Rriten pagesat Invalidët, të papunët dhe shtresat e tjera në nevojë, ja sa do të rriten përfitimet

0
128

Driçim Çaka

invalidetRritja për pagesën e papunësisë pritet të jetë në masën 10%

 

Buxhetit i viti 2013 parashikon më shumë përfitime për shtresat në nevojë. Invalidët, të papunët dhe të gjitha shtresat e tjera në nevojë do të kenë një shtesë në përfitimin e tyre mujor. Rritja do të jetë në varësi të kategorive që kanë më shumë nevojë. Synimi i parë i qeverisë do të jetë ulja e varfërisë dhe rritja e të ardhurave për familjet në nevojë me rreth 5.6% më shumë përfitim. Në vitet e fundit shtresa si të papunët, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë dhe tertraplegjikë, të verbër dhe të gjitha shtresat e tjera në nevojë kanë përfituar rritje të konsiderueshme.

Të papunët

Fondi për të papunët për vitin 2013 do të jetë 1 miliard lekë. Gjithsej do të jenë 11 mijë persona që do të trajtohen me pagesën e papunësisë. Rritja për pagesën e papunësisë pritet të jetë në masën 10% më shumë se pagesa që marrin aktualisht të gjithë të papunët. Shtesa për këtë kategori do të merret pas 1 korrikut dhe pritet të jetë një ndihmë me tepër për individët që largohen nga puna. Skema për të papunët pritet të zgjerohet me disa kategori, por do të bëhet pas muajit qershor. Numri i të papunëve në Shqipëri është rreth 150 mijë persona nga të cilët më shumë se 10% prej tyre marrin pagesën e papunësisë. Për të marrë këtë përftim duhet që çdo punëtorë të ketë minimum 3 vjet që punon si dhe të jetë i mbuluar me sigurime shoqërore.

Të verbrit

Të verbrit për 2 vitet e fundit kanë pësuar një rritje të lehtë të përfitimit të tyre. Edhe për këtë vit Ministria e Punës ka parashikuar një rritje të pagesës. Aktualisht një i verbër merr 10 900 lekë (të reja) në muaj dhe rritja mendohet të jetë mes 3 dhe 5% e shumës së mësipërme. Numri i të verbërve në Shqipëri kap shifrën e 16 mijë personave, të shpërndarë në gjithë vendin, pjesa më e madhe e të cilëve janë të vendosur në Tiranë.

Aftësi e kufizuar

Në Shqipëri janë rreth 147 mijë persona me aftësi të kufizuara të njohur zyrtarisht nga institucionet. Fondi i vitit 2013 për këtë shtresë është 13 miliardë lekë, ku përfshihet edhe një rritje e pagesës mujore. Rritja mendohet të jetë 4% e përfitimit mujor që marrin aktualisht personat me aftësi të kufizuara. Po kështu, sipas Ministrisë së Punës, personat me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë e programeve për nxitjen e punësimit dhe formimit profesional. Një rritje të përfitimit do të kenë dhe paraplegjikët dhe tetraplegjik me 4% më shumë se pagesa mujore që marrin sot. Një mbështetje për personat me aftësi të kufizuar është dhe për kujdestarët e tyre të cilët marrin 10 lekë në muaj. Po kështu pjesë e rritjes do të jenë dhe fëmijët me aftësi të kufizuar të cilët aktualisht përfitojnë 200% ta pagesës mujore.

Shtresat e tjera

Pas 1 korrikut të këtij viti pritet të rritet masa e ndihmës ekonomike. Aktualisht, në tri qytete kryesore, Tiranë, Durrës dhe në Elbasan, po eksperimentohet skema e re, e cila do të sjellë një sërë ndryshimesh. Ndihma ekonomike pritet të rritet nga 3-5 mijë lekë për çdo individ, po kështu pritet zgjerimi i skemës ku do të përfshihen më shumë persona. Rritje do të ketë edhe për invalidët e punës si dhe për atë kategori që vuajnë nga sëmundjet profesionale.

 

 

Universitetet private japin diploma të pavlefshme, nuk njihen nga institucionet

Vazhdon mashtrimi me reklamat

Masiviteti i diplomave në Shqipëri është rritur aq shumë, sa universitetet private pranojnë studentë, edhe pse programet e tyre nuk janë të akredituara. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, janë rreth 1200 studentë nga Kosova, të cilët janë diplomuar në universitetet private në Shqipëri dhe nuk u njihet diploma në vendin e tyre. Arsyeja për mosnjohjen e diplomës ka të bëjë me mungesën e akreditimit të degës ku kanë mbaruar studimet. Nëse dega ka qenë në proces akreditimi ose nuk ishte filluar procedura e akreditimit, atëherë diploma e çdo të riu nuk ka vlerë. Kështu bën të ditur drejtorja e Arsimit të Lartë, Edlira Late, e cila thekson se ka një marrëveshje bashkëpunimi që duhet respektuar, por nuk shpjegon faktin për dhënien e diplomave pa u akredituar. “Të gjitha programet e akredituara, të gjitha diplomat që plotësojnë autenticitetin dhe janë institucione të akredituara të njohura në vendin respektiv, për sa kohë ka një marrëveshje bashkëpunimi, ka edhe një Konventë të Lisbonës të nënshkruar në vitin 2007 dhe vlerën që ka mobiliteti i studentit dhe stafit akademik është pjesë e kërkesës së integrimit të sektorit të arsimit në integrimin evropian. Unë nuk e quaj ngërç, por e quaj bashkëpunim dhe pjesë e procedurave teknike për të saktësuar dhe lehtësuar numrin në rritje të studentëve që studiojnë në vendet respektive”, – përmend Edlira Late.

Akreditimi

Akreditimi i një universiteti është një proces i gjatë. Fillimisht, aplikohet edhe më pas fillojnë proceduarat për njohjen e degës. Por shumica e universiteteve private “gënjejnë” me procesin e akreditimit. Lista më e fundit e Ministrisë së Arsimit tregon se vetëm dy universitete private kanë të akredituara të gjitha degët, pjesa tjetër e universiteteve mund të kenë një ose disa degë, por jo të gjitha. Thuajse të gjithë privatët, kur vjen periudha e regjistrimit të të rinjve, në muajt gusht-nëntor reklamojnë universitetin e tyre si të akredituar pavarësisht se mund të kenë vetëm 1 degë të akredituar nga 10 gjithsej.

 

 

Bashkia

Nis ndërtimi i Rrugës së Kosovarëve, Basha: Rruga, 8 vite në harresë

Rruga e Kosovarëve është pjesë e rëndësishme e jetës së mbi 10 mijë banorëve të kësaj zone, pasi është arteria e tyre e vetme pedonale (këmbësore) që i lidh me Parkun e Liqenit. Ajo funksionon edhe si arterie lidhëse për mbi 25 mijë banorë të tjerë që jetojnë në këtë zonë dhe që mund të kenë akses në park apo kanë akses në park, duke ecur në këmbë është një nga arteriet rrugore që po i nënshtrohet ndërtimit të plotë të saj duke i dhënë një pamje krejtësisht të re. Si pjesë e njësisë bashkiake numër 5 në Tiranë, ajo u shërben mijëra banorëve dhe është pjesë lidhëse e disa akseve të tjera që të çojnë në Parkun e Liqenit. Kryebashkiaku Lulëzim Basha u shpreh se rrugës do t’i jepen parametrat e duhur që për vite me radhë i kanë munguar. Me një investim prej 86 milionë lekësh ka nisur ndërtimi i Rrugës së Kosovarëve, në njësinë bashkiake nr. 5. Kjo rrugë lidh një zonë shumë të populluar të Tiranës, “Komunën e Parisit”, me Parkun e Liqenit Artificial, duke vijuar më tej me Unazën e Re. Në këtë rrugë, me gjatësi 570 metra, do të ndërtohet sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ujësjellësi do të ketë ndriçim rrugor si dhe do të mbillen mbi 140 pemë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka inspektuar sot punimet që po kryhen në këtë rrugë e cila do të ketë përmasat e një bulevardi. “Vura re me shumë kënaqësi se banorët mezi e presin ndërtimin e kësaj rruge, e cila faktikisht ka qenë në planet e bashkisë për t’u ndërtuar për mbi 7 apo 8 vjet, por me sa duket, ky është momenti i parë në të cilin bashkia po merret seriozisht me implementimin e këtij projekti”, – u shpreh kreu i bashkisë, Lulzim Basha. Pavarësisht kohës së paqëndrueshme në të cilën kanë nisur punimet në infrastrukturën tejet të rënduar të qytetit të Tiranës dhe në një pjesë të saj të pavënë asnjëherë dorë më parë, Kryebashkiaku Basha tha se këto punime do të përfundojnë brenda afatit të përcaktuar në kontrata.

 

Dhëmbët

Kujdes i mangët, shqiptarët harrojnë dentistin

 

Në Ditën Botërore të Shëndetit Oral, mjekët stomatologë ngrenë me shqetësim problemin për kujdesin e pakët të dhëmbët, sidomos tek fëmijët. Sipas studimeve të kryera niveli i kariesit tek shqiptaret është 2 deri 3 herë më i lartë se popujt e tjerë të vendeve të Bashkimit Evropian. “Te fëmijët ka nivel të lartë kariesi dhe mungesë të higjienës, ka cipa në dhëmbë pllakëze dentare. Pasojat e higjienës së dobët orale te fëmijët, cipat e dhëmbëve dhe pllakëzat dentare shkaktojnë nivel të lartë kariesi. Prishja e hershme e dhëmbëve sjell mbushje më të hershme, rënie më të hershme. Fëmijët nuk kanë shumë kujdes për gojën dhe për dhëmbët kryesisht. Ushqimet që konsumojnë janë të papërshtatshme. Ata hanë shpesh karamele, çokollata, lëpirëse”, – thotë Lorena Haxhihyseni, stomatologe pranë shkollës “Vasil Shanto”. Nga studimet e kryera, shqiptarët që në fëmijëri kanë deri në dy dhëmbë të prishur dhe ndodh që në moshën 20-25 vjeç të kenë dhëmbë të rënë. Por ajo që e bën më shqetësuese është ndërgjegjësimi i ulët, pasi qytetarët paraqiten tek dentisti vetëm kur u dhemb dhëmbi dhe jo për kontrolle rutinë. “Ajo që del më shumë në pah, është prishja e dhëmbëve, ajo që njihet në gjuhën shkencore kariesi dentar, që në vendin tonë është gati dy deri në tre herë më e lartë sesa në vendet e Bashkimit Evropian. Vendet e BE-së në moshën 20-25-vjeçare gjejnë individë që nuk kanë prishje dhëmbësh, gjë që këtu tek ne kjo nuk ndodh. Pothuajse 80 për qind e grupmoshës 20-25-vjeçare kanë pasur një herë dhëmbë të prishur. Qytetari duhet të edukohet që vizitat te stomatologu duhet t’i ketë një herë në gjashtë muaj. Shërbimi stomatologjik publik dhe ai privat duhet të përqendrohet te parandalimi. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që shumë pak rëndësi i kushtohet parandalimit dhe më shumë i kushtohet trajtimit”, – thotë Dorian Hysi, nga Shoqata Kombëtare e Stomatologëve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency