Zyrtare, bordi vendos emrat e rinj për shefa në QSUT

0
148

Blerta Mrishaj

qsutNë një dalje të tij disa ditë më parë, Pëllumb Pipero, drejtor i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, pati deklaruar se reforma nuk ka të bëjë me reduktimin e numrit të shërbimeve shëndetësore ndaj pacientëve

 

Pas disa orësh mbledhjeje në Ministrinë e Shëndetësisë, bordi me përfaqësues të Institutit të Sigurimeve e Kujdesit Shëndetësor dhe Fakultetit të Mjekësisë, me në krye ministrin e Shëndetësisë Vangjel Tavo, kanë zgjedhur mes një sërë emrash të shefave për drejtues në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Nisur edhe nga disa ndryshime në QSUT, do të ketë 37 shefa shërbimi më pak, teksa nga 63 drejtues pavijonesh, kanë mbetur vetëm 26. Procesi i zgjedhjeve të tyre mbyllet ditën e martë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht janë caktuar emrat e rinj për një pjesë të shefave dhe do të rikonfirmohen drejtuesit e shërbimeve unikale, të cilët nuk ndryshojnë.

Emrat

Ish-ministrja e Shëndetësisë Anila Godo do të jetë drejtuesja e Shërbimit të Sëmundjeve Ngjitëse në Pediatrinë e Përgjithshme, shërbim ky që drejtohej nga Eli Foto. Mjeku Agim Sallaku do të mbetet në krye të Shërbimit të Onkologjisë në QSUT. Ndërsa shërbimi i ORL-së do të drejtohet nga mjeku otorinolaringolog Besim Boçi. Ndërkaq, shefi i shërbimit të Sëmundjeve Plomunare, Pneumologji 3, në Sanatorium do të jetë mjeku Hasan Hafizi.

Ndryshimet

Në një dalje të tij disa ditë më parë, Pëllumb Pipero, drejtor i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, pati deklaruar se reforma nuk ka të bëjë me reduktimin e numrit të shërbimeve shëndetësore ndaj pacientëve. “Në kuadër të reformës, nga 63 shërbime që kishte QSUT-ja, tani do të ketë 26 shërbime të cilat do të përfshijnë tre apo katër klinika. Nuk kemi të bëjmë me një reduktim të shërbimeve ndaj pacientëve, por me reduktim të numrit të shërbimeve, në raport me përmirësimin e funksionit të QSUT-së”. Procesi i zgjedhjes së shefave të rinj të kryhet nga një bord vlerësues dhe është bërë në përputhje me ligjin për Arsimin e Lartë. Në krye të bordit drejtues është ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, dhe në përbërje të tij janë mjekë, përfaqësues të Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Fakultetit të Mjekësisë. “Janë nga tre apo katër kandidatura të cilat do ti kalojnë bordit vlerësues, i cili do të zgjedhë njërin nga ato”. Ndërkaq, një vendim i rëndësishëm është përzgjedhja e kandidatëve fitues që janë në prag të daljes në pension. Detyra e tyre do të vazhdojë deri në përfundim të detyrës. Më pas do të jetë një konkurs i hapur për këtë post. Të gjitha këto ndryshime bëhen edhe në prag të zbatimit të ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, i cili hyn në fuqi në fund të këtij muaji. Zbatimi i këtij ligji do të ketë ndikim edhe në skemën e ndarjes së fondeve për spitalet. Kjo do t’i japë prioritet marrjes së më shumë fondeve spitalore, gjë që do të ndikojë pozitivisht në shërbimet e ofruara për pacientët. Përcaktimet ligjore saktësojnë se shefat e shërbimeve krahas këtij posti do të jenë edhe pedagogë në fakultetet e këtij universiteti. Sipas ligjit të ri të sigurimeve shëndetësore, si dhe përcaktimet e bëra në ligjin e arsimit të lartë, bëhet me dije se bordi zgjedh drejtuesit që kanë fituar në këtë konkurs duke marrë si kriter kyç kandidatë që kanë eksperiencë dhe aftësi të larta profesionale.

 

Matura Shtetërore

Nuk do të lejohen celularët, ministria nis tender për zhurmuesit

210 shkollat e mesme të vendit do të pajisen me aparatura që bllokojnë telefonat gjatë zhvillimit të provimit të maturës. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit tha për “AS” se gjatë dy ditëve në vazhdim do të zhvillohet tenderi për blerjen e këtyre aparaturave, të cilat kanë një kosto të lartë financiare. “Kanë një vlerë të konsiderueshme financiare. Pajisja e gjithë mjediseve, e 210 shkollave, dhe çdo shkollë ka jo më pak se 10 mjedise ku zhvillohet provimi. Çdo klasë apo çdo mjedis mund të dojë edhe më shumë se sa një pajisje, pasi ka mjedise të mëdha siç janë palestrat. Pra është një numër i konsiderueshëm aparaturash. Ministria do të jetë më e prerë në drejtim të masave dhe këtë do ta bëjmë si mjet për të treguar dhe për të eliminuar edhe ndonjë thashethem që gjatë fushatës Ministria e Arsimit do të jetë më tolerante apo më e ngurtë”, – tha Vejsiu. Autoritetet e arsimit kanë shtyrë ndërkaq afatin e plotësimit të formularit A1 online. Shkak është bërë dhe moti i keq në zona të ndryshme të vendit, i cili ka sjellë probleme me internetin. Të gjithë të rinjtë që nuk e kanë plotësuar A1 online do ta plotësojnë atë në mënyrë manuale. “Kemi një problem të tillë siç është për shembull në komunën Shalë të Shkodrës ku nuk ka internet, rruga është e bllokuar dhe kemi dhënë porosi që maturantët do t’i plotësojnë dorazi formularët A1. Ta dërgojnë në Shkodër, jo me makinë, por me kushte të tjera. Të aplikojnë në një shkollë të Shkodrës dhe më pas aplikimi do të bëhet online”, – tha Vejsiu. Aktualisht, sipas të dhënave nga zyrtarët e arsimit, deri tani e kanë plotësuar A1 rreth 24 mijë të rinj, ndërkohë që kjo shifër pritet të jetë më e lartë në ditët në vijim.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency