A e zgjidh krizën rritja e barrës së taksave? Përgjigjja vjen nga BE

0
130

Ervin Kaduku

 

taksaSa më shumë që afron data e zgjedhjeve parlamentare, aq më shumë shtohen propozimet dhe premtimet e partive kryesore politike në vend lidhur me politikat fiskale. Kjo është e natyrshme, po të kemi parasysh se nga të katër anët, Shqipëria ndodhet nën një presion të fuqishëm të krizës globale, që fillon me uljen e kërkesës nga jashtë për eksportet e mbaron tek rënia e remitancave nga emigracioni.

Opozita, e cila pretendon pushtetin, është deklaruar për një ndërhyrje në sistemin e taksave duke tentuar rritjen në disa shkallë, që prekin ndjeshëm kryesisht të ardhurat personale. Ende nuk ka detajime se sa do të jenë këto shkallë të tatimit, por filozofia e së majtës në opozitë është lehtësimi i shtresave sociale më në nevojë nga barra e taksave dhe kalimi i kësaj barre tek biznesi apo shtresa me të ardhura të larta.

Një gjë të tillë, edhe një herë, e konfirmoi shefi i PS-së dje, në takimin me përfaqësues të shoqatave të biznesit.

Nga ana tjetër, mazhoranca, e cila qeveris gati 8 vjetësh, që pas ardhjes në pushtet në vjeshtën e vitit 2005 ndërhyri për një ulje të ndjeshme taksash, duke bërë bazë të platformës së saj taksën e sheshtë prej 10%, të njësuar, si për tatimin mbi fitimin, ashtu edhe për të ardhurat personale. Gjatë këtyre viteve pati tendencë për të ulur edhe disa taksa të tjera lokale apo zeruar disa të tjera dhe ka një projekt tashmë të ri, të premtuar për mandatin e tretë, për disa ndërhyrje të tjera që lehtësojnë barrën fiskale, siç është heqja e TVSH-së në disa zinxhirë të ekonomisë. Në thelbin e platformës së saj qëndron rritja e lirisë ekonomike, përveç të tjerash edhe përmes lehtësive fiskale.

Si rrallë ndonjëherë, lidhur me politikat fiskale, më së fundi, shohim dy filozofi të përcaktuara shumë qartë, ku asnjëra nga palët nuk mund të akuzojë tjetrën se i ka vjedhur idetë. Shqiptarët janë krejtësisht të lirë në këtë kuadër të bëjnë zgjedhjet e tyre lidhur me politikat që do t’i çojnë drejt Evropës, ndryshe nga ato, që mund t’i degdisin në batak krize, siç ka ndodhur me shumë vende mjaft më të zhvilluara se ne.

Për të gjykuar se cili model mund të jetë më i mirë, aktualisht ndihmon konteksti, jo vetëm ai lokal, por edhe ai i Eurozonës, me të cilën ekonomia kombëtare ka kanale komunikimi më të shumta dhe më të forta, sepse Shqipëria, edhe pse është larg “sëmundjeve” në tregjet evropiane, ka importuar simptoma të saj.

Përgjigje më të mirë, më të saktë dhe më të freskët në këtë debat të fuqishëm politik se ajo që vjen nga samiti i Bashkimit Evropian, i cili u mblodh në fund të javës së kaluar, vështirë se mund të gjendet. Aty, qeveritë evropiane, për hatër të rritjes ekonomike, vendosën të lëshonin pe ndaj deficiteve buxhetore, pasi shqetësimi më i madh për këto vende nuk është deficiti, por recesioni ekonomik që po thellohet dhe rritja e papunësisë.

“Në rast se do të ketë shumë masa të rrepta, atëherë do të ketë shumë papunësi”, – tha Presidenti francez François Hollande në samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel. Dhe Hollande është një socialist e jo konservator. Ai shtoi: “Fleksibiliteti është i nevojshëm, në rast se do të duam që ta kthejmë rritjen në një prioritet”. Thirrje pro rritjes erdhën edhe nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, liderja që ka qenë më e lidhur me masat e rrepta.

Kjo frymë dhe ky aksion evropian për daljen nga kriza bie ndesh me përpjekjet për të zbatuar taksa më të larta, të cilat janë instrumenti më domethënës i një politike shtrënguese. Prandaj, edhe në mjedisin shqiptar, një veprim që tenton të rrisë barrën e biznesit, duke u bërë barrierë për një rritje të punësimit apo kërcenim për zgjerimin ekonomik, do të ishte jo i mirëpritur, pasi ecën kundër rrjedhës. Në kontekstin shqiptar, një rritje e barrës fiskale ndaj biznesit krijon edhe një disavantazh, të cilin biznesi vendas e ka, edhe pa u ndërmarrë ky veprim: konkurrueshmërinë e ulët. Në klasifikimet ndërkombëtare, vendi ynë ende renditet në nivele të ulëta të konkurrueshmërisë dhe një rritje e taksës për biznesin do të ulte më tej këtë tregues, i cli në kushtet kur kërkesa nga jashtë për eksporte, por edhe konsumi i brendshëm kanë rënë ndejshëm, jo vetëm do të përkeqësonin situatën e likuiditetit për sipërmarrjet shqiptare, por do të tentonte për pasojë të ulte rritjen ekonomike.

Rritja e taksave nuk çon ujë në drejtim të Brukselit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency