Kërkimet për trupin e të miturit, gjenden një batanije e kuqe dhe një moket

0
176

Sonja Caka

batanijaMaterialet e gjetura dërgohen në Laboratorin Kriminalistik Shkencor, priten rezultatet. Shpresa e grupit hetimor dhe familjarëve të Çelës, te provat e gjetura

 

Mëngjesin e djeshëm kanë rinisur kërkimet në landfillin e Sharrës për të gjetur trupin e pajetë të 11-vjeçarit Julian Çela, për të cilin pedofili-vrasës Ardian Prrenjasi ka deklaruar se e ka hedhur në këtë vend. Rreth orës 9:30, në landfillin e Sharrës, përveç punonjësve të Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit ishin edhe forcat xheniere, si edhe forcat e policisë që kanë mbikëqyrur operacionin për gjetjen e trupit të të miturit. Pas disa orë kërkimesh, në këtë zonë u gjetën një batanije dhe një moket, njëra prej të cilave e kuqërremtë, të cilat iu dërguan Laboratorit Kriminalistik për të bërë ekzaminimin. Ende nuk dihet nëse këto batanije apo moketi janë ato që ka përdorur pedofili-vrasës Prrenjasi, pasi gjatë deklarimeve në polici ka folur për një tapet të kuq të përdorur. Mbetet që në ditët në vijim të jetë laboratori ai që do të përcaktojë nëse ndonjëra prej tyre është ajo vrasësi ka përdorur për të mbështjellë të miturin ashtu sikundër ka deklaruar, apo janë mbetje që kanë hedhur qytetarë të ndryshëm gjatë këtyre muajve.

Zbulimi

Moti i mirë ka bërë që menjëherë në orët e para të mëngjesit të rinisin kërkimet në landfillin e Sharrës. Ato janë përqendruar në një perimetër më të ngushtë, pasi në disa zona kanë rezultuar pa sukses. Gërmimet, ashtu si edhe në ditët e mëparshme, janë kryer nga ekskavatori i cili po gërmon në të ashtuquajturin sektori 2, referuar edhe dëshmisë së Prrenjasit se trupi ndodhet pikërisht në këtë zonë. Pas disa orë kërkimesh, grupi i hetimit gjeti një batanije me ngjyrë të kuqërremtë dhe disa elementë të dyshimtë kockorë. Të gjitha këto materiale janë administruar nga Prokuroria e Tiranës, të cilët me urgjencë i kanë dërguar në Laboratorin e Kriminalistikës për të kryer ekzaminimet e nevojshme, të cilat do konfirmojnë nëse elementët biologjike të gjetura në të kanë apo jo lidhje me çështjen e Julian Çelës. Madje, bëhet me dije se grupi i hetimit do të bëjë edhe një ballafaqim me të dyshuarin Ardian Prrenjasi.

Dyshimi

Ushtarakët e xhenios dhe punonjësit e landfillit të mbeturinave në Sharrë, pas tri ditëve kërkime, kanë gjetur mbetje kockore dhe një moket tapeti bashkë me një batanije të copëtuar. Batanija kishte ngjyrë të kuqe, ndërkohë që sipas procesverbalit të deklarimeve të Ardjan Prrenjasit, 45-vjeçari ka theksuar se batanija me të cilën ka mbështjellë trupin e 11 vjeçarit, ka qenë ngjyrë e kuqe e me vija të bardha të çrregullta, të cilën ia ka dhuruar vëllai i tij. Grupi hetimor i ka administruar si provë batanijen dhe moketin, ndërsa këto materiale me urdhër të Prokurorisë janë dërguar pranë Laboratorit të Policisë Shkencore për ekzaminim. Po këta ekspertë, nën vëzhgimin e syrit të familjarëve të 11-vjeçarit Julian Çela, dërguan në laborator edhe mbetjen kockore të gjetur në landfill. Sipas prokurorisë, këto mbetje që u sekuestruan në landfill, do të ekzaminohen në laborator ndërkohë kërkime për trupin e 11- vjeçarit po vazhdojnë në zonën nr. 2 të landfillit, ku Prrenjasi ka deklaruar se janë hedhur mbeturinat e 30 nëntorit. Ndërsa, lidhur me mbetjet kockore të gjetura në vendngjarje, bëhet me dije se ende nuk mund të thuhet nëse ato janë mbetje kockore njeriu apo të ndonjë kafshe.

Kuliçaj e Vocaj në vendngjarje, ekspertët mjekoligjorë marrin në dorëzim mbetjet kockore

Pas këtyre gjetjeve në landfillin e Sharrës, përkatësisht të një batanije me ngjyrë të kuqe, një moketi dhe disa mbetjeve kockore, aty kanë mbërritur ekspertë të mjekësisë  ligjore, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Për një kohë të gjatë aty kanë monitoruar proces zv.drejtori i Policisë së Shtetit Agron Kuliçaj, si dhe drejtori i hetimit për krimet e rënda Tonin Vocaj. Ndërkohë që familjarët e Julian Çelës, janë çdo ditë në ladfillin e Sharrës me shpresë për gjetjen e trupit të të miturit. Por, kërkimet janë ndërprerë dhe kanë rinisur sërish pasditen e djeshme derisa është errësuar, ndërsa priten edhe rezultatet nga ekzaminimi i batanijes apo edhe i kockës së gjetur. Nga të dhënat e para dyshohet e mbetja kockore nuk i përket trupit të njeriut, ndërsa shpresa e familjarëve dhe grupit hetimor mbetet te batanija e kuqe dhe moketi. Biologët nga të dhënat paraprake kanë konfirmuar se mbetja kockore nuk i përket një qenie njerëzore, ndërkohë që perimetri i kërkimeve është ngushtuar rreth perimetrit prej 20 metër ku janë gjetur batanijet.

 

Rrëfimi i Prrenjasit

E mbyta dhe e mbështolla me batanije, e hodha në plehrat e Sharrës

Prej disa ditësh vijojnë kërkimet në landfillin e Sharrës pas deklaratës në polici të pedofilit Ardian Prrenjasi për vrasjen e 11-vjeçarit Julian Çela. Prrenjasi ka treguar në polici se e kishte afruar Julianin me pretekstin për të blerë cigare. Pas rrëmbimit fëmija kishte filluar të bërtiste, dhe për këtë ai e vrau. Nga dëshmia që ka dhënë në polici, 45-vjeçari mësohet se pasi e ka vrarë Julianin, Ardian Prrenjasi e ka mbështjellë me batanije dhe e ka hedhur në kazanin e mbeturinave të lagjes ku banon dhe ka pritur deri në momentin kur kamioni i plehrave ka bërë pastrimin e kazanëve duke marrë me vete dhe trupin e vdekur të Julianit për ta hedhur në vendgrumbullimin e plehrave në zonën e Sharrës në periferi të Tiranës. “E vrava më 30 nëntor pasi bërtiste. Trupin e kam mbuluar me një batanije të kuqe dhe e kam hedhur në kazanin e plehrave pranë shtëpisë time dhe kam pritur derisa kamioni i plehrave ka ardhur dhe e ka marrë. Të nesërmen më 1 dhjetor, kam ardhur në Sharrë dhe kam parë trupin, pasi ishte mbuluar me batanije të kuqe të mëndafshtë, dhe mbi trup ka pasur mbeturina të tjera. Më pas jam larguar i qetë pasi kam menduar se askush nuk do ta gjente”, – është dëshmia e Ardian Prrenjasit përpara grupit hetimor. Por, dëshmitë mbi vendin ku ka hedhur trupin e pajetë apo mënyrën sesi ka vepruar kanë qenë të ndryshme nga ana e pedofilit.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency