Parlamenti Evropian: Keqpërdorimi i zgjedhjeve humb integrimin, të njihet rezultati

0
149

 Gëzim Saliu

posserltEurodeputeti Posselt: E vështirë që një vend të ecë përpara, në rast se opozita bojkoton

 

Nëse zgjedhjet e 23 qershorit do të keqpërdoren për lojëra të brendshme dhe nëse nuk do të njihet rezultati i tyre, kjo do të shkatërrojë shansin e Shqipërisë për të marrë statusin e kandidatit shpejt. Kështu kanë pohuar dje eurodeputetët e Parlamentit Evropian Berndt Posselt dhe Jelko Kacin, duke theksuar se të gjitha palët duhet të angazhohen për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Nëse dikush i përdor zgjedhjet për qëllime të brendshme politike, ai dëmton përpjekjet e vendit për të marrë statusin e kandidatit shumë shpejt. Sigurisht që ne e mbështesim fuqimisht dhënien e statusit të kandidatit, por unë mendoj se duhet të ketë një marrëveshje mes të gjitha palëve për rrugën drejt Evropës”, – u shpreh Posselt për “ABC News”.

 

Zgjedhjet dhe integrimi

Për eurodeputetin Jelko Kacin zgjedhjet e 23 qershorit kanë një rëndësi të veçantë në procesin e integrimit evropian të vendit. Sipas tij është domosdoshmëri njohja e rezultatit, cilido qoftë ai. “Zgjedhjet janë shumë të rëndësishme. Shpresoj që të dyja palët do të njohin rezultatin. Dhe shpresoj që përplasjet midis tyre për interpretimin e rezultatit të mos marrin dhe dy vjet të tjera”, – tha Kacin. Në këtë kontekst, eurodeputeti Posselt i kërkon politikanëve shqiptarë që të ecin në shembullin e Kroacisë dhe Hungarisë, dhe të bashkëpunojnë për integrimin evropian. “Në këto vende ka pasur një debat të brendshëm shumë të ashpër, por kur ishte fjala për integrimin evropian, të gjitha partitë merreshin vesh mes tyre për ta mbështetur këtë proces. Por ju e dini se ka mosmarrëveshje për këtë në Maqedoni, ka gjithashtu edhe në Shqipëri. Unë shpresoj që të gjithë të tregohen të arsyeshëm në këtë kohë. Është e vështirë që një vend të ecë përpara nëse opozita përpiqet të bojkotojë”, – theksoi ai. Nga ana tjetër, Posselt bën të ditur se pranimi i vendeve që duan të jenë pjesë e Evropës përfshi edhe Shqipërinë, mund të bëhet më i vështirë në të ardhmen, kjo e fundit për shkak të krizës financiare dhe të reformave në Bashkimin Evropian. “Mund t’ju them se për Kroacinë ishte shumë më i vështirë se vendet që u anëtarësuan para saj. Unë kam punuar prej vitesh për Kroacinë. Jam i lumtur që Kroacia do të bëhet anëtare tani. Por mund t’ju them me bindje, se anëtarësimi i Kroacisë është shumë më i vështirë se zgjerimet e tjera. Mendoj, se zgjerimet e ardhshme do të bëhen gjithnjë e më të vështira. Ndaj varetë shumë nga përpjekjet e secilit vend për reformat e integrimit. Shqipëria ka kryer shumë reforma dhe ka shënuar shumë progres vitet e fundit. Pra,vendi ka shumë shanse që të përparojë në integrimin evropian. Por Shqipëria duhet të shfrytëzojë këtë shans, përndryshe vendi mund të mbetet shumë mbrapa”, – u shpreh eurodeputeti. Parlamenti Evropian bën të ditur se është në interesin e forcat politike shqiptare dhe të të gjithë vendit, që të bashkëpunojnë për integrimin, pasi anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të bëhet shumë më i vështirë pas Kroacisë. Prova më e rëndësishme për klasën politike shqiptare mbeten zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit, të cilat janë cilësuar si kusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, pas marrjes së statusit kandidat.

 

 

Të hënën marrëveshja me IDRA-n, KQZ: Numërimi elektronik provohet në 13 prill

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur dje se në 13 prill do të zhvillohet testi paraprak i numërimit elektronik të votave. Duke bërë të ditur se tejzgjatja e procedurave prokuruese për përzgjedhjen e kompanive që do të realizonin projektet erdhi për shkak se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u konstituua me vonesë, zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxhaj tha: “Ashtu siç jeni në dijeni për sa i përket projektit “Realizimi i sistemit elektronik të numërimit të votave në qarkun e Fierit”, fituese është shpallur kompania spanjolle INDRA, me të cilën KQZ-ja ka nënshkruar kontratën për realizimin e këtij projekti. Ashtu siç parashikohet në këtë kontratë dhe në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, me datë 13 prill 2013 do të zhvillohet testi paraprak i Numërimit Elektronik të Votave, i cili do te zhvillohet në një nga palestrat e shkollave të Kryeqytetit. Edhe pse nuk kërkohet nga Kodi Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bashkë me kompaninë INDRA, javën e parë të qershorit do të zhvillojnë një provë të përgjithshme në të gjithë Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve të qarkut Fier”. Ndërsa sa i përket projektit të “Sistemit Elektronik të Verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve në Qarkun e Tiranës”, në përfundim të procedurave prokuruese për këtë projekt, zëdhënësja e KQZ bëri të ditur se fituese u shpall, e njëjta kompani, kompania spanjolle INDRA. “Vonesat në përzgjedhjen e kompanisë fituese për këtë projekt erdhën jo vetëm për shkak të kompleksitetit të tij por edhe të faktit se si rezultat i zbatimit të kërkesave të reja të Kodit Zgjedhor, sipas të cilave në Qarkun e Tiranës Qendrat e Votimit u rritën nga 875 QV në zgjedhjet e vitit 2011 në 1420 QV këtë vit. Vlera e ofruar nga kompania INDRA për realizimin e këtij projekti dukë përfshirë të gjitha ndryshimet e përmendura më sipër është 2, 660,995 Euro pa TVSH. Ashtu sic theksova më sipër, sot kanë përfunduar negociatat dhe është përpiluar draft-kontrata ndërmjet KQZ-së dhe kësaj shoqërie e cila do të nënshkruhet këtë të hënë, pra me datë 25 Mars. Edhe pse negociatat zgjatën tej parashikimeve, në kontratë është parashikuar që testi i parë i këtij projekti do të zhvillohet me datë 23 prill 2013, ashtu si parashikohet në Kodin Zgjedhor”, – deklaroi Hoxhaj.

 

 

Topi: Taksë speciale mbi taksat e BE-së

Fryma e Re Demokratike në kuadër të paraqitjes dhe debatit mbi programin e saj politik, diskutoi dje me grupet e interesit dhe ekspertë programin e vet mbi bujqësinë në qytetin e Lushnjës. Në fjalën e tij, kryetari i Frymës së Re Demokratike theksoi se edhe pas 22 viteve tranzicion, qeveria ka dështuar me politikat e saj deficitare ndaj bujqësisë dhe gjithçka që politika thotë për bujqësinë është falsitet. Në kuadër të politikave për prodhimet vendase, Topi mbajti qëndrimin zyrtar të FRD-së për vendosjen e një takse speciale mbi taksat e BE-së në funksion të mbrojtjes nga importi të produkteve vendase. Nga ana tjetër, kreu i FRD-së ngriti si shqetësim problemin aktual në vend, atë të përmbytjeve si në veri dhe në jug, ku qeveria dhe institucionet jo vetëm nuk veprojnë, por lejojnë detin që të penetrojë në tokë dhe se qeveritarët kujtohen për mbrojtjen e tokës vetëm atëherë ku deti u shkon pranë vilave të tyre. “Kjo është pasojë e erozionit, keqmenaxhimit të pyjeve apo mosfunksionimit të kanaleve kulluese, ndaj bujqësia duhet ridimensionuar nëpërmjet një reforme tërësore institucionale”, – u shpreh Topi. Një tjetër prioritet më programin e FRD-së për bujqësinë do të jetë edhe rikthimi i dinjitetit institucioneve kërkimore shkencore të cilat sot sipas Topit janë kthyer nga qeveria në institucione militantësh.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency