Pedofili refuzohet në paraburgim të dënuarit nuk e pranojnë në qeli

0
132

Makina e plehraveArdian Prrenjasi izolohet në një qeli të vetme. Askush nuk pranon të ndajë dhomën me monstrën

Të paraburgosurit kanë qenë të informuar për krimet monstruoze të kryera ndaj dy fëmijëve

 

Ardian Prrenjasi është refuzuar nga të paraburgosurit, të cilët kanë zgjedhur të mos e pranojnë në dhomat e tyre. Një situatë e tillë ka ndodhur sapo Prrenjasi ka lënë landfillin e Sharrës dhe është mbyllur në ambientet e burgut 313 në Tiranë. Por pikërisht në këtë ambient, të paraburgosurit e tjerë të akuzuar për vepra të ndryshme penale, kanë zgjedhur të refuzojnë qëndrimin e tyre nën shoqërinë e Ardian Prrenjasit, personit që abuzonte seksualisht me fëmijët e mitur, ku njërin prej tyre, Julian Çelën, arriti edhe ta mbyste me të dyja duart. Shkak i refuzimit të qëndrimit në qeli me Prrenjasin, sipas burimeve pranë burgut, është bërë fakti i kriminalitetit tepër të rëndë që ka kryer Ardian Prrenjasi, por edhe për papastërtinë e tij dhe nivelin shumë të ulët ekonomik. Thuajse të gjithë të paraburgosurit kanë qenë në dijeni të krimeve të kryera nga 45-vjeçari dhe nisur nga kjo situatë, ata kanë refuzuar që të mbajnë monstrën e Laprakës në dhomat e paraburgimit, ku qëndrojnë vetë. Nisur nga kjo situatë, drejtoria e burgut mësohet se ka gjetur një ambient të veçantë për monstrën që përdhunonte fëmijë, ndërkohë që nga dita e djeshme Ardian Prrenjasi është mbyllur në burgun 313, ku natën e parë duket se e ka kaluar i vetëm, dhe jo në shoqërinë e të dënuarve të tjerë.

Punëtorët, larg landfillit   

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar që punëtorët e kompanisë “Korsel” të qëndrojnë larg dy zonave të rrethuara me shirita policie në landfillin e Sharrës. Vendimi është marrë nga prokurori i çështjes Ervin Karanxha, ndërkohë që ky i fundit ka urdhëruar policinë e Tiranës të mbajë sa më larg punëtorët e kompanisë së pastrimit të Tiranës, për shkak se mes tyre mund të ketë ndonjë person që ka bashkëpunuar me autorin e krimit. Nisur nga kjo situatë, prokuroria ngreh dyshime se disa prej punëtorëve kanë pasur shoqëri të ngushtë me monstrën e Laprakës dhe se dikush mund të dijë rreth vendit të saktë të fëmijës 11-vjeçar. Për të shmangur çdo dyshim mbi prishjen e provave materiale apo ndonjë ndikim tjetër që mund të sillte pengesa në gjetjen e trupit të Julian Çelës, është urdhëruar që tuhasje të gjithë punëtorët e kompanisë “Korsel” të mos lejohen t’i afrohen vendit të rrethuar nga ana e policisë dhe prokurorisë së Tiranës. Pikërisht në dy zonat e rrethuara, do të kryhen punime me qëllim gjetjen e trupit të mbuluar me plehra, ndërkohë që katër ditë kanë kaluar dhe në vendngjarje nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë që tregon vendndodhjen e 11-vjeçarit. Në landfill kanë shkuar vetëm të afërmit e Julian Çelës, ndërkohë që për sa u përket prindërve të tij, këta të fundit s’kanë marrë guximin të shkojnë të kërkojnë djalin e tyre të vdekur, pasi gjendja e tyre shëndetësore është tepër e rëndë. Për shkak se babai i viktimës, Skënder Çela, është pjesë e Shërbimit Informativ Shtetëror, ky institucion së bashku me policinë dhe prokurorinë i kanë kërkuar ndihmë Ministrisë së Brendshme, me qëllim gjetjen e trupit të pajetë të 11-vjeçarit Julian Çela, i cili është hedhur në plehra ditën e 30 nëntorit 2012.

Sekuestrohet makina

Që nga dita e diel, makina e mbeturinave ka qëndruar e paprekur deri në një ekspertim të prokurorisë dhe policisë. Autoritetet e pastrim-gjelbërimit bënë me dije se automjeti është i sekuestruar nga prokuroria, ndërsa mbi të ende nuk është kryer ekspertim për gjetjen e ndonjë gjurme të mundshme, e cila mund të lidhë 45-vjeçarin me vrasjen e 11-vjeçarit Julian Çela. Automjeti është përdorur për herë të fundit nga Prrenjasi, ndërsa pas deklarimeve të 45-vjeçarit në polici, pritet një ekspertizë e hollësishme e tij. Fillimisht pedofili tha se e kishte hedhur trupin e pajetë të të miturit në kazanët e plehrave pranë shtëpisë, por më pas deklaroi se kishte qenë vetë në transportimin e tij në landfillin e Sharrës, aty ku është dërguar edhe një herë mesditën e së mërkurës për të rindërtuar ngjarjen.

2 minuta

Zeqine Sula, pronarja e parë ku ka qëndruar me qera Ardian Prrenjasi, në shtëpinë e të cilës tentoi të përdhunonte një fëmijë tjetër, veprim për të cilën u dënua me 600 mijë lekë gjobë, ka treguar se sapo ka mësuar lajmin e rrëmbimit të fëmijës, ajo e ka hequr nga banesa për 2 minuta, pasi nuk mund ta mbante një monstër të tillë.

 

Policia: Avni Bajraktari preku një 12-vjeçare

Zbulohet rasti i dytë i pedofilisë

arrestohet 40-vjeçari në Qesarakë

Kur ende nuk është shuar jehona e lajmit të përdhunimit dhe vrasjes së fëmijëve nga pedofili Ardian Prrenjasi, një tjetër rast pedofilie është shënuar në Tiranë. Pas sensibilizimit të rasteve të fundit të krimeve me karakter seksual dhe pedofilie, një familje nga Tirana ka reaguar menjëherë duke denoncuar ngacmimin që një 40-vjeçar i ka bërë vajzës së tyre 12 vjeçe. Policia bëri të ditur se arrestoi shtetasin Avni Bajraktari, 40 vjeç, banues në Qesarakë të Komunës Dajt, nën akuzën e kryerjes së veprave të turpshme në publik. Familja ka telefonuar policinë pas ngacmimit që ai i kishte bërë vajzës së tyre. Bajraktari do të hetohet për abuzime me vajza të mitura. Krimi, sipas familjes, është kryer më herët nga denoncimi. Ndërkohë, vetë policia ka bërë administrimin e kallëzimit dy javë më parë, pikërisht në datën 28 shkurt, ndërkohë që vetëm ditën e djeshme është bërë arrestimi i 40-vjeçarit Avni Bajraktari. Sipas burimeve të policisë së Tiranës, Bajraktari e ka prekur 12-vjeçaren në pjesën intime, ndërkohë që nuk konfirmohet nëse ai i ka kërkuar marrëdhënie seksuale apo jo. Policia bën me dije se e mitura së bashku me dy prindërit e saj kishte shkuar tek disa të afërmit e tyre në zonën e Qesarakës, të cilët banojnë shumë pranë me shtetasit tashmë të arrestuar Avni Bajraktari. Ky i fundit duket se ka shfrytëzuar këtë afrimitet dhe ka filluar të prekë në pjesën intime të miturën. Aktualisht, 12-vjeçarja së bashku me familjen e saj janë larguar ne drejtim të Greqisë, pasi në këtë shtet banojnë. Familja e 12-vjeçares është me origjinë nga fshati Mborje-Drenovë i Korçës dhe ardhja e tyre në Tiranë ishte kryer për të vizituar një të afërmin e tyre që banon në zonën e Qesarakës. Mirëpo ndryshe nga siç e kishin parashikuar udhëtimin, prindërit janë tronditur nga ajo që u ka treguar vajza e tyre minorene për 40-vjeçarin dhe menjëherë kanë bërë denoncim në komisariatin nr. 4 në Tiranë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency