Standard.al

Kundërpërgjigjja, Murinjo mbron Pandevin

Përgatiti Altin Vorpsi

 

murinjoMurinjo: Pandevi ishte një prej lojtarëve që më telefonoi. Të tjerët preferuan të qëndronin anonimë dhe unë vetëm mund ta respektoj një gjë të tillë. Unë e vlerësoj shumë ndershmërinë dhe forcën e Pandevit.

 

Hoze Murinjo ka mbështetur publikisht Goran Pandevin, i cili tregoi “forcë dhe ndershmëri”, duke vënë në diskutim vlefshmërinë e votës që ai kishte hedhur në votimet për “Trajneri i Vitit FIFA 2012”. Trajneri portugez ishte ai që hodhi dyshime mbi mënyrën se si ishte kryer ky votim, i mbështetur edhe nga fjalët e sulmuesit. Por FIFA një ditë më parë publikoi shkresën që kishte mbërritur nga Maqedonia ku shihej qartë se Pandevi nuk kishte votuar për portugezin, por për Del Bosken.

 

Nga të paktët që reaguan

Edhe pse lojtari pretendon se ajo nuk është firma e tij dhe FIFA i ka kërkuar futbollistit të kërkojë shpjegime në Federatën e vendit të tij, Murinjo mendon se Pandevi ka treguar forcë të jashtëzakonshme, duke mbrojtur versionin e tij të ngjarjeve. “Pandevi ishte një prej lojtarëve që më telefonoi. Të tjerët preferuan të qëndronin anonimë dhe unë vetëm mund ta respektoj një gjë të tillë. Unë vlerësoj shumë ndershmërinë dhe forcën e Pandevit”, – tha Murinjo. “Qëllimi im ishte të shpjegoja përse nuk mora pjesë në mbrëmjen gala, jo pse nuk fitova. Me shumë mundësi nuk do ta kisha fituar gjithsesi, por gjërat janë shumë më të qarta për mua tani dhe askush nuk mund të më kritikojë”, – përfundoi “Orakulli nga Setubali”.

 

Divorci

Divorci mes Realit të Madridit dhe Hoze Murinjos sa ditë kalojnë, aq më shumë i mundshëm bëhet. Këtë herë ka qenë një deklaratë e teknikut portugez ajo që ka ngacmuar mediat sportive. Mou ishte në Setubal për të marrë pjesë në një ekspozitë fotografike kushtuar atij me rastin e 50-vjetorit të lindjes. I pyetur mbi të ardhmen, “Speciali” iu përgjigj shkurtimisht: “Ju e dini që unë jam tip aventurier”. Kaq mjaftoi dhe pyetjet mbi të vërshuan, kryesisht interesimi ishte për destinacionin e ardhshëm, që Murinjos sërish e mbajti “sekret”, por gjithashtu lëshoi edhe koordinatat e para se mund të jetë mes Anglisë dhe Italisë. “Pasi ke drejtuar në Portugali, Angli, Itali dhe Spanjë është e vështirë të zgjedhësh një destinacion. Ku i dihet, ndoshta do të jetë një vend ku kam qenë më parë”, – tha Mou. Fjalia e dytë e përgjigjes së tij, duke përjashtuar Portugalinë, lë të kuptohet se ardhmja e Murinjoss do të përcaktohet nga ofertat që mbërrijnë nga Italia dhe Anglia. Në Itali rikthimi tek Interi është i mirëpritur, ndërsa në Angli, Abramoviçi ka dhënë shenja pendese për atë largim të teknikut, megjithatë në garë mbetet edhe Mançester Junajtid, gjithmonë nëse largohet Sër Aleks Ferguson. Mou rishprehu edhe një herë tjetër dëshirën për të drejtuar Portugalinë në të ardhmen. “Do të më pëlqente”, – tha ai, megjithëse e quajti një mision të vështirë, për shkak se lojtarët e kombëtares luajnë në kampionate të ndryshme.

 

 

“Brazil 2014”

Deshamp i shpall “luftë” Spanjës

Trajneri i Francës, Didie Deshamp, ka premtuar se kombëtarja që drejton nuk do të luajë në mbrojtje në takimin vendimtar të grupit kundër Spanjës që luhet ditën e martë në Paris. Fitorja 3-1 ndaj Gjeorgjisë e kombinuar me barazimin 1-1 të Spanjës ndaj Finlandës ka vënë në një pozicion më të favorshëm Francën që kryeson grupin përballë kampionëve të botës dhe fituesve të dy kampionateve evropianë të fundit.

“Të luash me Spanjën dhe të mendosh për mbrojtjen nuk është zgjidhje. Gjëja më e rëndësishme është të mbajmë vendin e parë në grup edhe pas ndeshjes të së martës, por sidomos pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve në grup. Barazimi i Finlandës ishte një surprizë, por kjo tregon se sa e vështirë është të luash ndaj çdo skuadre. Ne deri tani kemi bërë detyrën tonë, tani mbetet të shohim se çfarë mund të bëjmë të martën”, – tha Deshamp. Pavarësisht rëndësisë së kësaj fitoreje, trajneri i Francës ka treguar se është ende i pakënaqur për shkak se ekipi i tij pësoi një gol ndaj Gjeorgjisë. “Gjëja më e rëndësishme për ne ishte të fitonim. Por mua më shqetëson fakti se pësuam gol pasi ishim shumë të relaksuar në fundin e ndeshjes. Kemi shënuar tre gola, por unë jam një trajner perfeksionist dhe dua gjithmonë maksimumin”, – tha Deshamp.

 

Formula 1

Feteli merr “pole position”

Sebastian Fetel arriti të siguronte pole position për Çmimin e Madh të Malajzisë që zhvillohet sot, pasi makina e tij Red Bull u përshtat më shpejt me kushtet e një piste të lagur, nga shiu që ndikoi në kualifikueset. Piloti i Red Bullit siguroi kohën më të shpejtë në xhiron e fundit të kualifikueses së tretë, duke lënë pas dy makinat Ferrari, me Felipe Masën që është treguar përsëri më i shpejtë se shoku i tij i skuadrës, Fernando Alonso. Ljuis Hamilton, i cili mbante kohën më të shpejtë deri në xhiron e fundit, duhet të kënaqet me vendin e katërt në vijën e nisjes, ndërsa pas tij janë renditur Mark Veber, Niko Rozberg, Kimi Raikonen, Xhenson Batën, Adrian Sutil dhe Serxho Perez. Shiu gjatë provave nisi në mes të kualifikuesve të dyta, duke prishur xhirot e shpejta të shumë pilotëve dhe dy makinat Ferrari “shpëtuan” në xhirot e fundit me një kohë që i çoi mes më të mirëve. Duhet thënë se gjatë seancës së parë të kualifikueseve, kur pista ishte e tharë, dy makinat Red Bull shfaqën vështirësi të mëdha dhe për disa çaste rrezikuan të mos kualifikoheshin për më tej. Pritet që edhe gjatë garës së nesërme, moti të jetë i paqëndrueshëm dhe shiu mund të bëhet përsëri faktor vendimtar për fituesin e garës së dytë të sezonit.

 

Merkato

Juventusi “kënaqet” me Murielin

Drejtori sportiv i Juventusit, Bepe Marrota, ka telefonuar menaxherin e Luis Murielit për të diskutuar për një transferim të mundshëm. Drejtuesi i “Zonjës së Vjetër” ka marrëdhënie shumë të mirë me Klaudio Vagexhin. Talenti kolumbian i Udinezes prej kohësh është përfolur për t’u transferuar tek Juventusi. Por edhe Napoli e ndjek me vëmendje atë. Politika e klubit friulan është që t’i mbajë për dy-tri sezone talentet e ekipit dhe pastaj ti shesë. Kjo është kohë e mjaftueshme për t’i maturuar ata si lojtarë. Por klubi bardhezi është i gatshëm të rrezikojë që tani e ta marrë talentin kolumbian. Ai ka bërë një paraqitje shumë të mirë në Serinë A, duke bindur Konten që do të ishte i dobishëm për skuadrën. Midis menaxherit të lojtarit që klientë të tij ka edhe Islan dhe Azamoan ka marrëdhënie shumë të mira, e kjo mund të ndikojë në arritjen e marrëveshjes.

 

Skandali i dopingut

Doktor Fuentes: Reali më ka borxhe

Reali i Madridit ka ndërmend që të hedhë në gjyq mjekun Eufemiano Fuentes, i përfshirë në një skandal të madh të dopingut, pasi deklaroi se klubi spanjoll i detyrohej atij para. “Duke u përballur me përpjekjen e Fuentesit për të gënjyer me synim të keq, opinionin publik sa i përket marrëdhënieve të tija me klubin, Reali i Madridit do të ndërmarrë menjëherë veprim ligjor kundër Fuentesit”, – ishte reagimi zyrtar i madrilenëve. Aktualisht doktori spanjoll është në një çështje gjyqësore, pasi akuzohet se ka rrezikuar shëndetin e pacientëve duke kryer transfuzione gjaku në një numër të madh çiklistësh. Ditën e premte ai deklaroi para mediave në ditën e parafundit të gjyqit, se ishte në pritje të parave që nëntë herë kampionët e botës i detyroheshin. “Jam i interesuar që të marr borxhin që Real Madridi më ka mua por është e vështirë që të paguhem”, – tha doktori. Dhe avokati i lojtarit tha para mediave. “Madrilenët i kanë një borxh klientit tim që nga viti 2007,2008, 2009 nuk e mbaj mend mirë vitin”. Reali i konsideron deklaratat si prishje të imazhit.

 

 

Comments are closed.