Monstra tregon paqartësi në Sharrë Policia: E ka nga tronditja psikike

0
157

Elton Qyno

PERRENJASUINga salla e gjykatës në landfillin e Sharrës. Arben Prrenjasi jep vende të tjera për trupin

Familjarët: Duam t’i bëjmë Julianit një varr, asgjë më shumë. Katër ekspertë të ushtrisë në Sharrë

 

Nga salla e Gjykatës së Tiranë në plehrat e landfillit të Sharrës. Ky ka qenë itinerari i djeshëm i monstrës së Laprakës, Ardian Prrenjasi, i cili, pasi është njohur me masën e sigurimit, është dërguar në vendin ku pretendon se ka hedhur trupin e pajetë të 11-vjeçarit Julian Çela. Për gati një orë, 45-vjeçari Prrenjasi ka ecur mbi pirgun e madh të plehrave së bashku me disa efektivë të policisë dhe prokurorë të çështjes. Gjatë qëndrimit nën shoqërinë e tyre, mostra i Laprakës, ka treguar se nga larg kishte arritur të shihte makinën e plehrave, që të shkarkonte mbeturinat në vendin, të cilin ai ja ka treguar dhe efektivave të policisë së Tiranës. Sipas burimeve pranë policisë ndryshe nga herën e parë, 45-vjeçari Prrenjasi ka qenë më konfuz, kjo për shkak edhe të presionit psikologjik të tij, gjatë qëndrimit i mbyllur në ambientet e paraburgimit të policisë së Tiranës. Ai ka qenë në gjendje të rënduar duke pohuar se nuk është në gjendje të tregojë me saktësi vendin e hedhjes së trupit të pajetë të 11-vjeçarit Çela, po ka shtuar se pikërisht zona ku kishin filluar punimet është vendi i hedhjes. Sipas Ardian Prrenjasit, gjithçka ka ndodhur mesnatën e 30 nëntorit, ditë kur Jualian Çela,u zhduk pa lënë asnjë gjurmë, duke mos u kthyer i gjallë në banesën e tij. Ndërkohë që kur kanë kaluar më shumë se 3 muaj e 21 ditë, sot mostra i Laprakës, nuk është në gjendje të përcaktojë me saktësi vendin e hedhjes së trupit.

Ushtria në kërkime

Një grup hetimor i përbërë nga 4 ekspertë të xhenios kanë nisur gërmimet në zonën e përcaktuar si vendi ku Prrenjasi pretendon se ka hedhur trupin e 11-vjeçarit. Ditën e djeshme është angazhuar edhe një ekskavator i cila ka filluar gërmimet, ndërsa pritet që forcat xheniere të Ministrisë së Mbrojtjes të angazhohet në këtë operacion, duke vënë në shërbim edhe mjetet e tyre, me qëllim lëvizjen e masivit të plehrave, ku mendohet se qëndron i mbuluar trupi i Julian Çelës. Pavarësisht kësaj, sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë edhe përdorimi i këtyre mjeteve nuk jep siguri nëse trupi do të gjendet, duke pasur parasysh kohën që ka kaluar dhe ndryshimin e shpeshte të vendndodhjes që bën Prrenjasi. Gjatë ditës së djeshme pedofili 45-vjeçar ka ndryshuar vendndodhjen, duke treguar se mbeturinat mund të jenë hedhur në datën 30 nëntor 2012, në një zonë tjetër. Pavarësisht kësaj dëshmie kontradiktore, policia dhe prokuroria kanë urdhëruar kryerjen e kërkimeve në dy zonat, të cilat janë treguar nga Prrenjasi që ditën e parë, kur është transportuar në landfillin e Sharrës. Pikërisht ky landfill, tashmë është kthyer në epiqendrën e vëmendjes jo vetëm të familjarëve por edhe të opinionit publik. Që prej tre ditës landfilli vazhdon të jetë një nga vendet më të survejuara në Tiranë, dukë qenë se forca të shumta policie e ruajnë. Mësohet gjithashtu se policia dhe punonjësit e landfillit do të nisin krehjen e zonës ku monstra i Laprakës thotë se ka hedhur trupin, krehje kjo që është bërë për të disatën herë, por fatkeqësisht nuk është gjetur asnjë gjurmë e minorenit.

“Duam t’i bëjmë një varr”

Ata që kanë qenë të parët në landfillin e Sharrës edhe ditën e djeshme kanë qenë të afërmit e Julian Çelës. Dëshira për të gjetur sa më parë trupin dhe kryerjen e një ceremonie mortore për vogëlushin, ka bërë që një grup të afërmish, të kryejnë pa lejen e policisë kërkime në zona të ndryshme, jo vetëm tek zonat që janë treguar nga pedofili Prrenjasi. Sipas tyre, pas gjithë kësaj ngjarje tepër të rëndë që ka ndodhur, nëna dhe babai i Julian Çelës, kërkojnë vetëm një varr për fëmijën e tyre, dhe asnjë gjë tjetër. “Nuk jemi për hasmëri apo varje të autorit. Shteti le të bëjë ç’të dojë me të. Ne duam vetëm trupin, që t’ia çojmë të ëmës dhe babait, të cilët të qajnë kufomën, se gjë tjetër nuk i ka mbetur të bëjnë”, – u shprehën të afërmit e Julian Çelës.

1 ekskavator

Pritet që shumë shpejt në zonën e Sharrës të mbërrijë dhe një ekskavator tjetër i ushtrisë, i cili do të fillojë pastrimin e zonës, me qëllim gjetjen e trupit të 11-vjeçarit Julian Çela.

 

 

Kur vrau Julian Çelën, më dërgoi në banesën e prindërve

Bashkëjetuesja: S’e dija që ishte i tillë,

kërkoj që ta varin në qendrën e Tiranës

Ish-bashkëjetuesja e Ardian Prrenjasit, Valbona Paci, ka deklaruar nga shtëpia e saj në Peshkopi se 45-vjeçari të varet në qendër të Tiranës për dy krimet e rënda që ka bërë. Paci ka treguar se 11-vjeçari Julian Çela ishte parë të hynte në banesën e saj, por që fatkeqësisht, ajo nuk ka dyshuar asnjëherë se ai është abuzuar seksualisht dhe më pas vrarë nga bashkëjetuesi i saj Prrenjasi. Edhe pse jo zyrtarisht e martuar me Ardian Prrenjasin, ajo ka bashkëjetuar me të për afro 2 vjet, por nuk ka ditur asgjë se kush fshihej në të vërtetë pas pamjes së burrit të saj. 24-vjeçarja nga Dibra ka pohuar se është e tronditur shumë nga kjo ngjarje dhe ka theksuar se Ardian Prrenjasi duhet të varet në litar. “I dënoj krimet që ka kryer dhe ai duhet të varet në mes të Tiranës”, – është shprehur Valbona. Ajo ka rrëfyer detajet e jetës që bënte me Ardianin duke theksuar se nuk ka pasur asnjëherë probleme me të. “Jam martuar me Ardian Përrenjasin prej dy vitesh, kurrë nuk kemi pasur probleme. Gjatë bashkëjetesës me të nuk kam vënë re asnjë problem, por kohët e fundit ai më sillte shpesh në familjen time në Peshkopi”, – është shprehur Valbona. Ardian Prrenjasi u arrestua nga policia ditën e diel, ndërsa po tentonte të vriste 10-vjeçarin me inicialet A. C., ndërsa gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se ka vrarë 11-vjeçarin Julian Çelën i cili rezultonte i zhdukur që nga data 30 nëntor i vitit të kaluar. Pas përdhunimit të një të mituri, por edhe vrasjes së të miturit tjetër Julian Çela, në Laprakë nga i dyshuari kryesor Ardian Prrenjasi, prokuroria ka dyshime të forta se maniaku pedofil ka abuzuar seksualisht edhe me fëmijë të tjerë. Hetimet janë duke vijuar ndërkohë që e gjithë zona e Laprakës, është tronditur nga krimi i rëndë. Shumë nga banorët kanë preferuar të mbyllin në shtëpi fëmijët e tyre, për shkak të tronditjes psikologjike që kanë marrë pas krimit të rëndë. Gjatë këtyre ditëve rrugicat ku ka ndodhur krimi i rëndë, kanë qenë të boshatisura, ndërkohë që familja Çela, ka hapur dyert e mortit, duke pritur ngushëllime nga të afërmit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency