Eksploziv me telekomandë automjetit të biznesmenit të çimentos

0
164

Sonja Caka

shperthenPolicia: Shpërthimi i automjetit, dyshohet pas refuzimit të një gjobëvënieje anonime. Dy personat në automjet, jashtë rrezikut për jetën

 

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur pasditen e djeshme zonën e Kopshtit Zoologjik pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Një automjet ka shpërthyer ndërsa ishte në lëvizje, duke u përplasur me murin e Kopshtit Zoologjik, ndërsa dy personat që ndodheshin brenda tij, kanë mbetur të plagosur. Menjëherë atyre u është dhënë ndihma e parë, ndërsa, sipas burimeve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia, e cila ka nisur nga puna për zbardhjen e ngjarjes. Nga hetimet e para dyshohet se shpërthimi ka qenë i telekomanduar në largësi. Nga hetimet e para rezulton se makina i përkiste një biznesmeni që operon në fushën e çimentos, ndërsa në të gjendej shoferi i tij dhe një person tjetër. Dyshimet e para flasin për kërcënim për shkak të një gjobëvënie të parealizuar, ndërsa policia pritet të marrë në pyetje drejtuesin e automjetit Leonard Qesari, si dhe pronarin e automjetit tip “Mercedes-Benz” me targa AA 303 DK. Sipas burimeve policore, fatmirësisht nga ky shpërthim nuk pati viktima, por vetëm dy persona të plagosur.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 17:00 tek zona e Kopshtit Zoologjik, ku një automjet ka shpërthyer me fuqi të madhe, ndërsa si pasojë është plagosur drejtuesi i automjetit dhe një pasagjer që ndodhej bashkë me të. Forca të shumta të policisë kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa të plagosurve u është dhënë ndihma e parë nga kalimtarë që e kanë transportuar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak dhe falë ndërhyrjes së mjekëve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se shpërthimi ka ndodhur për shkak të vendosjes së një sasie eksplozivi në automjet, ndërsa një nga të plagosurit, Leonard Qesari, rezulton të jetë shofer pranë firmës “Loni beton” pranë një qendre tregtare në periferi të Tiranës, në zonën e Lundrës. Policia ka shoqëruar një numër të madh personash, të cilët kanë dijeni për ngjarjen, ndërsa bëhet me dije se një prej tyre është edhe pronari i automjetit, një biznesmen që operon në fushën e çimentos.

Hetimi

Dyshimet e para flasin për një kërcënim ndaj biznesmenit të çimentos, pas mosrealizimit të një gjobëvënieje nga persona ende të paidentifikuar. Duket se kjo e dhënë është bërë me dije për grupin hetimor nga vetë biznesmeni, ndërsa dyshohet se vendosja e eksplozivit ka qenë një formë kërcënimi ndaj këtij të fundit pas mosplotësimit të dhënies së një gjobe të vendosur anonimish kohëve të fundit. Nga të dhënat e para hetimore dyshohet se autorët e atentatit me eksploziv e kanë ndjekur në largësi nisjen e automjetit nga zona e Digës deri pranë Kopshtit Zoologjik, ku ka qenë edhe momenti kur ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm. Automjeti ka ecur për gati 150 metra deri në momentin final, atë të përplasjes me murin e Kopshtit Zoologjik. Nga këqyrja e automjetit në vendngjarje rezulton që lënda plasëse të jetë vendosur në pjesën e pasme të automjetit. Sipas burimeve, kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja pse dy personat që ndodheshin në automjetin e shpërthyer i kanë shpëtuar vdekjes dhe vetëm janë plagosur. Automjeti i është nënshtruar këqyrjes për disa orë dhe më pas është transportuar me karrotrec, si provë materiale për grupin e hetimit.

 

Greqi

Trazira në burgun e Trikalasë, arratisen 11 të dënuar, kapen 2 prej tyre

11 të burgosur janë arratisur nga burgu i Trikalasë në Greqi, pas trazirave që shpërthyen mbrëmjen e të premtes. Në orët e pasdites së djeshme, autoritetet greke njoftuan arrestimin e 2 prej 11 të burgosurve shqiptarë që u arratisën në nga burgu i sigurisë së lartë të Trikalasë, 320 kilometra në veriperëndim të Athinës në Greqi. Lajmi është bërë publik dje nga mediat online greke, të cilat u referohen burimeve policore. Nga të dhënat e para bëhet me dije se shumica e të arratisurve janë shqiptarë që vuanin dënime për vjedhje dhe grabitje. Trazirat shpërthyen rreth orës 23:00 të dy ditëve më parë, kur sipas mediave, të burgosurit u ngjitën në tarracën e burgut dhe nisën të qëllonin kundër rojave të burgut. Tre prej këtyre të fundit u plagosën dhe njeri prej tyre iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, duke iu shmangur rrezikut për jetën. Të shtëna u dëgjuan edhe nga jashtë burgut, nga persona që sillen se ishin bashkëpunëtorë të të arratisurve. Ndërsa vazhdonte shkëmbimi i zjarrit, 11 prej të burgosurve, mundën të dilnin jashtë burgut, duke përdorur litarë. Në vendngjarje shkuan menjëherë forca të shumta policore që arritën pas mesnate ta vinin situatën në kontroll, ndërsa vlerësimet e para ishin se qenë arratisur pesë të burgosur. Mirëpo, pas numërimit, të shtunën paradite, rezultoi se numri i të arratisurve ishte plot njëmbëdhjetë. Që nga mëngjesi i të shtunës e në vazhdim, forca të policisë po kryejnë kontrolle të imtësishme në gjithë akset rrugore, me qëllim gjetjen dhe kapjen e të arratisurve, por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre të jashtëm, që thuhet se ishin gjashtë dhe përdorën dy makina. Lidhur me faktin e përdorimit të armëve nga ana e të burgosurve, policia vlerëson se ato u hodhën në mjediset e burgut, më 24 shkurt, kur u shënua tentativa e arratisjes me helikopter e keqbërësit grek, Panajotis Vlastos. Atëherë kishte pasur dyshime se nga helikopteri i hodh një çantë me armë e municion, por me gjithë kontrollet e imtësishme në qelitë e burgut, armët nuk ishin gjetur.

 

Shkodër

Akuza për korrupsion, lirohet ish-kryekomunari

Gjykata e Apelit të Shkodrës ka liruar ish-kryetarin e Komunës së Dajçit, Rrok Rroku, ndryshuar masën nga “Arrest me burg” në masën “Detyrim paraqitje”. Ish-kryekomunari Rrok Rroku akuzohet për korrupsion dhe vjedhje të kryer duke shpërdoruar detyrën. Burime nga policia e Lezhës bëjnë të ditur se gjatë kohës që Rroku ushtronte funksionin e kreut të komunës Dajç ka marrë një fadromë, një autobus dhe disa furgonë, por që nuk u vunë asnjëherë në shërbim të komunitetit, por janë shitur dhe shuma e përfituar është përvetësuar nga Rroku. Ish-kreu i Komunës Dajç në Lezhë, Rrok Rroku, humbi zgjedhjet e 8 majit si përfaqësues i Partisë Socialiste, ndërsa akuzoi kandidatin e djathtë për manipulim të zgjedhjeve. Shkalla e parë caktoi masën “Arrest me burg” për ish-kreun e Dajçit, Rrok Rroku, dhe për akuzën e ngritur nga prokuroria, ish-kreu i Dajçit rrezikon 8 vjet deri në 10 vjet burg.

 

Gjirokastër

Kapen 195 kg drogë e destinuar në Greqi, pranga 32-vjeçarit

Policia e Gjirokastrës ka bllokuar 195 kg drogë, duke vënë në pranga zotëruesin e saj, një 32-vjeçar nga Gjirokastra. Operacioni është zhvilluar mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Gjirokastër – Tepelenë, ndërsa droga e blerë në Lazarat ishte e destinuar për në Korçë dhe me destinacion përfundimtar shtetin fqinj të Greqisë. Sipas burimeve policore, specialistët e antidrogës kanë startuar operacionin rreth orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm, pas marrjes së informacionit se një shtetas kishte blerë lëndë narkotike në fshatin Lazarat dhe po lëvizte me një automjet tip “Ford Focus” nga Tepelena në drejtim të Korçës. Sipas të njëjtit burim, ky shtetas po transportonte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike marijuanë me destinacion përfundimtar shtetin grek. Menjëherë ka nisur operacioni i drejtuar nga kreu i policisë së Gjirokastrës, z. Ajet Ibro, i koduar “Vjosa”, ku kanë evidentuar duke ecur me shpejtësi të madhe mjetin në aksin rrugor nacional Tepelenë – Memaliaj. Policia, e cila ishte e ndarë në grupe në gjithë gjatësinë e aksit rrugor Gjirokastër – Krahs, kanë bërë bllokimin e Urës së Memaliajt me dy grupe dhe falë ndërhyrjes profesionale të bërë nga specialistët e antidrogës është bërë e mundur arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit Genci Zumbuli, 31 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, i cili drejtonte automjetin tip “Ford Focus” me targa gjermane false MZ 616 BS. Nga kontrolli i automjetit rezultoi se kishte pako të mbushura me lëndë narkotike marijuanë. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, të cilit i rezultoi gjatë kryerjes se automjeti ishte pa sedilje të pasme, ku në dysheme e në bagazh kishte 130 pako të mbështjella me natriban transparent me peshë 1.5 kilogramë secila, dhe mbishkrime, të mbushura me lëndë narkotike gjithsej 195 kilogramë marijuanë. Materialet hetimore për këtë shtetas i kanë kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency