Vendet vakante Presidenti dekreton anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese

0
133

Gëzim Saliu

wefdgKreu i shtetit ka dekretuar emërimin e Gani Dizdarit dhe të Besnik Imeraj si anëtar të Gjykatës Kushtetuese dhe Xhazair Zaganjorin si anëtar të Gjykatës së Lartë

 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekreton emërimin e anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Kreu i shtetit ka dekretuar dje Xhezair Zaganjorin, ish-kandidat për president të Republikës së Shqipërisë për të zëvendësuar një nga vendet vakante në Gjykatën e Lartë, në një kohë që edhe kreut të këtij institucioni i ka mbaruar mandati. Po ditën e djeshme presidenti dekretoi Besnik Imerajn dhe Gani Dizdarin si anëtar në Gjykatën Kushtetuese.

 

Dekretimi

Pas takimeve konsultative të katër ditëve më parë me krerët e grupeve parlamentare, kryetari i shtetit Bujar Nishani ka dekretuar dje anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.  “Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e zotit Xhezair Zaganjori, anëtar i Gjykatës së Lartë. Presidenti Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 125, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e zotit Besnik Imeraj, anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 125, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës dekretoi emërimin e zotit Gani Dizdari, anëtar i Gjykatës Kushtetuese”, thuhej në njoftimin e Presidencës. Emërimi i Zaganjorit si anëtar i Gjykatës së Lartë, hapi një tjetër vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, anëtar i së cilës ishte ish- kandidati për President. Për këtë, kreu i shtetit dekretoi emërimin e dy juristëve Besnik Imeraj dhe Gani Dizdari si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë 4 ditë më parë kreu i shtetit zhvilloi takime të veçanta me krerët e grupeve parlamentare të partive politike ku diskutoi për kriteret profesionale që duhet të kenë kandidatët si anëtarë për këto gjykata. Astrit Patozi, kreu i ligjvënëse të selisë blu mirëpriti konslutimet e thirrura nga kryetari i shtetit, duke pohuar se në këtë procces PD është e interesuar për integritetin moral dhe profesional të gjykatësve. Ndwrsa kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi e cilësoi si anti-ligjore kërkesën e presidentit për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilëve sipas tij i përfundon mandati në muajin maj. Kriteret i përcakton kushtetuta, por për ne si opozitë janë dy kritere, si këto organe bëhen të pavarura dhe luftojnë krimin dhe korrupsionin. Ajo që ne shikojmë me shqetësim janë dy elementë, që i paraqitëm Presidentit. E para lidhur me një mandat të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i mëparshëm ka 8 muaj që ka paraqitur një dekret për zëvendësimin e një vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe sot e kësaj dite Parlamenti nuk e shqyrton atë. E dyta, për ne nuk ka vakanca sot për arsyen se Gjykata Kushtetuese dhe parlamenti shqiptar, pavarësisht se ne si opozitë n ë atë kohë nuk kemi qenë dakord, ka konsideruar që këto dy mandate përfundojnë në 21 maj të 2013-ës, për të realizuar rotacionin në Kushtetuese”, u shpreh kreytari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi.

 

 

Ja kush janë anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë dhe asaj kushtetuese

1.    Gani Dizdari

Ka lindur në Tropojë, më 30 Prill 1949. Është i ve dhe ka një fëmijë. Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë më 1972. Ka punuar si Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Tropojë në periudhën 1973-1982 dhe si Prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Departamenti Gjyqësor nga 1982-1989. Nga 1989-1995 ka qenë Prokuror pranë Gjykatës së Kasacionit, dhe prej 1995-1999 ka qenë Zëvendës-Prokuror i Përgjithshëm. Ka ushtruar profesionin e avokatisë nga 1999-2006 si anëtar i Dhomës së Avokatëve Tiranë. Që prej 2006 është Anëtar i Komisionit të Reformës Ligjore, Kryetar i Nën-Komisionit Penal. Me dekretin nr. 4732, datë 15 Dhjetor 2005, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë dhe nga Qershor 2007 Kryetar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

2.    Besnik Ymeraj

Ka lindur më 6 Dhjetor 1954 në Tiranë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, më 1977. Ka punuar Hetues pranë Prokurorisë së Rrethit Elbasan nga 1977-1986. Nga 1986-1991 ka qenë Drejtor Drejtorie në Hetuesinë e Përgjithshme Tiranë. Ka qenë Jurist pranë shoqërisë tregtare “TRANS-ALBANIA” nga 1991-1995. Gjatë periudhës 1 Janar 1998 deri më 1 Mars 2005 ka qenë Kryetar i Gjykatës së Apelit Durrës. Gjatë periudhës 2000-2006 ka qenë Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dhe që prej vitit 2000 është pedagog i jashtëm pranë Shkollës së Magjistraturës. Me dekretin nr. 4482, datë 17 Shkurt 2005, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë.

3.    Xhezair Zaganjori

Lindur më 09.03.1957 në Shkodër. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në RF të Gjermanisë. Në vitin 1993 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2009 “Profesor”. Ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, Heidelberg. Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Është autor i një sërë botimesh shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Është pjesëmarrës aktiv në Kongrese e Konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

 

 

Majko: Jo koalicionit parazgjedhor me LSI-në

Anëtari i kryesisë së PS-së Pandeli Majko deklaron se PS nuk do të bëjë aleancë parazgjedhore me asnjë parti që është pjesë e mazhorancës qeverisëse. I pyetur rreth një aleance të mundshme me LSI-në, Majko u shpreh se nuk mund të bëhen aleanca parazgjedhore me parti që janë aktualisht në qeveri. Por nga ana tjetër, ai la të hapur mundësinë e bashkëpunimit, duke  i kërkuar LSI-së, që të përcaktojë qartë qendrimin e saj, nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisjes, apo do t’i bashkohet koalicionit të ndryshimit. Po ashtu deputeti socialist ka komentuar nga qytetit i Korçës edhe raportin e publikuar nga NDI në lidhje me situatën politike parazgjedhore dhe pozicionin e KQZ. “Raporti i NDI është një këmbanë për atë që po ndodh në Shqipëri. Ne nuk duam të bëjmë komente, por nënvizoj se ajo që po shkon në drejtimin e duhur është ndërgjegjësimi i qytetarëve”, deklaroi Majko. Ndërkohë sa i përket debatit të ditëve të fundit, për rikthimin e dënimit me vdekje, ai u shpreh se reagimi i publikut për një çështje kaq të ndjeshme është reflektim mbi situatën e rënduar kriminale. Deputeti socialist mendon se vendosja e dënimit me vdekje nuk është zgjidhja e duhur për këtë problematikë.  Nga ana tjetër, sipas Majkos zgjidhje nuk mund të jetë as propozimi që vjen nga maxhoranca për ndërhyrje të karakterit kimik tek personat që kryejnë vepra të tilla, si rasti i Prenjasit.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency