Beçaj: Mosvotimi i ligjit për Gjykatën e Lartë solli vështirësi në punën tonë

0
154

Sonja Caka

becajKryegjyqtarja mbaron mandatin nesër, fjalët e fundit para trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë. Paraqiten arritjet dhe problematikat

 

Shpresa Beçaj mbyll mandatin në krye të Gjykatës së Lartë, duke hapur në këtë mënyrë rrugën e konkurrimit mes kolegëve në këtë gjykatë për pozicionin e kryegjyqtarit të vendit. Edhe në ditën e fundit të saj në detyrë, znj. Shpresa Beçaj, kryegjyqtarja e vendit, e cila ka mbajtur edhe funksionin e kryetares së Konferencës Kombëtare Gjyqësore, ka folur para kolegëve për vështirësitë në drejtimin e kësaj gjykate, të cilat janë shkaktuar nga mosmiratimi për një kohë të gjatë i ligjit organik të Gjykatës së Lartë, mosmarrja parasysh e vërejtjeve dhe sugjerimeve të propozuara nga trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë në draft, vonesa në hartimin e ndryshimeve shumë të pritura në kodet e procedurave, duke bërë që të mos favorizohet aspak punën e saj në drejtimin e këtij institucioni. Gjatë këtij takimi, Beçaj ka theksuar rëndësinë e madhe që ka Gjykata e Lartë në sistemin gjyqësor shqiptar, duke nënvizuar rezultatet e arritura, vështirësitë e ndeshura dhe sfidat e vazhdueshme me të cilat ballafaqohet i gjithë pushteti gjyqësor në përgjithësi dhe Gjykata e Lartë në veçanti, gjatë viteve të mandatit të saj si anëtare dhe kryetare e kësaj gjykate. Kryetarja e Gjykatës së Lartë është shprehur përpara kolegëve të saj se Gjykata e Lartë, si organi gjyqësor unik dhe më i lartë i pushtetit gjyqësor shqiptar, është përballur me problematika të cilat kanë penguar dhe vazhdojnë të pengojnë përmirësimin e eficencës së kësaj gjykate në kuadër të administrimit të drejtësisë. Për shkak të kompetencave të gjera që ajo ka, Gjykata e Lartë vazhdon të jetë e mbingarkuar me gjykimin e çështjeve nga më të thjeshtat deri tek ato më të komplikuarat, të cilat kanë sjellë si rezultat vonesa të ndjeshme në gjykimin e çështjeve, duke e shmangur atë nga qëllimi i saj kryesor që është gjykimi i çështjeve vetëm për shkaqe ligjore, duke zbehur në të njëjtën kohë kompetenca kushtetuese për unifikimin e praktikës gjyqësore. Kjo tregohet edhe në analizën e detajuar që i është bërë regjistrimit të çështjeve për vitin 2012 krahasuar me vitet e mëparshme. Krahasuar me vitin 2011, rezulton se pranë Gjykatës së Lartë gjatë vitit 2012 janë regjistruar rreth 581 çështje më shumë, me një efekt në rritjen e përvitshme të numrit të çështjeve gjyqësore të pashqyrtuara, i cili arrin në 9961 çështje.

Roli i politikës

Në përfundim të mandatit të saj kushtues, i cili merr fund më 23 mars, kryegjyqtarja Beçaj nuk ngurroi të japë përshtypjet e saj edhe për forcat politike, duke i lavdëruar dhe hqur vërejtjen për ligjet e miratuara apo të pamiratuara ende. Përpjekje të lavdërueshme dhe që meritojnë vlerësim, janë bërë nga ana e faktorëve dhe aktorëve politikë për përmirësimin e kësaj atmosfere në drejtim të veprimtarisë së gjyqësorit, e konkretizuar kjo në marrjen e disa masave të rëndësishme legjislative, çka është një shprehje serioze dhe reale e faktit se është maturuar ndërgjegjësimi i legjislatorit për nevojën e ndryshimit apo përmirësimit të situatës në gjyqësor, në koherencë me zhvillimet politike, ekonomike e sociale të shoqërisë. Miratimi i ligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare është shenjë ndërgjegjësimi si dhe njëkohësisht përkushtimi nga ana e aktorëve politikë, në drejtim të fuqizimit të rolit të gjyqësorit në një shoqëri demokratike si dhe e ruajtjes së pavarësisë së tij institucionale. Në këtë aspekt u vlerësua dhe plotësimi i numrit të anëtarëve të Trupës Gjyqësore, duke mundësuar që ajo të punojë më kapacitet të plotë. Është një përpjekje që duhet të përshëndetet. Rritja e fondeve buxhetore për gjyqësorin, të cilat do të mundësonin plotësimin e nevojave të gjyqësorit dhe të Gjykatës së Lartë në veçanti, do të ofronte një shërbim sa më të mirë e më cilësor kundrejt qytetarëve. Hartimi i prioriteteve dhe politikave zhvillimore për përmirësimin e punës së gjyqësorit ka nevojë për pjesëmarrjen dhe kontributin e të gjithë faktorëve dhe aktoreve të përfshirë në sistemit të drejtësisë, klasës politike dhe shoqërisë civile. Në këtë kuadër, në frymën e proceseve integruese nëpër të cilën po kalon vendi ynë, është e një rëndësie të veçantë të shtohet bashkëpunimi institucional ndërmjet të tre pushteteve, në respekt të pavarësisë kushtetuese të secilit, në drejtim të arritjes së praktikave dhe standardeve demokratike mbi të cilat duhet të organizohet dhe funksionojë pushteti gjyqësor.

Besnik Imeraj, përkohësisht kryetar i Gjykatës së Lartë

Kryetarja e Gjykatës së Lartë deklaroi se deri në momentin e emërimit dhe fillimit të mandatit të kryetarit të ri të kësaj gjykate, drejtimin e saj në funksion të zbatimit të Kushtetutës se Republikës së Shqipërisë dhe ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë” do ta ushtrojë anëtari i kësaj gjykate z. Besnik Imeraj, njëkohësisht kryetar i Kolegjit Civil. Shpresa Beçaj, në emër të trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë, shprehu angazhimin se kjo gjykatë, anëtarët e nderuar të saj, por dhe gjithë anëtarët e gjyqësorit të Republikës së Shqipërisë, do të japin çdo ditë kontributin e tyre maksimal për të mbështetur çdo iniciativë që synon forcimin e një gjyqësori jo vetëm të pavarur e të paanshëm, por dhe më efektiv në dhënien e drejtësisë, në funksion të arritjes së objektivit përfundimtar dhe mbi të gjitha rikthimin e besimit të plotë të publikut tek sistemi gjyqësor.

 

Raporti

Gjenden me diploma false, kërkohet pushimi nga puna për 13 policë

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje kërkon të pushohen nga puna 13 policë të burgut të Fushë-Krujës, pasi janë gjetur me diploma false. Nga verifikimet e kryera në dosjet e efektivëve të policisë së burgjeve, grupit të SHKBB-së i ka rezultuar që 13 punonjës në këtë burg ishin me diploma false dhe ata rezultojnë të kenë konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve shkollore”. Sipas burimeve zyrtare, pas kryerjes së veprimeve procedurale hetimore, SHKBB i ka referuar për procedim penal 13 policët e burgut në Prokuroritë e Krujës dhe Tiranës për hetime të mëtejshme. Ndërkohë që, pas dërgimin për hetim, i është kërkuar edhe kreut të burgjeve, z. Gazmend Dibra, lirimin e menjëhershëm të tyre nga detyra. Verifikimet do të vijojnë edhe në burgje të tjera të vendit.

Kërkesa

Avokati: Të bëhet riekspertim balistik i armëve që vranë Qerim Malokun

Kur pritej të shpallej vendimi për të pandehurin Ilir Xhakja, i akuzuar për vrasjen e Qerim Malokut në vitin 1998, avokati Ilia Ilia ka dalë me një kërkesë surprizë, atë të riekspertimit të gëzhojave për të gjetur nga sa armë është qëlluar viktima. Në seancën e djeshme, avokati mbrojtës ka kërkuar ekspertim të ri balistik ndaj armëve, jo me modelet krahasuese të ekspertizave të vjetra. Avokati mbrojtës Ilia Ilia ka kërkuar ekspertizën balistike të armëve të përdorura në vrasje për të nxjerrë konkluzion mbi këtë ngjarje. Gjykata ka pranuar kërkesën dhe iu la afat 15 ditë tre ekspertëve që të kryejnë ekspertizë të re, me armët e përdorura në vrasje. Për vrasjen e Qerim Malokut, i akuzuari i vetëm është Ilir Xhakja, i cili mori pafajësinë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës nga gjykatësi Neritan Tabaku.

Marrëveshja

Studentët e Juridikut, praktikë në gjykatë për informim të publikut

Gjykata e Tiranës, në kuadër të 100-vjetorit të Ditës së Drejtësisë, është bërë pjesë e disa aktiviteteve të cilat synojnë rritjen e transparencës, informimit dhe ndërgjegjësimit të publikut për punën e rëndësishme të gjykatës në kuadër të rritjes së besimit tek sistemi i drejtësisë. Në këtë kuadër, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në bashkëpunim Universitetin e Tiranës/Fakulteti i Drejtësisë dhe me mbështetjen e Programit të USAID për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST) do të zbatohet iniciativa e cila ka për qëllim të rrisë transparencën dhe kulturën e besimit në punën e gjykatës, nëpërmjet ngritjes së pikave të informimit të qytetarëve në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ofrimit të këtij shërbimi nga studentët praktikantë të Fakultetit të Drejtësisë. Këto kënde informacioni parashikohet të vendosen në ambientet e pritjes së qytetarëve, të rikonstruktuara së fundi nga kjo Gjykatë në të katër katet e saj. Kjo iniciativë synon rritjen e efektivitetit dhe nivelit të transparencës në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe rritjen e nivelit të njohurive të publikut në lidhje me veprimtarinë e gjykatës, shërbimet që ofrohen, dhe të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve gjatë një procesi gjyqësor, si dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në informacionin mbi sistemin e drejtësisë. Në të njëjtën kohë nëpërmjet këtij bashkëpunimi synohet dhe rritja e nivelit të njohurive teknike dhe praktike profesionale të brezit të ri të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë rreth punës dhe shërbimeve që ofron gjykata në misionin e saj të dhënies të drejtësisë.

 

Takimi

Mblidhet grupi i punës për ecurinë e strategjisë së pronave dhe kompensimit fizik të ish-pronarëve

Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi, mblodhi dje grupin e punës për hartimin e metodës së kompensimit fizik të ish-pronarëve, i cili do të finalizojë gjithë procesin. Kjo metodë do të prezantohet dhe do të diskutohet me grupet e interesit brenda muajit prill. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, z. Avenir Peka, i pranishëm në këtë takim, deklaroi se është në përfundim procesi i dixhitalizimit të të gjitha vendimeve të dala nga Agjencia, si dhe atyre të dala nga gjykata. Grupi i punës do të konsultohet dhe me aktorët e interesuar, shoqatat e ish-pronarëve, si dhe do të reflektojë ekspertizën më të mirë ndërkombëtare për këtë proces. Ky hap ndërmerret në vijim të zbatimit të strategjisë ndërsektoriale në fushën e të drejtave të pronësisë pasi ka përfunduar procesi i hartës së vlerës së tokës me çmimet e tregut, është bërë inventarizimi i plotë i të gjitha dosjeve, dixhitalizmi i plotë i tyre dhe shpërndarja e fondit të kompensimit financiar. Sipas planit të veprimit procesi do të vijojë me kompensimin fizik të ish-pronarëve. Në këtë takim mori pjesë edhe studentja e zgjedhur nga nisma “Një ore ministër drejtësie”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency