Të afërmit: Mos na braktisni, gjeni trupin ose na lini ta nxjerrim vetë

0
134

Elton Qyno

shtepiaDaja i Julian Çelës: Po sfiliten familjarët, tashmë na intereson vetëm trupi i Julit

Policia e Tiranës rrethon dy zonat, ku do të kryhen kontrolle gjatë ditëve në vijim

 

Zbulimi i trupit të Julian Çelës dhe dëshira e krijimit të një varri për të është kthyer në një sfilitje për të gjithë anëtarët e familjes Çela, e cila banon vetëm 100 metra larg banesës së mostrës Ardian Prrenjasi. Rreth pesë të afërm të kësaj familjeje kanë ushtruar kontroll së bashku me policinë, por që nuk kanë mundur të gjejnë asnjë gjë të dyshimtë. Daja, djali i tezes, si dhe të afërm të tjerë të kësaj familjeje kanë shkuar disa herë në plehrat e Sharrës, por nuk kanë mundur të gjejnë asnjë shenjë të dyshimtë, si bluzë apo diçka tjetër të vogëlushit. Të afërmit kanë deklaruar se kërkojnë nga organet shtetërore që të mos tërhiqen nga kërkimet dhe të mos i braktisin në këtë moment kaq delikat dhe të vështirë, që ndodhet familja Çela. Sipas tyre, tashmë e vetmja gjë që kërkojnë është vetëm trupi i fëmijës dhe se për sa u përket problemeve të tjera, ato ia kanë lënë në dorë drejtësisë dhe shtetit shqiptar.Ne kemi besim te drejtësia dhe tek shteti, por po shohim vonesa dhe këto kërkime janë të vakëta. Policia erdhi rreth orës 10:00, bëri një rrethim dhe kaq. Ndërkohë që, prej ditës së djeshme, kur këtu ishte monstra, policia duhet të ishte shumë e vëmendshme, pasi ai thotë se këtu është edhe batanija që është provë materiale, por kërkimet nuk janë kryer ashtu siç duhet”, – shprehen të afërmit e Julian Çelës.

“Vazhdoni kërkimet”

Nga landfilli i Sharrës, të afërmit e Çelës i kanë kërkuar policisë së Tiranës vijimin e kërkimeve në të gjithë zonën, pasi nuk familja e 11-vjeçarit nuk ka çfarë të humbasë më dhe kërkesa e vetme është gjetja e trupit. “Ajo që tashmë ka ndodhur nuk mund të rregullojmë ne dhe askush tjetër. Ne i lutemi policisë që të mos ndërpresë kërkimet, por përkundrazi t’i vazhdojë ato në të gjithë landfillin”, – është shprehur për gazetën “Standard” daja i minorenit të vrarë. Ky i fundit ka pohuar më tej se përgjegjësit në Sharrë e kanë të dokumentuar se ku hidhen plehrat, ditë pas dite. “Në datën 30 nëntor është bërë procesverbal dhe plehrat e muajit nëntor janë hedhur në një sektor të caktuar, jo në vendin ku thotë monstra se ka hedhur trupin. Prokurorët duhet ta shohin mirë këtë çështje”, – thonë të afërmit e Julian Çelës. Pavarësisht nga këto deklarime, policia dhe prokuroria e Tiranës shprehen të bindura se trupi i pajetë i 11-vjeçarit ndodhet në dy zonat, ku Ardian Prrenjasi u ka treguar tri ditë më parë. Nisur nga kjo situatë, policia e ka marrë në ruajtje landfillin e Sharrës, ndërsa ka pezulluar deri në një moment të papërcaktuar shkatërrimin e mbetjeve në një sektor të saj, ku dyshohet se mund të jetë hedhur trupi i minorenit. Gjatë së martës nuk janë kryer kërkime, ndërkohë që vetë policia nuk ka shumë bindje në gjetjen e eshtrave të minorenit.

Kërkimet private

Të afërmit e Julian Çelës shprehen se nëse policia tërhiqet dhe nuk arrin të gjejë trupin e pajetë, atëherë ata kërkojnë dhënien e lejes, me qëllim kryerjen e kërkimeve në mënyrë personale. “Ne jemi të angazhuar maksimalisht se nuk do të tërhiqemi nga kërkimet për gjetjen e trupit. Nëse mostra deklaron se e ka hedhur trupin në Sharrë, atëherë ai është këtu. Nëse ai gënjen, kjo i mbetet policisë që të hetojë dhe të nxjerrë të vërtetën. Të na japin lejen dhe ne fillojmë kryejmë kërkime private. Një punëtor i zonës, na tha se në datën 30 nëntor, mbeturinat janë hedhur në atë gropën aty (bën me dorë), ndërsa policia kontrollon në një zonë shumë larg kësaj”, – ka treguar daja i Julian Çelës.

 

3 muaj

Për më shumë se tre muaj, Julian Çela, djali i një zyrtari të lartë të SHISH-it, është hedhur në plehrat e Sharrës, kur ende edhe sot nuk ka asnjë të dhënë rreth vendndodhjes së trupit. Krimi makabër është bërë nga 45-vjeçari Ardian Prrenjasi, i cili prej katër ditësh është arrestuar nga policia e Tiranës.

 

 

              Banorët janë të tronditur, nuk lexojnë dot

 Laprakë, ngujohen fëmijët e lagjes

disa prindër nuk i dërguan në shkollë

 

Zhurma që bëri arrestimi i pedofilit Ardian Prrenjasi në zonën e Laprakës, ka bërë që e gjithë zona të tronditet psikologjikisht pas mësimit të krimeve të rënda që ai kishte kryer. Të gjitha rrugët e lagjes, ku banonte Prrenjasi, gjatë ditës së djeshme kanë qenë të boshatisura nga fëmijët, ndryshe si herët e tjera, ku në rrugicat e lagjes dalloheshin fëmijë duke luajtur me njëri-tjetrin. Banorë të zonës shprehen për gazetën “Standard” se pas asaj që dëgjuan në televizor dhe gazeta, ndihen të frikësuar dhe të tmerruar ata, dhe jo më fëmijët e vegjël. “Nuk e dinim se ishte i tillë se e kishin përzënë vetë. Gjithë ditën dhe natën për këtë gjë mendojmë. Fëmijët nuk kemi pranuar t’i dërgojmë në shkollë, pasi kanë qenë të tronditur, për shkak se edhe Julianin e njihnin, se luanin bashkë”, – ka treguar një banor i zonës së Laprakës. Shumë nga banorët e zonës kanë zgjedhur që fëmijët e tyre t’i dërgojnë vetë në shkollë si dhe më pas t’i marrin sërish. Ndërkohë që ka nga ata që kanë preferuar ti mbajnë për disa ditë në shtëpi, me qëllim qetësimin e gjendjes së tyre psikologjike, pasi, sipas prindërve, nuk kanë qenë në gjendje as dhe të lexojnë mësimet e shkollës. “Gjithë ditën sytë dhe veshët i kanë tek televizori. Dhe internetin qe e hapin, prapë mostra i del përpara”, – tregojnë prindërit. Veç kësaj gjendja psikologjike është ndier edhe tek prindërit e minorenëve, të cilët në njëfarë mënyre ndihen fajtorë, për shkak se nuk kanë arritur që të evidentojnë rastin përpara se një fëmijë i lagjes së tyre të vritej nga monstra Ardian Prrenjasi. Ky i fundit kishte gati një vit e gjysmë që banonte në zonë dhe nuk kishte shumë afri me banorët e lagjes ku jetonte së bashku me dy femra, një të moshës 24 vjeçe dhe tjetra e moshës 45 vjeçe.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency