Krijimi i Bashkësisë së Komunave të Veriut dhe pasojat e zgjidhjes me probleme

0
156

Enver Bytyçi

 

parlamenty

U deshën gati 14 vjet që Kosova dhe Serbia të lodhen me veriun e Mitrovicës e më pas të vijnë te padurimi për zgjidhjen e krizës në këtë vend. Më së shumti europianët punuan që me injeksione të vazhdueshme rreth asaj që quhet “Proces i integrimit në BE”, t´i nxisë palët drejt një zgjidhjeje të integruar, e cila kënaq edhe Beogradin, edhe Prishtinën. Kënaqësia që të dy kryeqytetet ballkanike ndjejnë ka të bëjë me atë që quhet “Çlirimi i ndërsjelltë nga njëri-tjetri”. Kosova ka kërkuar e luftuar që prej një shekulli të çlirohej prej Serbisë dhe Serbia, së paku prej disa vitesh luhatet midis mitit të Kosovës dhe çlirimit prej saj. Po a do të çojë një marrëveshje e mundëshme në çlirimin e palvë nga paranoja e konfliktit kundër njëri-tjetrit?!

Një marrëveshje që mund të nënshkruhet të mërkurën e ardhshme apo me datën 28 mars, kjo s´ka rëndësi, besohet së do të çojë në normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Kosovë dhe do t´i hapë rrugë një epoke të re në marrëdhëniet midis tyre e atyre rajonale. Në të vërtetë Mitrovica nuk ka mbajtur dhe nuk mban peng vetëm marrëdhëniet e boshtit Beograd-Prishtinë. Ajo ka bllokuar dhe acaruar shumë konflikte me sfond etnik në rajonin e Ballkanit Perendimor, pasi palët në këtë konflikt inspirohen dhe gjejnë një mundësi më shumë për të rezistuar dhe për t´u rikthyer në “fushëbetejën” e papërfunduar.

Marrëveshja që dy kryeministrat e të dy vendeve do të nënshkruajnë duket se do të aplikojë modelin gjerman të fillimit të viteve 70 të pranimit nga ana e Gjermanisë Perendimore të Gjermanisë Lindore. Deri atë kohë gjermano-perendimorët nuk e njohnin shtetin lindor të Gjermanisë, me arsyetimin se nuk kishte dy, por vetëm një Gjermani, çka u realizua më 3 tetor të vitit 1990. Po çfarë ishte në fakt marrëveshja e 21 dhjetorit 1972, e cila u firmos në Berlinin Lindor ndërmjet kancelarit gjerman, Willy Brandt dhe shefit të shtetit të Gjermanisë Lindore, Erick Honnecker? Deri në këtë kohë ndarja konsiderohej arbirtrare, e padrejtë dhe fiktive. Për këtë shkak grindjet e gjermano-perendimore shtriheshin më gjerë, deri te mosnjohja e disa vendeve të kampit socialist. Willy Brandt, me ardhjen e tij në pushtet (1969) solli vizionin e tij për një politikë të re ndaj Bllokut Lindor. Doktrina e tij u zhvillua përmes filozofisë së zgjidhjes së problemeve me bisedime. Deviza e tij ishte “Paqja nuk është gjithçka, por pa paqe nuk ka asgjë”. Më parë se të normalizohej marrëdhënia midis dy Gjermanive, kancelari i RFGJ nënshkroi marrëveshje të normalizimit të marrëdhënieve me Poloninë, Bashkimin Sovjetik etj.

Pjesë e kësaj doktrine dhe filozofie ishte normalizimi i marrëdhënieve me Gjermaninë Lindore, e cila për shkak të refuzimit gjermano-perendimor nuk ishte bërë ende anëtare e OKB-së. Me nënshkrimin e marrëveshjes së dhjetorit 1972 u krijua një etapë e re në marrëdhëniet midis të dy vendeve. U vendosën marrëdhëniet diplomatike, RDGJ u pranua në OKB, ajo u njoh nga të gjitha vendet e botës, u përmirësuan dhe zhvilluan të gjitha marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, përfshirë ato mbi kufirin, tregëtinë, etj. Normalizimi i këtyre marrëdhënieve u përshendet asokohe nga komuniteti ndërkombëtar dhe çtensionoi situatën e brishtë jo vetëm midis dy Gjermanive, por edhe midis dy blloqeve politiko-ushtarake më të fuqishme të globit, përkatësisht NATO-s dhe Traktatit të Varshavës.

Bashkimi Europian dhe Baronesha Ashton kërkojnë që të arrijnë të njëjtin objektiv në rastin e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës. Si shefe e Diplomacisë Europiane dhe ndërmjetësuese e bisedimeve Prishtinë-Beograd, Ashton javën e kaluar vizitoi të dy këto kryeqytete dhe në përfundim të kësaj vizite ajo ka lëvduar kryeministrat Thaçi e Daçi, duke u shprehur se ata “është e mundur të arrijnë marrëveshje”. Ajo është optimiste se pajtimi midis Serbisë dhe Kosovës do të arrihet shpejt. Serbia e ka kushtëzuar pajtimin e saj me një status special për serbët në veri të Mitrovicës. Ajo kërkon që të krijohet Bashkësia e Komunave me shumicë serbe, e cila të ketë pushtet të mjaftueshëm legjislativ e ekzekutiv, sa të shpërfillë kushtetutën e Kosovës, institucionet e saj dhe sovranitetin e qeverisë së Prishtinës në veri të vendit. Ndërsa një draft i BE-së ka ndryshuar emrin nga “Bashkësi e Komunave të Kosovës” në “Rajoni Europian i Serbëve të Kosovës” dhe Prishtina e quan Asocasion të Komunave Serbe në Kosovë. Duket qartë se më shumë i jepet rëndësi emërtimit, sesa përmbajtjes dhe kompetencave të kësaj bashkësie.

Por kryeministri Hashim Thaçi e kundërshton vazhdimisht këtë projekt të Serbisë. Ndërkaq në veri të Mitrovicës, serbët kundërshtojnë çdo lidhje të këtij rajoni me institucionet e Prishtinës. E pakta ata kërkojnë një status, çfarë e kishte Kosova me Kushtetutën e Vitit 1974, pra një autonomi të plotë në pikëpamje administrative dhe pavarësi nga Prishtina, duke pranuar vetëm autoritetin e shtetit të Kosovës në fushën e politikës së jashtme e të mbrojtjes. Eshtë e tepërt të bëhen krahasime midis Kosovës dhe tri komunave në veri të Mitrovicës, të cilat kërkojnë statusin e autonomisë së vitit 1974. Por mbi gjithçka synimi është që serbët në veri të kenë të drejtën e vetos, madje dhe gjykatë, me të cilën të përjashtohej autoriteti i Gjykatës Supreme e të prokurorisë së Përgjithshme të Kosovës.

Natyrisht që kaq shumë nuk do të lëshojë Prishtina. Por serbët e kanë në stilin e tyre të sjelljes politike e diplomatike, që përmes kërkesave maksimaliste të arrijnë të imponohen në thelbin e kërkesave të tyre. Prandaj dhe dalja nga kornizat e Planit të Ahtisaarit dhe të Kushtetutës së Kosovës është një precedent i rrezikshëm, për të ardhmen e të gjithë rajonit. Shefja e Shërbimit Amerikan Diplomatik në Prishtinë ka kërkuar që asnjë marrëveshje të mos kontestojë Planin e Ahtisaarit, i cili jep mjaft hapësirë për zgjidhjen e konfliktit dhe garanton të gjitha të drejtat e serbëve në Kosovë. Ndërkohë kryeministri Daçiç “fajëson” SHBA-të, të cilat, sipas tij, “Nuk lejojnë Prishtinën të bëjë lëshime përtej Planit të Ahtisaarit”. Nuk e di nëse vendet europiane dhe Baronesha Ashton është e gatshme të bëjë presion për ta shkelë vijën e kuqe të këtij plani, por mediat perendimore kanë cituar burime diplomatike të Brukselit, të cilat pohojnë se “Bashkësia e Komunave Serbe” do të ketë disa kompetenca përtej Kushtetutës ahtisaariane të Kosovës. Sipas gazetës austriake “Standard”,  “Marrëveshja për normalizimin e Marrëdhënieve duhet që në mënyrë ideale të parashikojë që Prishtina do të jetë dakort me krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë”. Dy ditë më vonë ky emërtim është zevendësuar më gjetken “Rajon Europian i Serbeve”!!! Kjo bashkësi mund të ketë në lidhjen e saj vetëm komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, ose të gjitha komunat e Kosovës, gjithashtu me shumicë serbe, gjë që mbetet e hapur dhe në vullnetin e këtyre komunave.

Diplomati europian shprehet se Bashkësia e Komunave Serbe do të ketë parlamentin e saj si dhe drejtimin e policisë e të sistemit e të drejtësisë. Ndërsa sa i përket kompetencave ekzekutive, ai mendon se kjo do të ndodh, nëse Prishtina do t´i pranojë edhe këto lloj kompetencash. Por në analizën e kësaj performance mund të shkohet te përfundimi se asnjë rajon në botë, i cili ka e do të kishte një parlament, pra një legjislativ, me të cilin nxjerr ligje ose merr vendime, nuk mund të funksionojë pa kompetencat ekzekutive. Ndërkaq kompetencat ekzekutive janë të parapara për komunat nga ana e vetë Kushtetutës së Kosovës dhe do të ishte pa kurrëfarë dobie refuzimi i kompetencave ekzekutive, kur në anën tjetër pranohet krijimi i një parlamenti autonom. Eshte kretj logjike, se nëse pranohet të krijohet një parlament panserb i Kosovës, atëherë, ai do të ketë domozdo të drejtën e vetos ndaj institucioneve të Kosovës, e, de facto jo ndaj institucioneve të Serbisë, së paku sa i përket rregullimit të jetës së kësaj Bashkësie. Prishtina nuk do të guxonte në asnjë rrethanë revokimin e kësaj të drejte, sepse do të jepte një shkas që serbët e veruit “të shpallnin autonomi ose pavarësi të plotë” nga pjesa tjetër e territorit të Kosovës. Kështu që një deklaratë e zonjës Lunaçek se “Kosova nuk do të jetë kurrë më pjesë e Serbisë” duket pak si e paargumentuar, poqe se zgjidhja do të njohë të drejtën e kompetencave legjislative autonome për veriun e Kosovës, pasi nëse jo territorit nën Ibër, pjesës veriore i krijohet shansi që një ditë të bëhet pjesë e Serbisë.

Ndërkaq Beogradit, gjithnjë sipas diplomatit europian, do t´i kërkohet që në këmbim të kësaj zgjidhjeje të tërheqë nga Kosova forcat e saj të sigurisë e të shërbimit të fshehtë, të shuajë institucionet paralele, nëpërmjet legjitimimit të tyre përmes zgjedhjeve lokale dhe të pranojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë dhe OKB-në e OSBE-në. Në këtë kuadër Beogradi e Prishtina do të jenë të detyruar të këmbejnë ambasadorët e tyre, por, ashtu si në rastin e Gjermanisë Perendimore, Serbia nuk do të jetë e detyruar ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Ndërkaq doganat në veri do t´i dorëzojnë të ardhurat e tyre në llogari të veçantë dhe jo në buxhetin e Kosovës, fond i cili do të shkojë për zhvillimin e këtij territori. Kjo llogari e veçantë thuhet se do të kontrollohet edhe nga Prishtina, edhe nga Beogradi, pasi të dy dognat do të derdhin fondin në këtë llogari, por praktikisht janë të njohura tashmë manovrat e Serbisë për fshehjen e të ardhurave dhe përdorimin e tyre me sfond politik.

Në historinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare marrëveshjet politike për zgjidhjjen e konflikteve  janë imponuar, ose ato janë nënshkruar me vullnetin e të dy palëve. Mbas Luftës së Parë Botërore marrëveshjet me Gjermaninë u imponuan nga ana e Konferencës së Versajës dhe kjo praktikë çoi në lindjen e fashizmit dhe katastrofën e Luftës së Dytë Botërore. Kur Mbas Luftës së Dytë Botërore marrëveshjet u nënshkruan me vullnetin e palës gjermane dhe asaj franceze, atëherë filloi një erë e re në historinë e Europës moderne. Po kështu shtetet të cilat lindën përmes marrëveshjeve të vullnetit të mirë pas rënies së Murit të Berlinit, duket qartazi se kanë një përparim të pandërprerë në fushën e demokracisë dhe të zhvillimit politik e ekonomik. Ndërsa shtetet, të cilat lindën përmes konfliktit, siç është dhe rasti i Kosovës, ose Bosnjë-Hercegocinës. vijojnë ende të përjetojnë kriza të njëpasnjëshme. Kjo do të thotë se marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit për veriun e Mitrovicës nuk duhet imponuar. Kjo do të thotë se Prishtina nuk ka pse t´i lutet Beogradit, përkundrazi është Beogradi, ai që duhet t´í bjerë në gjunjë Prishtinës, për shkak të masakrave dhe terrorit që ka ushtruar në Kosovë.

Por kjo nuk ka ndodhur e nuk po ndodh. Prandaj është ardhur tek një pikë zgjidhjeje të imponuar nga ana e Bashkimit Europian. A do ta pranojë Prishtina këtë lloj opcioni imponues. Gjasat janë se kryeministri Thaçi do të pajtohet me zgjidhje problematike për veriun e Kosovës, duke i lënë Kosovës një problem të madh nëpër këmbë, i cili do të prodhojë për shumë dekada konflikte dhe grindje. Nuk është e thënë se një marrëveshje me probleme e me pasoja do të sjellë në Kosovë forcimin e forcave radikale, por kjo nuk do të ndihëmonte në forcimin e shtetit të Kosovës e për pasojë do të kemi radikalizimin e të gjithë shoqërisë. Edhe nëse Kosova do të pranohej në OKB dhe të gjitha organizmat e tjera ndërkombëtare, edhe nëse Serbia do ta njihte shtetin e Kosovës, edhe nëse do të nënshkruhej një marrëveshje e njohjes së kufijve, përsëri dinamiti mbetet brenda kufirit të Kosovës. Serbët e asocuar në një bashkësi më vehte, me legjislativ, polici e sistem gjyqësie më vehte, por edhe me ekzekutiv te vetin, do të vijonin praktikisht të mos pranonin sovranitetin e Prishtinës në veri të Mitrovicës. Veçse këtë radhe jo me barrikada, jo me vrasjen e policëve shqiptarë, por me ushtrimin e kontrollin e të gjithë pushtetit në territorin e tyre, pavarësisht kushtetutës së Kosovës. Një marrëveshje e tillë nuk do ta ndryshojë aspak gjendjen në terren, krahasuar me situatën e sotme. Madje llogaria e buxhetit të komunave të asocuara serbe do të jetë më vehte, me status të paprekshëm nga ana e Prishtinës, ndoshta edhe me praktika dhe tarifa doganore e tatimore të përcaktuara nga parlamenti serb brenda Kosovës.

Një parlament i bashkësisë serbe në Kosovë, do të transferojë parlamentin e Serbisë në këtë vend, sepse aty do të aplikohen të gjitha ligjet serbe, por aspak ligjet e Kosovës. Dhe në të gjitha këto rrethana, konflikti shqiptaro-serb nuk do të gjejë zgjidhje, përkundrazi do të thellohet më tej dhe shqiptarët në këto kushte do të detyrohen t´u drejtohen mjeteve radikale të rezistencës. Grupi Ndërkombëtar i Krizave sheh vazhdimin e konfliktit nëse marrëveshja shqiptaro-serbe del përtej Planit Ahtisaari dhe ky parashikim është krejt real dhe i pashmangshëm. Një marrëveshje me probleme do ta qetësonte Beogradin dhe Serbinë, por do të shkaktonte një reaksion zingjir të të gjithë shqiptarëve në rajon. Më pas nuk do të kenë më vlerë këshillat dhe ultimatumet për “zbythje” nga retorika nacionaliste, sepse nuk do të ishin politikanët ata që do ta kontrollonin situatën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency