Standard.al

Pas triumfit në Norvegji, De Biazi: Tri pikët na lejojnë të shpresojmë

Altin Vorpsi

 

de biazDe Biazi: Fitoren ndoshta nuk e prisnim, sepse do të luanim me një kundërshtar shumë të vështirë, megjithatë ne kishim bindjen se do ta arrinim një rezultat pozitiv. Morën tri pikë të vyera, që na mbajnë në garë për një kualifikim të mundshëm

 

 

Mrekullia që ndodhi dy net më parë në stadiumin “Ullevaal” të Oslos, ka ardhur në momentin e duhur. Tani përfaqësuesja jonë është ndërgjegjësuar se i ka tërë mundësitë që në një grup relativisht të lehtë mund të thotë të vetën. Një pjesë të mirë të meritës këtu e ka edhe komisari teknik Xhani de Biazi që i ka dhënë një formë dhe një koncept të ri ekipit tonë përfaqësues. Një tjetër atribut i italianit është edhe modestia. Pikërisht dje kur e tërë Shqipëria akoma festonte fitoren mbi Norvegjinë, 57-vjeçari uli euforinë, duke menduar për sfidën e kthimit.

 

Problemi

Siç dihet fare mirë, kartonët e dhënë nga holandezi Blom i kanë kushtuar shtrenjtë Lilës (pas dy të verdhave pa të kuqin), Canës dhe Roshit. Këto janë tre të humburit e sigurt të De Biazit për ndeshjen e gjashtë eliminatore. “Problemi im i madh është se pas 75 ditësh, pak a shumë, do të riluajmë me Norvegjinë dhe do të kemi tri mungesa të sigurta, Lilën, Roshin dhe Canën. Unë jam i shqetësuar për këtë. Ne mund t’i mundin përsëri, por gjithçka varet nga dëshira jonë për të bërë mirë. Duhet të jemi të përqendruar, dhe ta përgatisim ndeshjen ashtu siç duhet si në nivelin fizik dhe në atë taktik”, – deklaroi De Biazi nga aeroporti i Rinasit.

 

Mbi triumfin në Oslo

Sa i përket fitores së madhe në Oslo, komisari teknik i Shqipërisë tregoi se edhe ai vetë u habit nga performanca e tijve: “Fitoren ndoshta nuk e prisnin, sepse do të luanim me një kundërshtar shumë të vështirë, megjithatë ne kishim bindjen se do ta arrinim një rezultat pozitiv. Morën tri pikë të vyera, që na mbajnë në garë për një kualifikim të mundshëm”.

 

 

I matur

Duka: Luajtëm ndryshe nga herët e tjera

Presidenti i Federatës, Armand Duka, është disi më i matur tek çështja e kualifikimit, por pavarësisht kësaj, ka dëshirë, ashtu si të gjithë ne që të luftojmë deri në fund. “Luajtëm ndryshe nga herët e tjera, nuk pritëm për një 0-0, por kërkuam ta fitonim ndeshjen. Edhe gabuam, gabuam shumë, fatmirësisht Norvegjia nuk i shfrytëzoi gabimet tona”, – tha Duka. Më tej numri një i organizmit më të lartë futbollistik në Shqipëri i vuri theksin golin të Salihit: “Ai e interpretoi shkëlqyeshëm atë goditje dënimi”. Në fund Duka dha edhe mendimin e tij mbi kualifikimin që sipas tij “është shumë i vështirë. Për të arritur në Brazil rruga është shumë e gjatë, por ne duhet të punojmë shumë ndeshje pas ndeshje. Kuptohet që ne jemi një ekip modest, por shpresa vdes e fundit”. Përfaqësuesja kuqezi është grumbulluar sërish në Durrës pasi ditën e martë do të zhvillojë ndeshjen e radhës, këtë herë një miqësore, atë përball Lituanisë në Tiranë.

 

Grupi E

Qiproja frenon Zvicrën

Shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar në Botërorin 2014 kanë marrë një shtysë të madhe nga barazimi i djeshëm 0-0 mes Qipros dhe Zvicrës në ndeshjen e grupit E ku bëjnë pjesë edhe kuqezinjtë. Zviceranët, që deri në këtë moment ishin treguar dominues në grup, nuk kanë arritur të marrin tri pikët në transfertë dhe tani ndalën në kuotën e 11 pikëve pas 5 ndeshjeve, 2 më shumë se Shqipëria dhe Islanda që i ndjekin në renditje. Kuptohet që skuadra e drejtuar nga Otmar Hicfeld mbetet pretendente kryesore për të fituar vendin e parë në Grupin E, falë edhe një kalendari më të favorshëm me 3 nga 5 ndeshjet e mbetura në fushën e vet. Por barazimi ndaj Qipros është një sinjal i qartë se helvetët nuk janë më skuadra e pandalshme e fillimit të eliminatoreve, ndoshta edhe për faktin se shumë prej futbollistëve të kësaj kombëtareje nuk po luajnë me skuadrat e tyre. Kjo situatë në Grupin E duket se lë gjithçka hapur për kualifikimin, që tashmë përfshin edhe vendin e parë në grup dhe jo vetëm atë të dytin që të çon në play-off.

 

Grupi E/ Ndeshjet e ardhshme

7.6.2013

Shqipëri-Norvegji

Islandë-Slloveni

8.6.2013

Zvicër-Qipro

 

Grupi E/ Renditja

 

Skuadra         ND.     F          B         H         Pikë

1. Zvicra         5          3          2          0          11

2. Islanda       5          3          0          2          9

3. Shqipëria  5          3          0          2          9

4. Norvegjia   5          2          1          2          7

5. Qipro          5          1          1          3          4

6. Sllovenia   5          1          0          4          3

 

 

 

“Hirushja”

Mediat italiane përgëzojnë De Biazin

Triumfi në Oslo u ka tërhequr vëmendjen mjaft medieve në botë. Në veçanti vendi fqinj, prej ku vjen edhe komisari teknik De Biazi ka përfituar nga rasti për të “pagëzuar” me një emër të ri Shqipërinë. Sipas “tuttomercatoweb.com”, kuqezinjtë janë “hirushja” e skuadrave të vogla që një ditë të bëhen të mëdha. Në këtë linjë vijon një shkrim i tërë në këtë faqe elektronike ku thuhet se deri dy net më parë përfaqësuesja jonë as që mendonte se do të futej në valle për të marrë pjesë në “Brazil 2014”. Sipas gazetarit të këtij shkrimi, tërë merita i shkon Xhani de Biazit

 

Biletat

Me Lituaninë të gjithë në stadium

Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” do të rihapë dyert për të pritur një ndeshje të kombëtares sonë, në atë që mund të jetë miqësorja më entuziaste e luajtur nga kuqezinjtë. Përballë tyre nuk do të jetë ndonjë kundërshtar i elitës së futbollit në kontinent, madje Lituania mund të konsiderohet tepër modeste për këtë pritshmëri. Por gjithçka i dedikohet suksesit ndaj Norvegjisë, skuadrës që sipas shortit ishte më e forta e grupit, ka injektuar një entuziazëm të jashtëzakonshëm tek të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht tek tifozeria, e cila pritet të jetë e shumtë në numër në miqësoren me Lituaninë dhe ku objektivi kryesor pritet të jetë festimi për fitoren e arritur në Oslo. Për të stimuluar një prezencë sa më të lartë të tifozerisë, kanë menduar edhe drejtuesit e FSHF-së, të cilët kanë vendosur çmime simbolike për biletat e hedhura tashmë në treg. Në këtë mënyrë një vend në tribunën qendrore, varion nga 1000-1500 lekë, në tribunën D2 700 lekë, në tribunat D1 dhe D3 400 lekë dhe në tribunat C dhe E vetëm 200 lekë. Ndaj Norvegjisë, kombëtarja dëshmoi vlerat e saj më të mira dhe jo vetëm sportive, ndërsa me Lituaninë është radha e tifozëve për të treguar edhe një herë me praninë dhe entuziazmin rolin e tyre në suksesin e përfaqësueses kuqezi.

Comments are closed.