Takimi me Papën, Berisha: Bekim për zgjedhjet e 23 qershorit

0
161

Ina Jano

papaKryeministri dhe Kryeparlamentarja Topalli morën pjesë në ceremoninë e përurimit të Papa Françesko I, në Bazilikën e Shën Pjetrit

 

Takimin e djeshëm në Vatikan me Papën Françesko I Kryeministri Berisha e ka quajtur një bekim për zgjedhjet e 23 qershorit. Lideri i ekzekutivit së bashku me Kryetaren e Kuvendit, zonjën Jozefina Topalli, morën pjesë në ceremoninë në Romë, në të cilën ishin të pranishëm liderët më të mëdhenj të botës. Pas përfundimit të ceremonisë, numri një i qeverisë nënvizoi se në këtë rast ka një koinçidencë shumë të rëndësishme dhe interesante, të cilën ai e ndau me mediat. “Nuk mund të mos theksoj një koincidencë fatlume në karrierën time politike. Që nga viti ‘92 e gjer më sot, para çdo fitoreje elektorale, unë kam pasur fatin e madh të jem në Vatikan e të takohem me Atin e Shenjtë, nga Papa Gjon Pali II tek Papa Françesko I, çka është në mënyrë të pamohueshme një bekim hyjnor për fitoren e ardhshme, për të mos thënë që edhe qielli vegoi. Por të ecim të sigurt drejt 23 qershorit, drejt fitores së bekuar nga Ati i Shenjtë”, – u shpreh Kryeministri Berisha. Shefi i mazhorancës tha se ai ka zgjedhur që të jetë një Papë i dhembshurisë njerëzore. “Papa Françesko I ka zgjedhur të jetë Papa i dhembshurisë njerëzore, i përkujdesjes për ata që janë në nevojë e të varfër. Pata rastin të shtrëngoja dorën shumë miqësisht dhe t’i uroj sukseset më të mëdha në misionin e tij hyjnor në udhëheqje të Kishës Katolike botërore, por edhe ta ftoj të vijë në Shqipëri si një mik i madh e i shquar i popullit shqiptar”, – u shpreh për mediat, pas ceremonisë, zoti Berisha. Ky i fundit tha se 19 marsi do të hyjë në historinë e botës, edhe për vetë faktin se kush është Papa i sapozgjedhur. “Ditë historike për Romën dhe botën. Papa Françesko I dha meshën e tij madhështore, e ndjekur mbi 1 milion besimtarë të ardhur nga mbarë bota dhe shumë prej tyre nga Shqipëria, në prani të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të 130 vendeve. Ishte vërtet një ceremoni shumë madhështore e mbresëlënëse”, – vlerësoi Kryeministri. Ai shprehu kënaqësinë që pari rastin t’i shprehte personalisht urimet më të mira Papa Françeskos I në misionin e tij hyjnor. Me një ftesë zyrtare nga ana e Selisë së Shenjtë, shefit të qeverisë dhe zonjës Jozefina Topalli, Kryetare e Kuvendit. Pas ceremonisë së përurimit papal, Kryeministri Berisha dhe zonja Topalli u patën një takim përshëndetës me Papa Françeskon. Në Vatikan, kreu i qeverisë pati një takim edhe me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, që kryesonte delegacionin e Kosovës në ceremoninë e përurimit papal.

Ndërsa edhe Kryeparlamentarja zonja Jozefina Topalli ka postuar në faqen e saj zyrtare në Facebook foto nga ceremonia. Si një katolike dhe besimtare e devotshme, Kryetarja e Kuvendit shfaqet në foto me një kapele të zezë, gjatë ceremonisë së përurimit të Papës së ri, i cili u zgjodh pas disa tentativash javën e kaluar. “Të dashur miq, sot isha në Romë, në ceremoninë historike të meshës së fillimit të Papatit të Papës Françesk. Jozefina”, – shkruan zonja Topalli.

 

 

Betohet Françeskoja, një Papë ndryshe

Ceremonia e fillimit të Papatit është një prej riteve më sugjestive. Gjatë kësaj ceremonie, që fillon pasi Papa bën një shëtitje në shesh, mes besimtarëve, për t’i përshëndetur ata nga afër, atij i dorëzohet unaza, e ashtuquajtura ‘unaza e peshkatarit’ dhe bëhet e njohur stema e tij. Sipas traditës, unaza e peshkatarit, e cila përdoret edhe si vulë nga Shenjtëria e tij, është prej ari dhe kur një Papë vdes, ose jep dorëheqjen si në rastin e fundit të Benediktit të 16-të, unaza thyhet. Françesko ka bërë një zgjedhje të papritur. Pas kryqit prej hekuri që mban në qafë, Ati i Shenjtë ka bërë të ditur se në dorën e majtë do të mbajë një unazë jo prej ari, por prej argjendi të larë me ar, dhe në të do të jetë gdhendur Shën Pjetri me çelësat. Është vepër e një skulptori të njohur, Enrico Manfrini, i cili ka vdekur në vitin 2004, por që e kishte lënë këtë model unaze pranë mjeshtrit për celebrimet liturgjike të Vatikanit. Për sa i përket stemës, Papa Bergoglio ka vendosur të mbajë atë që kishte, kur ishte kryeipeshkv. Në të lexohet “Miserando atque eligendo”, që në shqip do të thotë “E pa me mëshirë dhe e zgjodhi”, frazë e marrë nga ungjilli i Mateos, kur flet për takimin e Jezu Krishtit me Mateon. Si unaza, ashtu edhe stema do t’i dorëzohen Papës nga kardinali Angelo Sodano, në pjesën e parë të ceremonisë, që zhvillohet përpara meshës. “I bëj një thirrje të gjithë atyre që kanë në dorë përgjegjësi ekonomike, politike dhe sociale, që të shndërrohen në mbrojtës të asaj që Krijuesi na ka dhënë. Të mbrosh punën e Krijuesit do të thotë të mbrosh çdo grua apo burrë, të trajtosh këdo me dhembshuri e dashuri, është të hapësh një horizont shprese. Le t’i hapim zemrën mirësisë, dashurisë dhe dhembshurisë për çdo qenie njerëzore”, – tha gjatë fjalës së tij Papa. Një jezuit, Papa ka nisur drejtimin e tij me thjeshtësi, duke refuzuar shumë prej lukseve të kishës, midis të cilave edhe kryqin e artë, të zëvendësuar prej tij me një kryq të thjeshtë të hekurt.

 

Kryeministri uron homologët e tij në Kinë dhe në Izrael

Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram urimi Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës, z. Li Keqiang, me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë, por edhe Kryeministrit të Izraelit, me rastin e formimit të qeverisë së re. “Kam ndjekur me vëmendje e vlerësim prezantimin e vizionit Tuaj qeverisës dhe mbetem me bindjen e thellë se nën drejtimin Tuaj, me largpamësinë, përkushtimin dhe integritetin që Ju karakterizon, Kina mike do të vijojë rrugën e reformave e të suksesit në shërbim të zhvillimit e modernizimit të mëtejshëm të saj, si edhe në shërbim të paqes e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar. Jemi shumë të lumtur që dy vendet tona ruajnë marrëdhënie të shkëlqyera, mbështetur në ndjenjat më të sinqerta të miqësisë tradicionale mes dy popujve tanë, ndaj unë pres me padurim për të vijuar e thelluar bashkëpunimin e ngushtë me Ju dhe qeverinë Tuaj në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë në dobi të së mirës të të dy popujve. Marrëveshja e Partneritetit Strategjik, nënshkruar katër vite më parë në Pekin, përbën një bazë e kuadër solid e të shkëlqyer në këtë aspekt dhe unë dëshiroj me këtë rast t’Ju ripohoj vendosmërinë e qeverisë sime për të mirëpritur e mbështetur investimet nga vendi Juaj, të cilat do të shndërrohen në histori suksesi si për investitorët kinezë, ashtu edhe për Shqipërinë”, – shkruan Berisha për homologun e tij. Ndërsa i drejton ftesën për të ardhur në Shqipëri, Kryeministri i shpreh konsideratat më të larta edhe për homologun e tij izraelit. “I kam ndjekur me vëmendje përpjekjet tuaja për një koalicion vizionar dhe prezantimin e platformës suaj qeverisëse dhe mbetem thellësisht i bindur se nën udhëheqjen Tuaj, me largpamësinë e vendosmërinë që Ju karakterizon, Izraeli do të shënojë suksese të reja në rrugën e zhvillimit e të modernizimit të mëtejshëm dhe prosperitetit për qytetarët e kombin Tuaj, mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sikundër besoj se qeveria juaj e re do të sjellë kontribut të rëndësishëm në drejtim të konsolidimit të paqes e stabilitetit në rajon”, – shprehet shefi i mazhorancës shqiptare.

 

Meta: Deklaratat populiste çojnë sipërmarrjen në kolaps

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ishte dje në qytetin e Fierit në forumin e LGI-së. “Deklaratat populiste jashtë realitetit social për rritjen e tatimit mbi fitimin për biznesin dhe sipërmarrjen e çojnë në kolaps jo vetëm ekonominë e vendit por detyrojnë edhe investitorët e huaj që të largohen. Është e rëndësishme që politika të jetë e përgjegjshme dhe me këmbët në tokë. LSI është e realiste dhe garantuese e vazhdimësisë së politikave ekonomike mbështetëse ndaj sipërmarrjes dhe punësimit. Vetëm në këtë mënyrë do të arrihet fuqizimi ekonomik dhe social i vajzës dhe gruas shqiptare. Duke mbështetur LSI-në ju keni mbështetur rruajtjen dhe forcimin e stabilitetit aktual, por edhe një perspektivë më të mirë”, – deklaroi Meta. Në fjalën e tij Meta i ka bërë thirrje klasës politike të bashkëpunojë për miratimin e 3 ligjeve në interes të qytetarëve. Ai u shpreh se forca politike që ai drejton mbetet e vëmendshme në kapjen e problemeve sociale. “Biznesi fason është më i rëndësishmi në Shqipëri dhe për punësimin, sidomos të grave dhe vajzave. Jemi krenar që janë bërë mjaft lehtësira që kanë bërë të mundur që edhe në një periudhë krize shumë të fortë, është arritur që në këtë sektor të mos pakësohen vendet e punës port ë shtohen. LSI-ja është e para që ka hedhur vështrimin ndaj një biznesi të ri i cili është mjaft i rëndësishëm, sidomos për punësimin e vajzave të reja dhe që është shërbimi Call Center. Këto biznese në një kohë të shkurtër shtojnë vendet e reja të punës, prandaj LSI është shumë e angazhuar në këtë pikë”, – përfundoi fjalën e tij Meta.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency