Vendet vakante në gjykata, opozita kundër procesit. PD: Na intereson integriteti

0
138

Gëzim Saliu

nishaniNishani, konsultim me krerët e grupeve parlamentare: Dërgoni propozimet brenda tri ditëve

 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nisi dje takimet me krerët e partive parlamentare për t’u konsultuar për plotësimin e vendeve vakante që do të krijohen në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Në emër të opozitës, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka bërë të ditur se nëse Presidenti dekreton dy vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese, atëherë ky do të jetë një hap antiligjor dhe antikushtetues, pasi këto dy mandate, sipas tij, përfundojnë në 21 maj 2013. Ndërkohë, Astrit Patozi, kreu i ligjvënëse të selisë blu, ka mirëpritur konsultimet e thirrura nga kryetari i shtetit, duke pohuar se në këtë proces PD është e interesuar për integritetin moral dhe profesional të gjykatësve.

 

Konsultimet

Takimin e parë kreu i shtetit e ka zhvilluar në orën 10:00 në Presidencë me kryetarin e grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, ku ky i fundit ka bërë të ditur se në takim nuk janë propozuar emra për anëtarin e Gjykatës së Lartë, dhe as për Kushtetuesen. “Ne na intereson integriteti moral dhe profesional i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Ne vlerësojmë praktikën që po konsolidon presidenti, duke u konsultuar me forcat politike. Kjo është në funksion të mirëfunksionimit të ndërsjellë të institucioneve”, – tha Patozi. Ndërsa rreth orës 11:00, Presidenti ka pritur në takimin konsultativ kreun e grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, i cili ka theksuar se opozita ka si kriter se si Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese të bëhen të pavarura dhe të luftojnë krimin dhe korrupsionin. Duke e cilësuar si antiligjore kërkesën e Presidentit për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilëve sipas tij i përfundon mandati në muajin maj, Ruçi kujtoi dhe një dekret të presidentit Topi, 8 muaj më parë, për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, dekret i cili nuk është shqyrtuar nga kuvendi. “Kriteret i përcakton kushtetuta, por për ne si opozitë janë dy kritere, si këto organe bëhen të pavarura dhe luftojnë krimin dhe korrupsionin. Ajo që ne shikojmë me shqetësim janë dy elementë, që i paraqitëm Presidentit. E para lidhur me një mandat të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i mëparshëm ka 8 muaj që ka paraqitur një dekret për zëvendësimin e një vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe sot e kësaj dite Parlamenti nuk e shqyrton atë. E dyta, për ne nuk ka vakanca sot për arsyen se Gjykata Kushtetuese dhe parlamenti shqiptar, pavarësisht se ne si opozitë n ë atë kohë nuk kemi qenë dakord, ka konsideruar që këto dy mandate përfundojnë në 21 maj të 2013-ës, për të realizuar rotacionin në Kushtetuese”, – u shpreh Ruçi. Gjithashtu presidenti Nishani u takua dje edhe me kreun e grupit të LSI-së Lefter Koka, me kryetarin e PR-së Fatmir Mediu, me kreun e PBDNJ-it Vangjel Dule dhe me kryetarin e PDIU-së Shpëtim Idrizi, ku u diskutua për kriteret dhe performancën që duhet të kenë anëtarët e rinj të dy institucioneve kushtetuese. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për rëndësinë që ka procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese si dhe nënvizuan faktin se ky proces duhet të jetë i bazuar në Kushtetutë dhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës ftoi subjektet e interesuara të dorëzojnë kërkesat e tyre të shoqëruara me një CV pranë Institucionit të Presidentit të Republikës brenda datës 21 mars 2013.

 

 

Rama me fasonët: Mbështetje ekonomike aktive në vendin e punës

Në kuadër të prezantimit të programit “Për një rilindje kombëtare”, kreu i PS-së, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me biznesin fason në kryeqytet. I shoqëruar nga deputeti Arben Ahmetaj dhe eksponentë të tjerë të selisë rozë, Rama ka dëgjuar nga punonjësit dhe pronarët problematikat që hasin në ekzistencën e biznesit. Nga ana e tij, kryesocialisti ka premtuar se PS do të mbështesë ekonomikisht këtë biznes. “Ngaqë nuk paguajnë të gjithë, ju nuk paguani vetëm taksa, paguani gjoba. Dhe nga gjobat shto dhe të tjerat që nuk i thoni, ai tatimi 10-përqindësh, 20, 30, 40 e 300 për qind. Ideja jonë është që të kalojmë nga ndihma ekonomike pasive, që është lëmoshë dhe që është abuzuar egërsisht politikisht për arsye elektorale tek mbështetja ekonomike aktive në vendin e punës”, – deklaroi Rama. Në këtë kontekst, kreu socialist theksoi se sa i përket punësimit, PS propozon një marrëveshje me këtë sektor biznesi. “Shteti ka nevojë të rrisë punësimin. Ne kemi një program për të rritur punësimin në mënyrë të konsiderueshme. Ju keni interes të zhvilloni sektorin, duke hyrë në një fazë të re të ciklit të mbyllur këtu. Për këtë ju duhet mbështetje financiare dhe kjo mbështetje financiare duhet të jetë e kombinuar midis interesit tonë për të rritur punësimin dhe interesit tuaj për të pasur mbështetje financiare”, – u shpreh kreu i PS-së. Tri janë pikat e programit socialist për biznesin fason, ku përfshihen: “TVSH zero për importin e makineri-pajisje për çdo sipërmarrje; rregulla loje të vlefshme e të barabarta për të gjithë sipërmarrësit dhe mbështetje ekonomike aktive përmes punësimit, jo ndihmë ekonomike si lëmoshë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency