Demi kundër Imamit: Mbikëqyrje financiare në Ministrinë e Mbrojtjes

0
133

Florenc Drizari

komisioniKryetari i Komisionit të Sigurisë: Është Kuvendi në radhë të parë, duke futur edhe KLSH-në, që mbikëqyr këtë buxhet

 

Projektligji për mbikëqyrjen e institucioneve të inteligjencës në vendin tonë vazhdon të shkaktojë përplasje qëndrimesh lidhur me autoritetin që ka KLSH për kontroll financiar ndaj këtyre institucioneve dhe të drejtës që i jep projektligji i ri nënkomisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Raportimit i përfaqësuesit të Institutit të Inteligjencës dhe Sigurisë (OJF), kishte në fokus rishikim e të gjithë dispozitave që prekin kontrollin financiar ndaj shërbimeve inteligjente nga nënkomisioni kuvendor, duke vënë theksin se kjo e drejtë i përket vetëm Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH-së). Por kjo u kundërshtua nga kryetari i Komisionit Leonard Demi, i cili në fjalën e tij tha se Kuvendi ka të drejtë të mbikëqyrë çdo veprimtari financiare miratohet prej tij. “Nënkomisioni duke i vendosur vetës edhe mbikëqyrje të buxhetit dhe të tjera, do ta vendosë vetën në pozicionin e menaxherit dhe drejtorit. Në këtë kontekst edhe puna e këtyre drejtorëve dhe kryetarëve të këtyre agjencive do të dublohet dhe në disa muaj do të triblohet si pasojë e auditëve nga ministritë përkatëse, KLSH nënkomisionet parlamentare etj. Lidhur me këto konstatime propozojnë rishikimin e dispozitave në tërësi në të cilat përmendet mbikëqyrja e buxhetit dhe e shpenzimeve financiare me qëllim harmonizimin e tyre”, – u shpreh përfaqësuesi i Insitutit të Inteligjencës dhe Sigurisë.

LEONARD DEMI

Qëndrimi i përfaqësuesit nga shoqëria civile i cili kërkoi rishikimin e neneve që prekin kontrollin financiar nga nënkomisioni për Sigurinë, solli edhe reagimin e kryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare Leonard Demi, i cili theksoi se raporti i shoqatës është i ngjashëm me atë të paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes. Sipas z. Demi, drejtori i Institutit të Inteligjencës dhe Sigurisë, është në të njëjtën kohë edhe drejtor pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Duke iu drejtuar përfaqësuesit të Institutit të Inteligjencës dhe Sigurisë, kryetari Leonard Demi u shpreh: “Dua t’ju them një gjë, nëpërmjet jush edhe organizatës dhe drejtorit tuaj që punon në Ministrinë e Mbrojtjes; nuk është se merret vetëm me OJF-në tuaj më thonë këshilltari i komisionit. Drejtori i OJF-së suaj është një drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes, prandaj të dy raportet kanë një ngjashmëri. Por dua të them që Kuvendi është institucioni që qëndron mbi qeverinë dhe vërejtja kryesore dhe parimore e juaja është se thoni Kuvendi nuk ka të drejtë të mbikëqyrë buxhetin, por këtë të drejtë ia referoni Komisionit të Lartë të Shtetit”. Sipas deputetit të mazhorancës, të drejtën e mbikëqyrjes në radhë të parë e ka Kuvendi, sepse buxhetin për të gjitha institucionet e këtij shtetit e miraton pikërisht ai. “Kuvendi dhe derisa Kuvendi miraton buxhetin e çdo institucioni, është Kuvendi në radhë të parë, duke futur edhe KLSH, që mbikëqyr këtë buxhet. Nëse Kuvendi i ka dhënë 100 lekë një institucioni që merret dhe shërbim informativ, Kuvendi duhet ta dijë sesi e shpenzon ky institucion këto 100 lekë që i ka dhënë. Është një e drejtë kushtuese dhe këtë të drejtë kushtetuese që ka Kuvendi t’i thuash drejtorit, nuk mund t’ia heqë as KLSH dhe as ndonjë institucion tjetër”, – u shpreh kryetari i Komisionit të Sigurisë.

ILIR GJONI

Një qëndrim të ngjashëm me atë të kryetarit Leonard Demi mbajti edhe nënkryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare Ilir Gjoni. “Më bëri përshtypje ngjashmëria e sugjerimeve të organizatës suaj me ato të Ministrisë së Mbrojtjes dhe sidomos fakti që ju si organizatë, ngrini objeksione ndaj thelbit apo zemrës së këtij projektligji. Është ajo që tha z. kryetar, është baza e kontrollit parlamentar. Këtu kemi të bëjmë me kontrollin dhe balancën midis pushteteve. Ligjet që ju iu referuat më parë, janë të gjitha akte të dala nga ekzekutivi dhe ekzekutivi ka mekanizma të veta të mbikëqyrjes, ndërkohë që ne si Kuvend, kemi edhe të drejtën për të parë sesi shpenzohen këto. Nuk ka asnjë lloj justifikimi”, – tha Gjoni.

 

 

 


Ministria e Mbrojtjes refuzoi kontrollin financiar nga Kuvendi: E drejtë e KLSH-së

Gjatë raportimit të përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes rreth një javë më parë në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, lidhur me propozimet për draftin e ri të mbikëqyrjes parlamentare për institucionet e inteligjencës, u kërkua rishikimi në tërësi i neneve që prekin kontrollin financiar. Në shkresën e firmosur nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami thuhet se kontrolli financiar i agjencisë është kompetencë e KLSH-së dhe e akteve ligjore të nxjerra nga Këshilli i Ministrave. “Në nenin 2 të projektligjit vërejmë se përveç ushtrimit të mbikëqyrjes parlamentare të Shërbimeve Informative dhe të Sigurisë, mbi ligjshmërinë e aktivitetit dhe veprimtarisë së tyre, projektligji ka si qëllim edhe ushtrimin e mbikëqyrje që lidhet edhe me buxhetin dhe shpenzimet financiare të këtyre shërbimeve. Për sa i përket një kompetence të tillë, sjellim në vëmendjen tuaj se referuar dispozitave kushtetuese (nenet 162-165) institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar është Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili kontrollon veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetëror, si dhe përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor”, – shkruhet në letrën e firmosur nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami, drejtuar Komisionit për Sigurinë Kombëtare disa ditë më parë.

 

Reagon PD: I vetmi plan që ka Rama është rritja e taksave

Deputetit i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, i ka cilësuar thjesht si slogane të lodhura propozimet e Ramës për reformën e biznesit dhe vitalizimin e ekonomisë. Ai tha se plani i Ramës do t’i ngrejë taksat 50 për qind për çdo biznes të vogël dhe të mesëm duke i çuar në këtë mënyrë këto biznese drejt rrënimit. PD sjell në vëmendje kohën kur Rma ishte kryebashkiak, i cili sipas PD-së, dyfishoi taksat. “Kryeministri propozoi politika të zhdërvjellëta për tregun e punës, të bazuar në modelet më të suksesshme, ku do të mbështeten me grante dhe kredi pa kolateral të gjithë të rinjtë dhe të papunët që dëshirojnë të hapin një biznes të ri. Nga ana tjetër, Rama bëri të kundërtën. Jo vetëm nuk ka asnjë plan konkret për të përmirësuar klimën e biznesit, por madje po e pengon atë. Gjithçka që Rama ofron janë vetëm slogane të lodhura dhe i vetmi plan që ai ka, është plani për të rritur taksat, që nuk bën gjë tjetër veçse rrit papunësinë dhe shkatërron klimën pozitive të biznesit”, – deklaroi Bogdani. Partia Socialiste jo vetëm që nuk ka asnjë plan konkret për të përmirësuar klimën e biznesit, por madje po e pengon atë. Ky është konstatimi i deputetëve demokratë, lidhur me tryezat dhe deklaratat e ardhura nga lidershipi socialist në këtë prag fushate. “Ne nuk kemi rrugë të tjetër përveçse të bëjmë atë që kemi bërë deri tani dhe akoma më shumë: Të fokusohemi ne krijimin e një klime ku sektori privat të lulëzojë dhe të marrë fryme lirisht, pa taksa te larta, që të zhvillohet e të krijojë akoma më shumë vende të reja punë, me paga më të mira për qytetarët shqiptare”, – deklaroi deputeti demokrat.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency