Monstra i Laprakës, sot në gjykatë, s’ka akuzë për vrasjen e Julianit

0
118

Elton Qyno

perrenjasi “Tërhiqet” Ervin Karanxha, prokurori Sajmir Hysi përfaqëson akuzën

Akuza: Po s’gjetëm trupin, e kemi të vështirë të ngremë akuzën e vrasjes

 

Ardian Prrenjasi, monstra që tronditi opinionin publik vendas, pritet të dalë sot para Gjykatës së Tiranës, ku do të njihet me masën e sigurisë “Arrest në burg”, që do të kërkojë përfaqësuesi i prokurorisë. Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzë ndaj Prrenjasit vetëm për rrëmbimin dhe abuzimin seksual të minorenit me inicialet A. C., ndërkohë që për rastin e Julian Çelës nuk ka një akuzë konkrete, për shkak të mungesës së provave materiale. Në këtë seancë gjyqësore, që është e para, për Ardian Prrenjasin lidhur me abuzimin seksual ndaj fëmijës së punonjësit të burgut të Fushë-Krujës, akuza nuk do të përfaqësohet nga prokurori i çështjes Ervin Karanxha, por nga prokurori Sajmir Hysi. Ky i fundit është urdhëruar të mbrojë akuzën në gjykatë, për shkak të ngarkesës tepër të madhe në veprimet hetimore të prokurorit Ervin Karanxha. Ky i fundit ka deklaruar se gjatë këtyre ditëve, por edhe ditën e sotme, është tepër i ngarkuar, për shkak të verifikimeve me imtësi në terren edhe të rasteve të tjera, ku dyshohet se Ardian Prrenjasi ka abuzuar seksualisht. Sipas burimeve të prokurorisë, kërkesa për caktimin e masës së sigurisë është bërë në mesditën e djeshme dhe në të është kërkuar lënia në burg e 45-vjeçarit Prrenjasi. Në kërkesë janë renditur edhe disa nga provat materiale që janë administruar në dosje, prova këto që, sipas prokurorisë, mjaftojnë për të mbajtur në burg monstrën e Laprakës, Ardian Prrenjasi.

S’ka akuzë për “Çelën”

Mosgjetja e trupit të 11-vjeçarit Julian Çela ka lënë një boshllëk të madh për sa i përket lidhjes së ngjarjes me akuzën e ngritur ndaj Prrenjasit. Burime pranë policisë dhe prokurorisë së Tiranës thanë se është shumë e vështirë për ngritjen e akuzës së vrasjes, pasi në këtë rast mungon trupi. “Në kushtet që jemi tani, kemi vendosur që të mos ngremë një akuzë për vrasje ndaj Ardian Prrenjasit, pasi shpresojmë që në ditët në vijim të gjejmë prova të tjera, që mund të lidhin ngjarjen. Deri në këto momente kemi vetëm dëshminë e të arrestuarit dhe asnjë gjë më tepër rreth vrasjes së djalit të punonjësit të SHISH-it”, – thanë burimet pranë Prokurorisë së Tiranës. Ndërkohë, një punë tepër e madhe po kryhet për sa i përket sigurimit të provave shkencore. Për gati katër orë, ekspertë të Policisë Shkencore kanë qëndruar në dhomën ku banonte me qera Prrenjasi, duke marrë prej andej gjurmë papilare, flokë të rënë në krevat, dysheme dhe banjë. Ndërkohë, me tampon janë marrë edhe disa njolla gjaku, të cilat ende nuk dihet se cilit person i përkasin. Të gjitha këto prova të administruara në vendin e ngjarjes janë dërguar tashmë në laboratorin shkencor të Ministrisë së Brendshme, ku janë duke u verifikuar me imtësi. Sipas hetuesve të çështjes, shpresohet të gjendet ndonjë flok i Julian Çelës, gjë që më pas do të jetë një provë bindëse për të faktuar me prova konkrete akuzën e vrasjes së vogëlushit 11-vjeçar. Deri në këto momente prokuroria nuk disponon asnjë provë në dosje, që mund të lidhë vrasjen e Julianit nga monstra i Laprakës Ardian Prrenjasi. Batanije, çarçafë dhe çdo cep i shtëpisë është verifikuar me imtësi, por ndryshe nga sa pretendohej se mund të gjendej ndonjë bluzë apo kanotiere e Julian Çelës, nuk është gjendur asnjë gjurmë e tij. Ndërkohë, për këtë rast, sipas prokurorisë, mungojnë edhe dëshmitë të cilat mund të lidhnin vrasjen e Julian Çelës. “Asnjë nga banorët e lagjes nuk na ka treguar se ka parë fëmijën nën shoqërinë e të arrestuarit. Kemi pyetur mbi 10 persona dhe asnjëri prej tyre s’ka qenë në gjendje të tregojë nëse Julian Çela në fund të muajit dhjetor ka qenë ose jo afër banesës së Ardian Prrenjasit”, – thanë burimet pranë prokurorisë.

Asnjë takim me Skënder Çelën

Ndryshe nga sa pritej, ekspertë të prokurorisë dhe policisë së Tiranës nuk kanë marrë asnjë kontakt me Skënder Çelën, babain e vogëlushit Julian Çela, i cili është punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror. Për shkak të tronditjes tepër të madhe, Skënder Çela, sipas hetuesve, nuk ka dalë farë nga banesa, ndërkohë që edhe prokurorët nuk kanë denjuar ta pyetin atë. Çela nuk është parë të shkojë as në banesën ku jetonte me qera monstra i Laprakës, shtëpia e të cilit ndodhet vetëm 100 metra larg banesës së tij. Që nga dita e diel, kur është bërë arrestimi i Prrenjasit, familja e Skënder Çelës ka hapur dyert e mortit, duke pritur për ngushëllime shumë nga miqtë dhe të afërmit e zonës. Ndërkohë, sipas policisë, nëse do të jetë e nevojshme, babai i Julian Çelës do të thirret në ditët në vijim.

 

Shok i Julianit

Fëmija 10-vjeçar me inicialet A. C., që është abuzuar seksualisht nga Ardian Prrenjasi, është shok i viktimës së parë të autorit të krimit, 11-vjeçarit Julian Çela. Të dy fëmijët, sipas banorëve, luanin në rrugicat e lagjes, ndërkohë që fati i keq i tyre ishte që të abuzoheshin seksualisht nga monstra Ardian Prrenjasi.

 

Një vit e gjysmë

Për gati një vit e gjysmë, autori i krimit ka qëndruar me qera në banesën e shtetasit Lefter Muka, ku edhe ka mbytur me duar Julian Çelën dhe ka abuzuar seksualisht me shokun e tij A. C. Shtëpia e këtij të fundit ndodhej vetëm 5 metra larg banesës së autorit të krimit, ndërkohë që askush nuk ka dyshuar se fëmija ndodhej vetëm 5 metra larg.

 

Mungesa e të dashurës

Ka qenë pikërisht mungesa e shtetases 24-vjeçare Valbona P. ajo që ka frymëzuar 45-vjeçarin të abuzonte me fëmijën e komshiut. Valbona ka munguar për rreth katër ditë në banesë, pasi ishte larguar te prindërit e saj në Peshkopi, ndërkohë që duke përfituar nga mungesa e saj, Ardian Prrenjasi ka zgjedhur të abuzojë seksualisht me 10-vjeçarin.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency