Ndihmoi në kalimin klandestin drejt BE-së, dënohet 6 vjet burg

0
238

Sonja Caka

denimiVendimi: Fatos Shaba, i akuzuar për një episod, bashkëpunëtorët u dënuan nga Krimet e Rënda për “Trafik qeniesh njerëzore”

 

Gjashtë vjet burg i ka kushtuar një 27-vjeçari gjetja e personave që donin të emigronin në mënyrë klandestine drejt vendeve të Evropës Perëndimore, duke ndjekur itinerarin Shqipëri-Kosovë-Serbi-Kroaci dhe më pas drejt Hungarisë, Italisë apo dhe vendeve të tjera të hapësirës Shengen, kundrejt pagesës 3.300 euro për person. Bashkëpunëtorët e tij janë dënuar të gjithë tek Krimet e Rënda, ndërsa për 27-vjeçarin Zija (Fatos) Shaba u nda çështja dhe u dërgua për gjykim të zakonshëm pasi akuzohet vetëm për një episod të vetëm dhe konkretisht për gjetjen e një individi që donte të kalonte drejt vendeve të BE-së. I pandehuri Shaba është gjykuar në mungesë dhe për mbrojtjen e tij është caktuar një mbrojtës kryesisht pasi nuk është arrestuar nga policia. Ndërsa pjesa tjetër e grupit janë dënuar nga 3 deri në 11 vite nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, e cila ka ashpërsuar dënimet për disa prej tyre, ndryshe nga vendimi i dhënë nga Shkalla e Parë, ndërkohë që si dënim plotësues ka qenë ai me gjoba deri në 4 milionë lekë për secilin.

Trafiku

Referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës mësohet se i dënuari Avni Tahiraj, në bashkëpunim me të dënuarin Petrit Gjoni kane bërë marrëveshje me shtetasit kosovarë Naser Idrizaj dhe personin e quajtur Tahir, në Kosovë, me qëllim dërgimin në Kosovë të shtetasve shqiptarë dhe më pas me ndihmën e Naserit dhe Tahirit, dhe personave të tjerë të përfshirë, dërgimin e tyre në shtete të ndryshme të Evropës, kryesisht në Itali, duke kaluar kufijtë e shteteve të ndryshme Serbi, Kroaci, Hungari, Austri e Itali, në mënyrë te paligjshme. Sipas vendimit të gjykatës, Tahiraj nëpërmjet bashkëpunimit me Idrizaj dhe personin e quajtur Tahir, kanë komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me qëllim gjetjen nga Avniu të shtetasve shqiptarë të interesuar për të vajtur në Itali. Më pas, Avniu u ka premtuar familjarëve të këtyre shtetasve, përkundrejt pagesave, dërgimin e tyre në destinacionin e kërkuar. Në bashkëpunim me Petrit Gjonin, i Avniu ka organizuar në Shqipëri mbledhjen e personave që do të largohen, i udhëzon se çfarë duhet të bëjnë dhe të marrin me vete gjatë rrugëtimit. Të dy së bashku u sigurojnë personave që do ikin rrugën deri në Kosovë. Ata mbajnë kontaktet me Naserin dhe Tahirin në Kosovë, duke i lajmëruar për mbërritjen e shtetasve shqiptarë. U japin atyre numrat e telefonit që përdorin shtetasit shqiptar. Ata udhëzojnë që të blejnë numra të tjerë telefoni dhe të presin në vende të caktuara në Kosovë deri në mbërritjen e Naserit apo Tahirit. Pasi lidhen me shtetasit shqiptarë, Naseri dhe Tahiri, organizojnë punën për t’i dërguar ata në fillim në Serbi, duke i çuar deri në kufi midis Serbisë dhe Hungarisë. Atje i vendosin shtetasit shqiptar në një banesë, me qëllim që të mos kapen nga policia vendase dhe i udhëzojnë të mos largohen deri sa të shkojnë e t’i marrin. Me ndihmën e personave të tjerë që bëjnë transportin, në mënyrë të organizuar dërgojnë shtetasit shqiptar në grupe dy ose tre persona në Austri e më pas në Itali duke kaluar kufirin e Serbisë dhe Hungarisë. Në lidhje me ecurinë e kalimit dhe pritjes së shtetasve shqiptarë, interesohen në mënyrë të vazhdueshme të dënuarit Avni Tahiraj dhe Petrit Gjoni (ndryshe Jorgo). Ata interesohen se ku kanë ngelur, sa do te presin në banesën në kufi mes Serbisë dhe Hungarisë, kur do të kalojnë kufirin, kur do të mbërrijnë në destinacion. Ata interesohen në lidhje me ushqimin e tyre, duke i kërkuar Naserit dhe Tahirit që t’u çojnë ushqim personave që janë në pritje. Të dënuarit Avni dhe Petriti bisedojnë me njëri-tjetrin edhe për ecurinë e kalimit të shtetasve shqiptarë, të cilët i kanë dërguar atje së bashku. Ata bisedojnë me Naserin dhe Tahirin edhe në lidhje me marrjen e pagesave për ndihmën që kanë dhënë për kalimin e kufijve.

Përgjimet

Në komunikimet midis të dënuarve, Avniut dhe Petritit, dhe këtyre të fundit me shtetasit kosovarë, dalin qartë edhe rastet e dërgimit të personave, emrat e tyre, pengesat që hasin gjatë rrugëtimit, ankesat e personave që duan të shkojnë në Itali në lidhje me pritjen, kushtet e papërshtatshme, vonesat, pagimin e shërbimeve të tjera të paparashikuara, kapjen në disa raste nga policia e Hungarisë, kthimi në Shqipëri i disave prej tyre, ridërgimin përsëri në destinacion. Komunikimet midis Avniut, Petritit, Naserit dhe Tahirit kane qenë të vazhdueshme gjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor të vitit 2010. Në këtë periudhë kohore ata kanë organizuar në disa raste largimin e shumë personave nga Shqipëria në Kosovë, Serbi, Hungari e më pas Austri dhe Itali. Mënyra e bashkëpunimit të tyre nuk ka qenë aspak e rastësishme, por bashkëpunimi ka qenë i konsoliduar, i shtrirë në kohë të gjatë, i vazhdueshëm, i përsëritshëm në disa raste në të njëjtën mënyrë organizimi dhe në ndarje punësh. Sipas gjykatës, bashkëpunimi ka qenë tipik në formën e një grupi të strukturuar kriminal. Ata kanë kryer veprimet e tyre të kundërligjshme me qëllimin final përfitimin material nga pagesat që merrnin nga familjarët e personave që largoheshin.

Roli i të pandehurit Shaba

Në rastin e të dënuarit Avni Tahiraj, ky i fundit i gjente personat që dërgoheshin në mënyrë të kundërligjshme në Itali, nga shtetasit e quajtur Vesel Hasani dhe i pandehuri Zija(Fatos) Shaba. Këta të fundit, sipas gjykatës, në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, mbajnë kontakte vetëm me shtetasin Avni Tahiraj. Ata gjejnë persona, të cilëve, kundrejt pagesave u premtojnë kalimin e paligjshëm të kufijve, i lidhin me të dënuarin Avni Veseli dhe i pandehuri Fatos kryen rolin e ndërmjetësit në bashkëpunim. Ata mbajnë kontaktet me familjarët e personave që largohen dhe gjatë rrugëtimit komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme me familjarët e këtyre personave. Gjithashtu, ata marrin prej tyre ankesat për vonesat dhe kushtet e papërshtatshme dhe ia transmetojnë ato të dënuarit Avni. Ky i fundit lidhet me Naserin apo Tahirin dhe i kërkojnë herë pas here që të kenë kujdes me personat, t’u çojnë ushqim, apo merr prej tyre informacion për ecurinë, pritjen etj. Avniu gjithashtu komunikon edhe drejtpërdrejtë me personat e larguar, u sqaron atyre për vonesat, kohën se kur do të largohen, për itinerarin, merr prej tyre ankesat etj.

Nga një përgjimet, për dy raste

Në orën 10.37 bisedon Avniu personin që i gjen njerëz që duan të ikin jashtë vendit, i cili quhet Zija (Fatos) Shaba). Avniu i thotë se kërkon të shkonte te shtëpia e Lirim Vathit për të zgjidhur problemin, pasi është kapur nga policia hungareze. (Fatosi ) i thotë se kishte biseduar me një çun tjetër dhe se ishte gati për t’u nisur. E pyet nëse ishte gati të nesërmen. Avniu i thotë se po. Ora 14.19 bisedon Avniu me Fatosin. Avniu i thotë se ishte afër shtëpisë se Lirimit. Fatosi i thotë se po pyetën për të t’u thotë se ishte në Tiranë, dhe kur të mbaronte punë t’i bënte një zile. Avniu i thotë të mos kishte merak. (Fatosi përpiqet t’u shmanget familjarëve të Lirimit). Në orën 14.26, Avniu bisedon me të ëmën e Lirimit. Avniu e pyet se ku ishte. Ajo i thotë se ishte në shtëpi. Avniu i thotë se do shkonte te shtëpia e tyre. Ora 18.19, bisedon Fatosi me Avniun. Fatosi e pyet “a fole me njerëzit e Lirimit, a i takove?” Avniu i thotë se nuk i kishte takuar. Fatosi vazhdon bisedën me një temë tjetër duke e pyetur nëse ka për të çuar të tjerë të nesërmen. Avniu i thotë po. Tosi e pyet “a ta sjell”. Avniu i thotë po. Bëhet fjalë për rastin e shtetasit Altin Çikalleshi.

Detaj

3 300 euro ishte pagesa e çdo personi që nisej nga Shqipëri drejt vendeve të BE-së, përmes itinerarit Kukës-Kosovë-Serbi-Austri-Itali

 

Akuza

27-vjeçari Zija (Fatos) Shaba nga Kavaja akuzohet nga Prokuroria për kryerjen e veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal

Vendimi

Deklarimi fajtor i të pandehurit Zija (Fatos) Shaba, për kryerjen e veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, bazuar në nenin 298/3 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 6 vjet burgim

Itinerari

Të pandehurit bashkëpunonin në dërgimin e shtetasve të ndryshëm shqiptarë në shtete të ndryshme të BE-së, kryesisht në Itali, duke kaluar kufijtë e shteteve si Serbia, Kroacia, Hungaria, Austria e Italia, në mënyrë të paligjshme

Episodet

I pandehuri Zija (Fatos) Shaba është personi që ka gjetur Lirim Vathin, Altin Çikalleshin, etj për t’i dërguar jashtë dhe mban kontaktet me familjarët e tyre, lidhur me problematikat e shfaqura gjatë rrugëtimit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency