Thjeshtimi i procedurave në gjykatë, dëshmia e trashëgimive të kalojë te noterët

0
143

Sonja Caka

procedurtaPropozimet për ndryshime në Kodin e Procedurës Civile/ Urdhrat e ekzekutimeve jo më me proces më vete, njoftimi për seancat me e-mail dhe dixhitalizim të gjithë sistemit gjyqësor dhe gjykime në Gjykatë të Lartë edhe me trupa gjyqësore me 3 anëtarë

 

Mbërrin në Kuvend projektligji me propozimet për ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i paraparë si një nismë në ndihmë të qytetarëve për t’u ofruar sa më tepër lehtësira në procedurat e disa proceseve që kanë lidhje me gjykatën. Dy nga propozimet më të rëndësishme, pjesë e këtij projektligji, janë dëshmitë e trashëgimive dhe procesi i urdhrave të ekzekutimeve të lëshuara nga gjykatat. Me këto dy momente është menduar të zgjidhen në procedura më të shkurtuara, njëra me ndihmë të noterëve, duke u kaluar atyre procesi i lëshimit të dëshmisë së trashëgimisë dhe tjetra duke mos vijuar më me hapjen e një procesi për urdhra ekzekutimi në gjykata, por duke ia lënë mundësinë kësaj të fundit që pas dhënies së një vendimi të vijojë edhe me procedurën e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit. Ky projektligj ndodhet tashmë në duart e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, të cilët pasi do ta shtrojnë pa diskutim, do ta hedhin për miratim dhe nëse do të kalojë në Komision, atëherë projektligji do të dërgohet në Parlament për t’u votuar nga deputetët. Përmes këtyre ndryshimeve pritet që të eliminohet jo vetëm kostoja financiare, por dhe do të shkurtohet dhe koha fizike. Gjithashtu, nisur nga fakti se në sistemin gjyqësor është aplikuar portali dixhital, kjo paketë vjen me një tjetër nismë atë të njoftimit me sms për zhvillimin e seancave, për atë që ka kaluar dhe atë që do të vijë. Njëkohësisht, do të kalohet dhe kalendar elektronik i çështjeve gjyqësore, me qëllim që të mos ketë më shtyrje apo mos zhvillim seancash për shkak se një gjyqtar mund të ketë në njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë seancë në dy vende të ndryshme. Ndërkohë që, nëse do të arrihet të miratohen këto ndryshime, do të bëhet e mundur që gjykimi në Gjykatën e Lartë të bëhet nga tre gjyqtarë dhe jo më nga 5 të tillë, duke sjellë në këtë mënyrë edhe krijimin e trupave të reja gjyqësore. Ky ndryshim propozohet madje që në nenin 1 të këtij projektligji. Por, edhe nëse kalon Komisionin e Ligjeve, që të kalojë në Parlament dhe të kthehet në ligj, këto ndryshime duan edhe votën e mazhorancës, pasi janë ndryshime që duan 3/5 e votave në Parlament. Madje, afro dy muaj më parë, ndërsa prezantonte këtë paketë me ndryshime, ministri Halimi, pasi mori mbështetje nga grupet e interesit në ndërmarrjen e reformës në Kodin Civil dhe në Kodin e Procedurës Civile, apeloi që kjo reformë të mos jetë peng i opozitës në parlament, duke u bërë thirrje atyre që t’i votojnë këto ndryshime. “I ftoj deputetët të ngrihen ne përgjegjësinë e tyre politike, për t’i votuar këto ndryshime në respekt të qytetarëve që i kanë votuar” përfundoi ai apelin.

 

Ku konsistojnë ndryshimet

* Heqjen e trajtimit të trashëgimisë nga gjykatat dhe kalimin e procesit tek noterët, eliminon procedurat gjyqësore dhe ul kostot për qytetarët

* Lehtësimin e procedurave për urdhrat e ekzekutimit

* Krijimin e një portali unik për aksesin online në hipotekë dhe regjistrin e përmbaruesve

* Nismë për dixhitalizimin e sistemit gjyqësor

* Reforma në Gjykatën e Lartë, që parashikon gjykime të çështjeve me një trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, duke përshpejtuar proceset

 

Sarajevë

Ministrat Halimi – Colak nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi, dhe z. Barišâ Colak, ministër i Drejtësisë i Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, nënshkruan dje një memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve homologe. Njëkohësisht, u filluan edhe negociatat për nënshkrimin e tre marrëveshjeve dypalëshe të bashkëpunimit, përkatësisht “Marrëveshja për ekstradimin”, “Marrëveshja për ndihmën e ndërsjellë juridike në fushën civile”, dhe “Marrëveshja për ndihmën e ndërsjellë juridike në fushën penale”. Me ftesë të Ministrisë së Drejtësisë së Bosnje-Hercegovinës, një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë i kryesuar nga zoti Eduard Halimi, ministër i Drejtësisë, gjatë një vizite dy ditore në Sarajevë, u takua me homologun e tij boshnjak z. Barišâ Colak. Gjatë këtij takimi u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e drejtësisë, si dhe u zhvilluan negociata mbi marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike në fushën civile dhe penale. Kjo marrëveshje administrative i hap rrugën bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet dy ministrive, nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, shkëmbimit të eksperiencave dhe trajnimeve te stafit. Nga ana tjetër, nënshkrimi i këtij memorandumi është tregues i intensifikimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në fushën e drejtësisë. Ministri boshnjak shprehu vlerësimin e tij se për qeverinë boshnjake kjo është një marrëveshje e rëndësishme dhe një zhvillim kyç në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Ndërkohë, ministri Halimi e informoi homologun e tij mbi reformat e ndërmarra në fushën e drejtësisë. Ministri Halimi e njohu z. Colak mbi ndërmarrjen e reformave të thella në sistemin e drejtësisë, dixhitalizimin e sistemit, me qëllim eficencën, transparencën dhe luftën ndaj korrupsionit si dhe reformat në përmirësimin e trajtimit të të dënuarve nëpërmjet kalimit në sistemin privat të burgjeve. Nga ana tjetër, z. Halimi e njohu ministrin me fillimin në Shqipëri gjatë këtij muaji të mbikëqyrjes elektronike të dënuarve. Në përfundim të takimit, dy ministrat shprehën vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të vijuar ndërtimin e raporteve të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, për të ndarë eksperiencat pozitive në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

 

Shkodër

I vunë eksploziv policit, arrestohen 4 të dyshuar

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga katër persona, si të dyshuar për vendosjen e eksplozivit në automjetin e efektivit të komisariatit të Pukës, Pavlo Vuksani, ngjarje e ndodhur më 19 shkurt. Drejtori i Policisë së Qarkut të Shkodrës, Aleks Hajdari bën me dije se janë vënë në pranga 20-vjeçari Pashko Qarri, si dhe Artan Koçeku, Mikel dhe Marjan Thani, këta të fundit nga 23 vjeç. Po sipas të njëjtit burim zyrtar, bëhet fjalë për persona me precedentë të mëparshëm penalë, të akuzuar më herët edhe për vepra të tjera, mes të cilave vjedhje me armë. Gjithashtu, nga ana e zyrtarit të lartë të policisë konfirmohet se shpërthimi i automjetit të Vuksanit me eksploziv është kryer për shkak të detyrës.

 

Lezhë

Kërkohej për vrasje në Itali, prangoset 34-vjeçari

Policia e Lezhës ka bërë të mundur arrestimin e shumë të kërkuarit Angjelin Simoni. Burime nga policia e këtij qarku bëjnë me dije se 34-vjeçari Simoni kërkohej nga drejtësia italiane pasi akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë. Sipas policisë, Simoni akuzohet për veprën penale të vrasjes të kryer në Cuneo të Italisë. Ndërkohë policia e Lezhës ka nisur procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit Angjelin Simoni në Itali ku do të gjykohet nga drejtësia italiane. Tashmë, do të jetë gjykata e Lezhës ajo që do të vendosë nëse do të pranojë kërkesën për ekstradim apo jo.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency