Mallkimi i grave

0
175

Viktor Canosinaj

mallkimiFragment nga romani “Mallkimi grave”, rikthim në epikën narrative, si burim që tenton të zhveshë arketipin nga gjendje mentale

 

21.

Kur në gardhion mbërriti haberi nga hani i Valarasë se mbi burrat e mi qe bërë një kasaphanë e padëgjuar në rrëfimet e vjetra e të ra, graria vuri kujën sa u tundën muret e çatisë; shumë nga vajzat u mbytën nëpër hauze e sterna, disa prej grave i vunë fëmijët e vegjël në gjumë me afjon dhe u zunë frymën me jastëkë që të mos i merrnin e t’i shisnin si skllevër. Shziment Vrahori u çoi haber grave të parisë e të vegjëlisë të mblidheshin në sarajin e saj dhe të bëheshin hazër të luftonin. Nuk qenë pak gardhiotet që rrëmbyen armët e burrave dhe ia mbërritën në oborrin e madh të Vrahorëve.

Llumi i fshatrave rrotull, kusarë grykash e shtigjesh të humbura, grabitës bagëtish e vjedhës të çdo lloji, armiq të vjetër të gardhiotëve; një hordhi e tërë horrash të mbërritur me thika ndër dhëmbë nga Janina, që po prisnin fshehur si ato egërsirat e malit para se të bien luginave, mësynë në trojet e mia dhe u vërsulën mbi shtëpitë e pambrojtura; filluan të plaçkisnin e të bënin dhunë mbi gratë e vajzat që nuk arritën dot të fshiheshin, shtruan darkë bishash, hëngrën si të babëzitur, punë sa u frynë dhe u zdërhallën deri afër sabahut. Një pjesë, të trembur nga ushtarët e Ali pashës, sepse kishin plaçkitur pa izrën e tij, u larguan nëpër mugëtirë duke marrë me vete bagëti, kuaj e mushka ngarkuar me plaçkë; duke tërhequr për litari qetë e parmendës; me sëndukë, thasë e torba mbushur me mall të çdo lloji hedhur në kurriz. Por shumë të tjerë i zuri gjumi aty. Të shkalluara nga llahtarat që kishin parë, plakat morën thika e hanxharë dhe therën në gjumë sa mundën; ashtu të larë në gjak, me hundë e veshë të prerë, i nxorën sokakëve t’i shikonin shokët e tyre, që nuk ia kishin mbërritur ende nga krahinat e largëta. I lanë pa varrosur.

Deri në të zbardhur askush nuk guxoi t’i kapërcente moret e larta të sarajit të Vrahorëve; dy çeta kusarësh u përpoqën të hynin brenda, por gratë i dëbuan. Sabah-sabah, kur Thanas Vaja mbërriti bashkë me trimat e tij për të penguar plaçkitjen dhe vjedhjen e floririt e sermit, mall për të cilin të zotin nuk e zinte gjumi, rrëmbimin e gjëse së gjallë dhe orendive të çmuara, Gardhioni ishte bërë përshesh. Gratë dhe fëmijët dridheshin; frikeshin se do t’i mblidhnin njëlloj si burrat e do t’i nisnin poshtë, drejt Libohovës; Shaniko Tepelena u kishte çuar fjalë Shaziment Vrahorit dhe disa prej grave të tjera të parisë se po i priste.

Thanas Vaja kërkoi të fliste me luaneshën e Vrahorëve, por ajo iu përgjigj që nga frëngjia ku kishte zënë vend se i dhiste mu në mustaqe e mu në kryqin e tij.

-Burra të përgërë paska mbajtur ky dhe!- thirri- Bëni trimëri me gra e fëmijë, vidhni plaçkë, vini nga larg të na shqyeni dhe harroni se nesër a pasnesër do t’jua bëjnë juve këto kobe. Si nuk erdhi një çetë të na mbronte e shpëtonte! Race e dhjerë paskeni qenë që nga Tepelena deri në Janinë!

-Zakonet dhe kaninin e dhjetë ju, hahëm,- ia ktheu Vaja.- Apo i ke harruar të ndodhurat e shkuara të tët shoqi? Tani Shaniko Tepelena po pret mbesat e tua.

– Hajde e merri, o racë e zagarit! Sa herë e kë shpënë tët shoqe te Alia? Ia ka ngjitur frëngjyzën ai i fëlliquri? Pse nuk flet, o paloburrë? Dil në shesh të të shoh!

Vëndi rrotull binte era barut nga të shtënat e natës dhe Thanas Vaja nuk pati burrërinë t’i dilte Shaziment Vrahorit përballë; ua la sarajin e saj çetave të kusarëve që prisnin rrotull; e dinte mirë se vetëm ai llum mund të luftonte kundër grave, mjaft që të kishte dorë të lirë të bënte plaçkë nëpër qilarë, ku kishte mall të ardhur që nga Persia, Bagdati dhe dovletet e Frankistanit.

Kështunë, lapërdharët shpërthyen portën e rëndë, ku mund të hynin dy qerre njëherësh dhe u vërsulën brenda. Rrasat e oborrit u lanë në gjak, pastaj shkallët, hajati dhe mesoritë e brendshme.

E bënë beli fisniket e mia! Luftuan burrërisht! Shaziment Vrahori u jepte kumanda dhe zemër të mos trembeshin; Lejla hanëmja e Saleh Beut, veshur me fustanin e Frankistanit, me llërë e gjoks zbuluar, me flokët lëshuar si krifë luaneshe, kur mbeti me pisqollën e fundit të mbushur, e vuri atë nën mjekër dhe pasi e shkrepi, ra në kurriz. Burrat u mekën; harruian pse kishin ardhur aty; njëri prej tyre i shqeu fustanin për t’i parë cicat e bardha. Aisheja e Jehtullah bej Mavrovës u doli lapërdharëve përballë me jatagan në dorë, duke u sharë gratë e motrat; Zymbyleja e Sabah bej Vetëtimës ia shkuli njërit prej tyre gurmazin me thonj; Nergis Kuçuku, turkesha e Gorkan beut, u hodh nga një penxhere e sarajit në mes të burrave me një torbë të ndezur me barut dhe u copëtua bashkëme disa prej tyre poshtë në oborr; Mesude Begonja, e shoqja e Luto agait, u rrokullis bashkë me njërin prej kusarëve nëpër shkallë; ai u mat t’i bënte dhunë para se ta vriste, por ajo nxori një thikë të fshehur në brezin e çitjanëve dhe ia nguli mu në atletet e burrit duke e lënë të vdekur me turp.

Në fund, kur nuk mundën ta përballnin dot furinë e asaj lukunije zabërhanesh, ato që kishin mbetur gjallë, bënë atë që nuk patën zemër ta bënin burrat e tyre: u mblodhën të gjitha rreth Shaziment Vrahorit, e cila i vuri zjarrin një voze baruti dhe pas shpërthimit flakët e përpinë sarajin nga fundi në krye.

Nuk u pa grua apo fëmijë e gjallë të dilte jashtë, kurse gjysma e kusarëve që kishin hyrë brenda mbeti nën rrënoja.

Kështu u mbyll me atë luftë grarishte zulma e gjatë e gardhiotëve t ëmi nëpër breza, u tret barku i Vrahorëve dhe i shumë dyerve të tjera të parisë.

Ndërsa zjarri i sarajit ngrihej përpjetë, Thanas Vaja qëndronte kokëulur në sheshin para Xhamisë së Madhe, ku po mblidheshin gratë, vazjat dhe fëmijët që kishin mbetur gjallë. “Racë e shtuar gardhiotët,- mendoi- Tepëruan plot edhe për Shaniko hanëmen”

Të qarat dhe ulërimat nuk pushonin; gjyshet fshihnin nën ferexhe fëmijët, nënat mundoheshin të mbronin vajzat.

-Mos qani këtu, po në Libohovë!- u foli Vaja vrazhdë. – Atje i keni hesapet për të larë.

Me kumandën e tij, mes vikamave të grave që çirrnin fytyrën e shkulnin flokët, fëmijët i ndanë mënjëanë;mbushën disa qerre me ta dhe i nisën për në Janinë; ikën të vegjëlit e mi pa e marrë dot vesh atë mënxyrë që ndodhi, humbën jetën e lirë të zogjve të malit për një faj të vjetër të gjyshërve e stërgjyshërve; nënat nuk i panë më sa qe jeta, asnjëra palë nuk u kthye në truallin tim të mbetur shkretë.

Pas ikjes së fëmijëve një përrua i përzishëm grash të turpëruara për jetë morën udhën e Libohovës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency