Rama: Rrugët nuk garantojnë punësim. Bashkia: Le Tiranën 11 vite pa plan urban

0
130

Gëzim Saliu

bashkiaLame: Plani urbanistik, një fjetore betoni. Bisha: Rama e shkatërroi Tiranën për pazaret me miqtë e tij

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pohon se shtrimi i rrugëve nuk garanton punësimin. Në një shkrim në blogun e tij, me titull “Muhabet rrugësh”, kryesocialisti komentoi dje premtimet dhe deklaratat e Kryeministrit Berisha për hapjen e vendeve të reja të punës si dhe arritjet në infrastrukturë, duke theksuar se shumë qeveri të korruptuara mburren me asfaltimet, por papunësia gëlon si kancer. “Që ndërtimi i infrastrukturës normalisht mund të nxisë edhe punësimin, kjo dihet, por jo gjithnjë ndodh kështu. E tregojnë shembujt e shumë vendeve afrikane ku qeveri të korruptuara mburren me ndërtime rrugësh, po ku papunësia gëlon si kancer shkatërrues, sepse nuk mjafton të asfaltosh. As të çash përgjatë rrugës ndonjë tunel. Aq më tepër pastaj nuk mjafton të hedhësh para për rrugë që nuk përmbushin asnjë standard në projektim, realizim apo mirëmbajtje. Duhet një projekt i integruar zhvillimi që ky vend s’e ka pasur asnjëherë në 22 vjet. Prandaj edhe është katandisur kështu, si një shtëpi që lan borxhet me borxhe në kushte papunësie dhe përjeton rrënimin e vazhdueshëm. E sigurisht, prandaj edhe është katandisur në pikën ku politika qeverisëse është bërë muhabet rrugësh”, – u shpreh Rama, duke shtuar se nga 160 mijë vende pune që premtoi mazhoranca në vitin 2009, kanë humbur vendin e punës 51 mijë shqiptarë.

 

Reagimi

Bashkia e Tiranës ka reaguar dje ndaj deklaratës së kreut të PS-së, Edi Rama, si edhe akuzave të bëra më herët nga anëtari i grupit të punës për programin në PS, Artan Lame, ku ky i fundit e cilësoi planin urbanistik të kryeqytetit si një fjetore betoni. “Qytetarët e Tiranës e dinë se z. Rama ka qenë dhe është i fiksuar pas konfliktit politik. Për 11 vite, Tirana nuk kishte një plan urban për shkak të politikave të Ramës, të marrjes dhe dhënies dhe qytetarët e paguan shtrenjtë këtë. Në mungesë të një plani urban, gjatë kohës së Ramës rrugët ishin krejtësisht të prishura, zhvillimi ishte kaotik, lejet shtyheshin ose jepeshin pa kriter për miqtë e tij, biznesi nuk mund të zgjerohej, sipërmarrjet e reja kishin ngecur dhe vendet e reja të punës nuk u shfaqën kurrë”, – deklaroi zëdhënësja e bashkisë, Anila Bisha. Në të njëjtën linjë, ajo theksoi se kryebashkiaku Basha po mban premtimin e bërë qytetarëve, se ata do të jenë të parët dhe se çdo projekt për Tiranën do të realizohet vetëm duke dëgjuar zërin e qytetarit. “Kryebashkiaku Basha premtoi se do t’i vërë qytetarët e Tiranës të parët dhe e ka bërë. Kryebashkiaku i Tiranës hartoi një plan urban të Tiranës që është i drejtë, e bën Tiranën një qytet më të mirë për të jetuar e punuar dhe krijon mijëra vende të reja të punës. Ky plan u bë duke dëgjuar zërin e qytetarëve dhe duke u konsultuar me të gjithë të interesuarit, nga dita e krijimit të grupit të punës e derisa u miratua në Këshillin Bashkiak”, – tha Bisha. Më tej, zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës pohoi se kryesocialisti i kishte mundësitë ta bënte Tiranën evropiane, por se sipas saj ai e shkatërroi këtë mundësi në favor të interesave personale. “Është qesharake se si Rama vë në listën e 100 arsyeve për ta votuar atë, pikërisht një nga dështimet e tij më të mëdha. Z. Rama kishte çdo mundësi për ta bërë Tiranën një qytet modern evropian, por e shkatërroi këtë mundësi për pazaret me miqtë e tij, duke lënë 250 km rrugë të prishura dhe taksa të dyfishuara për qytetarët dhe bizneset”, – deklaroi Bisha.

 

Olldashi: Rama s’ia ka idenë si krijohen vendet e punës, kemi shtruar 10 mijë km rrugë

Ndaj akuzave të kreut të PS-së lidhur me infrastrukturën rrugore dhe punësimin ka reaguar dje edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, duke theksuar se mazhoranca aktuale ka arritur të shtrojë më shumë se 10 mijë km rrugë. “Sulmi i z. Rama mbi rrugët tregon se ai nuk e ka absolutisht idenë se si rritet biznesi dhe si krijohen vendet e reja te punës. Ndërtimi dhe përmirësimi i rrugëve ka një ndikim të drejtpërdrejtë në punësim. Kjo është arsyeja pse ne kemi shtruar 10 mijë km rrugë dhe qytetarët mund t’i shohin vetë rezultatet. Teksa ndërtoheshin këto rrugë të reja, 45 mijë shqiptarë u punësuan, çdo vit, në këtë proces. Kur rrugët u ndërtuan, biznese të reja lindën, duke punësuar më shumë shqiptarë. Dhe sot, këto rrugë shfrytëzohen për të dërguar produktet në tregje dhe, edhe më shumë shqiptarë janë të punësuar në këtë cikël, duke transportuar produktet në portet dhe në kufijtë e vendit, për t’i shituar në tregun botëror. Ky është një tjetër shembull se plani i zotit z. Rama për punësim është një fantazi e sajuar në dhomën e tij të ndenje”, – shkruante ministri në rrjetin social “Facebook”.

 

PD: Kreu i PS-së me slogane boshe, i vetmi plan që ka është rritja e taksave

Edi Rama ka treguar se deri tani ka vetëm slogane boshe dhe se i vetmi plan që ka është rritja e taksave, duke u bërë kështu macja e zezë e bizneseve shqiptare. Kështu ka deklaruar dje në emër të Partisë Demokratike, zv.ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, duke theksuar njëkohësisht se në të gjitha iniciativat e mazhorancës me qëllim rritjen e mirëqenies së qytetarëve, PS ka votuar kundër. “Prej vitit 2005, qeveria ka ndërtuar apo rikonstruktuar 1300 shkolla, ka dyfishuar pagat e arsimtarëve, duke tërhequr në sistemin arsimor njerëzit më me eksperiencë e më të përgatitur. Por kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka kundërshtuar të gjitha këto. Edi Rama i detyroi deputetët e tij të votonin kundër fondeve për ndërtimin dhe rikonstruksionin e 1 300 shkollave. Edi Rama i detyroi me forcë deputetët e tij të votonin kundër dyfishimit të pagave të mësuesve dhe uljes së numrit të nxënësve nëpër klasa. Ishte po Edi Rama që i detyroi deputetët e tij te votojnë kundër trajnimit profesional të 8 mijë shqiptarëve. Edi Rama kundërshton gjithçka që qeveria ka bere në këto vite, sepse ai vetë nuk ka asnjë plan konkret për punësimin e të rinjve”, – tha Bozdo. Më tej në deklaratën e tij, zv.ministri i Ekonomisë u shpreh se refreni kryesor i PS-së mbetet “shihemi pas zgjedhjeve”. “Ne e pamë ditët e fundit se si kur u pyet për taksimin e sipërmarrjeve tha “shihemi pas zgjedhjeve”. Pamë Taulant Ballën qe kur u pyet se nga do t’i merrnin paratë për shërbimin shëndetësor, tha “do ta mendojmë pas zgjedhjeve! Dhe pamë Erion Velinë që kur u pyet se sa do të bëheshin taksat personale apo tatimi për bizneset, tha se do ta përcaktonin saktë vetëm pas zgjedhjeve. Ne pamë Edi Ramën kur biznesi i kërkoi të votojë ligjin për ngritjen e gjykatës administrativ, u përgjigj se gjykata do të jetë kasaphanë, dhe ai nuk do ta votoje atë, por në vend të saj do të ngrejë një zyrë për biznesin”, – deklaroi zv.ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo.

 

 



Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency