Standard.al

Edi Rama: Nuk kam votuar për PS-në në 22 mars

Gëzim Saliu

edi ramaKonferenca rajonale në Korçë, PS prezanton programin: Do ndryshojmë vendin

 

Partia Socialiste prezantoi dje në qytetin e Korçës programin e saj “Rilindja kombëtare”, duke bërë të ditur se pas 23 qershorit vendi do të ndryshojë në të gjitha aspektet e jetës. Në fjalën e tij kryesocialisti Edi Rama, duke prezantuar disa nga pikat kryesore të programit të PS, u ndal dhe në festimet e PD-së me rastin e festës së demokracisë, ku bëri të ditur se në 22 mars të vitit 1992 nuk ka votuar për asnjë nga forcat kryesore politike në vend. “Pyetja është, mos vallë ata ndryshuan sistem, nuk besoj, sepse i bie të mbetemi siç kemi qenë. Mos vallë ne e ndryshuam sistemin dhe mos vallë të gjithë ata shqiptarë, në 22 marsin e kremtuar me aq shumë pompozitet banal dje, shkuan të votojnë për të ndryshuar njëherë e mirë historinë, duke bërë atë rotacion që ishte i nevojshëm politik, që sot të mbërrinin ditën kur Shqipëria është më e pistë se ç’ishte, më e ndotur dhe më e rrënuar se ç’ishte. Unë nuk e kam votuar as PD më 22 mars në atë kohë, por as PS nuk e kam votuar”, – tha Rama.

 

Konferenca

Në prezantimin e programit, kryesocialisti u përqendrua kryesisht tek akuzat mbi mazhorancën qeverisëse. Ai kritikoi deklaratat e përfaqësuesve të lartë të ekzekutivit, duke theksuar se rritja e punësimit përbën gënjeshtrën më të madhe. “Sot që janë krijuar 200 mijë vende pune, INSTAT thotë se në fakt janë po kaq të papunë. Po ta zëmë se na janë krijuar, na dalin 60 mijë vende pune suficit, të tepërta. Janë krijuar vende pune po s’ka aq të papunë! Në këtë barsoletë të madhe që është përpjekja e fundit e dëshpëruar dhe aspak dinjitoze, se problemi i madh i Saliut është që as nuk rri dot me nder as nuk ikën dot me nder. Edhe rri për qeder edhe duke ikur do të bëjë gjithmonë e më shumë qeder”, – u shpreh Rama. Ndërkohë duke ironizuar 10 mijë kilometrat e asfaltuara që ka prezantuar qeveria, kreu socialist theksoi se ekzekutivi mashtron lidhur me këtë të dhënë. “Ne të pranojmë që këta kanë shtruar 10 mijë km2, ndërkohë që Shqipëria 363 km2 dhe këta i bie që e kanë shtruar Shqipërinë, 333 herë lart e poshtë, e poshtë e lart, lart e poshtë e poshtë e lartë. Këta kanë bërë po kaq shumë rrugë sa për të shtruar rrugën nga Tirana në Tokio, pale të diskutojmë për gjithë këto vende pune që kanë bërë. Nëse kanë bërë 10 mijë i bie të shpojnë dhe tokën dhe të dalin nga ana tjetër. Se diametri i tokës është vetëm 12 mijë km, sikur ta shponin andej dhe të iknin në vend tjetër, nder të madh do i bënin këtij populli. Dhe e dini se ku i bie të dalin po e shpuan përtej, në Honolulu. Tamam aty ku mund të dalësh, aty kur je në garë me kinë për zhvillimin ekonomi”, – u shpreh Rama, duke shtuar se pas 23 qershorit do të rilindi Shqipëria dhe se demokratët do rilindin Partinë Demokratike. Më tej, lideri i opozitës u përqendrua tek alternativa e së majtës, duke bërë të ditur disa nga piketat kryesore të programit socialist. “Taksapaguesi më i madh në gjithë piramidën e pushtetit ekzekutiv do të jetë kryeministri. Taksapaguesit më të mëdhenj më pas do të jenë deputetët. Edhe Presidenti do të jetë, patjetër, por për arsye vështirësish në punë ne mund t’i bëjmë ndonjë ulje. E, kur them vështirësi në punë kam parasysh që nesër do të jetë president dhe do t’i duhet të përballojë nga të katër anët ata që e kanë vënë”, – pohoi ai. Po ashtu Rama ripërsëriti premtimin për heqjen e taksës për biznesin e vogël, duke e cilësuar këtë masë si hapin e parë për lehtësimin e sipërmarrjes. “Ne nuk mund të pranojmë më që të kemi një masë kritike të njerëzve të këtij vendi të vetëpunësuar familjarë, të reja, të rinj, që janë afro gjysmë milioni që jetojnë përmes biznesit të vogël dhe që të mbyten nga taksat deri në atë pikë sa përballë rënies së fuqisë blerëse, gjithashtu, detyrohen të falimentojnë. Ne do ta heqim taksën biznesit të vogël dhe ky do të jetë hapi i parë që do të bëjmë për të lehtësuar biznesin e vogël”, – deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama.

 

 

Konferenca rajonale

Mimi Kodheli

Kjo qeveri u zotua se do ulte borxhin publik, që nga ajo kohë borxhi jo vetëm që nuk u ul po sot përbën kërcënim. Sot niveli i kredive të këqija ka arritur në 1 miliard euro. Nuk ka mundur të hapë në këtë vend asnjë vend të ri pune. Madje kanë humbur 51 mije vetë vendeve të punës. Për PS është thelbësor krijimi i 300 mijë vendeve të reja të punës. Ky objektivi ynë më madhor. Debati taksë e sheshtë – taksë progresive është i fituar. Taksa e sheshtë dështoi.

Eduard Shalsi

Albpetroli një dështim i paralajmëruar. Ne sa të vijmë në pushtet një transparencë të plotë, do auditojmë të gjitha koncesionet duke zhbërë ato që janë bërë në kurriz të shqiptarëve. Që në fillim do hartojmë një strategji të sektorit që të gjitha burimet e naftës të jenë në dobi të qytetarëve jo në interes të pushtetarëve. Pas datës 23 qershor do krijojmë një model të ri të tregut të energjisë.

Ilir Beqja

Vaditet vetëm ¼ e tokës bujqësore, në Korçë vetëm 24%. Saliu premtoi naftë 400 lekë, sot vetëm taksa e çdo litri naftës është 800 lekë. Ne do heqim akcizën po edhe taksën e qarkullimit, që do të thotë litri i naftës do të jetë 1300 lekë. Do heqim të gjitha TVSH-të që rëndojnë sot bujqësinë e blegtorinë. 160 milionë dollarë do të shpenzojmë për të rimëkëmbur vaditjen dhe kullimin. Duam të ringremë sistemin e shkollave profesionale bujqësore sigurisht me dijet më të fundit në këtë sektor.

Olta Xhaçka

Përmes programit Për një Rilindje Shqiptare mundësi të barabarta mes burrave dhe grave. Ne do të adresojmë problemin e dhunës ndaj gruas që në ditët para të qeverisjes sonë. Do ngremë një qendër kombëtare multidisiplinore për gratë dhe fëmijët e abuzuar. Do rrisim financimin publik për programet e parandalimit. Barazia gjinore do të përfshihet në të gjitha politikat shëndetësore. Kujdesi shëndetësor nuk do t’i mungojë asnjë gruaje dhe asnjë vajze. Çdo grua e vajzë ekzaminime falas. Politika mbështetëse për çdo biznes që punëson gra dhe vajza. Kredi të buta për të gjitha ato biznese femërore që punësojnë gra.

Eglantina Gjermeni

Shërbimet publike do të reformohen në bazë të parimit të lehtësimit të aksesit dhe të përmirësimit të cilësisë. Shërbimet publike do të garantojnë përfitimin e shumicës dhe do të kujdesen për individë dhe familje në nevojë. Jemi të gatshëm dhe e kemi shprehur angazhimin tonë sepse synojmë një arsimim cilësor për çdo fëmijë pavarësisht vendndodhjes dhe gjendjes financiare familjare. Ne e konsiderojmë arsimin në shkolla publike si një e drejtë natyrore që ushtrohet përmes konkurrencës dhe meritës. Politikat tona arsimore do të mundësojnë që çdo i ri deri në 18 vjeç të jetë duke u arsimuar ose duke u formuar profesionalisht. Do të përmirësojmë realisht pagat e mësuesve. Do ti japim fund militantizmit në shkollë dhe përndjekjes së mësuesve për shkak të bindjeve politike. Tolerancë zero ndaj sjelljeve antisociale në shkolla. Ne besojmë arsimi është politika më e mirë ekonomike.

 

Bregu: Rama ose s’di aritmetikë, ose mashtron, ngatërron km e rrugëve me km2

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu reagoi dje ndaj deklaratave të kreut socialist nga Korça, ku theksoi me jo pak ironi se Rama do të nxjerrë mallin e Gëzim Krujës të estradës së Shkodrës. “Sot (dje) pasdite po dëgjoja Ramën në Korçë. Ua sugjeroj të dashur miq, ta dëgjoni nëse doni të qeshni, por më e rëndësishmja të kuptoni se kush ju kërkon votën. Po ju sjell në vëmendje një aspekt të Fjalës së Ramës në Korçë sot! “Qeveria thotë, – tha Rama – se ka ndërtuar 10000 km2 rrugë. 10000 Km KATROR Rrugë. E dini ju se ç’do të thotë kjo? T’i biesh 33 herë Shqipërisë lart e poshtë e poshtë e lart e lart e poshtë, edhe pse Shqipëria është vetëm 300 km e gjatë!” Tani,dy gjëra ka këtu të dashur miq: Ose Rama është vërtet kulmi i injorancës në njohuri matematikore e gjeometrie dhe nuk e di se km është njësi matëse për gjatësinë, ndërsa m2 apo km2 për sipërfaqen; ose Rama ka probleme të thella me logjikën dhe vetëm Mashtron! Po rëndë ama! Sepse, ajo çka qeveria ka realizuar e deklaron se ka bërë gjatë këtyre viteve, janë 10000 km rrugë. Dhe 10 mije km rrugë janë krenari dhe dëshmi e vullnetit për ndryshim. Nëse shifra që thotë Rama, 10000km KATROR do të ishte e vërtetë, i bie që do të kemi ndërtuar 2 milion km rrugë, me gjerësi 5 m. Ja llogaria : 5m gjerësi = 0,005 km. Në rast se sipas Ramës kemi ndërtuar 10 mijë km KATROR, atëherë kemi 10000 km2 : 0,005 km = 2 000 000 km. A keni dëgjuar qeverinë të thotë se kemi ndërtuar 2 milion km rrugë?!!!!!! Si mendoni? Rama, mashtron, s’merr vesh nga asgjë, apo të dyja bashkë?!:) Ju lutemi gjeni kohë e dëgjojeni. Do t ju nxjerrë mallin e Gëzim Krujës të estradës së Shkodrës,por dhe do të kuptoni sa pa logjikë është ky Rilindas!”, – shkruante në rrjetin social në Facebook ministrja e Integrimit Majlinda Bregu.

 

 

 

 

Comments are closed.