Salihi: Duam të ndryshojmë kursin… të bëjmë diçka të re

0
133

Altin Vorpsi

 

SalihiAshtu si edhe De Biazi, Hamdi Salihi pohoi se Norvegjia ka një skuadër për t’u pasur zili. Sulmuesi i Jiangsu Sainty tregon se në këto eliminatore grupi i lojtarëve ka në dorë për të bërë diçka më mirë

 

 

Situata në grup dhe niveli i kundërshtarit po dërgojnë në limit kujdesin e kuqezinjve. Edhe pse dihet që përfaqësuesja jonë nuk ka shumë shanse për të kaluar grupin eliminator, rivali i radhës është nga ata që të motivon edhe më shumë. Për këtë fakt Hamdi Salihi u mundua që t’u jepte kurajo shokëve duke thënë: “Është e vërtetë ajo që ka thënë trajneri, që është një nga ndeshjet ose më mirë me thënë të dyja që kemi me Norvegjinë, kryesore për atë që i kemi vënë objektiv vetes, për të bërë diçka ndryshe nga edicionet e tjera. Do të provojmë të paktën të bëjmë diçka ndryshe nga herët e tjera”.

 

Në rrugë të mirë

Për bomberin shkodran kuqezinjtë me De Biazin janë në një rrugë të mirë: “Jemi në një rrugë të mirë përderisa kemi ardhur në këtë pikë dhe të gjithë po mundohemi që këtë mund që kemi bërë për të ardhur deri këtu mos ta shpërdorojmë. Është një shans i mirë, është në dorën tonë që po mundëm ta shfrytëzojmë. Nuk është se po bëjmë diçka ndryshe, ku përgatitjet janë po ato, por duhet të mësojmë prej gabimeve të kaluara, kjo është zgjidhja”.

 

Ekip i mirë

Sfidat e radhës janë dy ndeshje kryesore për Shqipërinë. Salihi duke njohur edhe forcën e kundërshtarit shprehet: “Është e vështirë, duhet të jemi realist që Norvegjia ka një ekip shumë të mirë. E kemi parë në ndeshjen me Zvicrën, e cila është për mendimin tim pretendentja kryesore e grupit. Norvegjia ka bërë një ndeshje mjaft të mirë. Norvegjia ka lojtarë shumë të mirë dhe nuk do të jetë e lehtë për ne. Por siç e thashë me vjen mirë që tek ekipi dhe tek lojtarët është rritur vetëbesimi. Të gjithë e dinë që kemi shans për të bërë diçka ndryshe nga ajo që kemi bërë në edicionet e kaluara”.

 

Nuk ka ndryshuar asgjë

Në dy vitet e fundit i është dashur që të luajë për skuadra që luajnë shumë larg kontinentit tonë. Në fillim DC Junajtid (në Amerikë) dhe tani Jiangsu Sainty (në Kinë) kanë bërë që De Biazi të mendohet dy herë para se të ftojë shkodranin në kombëtare. Forma jo e mirë që ka kaluar atje dhe distanca që duhet të përshkojë për të ardhur në Shqipëri kanë bërë që Salihi të mos shihet shpesh në radhët e Shqipërisë. Por ky fakt nuk ka “thyer” asgjë mes tij dhe përfaqësues. Vetë sulmuesi tregoi dje: “Me kombëtaren është pak a shumë e njëjta ndjesi, nuk është se ka ndryshuar shumë. Është i njëjti ambient, të njëjtat gjëra dhe e njëjta kënaqësi. Sa për ndjesinë personale, jam në një kampionat tjetër, largësia është pak e madhe, por përderisa jam këtu do të thotë se vij me kënaqësi dhe jam gati për të gjitha ato detyra që do të më japë trajneri të bëj”.

 

 

Kevin Blom

Lila për arbitrin: Ndaj Bosnjës e ekzagjeroi me mua

Norvegji-Shqipëri do të gjykohet nga një treshe holandeze me kryesor Kevin Blomin. Për kuqezinjtë, “bilbili” holandez nuk është një i panjohur, përderisa na ka gjykuar edhe në ndeshjen e para dy viteve në muajin qershor ndaj Bosnjës në Zenicë, ku Shqipëria humbi 2-0. Por, përveç kësaj, arbitri u përfol pikë së pari për faktin se bujti në të njëjtin hotel me kombëtaren boshnjake (e palejueshme nga ana e FIFA-s dhe UEFA-s) dhe së dyti për “fishkëllimën e rëndë” sa i përket kartonëve. Në atë takim, ai ndëshkoi direkt me karton të kuq mbrojtësin tonë Andi Lila në minutën e 86-të, pas një ndërhyrjeje në mesfushë kundër Rahimiç. Vendimi shkaktoi goxha zemërim te kuqezinjtë. Ndërkohë që këtë të premte Lila do të ketë mundësi që ti tregojë holandezit se nuk është një lojtarë që bën faulle për të kuqe direkte: “Nuk e kisha idenë se kush do të ishte gjyqtari i takimit ndaj Norvegjisë. Tani po marr vesh se është i njëjti që na ka gjykuar në një ndeshje kundër Bosnjës. Unë jam një tip lojtari që kam marrë kartonë jo vetëm me gjyqtarin holandez, por edhe me të tjerë, pasi të gjithë e dinë që unë luaj fort në fushë. Më duhet të them se në takimin ndaj Bosnjës kartoni i kuq për mua ishte i ekzagjeruar, kështu që unë mund të them se shpresoj të mos bëjë më një gabim të tillë”. Mbrojtësi energjik edhe pse jemi shumë afër takimit ende nuk di se ku do të aktivizohet. “Kjo është ende për t’u vendosur dhe është trajneri duhet të marrë vendimin se si duhet t’i pozicionojë lojtarët në fushë, kuptohet në varësi të kundërshtarëve që kemi përballë. Nuk mund të them ende se cila do të jetë strategjia e trajnerit pasi nuk kam informacion”, tha Lila. Ndërkohë që në fund të konferencës për shtyp zbuloi se tashmë e tërë skuadra dinte se ku të “godiste” Norvegjinë:” Para thuajse dy javësh trajneri na ka nisur një DVD me ndeshje të Norvegjisë. Unë i kam parë me kujdes dhe jam i bindur se edhe pjesa tjetër e skuadrës e ka bërë një gjë të tillë. Me aq sa kam parë norvegjezët janë lojtarë shumë të fortë fizikisht dhe në lojën në ajër. Në goditjet standarde janë gjithashtu shumë të fortë dhe kanë në përbërje lojtarë shumë të mirë e me eksperiencë të madhe”.

Tronditen kuqezinjtë

Cana dëmtohet në stërvitje

Lorik Cana përhap panik në kampin kuqezi. Kapiteni i përfaqësueses së Shqipërisë ka pësuar një dëmtim në kaviljen e këmbës së majtë vetëm katër ditë para sfidës me Norvegjinë në transfertë, duke vënë seriozisht në dyshim praninë e tij në fushë në formacionin titullar. Kur duheshin jo më shumë se 10 minuta nga përfundimi i seancës stërvitore të paradites, 29-vjeçari u rrëzua papritur në tokë, edhe pse nuk pati asnjë kontakt të ashpër fizik me shokët e skuadrës. Menjëherë drejt tij vrapuan pjesëtarët e stafit teknik dhe mjekësor, si dhe futbollistët e tjerë të kombëtares, që në momentin e parë ndjenë frikën e një dëmtimi shumë serioz. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore, Cana doli me këmbët e veta nga fusha, por duke çaluar. Ndërkohë që De Biazi vijoi stërvitjen me pjesën tjetër të grupit, futbollisti i Lacios qëndroi nën kujdesin e mjekësve, që i vendosën akull në kavilje. Trajneri Xhani de Biazi, pavarësisht shqetësimit për dëmtimin e 29-vjeçarit, u shpreh se Cana është shkëmb i fortë, ndaj do të arrijë të riaftësohet në kohë për Norvegjinë. Në fund të stërvitjes, kapiteni dhe trajneri u larguan duke biseduar nga fusha, por dukej qartë që Cana ndiente dhimbje në kavilje. Në seancën e paradites mungoi mesfushori Ervin Bulku i cili është aktivizuar të hënën me skuadrën e tij Sepahan si dhe Valdet Rama, që kishte udhëtuar drejt Kosovës për arsye dokumentacioni. Me shumë mundësi mesfushori i Valadolid do të luajë të paktën në miqësoren me Lituaninë.

FIFA miraton kërkesën

Basha është gati për Norvegjinë

Një lajm i mirë ka mbërritur të martën në mesditë për De Biazin para ndeshjes kualifikuese me Norvegjinë, e cila do të luhet më 22 mars në Oslo. Migjen Basha, i grumbulluar për herë të parë me kuqezinjtë, nuk ka më asnjë pengesë për të luajtur me Shqipërinë. Përgjigjja e FIFA-s ka mbërritur tashmë, ajo është pozitive dhe i hap dritën jeshile mesfushorit të Torinos në Serinë A, që të luajë pa asnjë pengesë apo kushtëzim me përfaqësuesen tonë. Kësisoj, ai do të jetë nën urdhrat e De Biazit që me sfidën kundër Norvegjisë. Aktivizimi i tij apo jo do të varet nga zgjedhjet taktike të italianit, por me shumë gjasa Basha do të kompensojë mungesën e Burim Kukelit (i dëmtuar) në mesfushë, në rolin e një shkatërruesi. Sidoqoftë, me rëndësi për momentin është përgjigjja në kohë dhe pozitive e FIFA-s.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency