Tirana prek fundin, Flamurtari ngre flamurin në kryeqytet

0
142

 Altin Vorpsi

flamurtariTirana kryesoi në pjesën e parë 3-1

Fraksioni i dytë ishte tronditës për vendasit që pësuan plot pesë gola

 

 

Skuadra e Tiranës po luan një nga ato sezone që duhen harruar sa më shpejt. Pasi i dhanë duart Kupës së Shqipërisë (i eliminoi Kukësi në 16-she) Tirana me shumë mundësi doli dje edhe nga objektivi i saj i vogël… vendi i tretë. Ishte Flamurtari që realizoi një rikthim të frikshëm në stadiumin “Selman Stërmasi” teksa fitoi 6-3 përballë bardhebluve.

 

Ndryshimet e Dedes

Tirana e nisi sfidën me Flamurtarin me Klodian Duron dhe Çotën në stol. Dede, i pezulluar për dy ndeshje nga Disiplina, preferoi që pranë Abilaliajt të vinte Pemën në repartin sulmues. Nga ana tjetër Gjoka preferoi që të ndryshonte gardianin e portës, ku Xhelilaj zuri vendin e Koliqit. Hair Zeqiri ishte mungesa e vetme e Flamurtarit në këtë transfertë, pasi është me grip. Gjoka në vend të tij aktivizon Telushin, ndërsa rikthimi i Memellit pas shlyerjes së kartonëve uli në stol Pepën.

 

Kronika

Loja nis e vrullshme nga miqtë, që ushtrojnë presing në mesfushë dhe përmes topit të gjatë tentojnë të shfrytëzojnë galopimet e Memellit. Megjithatë, goli i parë do të dilte në dritë për kryeqytetasit, pas një kombinimi tresh mes Gilman Likës, Ahmatajt dhe Morinës. Shkodrani e pason topin nga goditja e këndit për elbasanlliun, që e godet drejt zonës vlonjate, aty ku Morina me finte e devijon në rrjetë. Vetëm pas pesë minutash do të barazonte Flamurtari me anë të Muzakës, pas krosimin diagonal që merr nga kapiteni i vet, Veliu. Gabim i qendrës së mbrojtjes bardheblu, që lejon topin të shkojë te Muzaka dhe të barazojë shifrat. Si duket kemi të bëjmë me një dëmtim të Dushkut në këtë moment, ndaj zëvendësohet në mënyrë të detyruar nga i riu Shima. Tirana nuk pajtohet me barazimin, ndaj reagon veçanërisht nëpërmjet Gilman Likës, që sjell pështjellim të madh te prapavija kundërshtare. Morina është tejet i lëvizshëm, duke i krijuar hapësira Pemës. Në minutën e 35-të është Taku, ai që godet fort dhe shënon golin e dytë, i ndihmuar edhe nga devijimi i topit nga një mbrojtës vlonjat. Portieri Xhelilaj del “jashtë loje”, i detyruar ta nxjerrë “sferën” për herë të dytë nga porta e tij. Ka kaos në mbrojtjen kuqezi, e cila nuk arrin të merret vesh mes veti, sikurse në minutën e 43-të, kur Gilman Lika ka komoditetin ta stopojë me gjoks pasimin e gjatë nga mesfusha dhe ta godasë me qetësi e zgjuarsi drejt katërkëndorit vlonjat. 45 minutat e para mbyllen me rezultatin 3-1 për bardheblutë, tepër racionalë dhe efikasë në lojën e tyre.

Pjesa e dytë nis keq për vendësit, teksa tregohen mjaft amatorë në mbrojtje. Aty përfiton i sapofuturi në lojë, Pepa, që pasi morri një asist nga prapavija kryeqytetase dhe nuk fal i vetëm përballë Ilion Likës. Ndeshja hapet dhe lufta sportive bëhet më e ashpër. Të dyja skuadrat kërkojnë maksimumin. Gjergji Muzaka bëhet hero për vlonjatët, teksa në minutën e 68-të shënon një eurogol, duke goditur në ecje e sipër nga rreth 30 metra. Topi pushon në trekëndëshin e Ilion Likës, i befasuar dhe pa mundur dot të bëjë dot asgjë. Dopietë e anësorit të talentuar, që rikthen në lojë Flamurtarin e tij. Dopietë bën edhe lushnjari Pepa, që në minutën e 71-të i kalon kuqezinjtë në epërsi. Përmbysje rrokamboleske në favor të miqve në fraksionin e dytë të ndeshjes, nga 3-1 për Tiranën në 45 minutat e para shifrat shkojnë në 4-3 për vlonjatët. Nuk ndalon këtu shpërfytyrimi i 24 herë kampionëve të vendit, sepse shifrat përfundimtare shkojnë në 6-3 për kuqezinjtë, teksa Memelli vulos në minutën e 90-të nga pika e bardhë këtë fitore të çmuar të të tijve. Më heret kishte kompletuar pëllëmbën e miqve shqiptaro-maqedonasi Nijaz Lena. Një disfatë e keqe kjo për bardheblutë që dëgjuan nga shkalët e stadiumit thirrje si “hiqni fanellat, hiqni fanellat”.

 

Parulla dhe polemika

Një parullë e tifozëve të bardhebluve, në të cilën shkruhet “FSHF luaj poker e baste, por me Tiranën mos luaj”, si duket në formë reagimi për vendimet e Disiplinës mbi incidentin e ndodhur me trajnerin Dede në Kavajë, javën e kaluar, është shpalosur në fillim të sfidës nga tifozët vendas. Ndërkohë, vetë tekniku Dede e ndoqi takimin mes tyre. Tekniku në fjalë u kthye në qendër të vëmendjes dje, pasi mendohet se ka zëvendësuar Dushkun dhe Ilion Likën për rendiment të dobët në fushë. Siç dihet, që të dy këta lojtarë janë ata që mbajnë peshën më të madhe të mbrojtjes bardheblu.

 

 

Teuta, e vendosur

Teuta nuk e ka gjetur dot golin në 45 minutat e para, edhe pse ka udhëhequr e komanduar lojën në “Niko Dovana”. Janë treguar pragmatistë dhe të saktë krutanët, që mendojnë të dalin së paku me një pikë nga Durrësi. Sidoqoftë, nuk kalojnë më shumë se 2 minuta nga pjesa e dytë, që “djemtë e detit” ta shohin vetën në epërsi. Për këtë mendon një mbrojtës, Akil Jakupi, që këndoren ta shtyjë përfundimisht në rrjetën kundërshtare. Ky moment përcakton edhe fatin e tërë 90 minutave, që u përshkruan nga sulme e kundërsulme të të dyja palëve, por rezultati mbeti i pandryshuar, 1-0 për formacionin e Maganit. Në këtë sfidë, Teuta ka luajtur me disa mungesa të rëndësishme, si Sheta, Osmani dhe Hodo.

 

Renditja                     Nd.      Pikë

1 Skënderbeu           18        45

2 Teuta                       19        37

3 Flamurtari               19        35

4 Kukësi                    18        30

5 Vllaznia                  18        29

6 Tirana                     19        29

7 Kastrioti                  19        28

8 Laçi                         18        24

9 Bylis                        18        22

10 Besa                     18        20

11 Luftëtari                18        17

12 Shkumbini           18        16

13 Tomori                  18        9

14 Apolonia             18        8

 

Rezultatet

Dje

16.3.2013

TEUTA-KASTRIOTI   1-0

Golat: Jakupi 47′

TIRANA-FLAMURTARI  3-6

Golat: Morina 15′, Taku 35′, G/Lika 43′ / Muzaka 21′, 68′, Pepa 50′, 71′, Lena 83′, Memelli 90′ (pen)

 

Sot

BESA-LUFTËTARI

SHKUMBINI-SKENDERBEU

TOMORI-KUKESI

LAÇCI-VLLAZNIA

BYLIS-APOLONIA

 

 

 

Peshëngritje

Paguhet një pjesë e gjobës, Shqipëria shmang pezullimin

Shqipëria ka shmangur rrezikun e mospjesëmarrjes në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, që do të mbahet nga data 5 deri më 15 prill 2013, pasi ka paguar një pjesë së gjobës prej 50.000 eurosh që i është vënë nga Federata Botërore e Peshëngritjes (IWF) për shkak të 3 rasteve të dopingut të shtangistëve shqiptarë gjatë vitit 2012. Federata Shqiptare e Peshëngritjes (FSHP) ka paguar brenda afatit të vendosur nga IWF-ja, që ishte 16 marsi 2013, një pjesë të gjobës për vitin 2013, duke shmangur kështu pezullimin automatik për sa i përket pjesëmarrjes në veprimtarinë kontinentale të prillit, që do të mbahet në Tiranë muajin e ardhshëm. Një gjë e tillë është konfirmuar nga burime zyrtare të organizmit që qeveris shtangën shqiptare. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Muharrem Berisha, ka konfirmuar kryerjen e kësaj pagese pranë IWF-së, si dhe ka marrë konfirmimin e dritës jeshile që organizmi botëror i ka dhënë pjesëmarrjes së Shqipërisë në Kampionatin Evropian të të Rriturve. Berisha ka shpjeguar se, me mirëkuptimin e Federatës Botërore, pjesa e mbetur e gjobës do të paguhet gradualisht. Siç dihet, kjo gjobë erdhi nga rezultimi pozitiv brenda vitit 2012 i tre sportistëve kuqezinj. Fillimisht, Ilirian Suli rezultoi pozitiv jashtë gare për “metandienonë”, duke u dënuar për 2 vjet (nga data 4 prill 2012, deri më 4 prill 2014), ndërsa më pas, kur ishte shpallur kampion i Evropës, rezultoi pozitiv në garë për “metilheksaneaminë” Erkand Qerimaj, dënimi i të cilit u reduktua në 1 vit (nga data 12 prill 2012, deri më 12 korrik 2013). Ndërsa në prag të fillimit të Lojërave Olimpike “Londër 2012”, rezultoi pozitiv jashtë gare për “hidoksistanozolol” edhe Hysen Pulaku, i cili u dënua me 2 vjet pezullim (nga data 27 korrik 2012, deri më 27 korrik 2014). Mospagimi i kësaj gjobe bëri që Shqipëria të mos merrte dot pjesë në Kupën e Mesdheut në Peshëngritjes, që u mbajt në 10-ditëshin e fundit të shkurtit në Itali.

 

 

 

Dinamo – Partizani

Lala ndëshkon ish-skuadrën e tij, Partizani “fluturon” në vendin e dytë

Që kur mbërriti Hasan Lika në krye të ekipit të Partizanit, skuadra në fjalë ka marrë vetëm fitore. E ndihmuar edhe nga ndalesa e Mamurrasit, Partizani renditet i vetëm në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Derbi i djeshëm ndaj Dinamos ka përfunduar në fitoren e ngushtë të “të kuqve”, të cilët, edhe pse kanë dominuar takimin, nuk kanë arritur të shënojnë për herë të dytë në portën e mbrojtur nga Lamellari. Një ish-dinamovit, si Lala, i cili ka dalë pikërisht nga akademia e Dinamos, ka ndëshkuar blutë, duke u futur atyre “makthin”… Kategori e Dytë. Sa i përket takimit, “miqve” u kanë mjaftuar vetëm tri minuta lojë për të zhbllokuar shifrat me anë të Lalës. Sulmuesi ka shfrytëzuar më së miri një top të ardhur nga prapavija, por edhe vendosjen jo të saktë të mbrojtjes dinamovite dhe i vetëm përballë Lamellarit nuk e ka pasur shumë të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë. Edhe pse ka qenë njëri prej tyre Lala ka festuar me të tashmen për golin e realizuar. Pas këtij momenti u krijuar ideja se “të kuqtë” do ta kishin më të lehtë dhe se goli i dytë do të vinte shumë shpejt, por nuk ka ndodhur kështu. Abzaj në minutën e 14-të do të shpërdorojë një rast të artë për të dyfishuar. Sulmuesi i vetëm përballë portierit “të bluve” nuk godet në kohë dhe topi i largohet nga mbrojtësit kundërshtarë. Pas këtij momenti, si Partizani ashtu edhe Dinamo do ta zhvendosin lojën e tyre në mesfushë, ndërkohë që kryesorit Peza i duhet të ndërpresë takimin disa herë, pasi ndërhyrjet nga lojtarët e dy skuadrave, kanë qenë jo të rregullta. Edhe fraksioni i dytë i lojës do të jetë fotokopje e të parit dhe Partizani do të jetë gjithmonë në kërkim të golit të sigurisë. Lajmet që vijnë nga Mamurrasi, ku vendasit po humbisnin me Himarën, sjellin ovacione në radhët e tifozëve dhe këta të fundit kërkojnë nga lojtarët e tyre një tjetër gol. Por, me kalimin e minutave dhe me zëvendësimet e rastit nga të dy, trajnerët Dinamo arrin të përfitojë disi terren në fushë, që vjen edhe nga tërheqja e Partizanit në mbrojtje të rezultatit. Në minutën e 68-të, Sekseni është shumë pranë barazimit të shifrave. Mbrojtësi kërcen më shumë se gjithë të tjerët në zonën e Partizanit, pas një krosimi nga këndi dhe me kokë e dërgon topin në shtyllën e dytë, ku Udo i vendosur mirë arrin të largojë sferën në vijën fatale. Te Partizani ka vetëm drithërima, ndërkohë që loja vazhdon me të njëjtin ritëm dhe deri në vërshëllimën përfundimtare të arbitrit kryesor, nuk do të ketë asnjë ndryshim rezultati. Si kurrë më parë ky derb u mbajt në një fushë që nuk ishte e denjë për historinë e këtyre dy skuadrave që fatkeqësisht militojnë në kategorinë inferiore. Terreni i skuadrës së Olimpikut në Yrshek la shumë për të dëshiruar. Derbi i djeshëm është ndërpresë disa herë, për shkak të daljes së topave jashtë rrjetës që rrethon këtë fushë. Ndërkohë që tek Dinamo më shumë lajm përbën fanella. “Blutë” treguan se janë në një krizë të thellë, pasi shumë prej lojtarëve nuk kishin të njëjtin sponsor në bluzë, çka tregon se disa fanella ishin të vjetra.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency