Pse kemi nevojë për rregulla?

0

  Artan FUGA

Loading...

fugaPër t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, më parë kemi nevojë të përgjigjemi se çfarë do të kuptojmë me “rregullarizim”?

Duke e thjeshtëzuar pak çështjen për lexuesin theksojmë se dy janë sot përqasjet moderne për të menaxhuar problemet sociale dhe ekonomike të botës së sotme. Metoda e parë, liberalizuese, është e bazuar te ideja se bota ka një mekanizëm të vetin ekulibrues sikurse është ta zemë tregu dhe nuk ka nevojë që njeriu të vendosë dorën e vet për t’i dhënë drejtim ngjarjeve dhe proceseve sociale.

 

Pretendohet se tregu rregullohet vet.

 

Të lihet bota private e lirë dhe ajo e di vetë sesi i rregullon punët e saj dhe të botës.

Përqasja e dytë është ajo që quhet institucionale ose rregullarizuese, e cila pa prishur iniciativën e lirë private, supozon se njeriu, shoqëria, dhe shteti sidoqoftë duhet të përpunojnë një sërë normash dhe rregullash, institucionesh që ta vendosin iniciativën e lirë brenda një kuadrati disi të kufizuar, sikurse njeriu vendos parmakë te ballkoni për t’a mbrojtur nga ndonjë aksident.

Shoqëri me rregulla, treg me rregulla – përqasje institucionaliste, apo treg krejtësisht privat dhe të lënë të lirë? Ky është debati i sotëm që bëhet kudo në botën e qytetëruar dhe që nuk mund të mos preket edhe në Shqipëri sepse përndryshe do të kemi pasoja të padëshëruara.

 

+++

 

Ndofta edhe si pasojë e krizës së sotme financiare që ka prekur rëndë Europën e sotme perëndimore dhe më gjerë, po vihet re se politikanë të ndryshëm, instanca publike, studiues, lëvizje sociale etj., po kërkojnë me forcë e theks të veçantë që liberalizimin ekstrem të disa viteve më parë ta moderojnë dhe kufizojnë disi, t’i japin më shumë ngjyra rregullarizuese sepse bota private në shumë raste del jashtë kontrolli dhe ka prodhuar ekzagjerime që nuk kanë të bëjnë më respektin e racionalitetit social, ka rritur dallimet mes të pasurve dhe të varfërve, dhe mbi të gjitha ka dëmtuar edhe vetë botën e kapitalit.

Faktet janë të shumtë dhe nga fusha të ndryshme.

 

+

 

Më së pari nga vetë jeta politike. Brenda institucioneve të Bashkimit Europian po ndihet nevoja për reforma politike dhe administrative pikërisht duke vendosur rregulla dhe norma rregullarizuese për partitë politike që përfaqësohen në parlamentin europian. Shume politikanë të shquar europianë, me rastin e zgjedhjeve të reja parlamentare europiane, po përgatiten të propozojnë një serë rregullash, të cilat i shtrengojnë partitë politike të zbatojnë rregulla më të forta demokratike.

Partitë janë operatorë demokratikë, por ato nuk mund të veprojnë jashtë disa normave të mirëpërcaktuara sepse përndryshe, si shoqata të shoqërisë civile, edhe ato, si operatorë privatë, mund të shohin thjesht interesat e tyre dhe jo ata të publikut të gjerë.

Ideja është që edhe në një rregjim politik demokratik, partitë politike dhe institucionet parlamentare nuk janë më lart sesa vetë qytetarët dhe opinioni publik. Ato janë në shërbim të këtij të fundit, sepse përndryshe raportet politike në shoqëri kthehen përmbys. Profeti bëhet më i lartë se Zoti që ai u komunikon njerëzve.

Cfarë janë këto propozime që raportohen këto ditë në shtypin perëndimor latin ose anglosakson?

E para, që partitë politike europiane duhet jo vetëm të propozojnë kandidatë për deputetë në parlamentin europian zgjedhësve të kombeve dhe shteteve të tyre, por edhe duhet të tregojnë zyrtarisht se cilët prej këtyre parlamentarëve të ardhshëm, apo se cilët janë propozimet e tyre, për të qenë komisionerë europianë, pra përfaqësues të ekzekutivit të Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, propozohet që po këto partitë politike të deklarojnë para publikut të tyre, zgjedhësve të tyre, se cilat janë aleancat që këto parti do të bëjnë me parti të tjera europiane, ose se në cilat grupime, të djathta ose të majta, ato do të bëjnë pjesë. Nuk mund të marrësh votat e elektoratit duke predikuar një program dhe një lidhje të caktuar politike, një frymëzim të caktuar politik, dhe pastaj pa moral të kalosh në një anë tjetër. Një tjetër kërkesë që pritet të shqyrtohet është që edhe zgjedhjet europiane të kryhen në një ditë në të gjithë shtetet në mënyrë që partitë politike të mos bëjnë lojëra dhe makinacione të paprincipta, në funksion të raportit poltik të forca mes partive të ndryshme.

+++

 

Javët e fundit në shembullin zvicerian, edhe në vende të tjera po theksohet nevoja që edhe administrimi i korporatave private, sado është privat, të mos i ikë nga kontrolli syrit të operatorëve shoqërorë, publikut, forcës publike, e kështu me rradhë.

Ndërmarrja private e shkëputur nga çdo kontroll social ka prirje të ndryshme që të kapërcejë kufijtë e etikës dhe të prodhojë dukuri që janë në kundërshtim me vlerat etikës shoqërore.

Referendumi në Zvicër përfundoi në favor të aprovimit të një ligji sipas të cilit menaxherët e korporatave të mëdha private të mos marrim shpërblime, gjoja për merita të veçanta të tyre, shuma kolosale që shkaktojnë padrejtësi dhe prishin bazat morale të shoqërisë demokratike. Kështu mbrohen jo vetëm qytetarët, por sidomos edhe aksionerët e shoqërive private, të cilët shohin sesi aksionet e tyre shkojnë shpesh në xhepin e drejtuesve dhe menaxherëve ekzekutivë të firmave private.

Për të mos thënë që në Francë, qeveria ka marrë nismën ligjore që pasuritë shumë të mëdha të taksohen deri në masën 75 përqind të fitimit të tyre.

Në Angli, është forca konservatore politike që nuk mungon të shohë me sy kritik idenë se bota private mund të funksionojë pa norma morale dhe etike të rregulluara në mënyrë institucionale.

Ideja se tregu e prodhon vetë të mirën etike është e kapërcyer tashmë disa herë nga historia e shkuar edhe ajo e sotme.

Sigurisht ndërmarrja private do të menaxhohet në një treg të lirë, sipas interesave private, por gjithmonë duke respektuar disa norma dhe rregulla. Nuk është fjala që shoqëria apo shteti të vendosë rrogat dhe shpërndarjen e fitimit në korporatat private. Larg kësaj ideje. Por, kërkohet, edhe nga shumë politikanë të djathtë, që forca ligjore të mos lejojë rrogat marramendëse të menaxherëve privatë, të pronarëve privatë, çka do të sillte një abuzim me etikën dhe çekuilibrime sociale të mëdha.

 

+++

 

Bota e financës po ndodhet që nga Shtetet e Bashkuara deri në Europën Perëndimore nën valën e hetimeve nga ana e autoriteteve publike të drejtësisë si edhe në kritikat e opinionit publik dhe të politikanë të majtë ose të djathtë.

Në disa vende po kërkohet që kapitali bankar të ndajë mirë pjesën që vjen nga kursimet e qytetarëve nga pjesa që luhet në bursë. Ndërsa pjesa e dytë është burim fitimesh por edhe shkak rrisqesh të mëdha për të humbur, pjesa e kursimeve bankare nga ana e qytetarëve nuk ka asnjë arësye të rrezikohet nga loja në bursë. Ajo duhet të jetë e mbrojtur si një burim financiar qytetar që i është dhënë bankës për administrim.

Anglia prej vitesh po ushtron kontrolle të forta për të vendosur rregulla ndaj tregjeve bankare dhe bankave. Liria bankare pa kufi solli edhe një sërë skandalesh që u shoqëruan me humbje të mëdha që preken në rradhë të parë qytetarin e thjeshtë dhe ekonominë kombëtare në përgjithësi: Operatorë që nxirrnin fitimet me drogë dhe pastaj zhdukeshin, spekulime financiare të paprincipta, praktika ilegale nga ana e “trader-ve”, që kanë në dorë shuma kolosale parash.

 

+++

 

Edhe bota e ekonomisë virtuale, pra e operatorëve të ndryshëm të Internetit po vendoset para nevojës për rregullime sociale. Në disa vende të Europës po bëhen debate të fuqishme nëse qarkullimi i informacionit në Internet duhet të jetë sipas parimeve të neutralitetit, pra të mosndërhyrjes në përmbajtjet e mesazheve, apo duhet të ndalojë fyerjen dhe shpifjen, si edhe gjuhën e dhunës në komunikim. Ideja është që duke mbetur e lirë, kjo shprehje e ideve dhe e mesazheve duhet të respektojë medoemos disa parime etike.

Mjaft vende europiane po u kërkojnë operatorëve të ndryshëm dhe shpërndarësve të rrjeteve të informimit të paguajnë taksa përderisa kanë fitime në ekonomitë përkatëse.

Ditët e fundit qeveria franceze përshembull kërkon të drejtën e saj që Skype të konsiderohet si një operator telefonie, pra të paguajë taksa mbi fitimet, përderisa e krijon këtë shërbim. Përndryshe dëmtohen operatorët telefonikë klasikë.

 

+++

 

Këto janë disa zhvillime të reja që vijnë si nga nevoja e përballimit të krizës aktuale, ashtu edhe nga nevoja për thellim të demokratizimit, për një publik më pjesëmarrës në menaxhimin e prirjeve shoqërore në politikë, shtet, ekonomi, kulturë, etj.

Koha kur gjithçka duhej lënë në dorë të lirë të privatit, pa rregulla dhe norma të forta sociale, etike, etj, ka kaluar.

Përndryshe privati sikurse është në gjendje të na japë produkte të shkëlqyera të punës së punonjësve të vet, mund të na prodhojë e shesë edhe qumësht të prishur, edhe të na ndosë mjedisin, edhe të rrjepë paratë e aksionerëve dhe kursimet e qytetarëve, edhe të korruptojë punonjës publikë, edhe të na mbushë tregun me diploma pa vlerë, edhe të na çojë çmimet në stratosferë, etj.

Loading...