Standard.al

Studime

shikimAnoreksia ndikon në shikim

Duke e analizuar gjendjen e pikës së verdhë që gjendet në afërsi të qendrës së retinës, përndryshe përgjegjëse për shikim më të mirë, shkencëtarët kanë vërtetuar se ajo dhe skajet nervore që dalin nga ajo pjesë e syrit janë më të holla te femrat që kanë probleme me anoreksinë. Anoreksia, humbja e oreksit, e shkaktuar me çrregullim serioz të të ushqyerit, mund të shkaktojë dëmtime serioze të shikimit kanë tërhequr vërejtjen hulumtuesit nga Universiteti i Athinës. Femrat e diagnostikuara me anoreksi kanë pasur aktivitet më të dobët elektrik të syrit dhe i kanë përpunuar më ngadalë fotografitë. Megjithatë, numri i vogël i pjesëmarrëseve të përfshira në studim nuk është i mjaftueshëm për një konfirmim përfundimtar. Studimet e mëtutjeshme duhet që të vërtetojnë nëse ky deficit është shenjë preliminare që çon drejt dëmtimit të mëtejmë të shikimit, ose a mund të normalizohet nëpërmjet ushqimit me shërim nga sëmundja fillestare.

 

Çaji i xhenxhefilit ndihmon lirimin nga stresi

Rezultatet e hulumtimit më të ri kanë treguar se si edhe vetëm marrja erë e çajit të xhenxhefilit mund të përmirësojë disponimin dhe reduktojë stresin. Pirja e bërë nga kjo mëlmesë është e shkëlqyeshme për tretje sepse lehtëson absorbimin e ushqimit! Acidi i stomakut është vendimtar për tretjen tonë. Megjithatë, kur organizmi është në stres – prodhimi i tij mund të reduktohet. Prandaj uji i nxehtë me një copë limoni dhe xhenxhefil të grimcuar është zgjidhje e shkëlqyeshme për stimulimin e tretjes. Xhenxhefili përmban antioksidantin e fuqishëm – gingerol – i cili mund të pastrojë kimikatet e dëmshme të cilat i prodhon organizmi ynë kur jemi të shqetësuar. Prandaj kjo mëlmesë mund të ndihmojë edhe tek stresi psikologjik. Me origjinë nga Azia, xhenxhefili me të madhe përdoret në kuzhinën aziatike dhe veçanërisht indiane dhe në Afrikën perëndimore dhe vendet e Karaibeve. Edhe pse konsiderohet që përmban veçori analgjetike, antipiretike, antibakteriale dhe qetësuese, shumë studime kanë vërtetuar efikasitetin e xhenxhefilit në shërimin e të përzierave të shkaktuara me kimioterapi, sëmundjen e detit, të përzierat e mëngjesit dhe diarreja.

 

Zbulohet gjeni që kontrollon dhimbjen kronike

Shkencëtarët britanik kanë identifikuar gjenin përgjegjës për rregullimin e dhimbjes kronike, HCN2. Zbulimi i tyre mund të ndihmojë në krijimin e ilaçeve të reja, efikase për lirimin nga dhimbja. “Shpresojmë që këto ilaçe do të jenë “të dizajnuara” ashtu që të bllokojnë proteinën, të cilën e prodhon gjeni i sapozbuluar. Në këtë mënyrë do të mund ta shërojmë llojin e dhimbjes që njihet si dhimbje neuropatike, e cila është e lidhur me dëmtimin e nervave dhe shpesh kontrollohet shumë vështirë me ilaçet në dispozicion sot”, – theksojnë shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit. Dhimbja akute shfaqet papritmas, ndërsa zakonisht është e ashpër dhe e vrullshme. Ajo shpesh paralajmëron ndonjë sëmundje ose kërcënim ndaj trupit. Mund të jetë e lehtë dhe të zgjasë gjithsej disa minuta ose më e fortë e cila zgjat me javë dhe muaj. Në shumicën e rasteve, dhimbja akute nuk zgjat më gjatë se gjashtë muaj dhe krijohet pas shërimit të shkakut, i cili ka çuar te simptomat. Nëse nuk trajtohet në kohë, dhimbja akute mund të çojë deri te forma kronike. Dhimbja kronike është problem i madh shëndetësor, ekonomik dhe social. Ajo është këmbëngulëse pavarësisht faktit që lëndimi është shëruar dhe tregon faktin që ende ekziston aktiviteti në sistemin nervor. Efektet anësore fizike përfshijnë muskujt e tensionuar, lëvizshmëri të kufizuar, mungesë të energjisë dhe ndryshim të oreksit. Efektet anësore emocionale përfshijnë depresionin, nervozizmin, zemërimin dhe frikën nga lëndimi i sërishëm.

 

Ulja e gjatë mund t’jua shkurtojë jetën

Ulja mund t’jua shkurtojë jetën, paralajmërojnë ekspertët. Kolltukët, karriget e zyrës dhe divanet mund të jenë fatale, është vërtetuar përmes hulumtimeve mjekësore. Ulja është e lidhur me disa epidemi të botës moderne, si kanceri, sëmundjet e zemrës, tensioni i lartë dhe sulmi në zemër. Hulumtuesit nga Universiteti i Leiçesterit kanë vërtetuar se si koha të cilën e kalojmë të ulur është shumë e lidhur me rritjen e rrezikut nga zhvillimi i diabetit të tipit 2. Karrigia, sipas kësaj, duhet të përfshihet në listën e vrasësve modernë, si cigaret, pijet dhe drogat e rënda. Për dallim nga e kaluara, kur njerëzit në pjesën më të madhe kanë qëndruar në këmbë derisa i kanë kryer punët, njeriu modern pjesën më të madhe është i ulur në punë, gjatë udhëtimeve deri në punë, gjatë shujtës, në kafene ose në kolltukun e dhomës së ditës. Mesatarisht, njeriu modern kalon 10 orë i ulur. Nga Universiteti Leiçester paralajmërojnë se si ulja për një kohë më të gjatë bën që trupi të akumulojë nivelin e lartë të rrezikshëm të sheqernave dhe yndyrave në gjak, çka konsiderueshëm rrit rrezikun nga prekja me diabet të tipit 2. Sipas studimit të publikuar në revistën “Archives of Internal Medicine” janë theksuar rezultatet në të cilat, thuhet se si njerëzit të cilët qëndrojnë ulur 11 apo më shumë orë në ditë kanë 40 për qind rrezik më të madh për të vdekur tri vjet më herët në krahasim me ata që qëndrojnë ulur katër orë në ditë. Lëvizja përmirëson qarkullimin dhe nxit shpërbërjen e yndyrave dhe sheqernave në organizëm. Por, nëse puna juaj kërkon që të qëndroni ulur për një kohë të gjatë, ekspertët rekomandojnë që çdo 20 minuta të ngriheni dhe të shëtisni shkurtimisht.

 

 

Comments are closed.