Hoakim Lëv: Nuk kemi pse të luajmë me Kazakistanin dhe Faroet

0
134

 Përgatiti Altin Vorpsi

Hoakim Lëv

Komisari teknik i Gjermanisë, në një intervistë për “Kicker”, ka propozuar edhe një herë që përfaqësueset e mëdha nuk duhet të luajnë eliminatoret me skuadrat e dobëta

 

Komisari teknik i kombëtares gjermane, “Jogi” Lëv, ka propozuar edhe një herë që të organizohen paraeliminatore me skuadrat më të dobëta përpara kualifikueseve të Botërorit dhe Evropianit. “Lista e ndeshjeve është shumë e ngjeshur, ndaj duhet riparë. Ne duhet të diskutojmë nëse ka kuptim që një kombëtare e madhe ia vlen të luajë dy ndeshje kundër Kazakistanit, Andorrës, San Marinos apo Ishujve Faroe. Personalisht do të më pëlqente vendosja e një raundi kualifikues paraeliminator për të gjitha skuadrat modeste”, – kërkoi Jogi gjatë një interviste për “Kikcker”.

 

Ndeshje pa vlera

“Pancerat” do të udhëtojnë drejt Azisë Qendrore për t’u përballur me Kazakistanin, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2014 këtë të premte. Kombëtarja kazake pozicionohet e 139-ta në renditjen e FIFA-s. 4 ditë më vonë Gjermania do të ndeshet me Ishujt Faroe, e 153-ta në renditje. Lidhur me rezultatin që 53-vjeçari pret nga dy sfidat e radhës së kombëtares së tij, ai kërkon 6 pikët, ndërsa lidhur me formacionin bëri edhe disa konfirmime: “Manuel Nojeri mbetet numri 1 i portës dhe do të jetë titullar kundër Kazakistanit. Rene Adler bëri një paraqitje kampioni në miqësoren me Francën dhe është pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre, ndërsa Robert Ciler është favorit ndaj Ter Shtegenit”.

 

Boa për Humelsin

Lidhur me alternativat në mbrojtje, tekniku pohoi se do të bëjë ndryshime, i detyruar nga mungesa e Mats Humelsit. Ai nënvizoi se u beson shumë cilësive të Zherom Boatengut: “Mbrojtësi i Bajernit është i shpejtë, i fortë në luftën në ajër, ndërhyn pastër dhe e qarkullon topin me cilësi. Nëse Boa ruan përqendrimin, ai mund të luajë shumë mirë si qendërmbrojtës”. Por Lëv theksoi se ai ka një tjetër opsion në repartin e prapavijës. Bëhet fjalë për kapitenin e Shalkes, Benedikt Hëvedez. Edhe pse 25-vjeçari nuk ka startuar asnjëherë si qendërmbrojtës me kombëtaren, ai ka besimin e teknikut: “Është një lojtar me cilësi, por ndonjëherë nënvlerësohet. Megjithatë ai është konstant dhe ka luajtur gjithnjë shumë mirë”. Në fund Lëv foli edhe për injorimin e Stefan Kislingut, duke mos e grumbulluar sërish. Ai tha se golashënuesi më i mirë i Bundesligës, me 16 gola në 26 ndeshje, i ka dyert e hapura në të ardhmen, por la të kuptohej se zgjedhjet e tij të para ishin Gomez dhe Klose. Këta të fundit i konfirmoi si dy sulmuesit me të cilët Gjermania do të udhëtojë drejt Rios vitin tjetër: “Nëse janë në top formë, atëherë ata janë të padiskutueshëm”.

 

Edhe “Kajzeri” propozoi të njëjtën gjë që në vitet ‘80

Një ide për organizimin e paraeliminatoreve kualifikuese mes kombëtareve më të dobëta të kontinentit nuk është një risi e Hoakim Lëvit. Media gjermane shkruante një ditë më parë se një propozim i tillë është bërë që nga Franc Bekenbaueri në vitet 1980. “Suddeutsche Zeitung” përmendte “Kajzerin” si trajner të kombëtares, i cili ankohej për udhëtimet e gjata dhe të lodhshme drejt Shqipërisë dhe Maltës asokohe. Legjenda i quante këto transferta super të lodhshme për skuadrën e tij dhe të panevojshme. Edhe zëvendëspresidenti i Bajernit të Mynihut, Karl-Hajnc Rumenige, është një mbështetës i fortë i kësaj ideje, sepse udhëtimet e gjata ndikojnë në lodhjen e yjeve të Bundesligës. 5 orët diferencë të Berlinit me Astanën, por edhe me Ishujt Faroe e bëjnë të lodhshme aventurën e një kombëtareje.

 

 

Francë – Spanjë

Deshamp: Me iberikët nuk luajmë një finale

Kombëtarja franceze po përgatitet për ndeshjen kundër Gjeorgjisë të premten, ndërsa katër ditë më vonë do të luajë ndaj Spanjës. Ndërkohë, trajneri Didië Deshamp përpiqet që ta zhdramatizojë në maksimum sfidën kundër Spanjës, e vlefshme për vendin e parë në grupin I: “Duhet ta fitojmë me çdo kusht ndeshjen e parë kundër Gjeorgjisë. Personalisht kam besim të plotë tek aftësitë teknike të Karim Benzemasë, i cili gjatë kësaj sfide mund të luajë titullar”. Deshamp është i vetëdijshëm se Kombëtarja franceze nuk e ka të lehtë kundër spanjollëve: “Ndeshja kundër Spanjës nuk është një finale, por ne do ta luajmë sikur të jetë e tillë. Nuk do të jetë fundi i botës edhe nëse nuk fitojmë. Unë i kam idetë e qarta për këtë sfidë dhe nuk kam ndër mend të bëj ndryshime të mëdha. Megjithatë e kam gati një plan B për këtë sfidë”, – ka përfunduar trajneri i francezëve, Didië Deshamp.

 

Miqësorja

Brazili humb Lukasin dhe Paulinjon

Komisari teknik i kombëtares braziliane, Luis Felipe Skolari, bëri të ditur listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet miqësore, të skuadrës pentakampeao, ndaj Italisë dhe Rusisë. Në listën e shpallur nga “Felipao” bie në sy grumbullimi për të dytën herë i Rikardo Kakasë. Të njëjtin “fat” nuk pati Ronaldinjo që ka mbetur jashtë “seleçaos”. Në mbrojtje rikthehet lojtari i Realit të Madridit, Marcelo, ndërsa janë thirrur dhe Luis i Atletiko së Madridit, Dante i Bayernit, Dani Alvesh i Barcelonës, David Luiz i Çelsit, Tiago Silva i PSG dhe Dede i Vasko de Gamës. Ndërkohë që në mesfushë bie në sy dhe prezenca e mesfushori Zhan të Fluminenses, Fernandos së Gremios dhe rikthimi i Hernanes i Lacios, ndërsa mungojnë për shkaqe dëmtimi Paulinjo dhe Lukas Moura. Në sulm ndërkohë ndër të përzgjedhurit bie në sy prezenca e Diego Kostës i Atletikos së Madridit, që e ka grumbullimin e parë, ndërsa nuk mungojnë Nejmar, Hulk dhe Fred i Fluminenses.

 

Risia

Italia ndryshon “look”

Tekniku i kombëtares italiane të futbollit, Çezare Prandeli, mesfushori Andrea Pirlo dhe portieri Xhianluixhi Bufon prezantuan fanellën e re të kombëtares italiane të sigluar nga Puma, e me të cilën ata do të paraqiten në Kupën e Konfederatave Brazil 2013. Mbrojtësi ekstrem i Juventusit që njëkohësisht është edhe kapiten i kombëtares “axurre” tha: “Fanella e portierit ngjason shumë me atë të vjetrën dhe më pëlqen shumë. Kupa e Konfederatave është një kompeticion që i ndihmon shumë skuadrat të zhvillohen”. Ndërkohë, Andrea Pirlo tregoi e shpreson që ta përfaqësojë “këtë fanellë në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të jetë një sfidë e luftuar ajo me Brazilin”.

 

Vendimi

Ferdinand braktis “tre luanët”

Rio Ferdinand, mbrojtësi i Mançester Junajtid, ka vendosur të refuzojë grumbullimin me përfaqësuesen angleze për ndeshjet kundër San Marinos dhe Malit të Zi, pasi ka frikë se mos dëmtohet dhe humb pjesën tjetër të sezonit. Pas 3 ditësh dyshime, është zbuluar se lojtari ia ka komunikuar vetë trajnerit Hodgson vendimin që ka marrë, duke e lënë këtë të fundit “në pikë të hallit”, për shkak të dëmtimeve të vazhdueshme që kanë pësuar lojtarët e prapavijës së kësaj përfaqësueseje. Ferdinand është takuar me Hodgson në Londër, ndërsa i ka thënë trajnerit se specialistët që aktualisht po merren me riaftësimin e dëmtimit të tij të përhershëm në shpinë, e kanë paralajmëruar se po të shkëputej nga rutina e përditshme për 1 javë e gjysmë, për të shkuar në kombëtare, atëherë rrezikonte vazhdimin e sezonit me klubin. “Ishte e rëndësishme për mua që të flisja ballë për ballë me Roi dhe të shpjegoja situatën. Desha të bëj të qartë se pasioni dhe përkushtimi im për të përfaqësuar vendin tim është më i fortë se kurrë. Është pak zhgënjyese që nuk mund të luaj rolin tim në ndeshjet e ardhshme, por i thashë trajnerit se dua të jem në gatishmëri për Anglinë dhe se dua të punoj me të në të ardhmen”, ishin fjalët e Ferdinand.

Në vend të futbollistit të Mançester Junajtid, Hodgson ka grumbulluar Stivën Kaulker të Totenhem dhe Xholeon Leskot të Mançester Sitit, duke parë edhe dëmtimin e Majkëll Douson dhe gjendjen e Geri Kahill, i cili mund të detyrohet të mos luajë po për shkak dëmtimi.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency