Gjykata e Tiranës lë në burg pedofilin Ardian Prrenjasi

0
188

Sonja Caka

Photo-0123

Hesht para gjykatës, nën zë thotë vetëm gjeneralitetet dhe pranon që ka qenë i dënuar më parë. Prokurori: Abuzoi dy herë me të miturin, të lihet në burg

 

Nën masa të rrepta sigurie është shoqëruar dje për t’u njohur me akuzën dhe masën e arrestit Ardian Prrenjasi, maniaku seksual i akuzuar jo vetëm për abuzimin me një të mitur, por në të njëjtën kohë edhe për vrasjen e 11-vjeçarit Julian Çela. Por, dje 45-vjeçari do të njihej vetëm me njërën nga akuzat, atë të “Marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale me dhunë me një të mitur”, pasi akuza për vrasjen e të miturit Çela do t’i komunikohet në një fazë tjetër, pasi ende po hetohet për të gjetur prova konkrete që provojnë vdekjen e tij. Akuza e parë është mbrojtur në gjykatë nga prokurori Sajmir Hysi, ndërsa gjyqtare e gatshme ishte Kaçe Agolli. 45-vjeçari është njohur me akuzën nga gjyqtarja, ndërsa i është caktuar si mbrojtëse avokatja Vjollca Pustina, e cila ka marrë përsipër mbrojtjen e tij që në momentet e para të ndalimit. Pasi ka dëgjuar të dyja palët në seancën që zgjati shumë pak, gjyqtarja caktoi masën e arrestit “Burg pa afat” për pedofilin Prrenjasi, ndërsa vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e tij në kushtet e flagrancës.

Seanca

Ka zgjatur vetëm 30 minuta seanca e djeshme për caktimin e masës së sigurisë ndaj Ardian Prrenjasit. Personi nën hetim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale apo homoseksuale me dhunë me një të mitur” ka mbërritur në ambientet e gjykatës në orën 10:30, ndërsa rreth orës 11:00 ka hyrë në seancën e gjyqit i thirrur nga gjyqtarja e masës. Pasi gjykata i ka marrë gjeneralitetet dhe e njohu me akuzën, vendosi ta zhvillojë seancën me dyer të mbyllura, për shkak të specifikës së hetimit, abuzimit me një të mitur. Prokurori Hysi ka prezantuar shkurtimisht akuzën paraprake para gjykatës, dinamikën e ngjarjes dhe provat që provonin akuzën e abuzimit seksual. Prokurori ka deklaruar para gjykatës se fëmija ishte rrëmbyer nga 45-vjeçari dhe është mbajtur në banesë afro 24 orë derisa ka ndërhyrë policia. Para gjykatës, prokurori paraqiti provat që disponon akuza, si procesverbalin e deklarimeve të Ardian Prrenjasit, procesverbalin e deklarimeve të fëmijës së dhunuar me inicialet A. Cani, dy ekspertiza mjeko-ligjore që provonin dhunimin seksual të të miturit dhe procesverbalin e këqyrjes së banesës ku mbahej i rrëmbyer dhe u dhunua fëmija i mitur. Pasi dëgjoi dinamikën e ngjarjes, dhe ka administruar këto prova, gjyqtarja ia dha fjalën avokates së Prrenjasit dhe këtij të fundit, të cilët pranuan akuzën. Avokatja mbrojtëse, Vjollca Pustina ishte dakord me kërkesën e prokurorit, që u pranua edhe nga vetë i dyshuari Prrenjasi. Ky i fundit, ka pranuar krimin dhe, sipas avokates, ai është penduar. Më pas, gjykata mori vendim ta lërë në burg 45-vjeçarin, ndërsa pedofili është shoqëruar sërish drejt landfillit të Sharrës për të treguar vendin ku deklaron se ka hedhur trupin e pajetë të 11-vjeçarit Çela.

Vrasja

Akuza e abuzimit seksual u përfaqësua në gjykatë nga prokurori Sajmir Hysi, pasi prokurori i çështjes Ervin Karanxha është duke vijuar në terren punën hetimore për zbardhjen e vrasjes së 11-vjeçarit Julian Çela. E vetmja prova që disponon akuza për momentin është dëshmia e vetë pedofilit-vrasës për ngjarjen dhe mënyrën sesi e ka kryer, por ende prej disa ditësh nuk po gjendet qoftë edhe një provë e vetme materiale që të provojë vrasjen. Një staf i madh hetimor është duke punuar për gjetjen e ndonjë prove në banesë apo dhe trupit të 11-vjeçarit, me qëllim sjelljen para gjykatës të Prrenjasit edhe për një tjetër akuzë, atë të vrasjes së të miturit. Kjo ka qenë arsyeja pse pas gjykatës, policia e ka shoqëruar sërish drejt Sharrës 45-vjeçarin. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur të tjera detaje rreth rasteve të pedofilisë, të kryera nga Ardian Prrenjasi ndaj të tjerë fëmijëve.

 

Seanca zhvillohet nën masa të rrepta sigurie

Gjykatë, pedofili hesht para gjykatës, pranon abuzimin

Hyri kokulur dhe gjithë kohës fliste gati nën zë, saqë çdo gjë thuhej, dëgjohej vetëm prej tij dhe dy policëve që e shoqëronin. U paraqit me të njëjtën veshje me të cilën u arrestua, atlete pa lidhëse, ndoshta për të eliminuar ndonjë tentativë vetëvrasjeje. I qetë në dukje dhe në përgjigje, ndërsa përpiqej të dukej si i penduar për abuzimin e kryer. Të vetmet fjalë para gjyqtares ishin gjeneralitetet dhe pranimi se kishte qenë i dënuar më parë. I pyetur se për çfarë akuze, pedofili 45-vjeçar Ardian Prrenjasi iu përgjigj me fjalët “Ja kështu”, duke aluduar se për të njëjtën gjë. I qetë ka dëgjuar edhe akuzën, të cilën prokurori e paraqiti shkurtimisht dhe renditi në kohë më të gjatë provat që provonin akuzën. Më i tronditur opinioni dhe vetë prokurori e gjykata për atë çka kishte ndodhur, sesa vetë i akuzuari, i cili dukej mjaft i qetë. Përmes avokates së zgjedhur ai ka pranuar gjithçka ka deklaruar në polici për rastin e rrëmbimit dhe dhunimit të 10-vjeçarit me inicialet A. Cani, ndërsa fjala e vetme që ka deklaruar në fund të seancës ka qenë “Dakord”. Ai nuk ka dhënë asnjë lloj shpjegimi tjetër për gjykatën lidhur me akuzën, dhe kështu u mbyll seanca e masës. Të gjitha zhvillimet kanë qenë në një seancë me dyer të mbyllura për shkak të specifikës së ngjarjes, abuzim seksual me një të mitur, ndërsa të pranishëm kanë qenë vetëm mediat në 5 minutat e para të seancës. I akuzuari, ashtu sikundër është deklaruar publikisht në media, është braktisur nga të gjithë njerëzit e tij, pasi asnjë nga të afërmit apo miqtë e tij nuk është afruar ambienteve të gjykatës për t’u interesuar për të. Megjithatë, policia kishte marrë të gjitha masat për të mos lejuar ndonjë reagim të mundshëm nga palët e prekura në këtë ngjarje, duke shtuar masat e sigurisë dhe duke vendosur një efektiv policie te dera e sallës së gjyqit. Kjo ishte panorama që të ofrohej dje në Gjykatën e Tiranës, në seancën e masës së arrestit për të akuzuarin e një prej ngjarjeve më të rënda dhe tronditëse të kohëve të fundit në vend, atë të abuzimit seksual të një të mituri dhe vrasjes së një tjetri, pas pamundësisë së realizimit të këtij abuzimi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency