besim i moralshëm, i cili favorizon lirinë e mendjes.

Përparimi i racës njerëzore drejt më të mirës mund të ketë kuptim të dyllojshëm, konkretisht që me kalimin e kohës do të ketë gjithmonë njerëz më të mirë apo veprime më të mira të njerëzve dhe se në natyrën e tyre apo në ushtrimin e lirë të vullnetit të tyre do të ndihet pak e nga pak një sasi e madhe moraliteti. – Ata që e mohojnë këtë përparim në moralitetin e brendshëm, pranojnë zakonisht përparimin e pretenduar në sensin e parë dhe në këtë pikë nuk bëjnë padrejtësi.

Ndoshta pranohet gjithmonë që masa e të mirës e të ligës tonë natyrore mbetet gjithmonë e njëjtë tek dhuntia dhe nuk mund të shtohet në të njëjtin individ, dhe si mund të shtohet gjithashtu kjo sasi, meqë kjo do duhej të ndodhte nëpërmjet lirisë së subjektit, dhe vetë ky ka nevojë në këtë mes për një fond më të madh sesa e ka njëherë dhuntia? Nëse të themi duam të shpresojmë se në radhën e shumë ngjizjeve do mund të zhvillohen pak e nga pak raca më të mira, të cilat do të përmbanin më shumë dhunti natyrore të pastra dhe më të favorshme për moralitetin; atëherë ky do të ishte thjesht një opinion krejtësisht i stisur, sidomos se ajo [dhuntia natyrore] do t’i afrohet gjithmonë e më shumë përsosmërisë, që nuk vërtetohet nga asnjë përvojë. – Pra nuk mund të shtrohet pyetja, nëse përparimi i njerëzve drejt më të mirës duhet të jetë përsosmëria natyrore e tyre (zmadhimi i dhuntisë origjinare të më së mirës e volitshme për moralitetin) dhe nëse pak e nga pak duhet të shfaqen njerëz më të mirë, përkundrazi nëse njerëzit duhet të bëhen ndonjëherë gjithmonë e më të mirë, e cila mund të thuhet për ta, kur nëpërmjet shkaqeve të rastësishme dhuntitë për ide të moralshme, të cilat ndodheshin të fshehura tek njerëzit, zgjohen për të vepruar dhe nuk pushojnë më si tek njeriu ashtu edhe për ta gjallëruar atë për të vepruar tek njerëzit pranë tij për veprime më të mira, për pranimin, zgjerimin dhe forcimin e parimeve më të mira.

Por nëpërmjet arsyes nuk mund të bëhet e qartë apriori se një diçka e tillë do të ndodhë ndonjëherë dhe se pikërisht nëpërmjet kësaj mund të argumentohet edhe një përparim i pandërprerë drejt më të mirës në racën njerëzore; sepse kjo është një ngjarje, realitetin e të cilës mund ta hedhin në herë shumë rrethana që ndodhin, luftërat, edukimi i braktisur dhe egërsimi nga skamja apo shembuj të këqij, nëpërmjet të cilëve mund të ndërpritet edhe ecuria më e mirë në shekuj apo bile mund të prapësohet far. Kurse për ta shpallur që më parë një rezultat kaq të dëshiruar, i cili duhet të dalë nga vullnetet e lira të njeriut, do të kërkohej një dhunti prej profeti, do të kërkohej më shumë sesa aftësia natyrore e parashikimit; por e cila nuk mund të pritet, sepse në këtë rast shtrohet pikërisht pyetja për një përparim në përsosmërinë fizike, kurse ne pyesim këtu vetëm, nëse në veprimtarinë dhe mosveprimtarinë e njerëzve mund të pritet me rregullsi një përparim drejt më të mirës, si rrjedhim përsosmëri më e madhe morale dhe pikërisht në rritje të qëndrueshme (në analogji me zhvillimin e gjërave të organizuara të natyrës).

Pra duhet të ekzistojnë patjetër diçka e moralshme në parimet, të cilat arsyeja i vë para si të kulluara, por njëkohësisht edhe për shkak të ndikimit të madh dhe epokal, gjë që e vë në dukje obligimi i pranuar për këtë qëllim i shpirtit të njeriut dhe i vë njerëzit në masë në lëvizje për të spastruar nga rruga pengesën më të madhe të së mirës, nëpërmjet të cilës pastaj raca njerëzore do të arrijë që të mos e lejojë më ardhjen e asaj të lige dhe të qëndrojë gjithmonë përparimin drejt më të mirës.

-Por forca dhe efikasiteti i kësaj ideje duhet të jenë gjithashtu patjetër të vërtetuara nga përvoja e pamohueshme publike dhe një kohësisht të jenë boll të siguruara përballë frikës së prapësimit.

Por shpresa për një ndodhi të tillë mbetet gjithmonë e pasigurt, ndoshta gjithashtu e palejueshme që ta thërrasim të vijë; por në qoftë se ajo vjen vetvetiu mbetet obligim [detyrë] për ta përdorur atë për ato qëllime. Por që në kuadrin e shndërrimeve të shumëllojshme, që i sjell ndodhia botërore [zhvillimi i përgjithshëm botëror], kjo do të ngjasë ndonjëherë dhe se rasti [mundësia] për të krijuar [themeluar] një gjë të moralshme dhe të mirë duhet të vijë patjetër ndonjëherë, e cila më pas duhet të kalojë patjetër në përparim të qëndrueshëm drejt më të mirës, kjo mund të pranohet si e sigurt në aspektin e trajtesës praktike (për të qenë të përgatitur për të); sepse, meqë dhuntia për të bërë të liga është shkatërruese e vetvetes, dhuntia për të bërë të mira nuk mudn të mungojë e do të haset [takohet, ndeshet] në një moment, ku e mira mund ta dëshmojë sundimin e saj të paktën në marrëdhëniet e jashtme të njerëzve dhe nuk mund të mungojë për ta mbrojtur [ruajtur, mbajtur] atë.

Fragment nga “Ese në filozofinë historike dhe politike”, botimet “Fan Noli”  

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency