Shkojnë të vrasin mëllinja,i nxjerr zorrët me çifte djalit të xhaxhait

0
162

Elton Qyno

Bedri DaniNaim Dani, vrau kushëririn nga pakujdesia. Gjykata e dënon me 2 vjet burg, për vrasjen e Bedri Danit

Pezullohet dënimi dhe lirohet autori. Zbardhet dëshmia e plotë e dhënë në prokurori

 

Denohet me dy vjet burg dhe më pas lirohet menjëherë nga gjykata e Tiranës, Naim Dani, personi që vrau aksidentalisht me çifte kushëririn e tij Bedri Danin, teksa së bashku kishin shkuar të vrisnin mëllenja. Nga një goditje me çifte, viktimës i kanë dalë zorët jashtë dhe se për pak minuta ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Për këtë krim Dani është shpallur fajtor nga gjykata,por për shkak se ai ka shfaqur pendesë dhe se vrasja ka ndodhur në kushtet e pakujdesisë, gjyqtari Arben Micko, ka vendosur ta lirojë të pandehuri. Gjatë hetimeve të kryera është menduar se vrasja ka ndodhur me dashje, por pas kryerjes së ekspertizës dhe tregimit të plotë të ngjarjes nga ana e Naim Danit, ka rezultuar se vrasja e të riut në zonën e Zall-Herrit është bërë në mënyrë aksidentale. Gjykata e Tiranës ka marrë vendimin në 11 mars të këtij viti, duke shpallur fajtor të pandehurin Dani, në masën 2 vjet burg. Por për shkak se një pjesë e këtij dënimi ishte shlyer, atëherë gjykata ka vendosur tia pezullojë dënimin duke bërë dhe lirimin e menjëhershëm të Naim Danit.

Dëshmia e të pandehurit

Më datë 19.11.2012 është pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime shtetasi Naim Dani i cili midis të tjerave ka deklaruar se:”…në ora 09:30 jam takuar me djalin e xhaxhait tim shtetasin Bedri Dani dhe ky i fundit më ka thënë që hajde dalim për gjueti për të vrarë zogj, shapka dhe mëllenja.Për të mos ja prishur unë pranova të dilja për gjah. Jam futur në shtepi dhe kam marë armën e gjahut time që është një beretë teke të cilën e mbaja në dollapin e rrobave në dhomën e gjumit.Pasi kam marë armën e gjahut dhe disa fishekë e kam mbushur armën por njëkohosisht kam marë dhe disa fishekë të tjerë të cilat i kam futur në xhep. Dola nga shtëpia dhe kam shkuar tek arra dhe aty jam takuar me Bedriun i cili edhe ai kishte marë armën e tij të gjahut që e kishte tip beretë.Mbasi jam takuar me Bedriun jemi nisur në drejtim të poligonit. Bedriu po merrej me zagarin duke e futur nëpër përrenjë, ndërsa unë po shikoja për mellenja. Shkuam tek poligoni dhe pasi zagari është futur nëpër poligon nuk kanë ndier gjë dhe Bedriu me tha hajde te ikim andej nga ullinjtë se këtu nuk ka gjë.Unë doja ti bija për shkurt që të kthehesha në shtëpi por Bedriu insistoi që ne të shkonim nga ullinjtë e Feraziut.Kam shkuar pas Bedriut dhe mbasi dhe tek ullinjtë nuk gjetëm gjë vendosëm që të shkonim për në shtëpi.Rrugës për në shtëpi në një distancë rreth 50-60 nga ullishtja, doli një mëllenjë në ajër të cilën e pamë të dy që po fluturonte dhe të dy së bashku filluam të shtiem në ajër në drejtim të mellenjave.

I nxorri zorrët

Kemi ecur rreth 800 metra rrugë këmbësore dhe Bedriu donte të fuste zagarin tek vendi i quajtur “livadhi i Kasemit” për ta mësuar për të zbuluar gjahun.Unë kam qënë duke ecur i pari ndërsa Bedriu ishte mbrapa meje në një distancë rreth 10-15 metra. Në këtë moment unë kam dëgjuar një krisme arme dhe një zë të mbytur “o Naim”, që erdhi nga mbrapa nga Bedriu. Jam kthyer menjëherë mbrapsht dhe kam shkuar me vrap në drejtim të Bedriut dhe kam parë Bedriun të shtrirë në tokë me shpinë nga toka dhe arma e tij ishte tek fundi i këmbëve të tij. Dallova gjithashtu që ai kishte një plagë në bark, por gjak nuk kam parë. Mbi bluzë i kishin dalë zorrët sa grushti i dorës. Në këtë kohë unë mora telefonin dhe kam lajmëruar vëllain e tij shtetasin Agron Dani, të cilit i thashë se është plagosur Bedriu,hajde shpejt tek vreshti i Ferazinve.Kam lajmëruar dhe vellain tim Sherifin të cilit i thashë hajde tek shtëpia se është plagosur Bedriu, por nuk e sqarova rrethanat se çfarë kishte ndodhur më tej.Kam hequr xhupin tim, ja kam vënë aty poshtë kokës Bedriut dhe më pas kam bërë dy tre telefonata me Agronin i cili më tha mere Bedriun në krahe dhe më dil përpara se po vij për aty. E mora Bedriun në krah dhe duke ecur bashkë me tëe kam përshkruar një distancë rreth 20-30 metra deri sa vajtëm tek një shesh me bar dhe aty kam qëndruar deri sa erdhi Agroni e më pas morëm Bedriun në krah dhe jemi nisur për në shtëpi. Sherifi me pyeti se çfarë ndodhi dhe unë i thashë se Bedriut i plasi arma tek vreshti i Ferazinit. Pas këtij momenti kemi shkuar se bashku me Sherifin në spital dhe aty mësuam se ai kishte vdekur.

Deklarata

Nga ana e familjarëve të viktimës nga Vath, Gjyze dhe Agron Dani është depozituar një deklarate noteriale që sipas tyre ata janë të bindur që ngjarrja ka qënë plotësisht aksidentale.

 

Narkomanët në spitalin e Korrçës

Policia, verifikim përdoruesve të drogës

në ambjentet e repartit toksikologjik

Vetëm 3 persona, nga 53 raste të shtruar për përdorim droge dhe alkooli, janë regjistruar si të tillë në spitalin rajonal të Korçës. Në një periudhë 3 mujore, që pas funkionimit të shërbimit toksologjik, shumica e personave të shtruar e kanë shmangur regjistrimin, duke u larguar në mënyrë ilegale nga spitali i Korçës pas shërbimit. Mjeku toksikolog në këtë spital, Kujtim Shabani, pohoi se ka qindra persona që njihen si përdorues të drogës dhe të alkoolit. Aktualisht në spitalin e Korçës kurohen me metadon rreth 80 persona, dhjetra të tjerë kërkojnë ndihmë e këshilla në mjeku specialist dhe një pjesë e tyre kanë nevojë edhe për shtrim në spital e mjekim të specializuar. Fluksi i pacientëve që kërkojnë këtë shërbim, po detyron drejtorinë spitalore të Korçës të hapë sa më parë një pavion toksologjik. Pjesa më e madhe e pacientëve të këtij reparti janë persona që konsumojnë në sasi të tepërta të alkoolit dhe lëndëve narkotike. Pikërisht në të gjitha kartelat e spitalit verifikohen edhe nga ana e policisë së Korçës, e cila nëpërmjet kësaj skeme e ka më të lehtë evidentimin e personave që konsukojnë lëndë narkotike, që në pjesën më të madhe të rasteve ata nuk janë vetëm konsumatorë të drogës, por edhe shpërndarës të hashashit, heroinës dhe kokainës në zona të ndryshme të Korçës.

 

Grabitje në Elbasan dhe Gjirokastër

Vidhet argjendaria në mesnatë

asnjë nga autorët i arrestuar 

 

Grabitet gjatë orëve të natës një punishte private argjendarie në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Rinia” që lidhet me universitetin “Aleksandër Xhuvani” në këtë qytet. Autorët kanë hyrë nga frëngjia e punishtes dhe kanë marrë çfarë kanë gjetur brenda saj. Grabitja është konstatuar në orët e para të mëngjesit nga pronari Gazmend Dyrma, i cili ka njoftuar policinë. Ende nuk dihet sasia e metaleve të çmuara të vjedhura. Ndërkohë që policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të këtij krimi. Ndërsa gjatë ditës së djeshme policia e Gjirokastrës ka arrestuar tre persona, të cilët kryenin vjedhje në qytete të ndryshme të vendit. Në pranga kanë përfunduar shtetasit E.D, 43-vjeç, A.M, 36-vjeç dhe A.D, 38-vjeç.Sipas policisë së këtij qyteti, personat e sipërpërmendur janë dënuar edhe më parë për krime të ndryshme. Aktualisht materialet hetimore për të dyja ngjarjet kriminale, i kanë kaluar prokurorisë së Elbasanit dhe asaj të Gjirokastrës, për kryerjen e hetimeve të mëtejshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency