Shtohen të sëmurët me veshka, mjekët: Sport, ujë dhe ushqime të shëndetshme

0
520

Blerta Mrishaj

veshkaMjekët ngrenë alarmin se sëmundja po prek më së shumti edhe të rinjtë, të cilët, për shkak të neglizhencës, e marrin mjekimin tepër vonë, duke përfunduar në dializë. Në vendin tonë janë të paktën 400 persona të rinj që vuajnë nga sëmundjet e veshkave dhe 600 raste në listën e pritjes për kryerjen e transplantit

 

Ekzaminimet laboratorike

Ekzaminimi mikroskopik i urinës, i cili tregon praninë e shumë elementëve të rëndësishëm për diagnozën

Urokultura, për të parë praninë e infeksionit apo jo

Gjaku komplet, ka apo jo leukocitozë, shenjë kjo e infeksionit

Analiza te plota për të parë funksionin renal dhe nivelin e kalciumit në gjak

Mbledhja e urinës së 24 orëve për të vlerësuar sasinë dhe ekzaminuar praninë e Mg, Na, acidt urik, kalciumit, citrateve, oksalateve dhe fosfateve

Mundësisht ruajtja e gurit kur del për ta analizuar përbërjen në laborator

 

 

Shtimi i rasteve me sëmundjet e veshkave është dhjetëfishuar gjatë këtyre viteve. Mjekët ngrenë alarmin se sëmundja po prek më së shumti edhe të rinjtë, të cilët, për shkak të neglizhencës, e marrin mjekimin tepër vonë, duke përfunduar në dializë. Në vendin tonë janë të paktën 400 persona të rinj që vuajnë nga sëmundjet e veshkave dhe 600 raste në listën e pritjes për kryerjen e transplantit. Ndërkohë, çdo vit kërkojnë ndihmën mjekësore 500 raste të rinj. Deri më tani shërbimi shëndetësor ka dhënë ndihmesën përmes trajtimit të tyre, por mjekët nefrologë ngrenë alarmin për kudjes më të madh qoftë në ushqyerje, por edhe në vizitat mjekësore. Për këtë në një intervistë për gazetën “Standard”, mjekja nefrologe në QSUT, Arjana Strakosha, jep disa këshilla për sëmundjet e veshkave dhe në mënyrë të veçantë ndalet në hetimin dhe trajtimin e gurëve në veshka, si një prej patologjive më të përhapura në vendin tonë.

 

Gurët në veshka

Sipas doktoreshës, kur pacienti ka dhimbje të forta therëse dhe ka konstatuar një urinë me ngjyrë të kuqe, veprimi i parë është t’u drejtohet qendrave të urgjencës për të marrë ndihmën e parë. Nëse mjeku dyshon për një gurë në veshka, atëherë lokalizimi, përmasat dhe përbërja e tij janë shumë të rëndësishme për të përcaktuar më tej strategjinë e mjekimit.

Ekzaminimet radiologjike

Gurët e heshtur, të cilët nuk paraqiten me shenja apo simptoma të dukshme, vizualizohen nëpërmjet një radiografie, ultrasonografi (EKO), pielografie intravenoze apo skaneri.

Grafia direkte

Është ekzaminim i shpejtë dhe rezultativ në rastin e gurëve me përmbajtje të rritur të kalciumit duke eksploruar gjithë traktin urinar.

Pyelografia intravenoze, është një metodë tjetër ekzaminuese e cila bazohet në injektimin e një lënde kontrasti që eliminohet me veshkat shoqëruar me bërjen e grafive të njëpasnjëshme.

Pielografia intravenoze lejon zbulimin e lokalizimit të gurëve me saktësi të lartë.

 

 

EKO renale

Ekoja është një mënyrë e shpejtë dhe e padhembshme ekzaminimi nëpërmjet së cilës marrim imazhe të sistemit urinar, në rastin e gurëve në veshka arrijmë të dallojmë hydronefrozen (zgjerimin e rrugëve urinare) si pasojë e bllokimit të rrjedhjes së urinës nga guri. Është ekzaminim me vlerë të veçantë sidomos gjatë shtatzënisë kur grafia apo skaneri kane kunderindikacion.

Skaneri pa kontrast

Është konsideruar metoda ekzaminuese më efikase për detektimin e gurëve të aparatit urinar. Ky ekzaminim jep të dhëna të sakta për formën dhe vendosjen e gurit. Ka vlerë të madhe kur është e domosdoshme ndërhyrja kirurgjikale.

Parandalimi

Parandalimi i gurëve përmbledh modifikime në dietë dhe trajtim medikamentoz me qëllim të pakësimit të ekskretimit urinar të substancave shkaktare të agregimit të kristaleve në urinë sikurse ë është pirja e mjaftueshme e lëngjeve në mënyrë të arrihet eliminimi i 1.5-2 litra urinë/ditë. Dietë hipoproteinemike, hyposodike. Studiuesit kanë konkluduar se një grup ushqimesh mund të favorizojë formimin e gurëve tek çdo individ, por tek disa individë dieta e pasur me proteina mund të shoqërohet me krijimin e gurëve të veshkave. Pacientët me infeksione urinare të përsëritura, me çrregullime metabolike të trashëguara,me veshkën polikistike janë më të predispozuar për krijimin e gurëve urinare.

Ushqimet

Tek disa nga këta pacientë, ushqimet e marra mund të influencojnë në krijimin e gurëve. Në këto kushte iu rekomandohet kufizimi i ushqimeve me përmbajtje të rritur të oksalateve, si: çokollatat, lajthitë, spinaqi, soja. Dieta shoqërohet dhe me suplemente kalciumi i cili ndihmon eliminimin e oksalateve. Lëngu i portokallit, boronica e kuqe, rrushi i zi, mund të përdoren për të ulur faktorët e riskut për disa tipa gurësh respektivisht lëngu i portokallit për të eliminuar krijimin e gurëve me përmbajtje oksalati të kalciumit, rrushi i zi kundër krijimit të gurëve nga acidi urik, boronica e kuqe nga gurët e krijuar në terren të infeksioneve urinare. Ndërkohë që rekomandohet përdorimi i kufizuar i lëngjeve me përmbajtje kafeine si p.sh. kafja, evitimi i pirjes së Koka-kolës, evitimi i marrjes së dozave të larta të vitaminës C.

Kurimi

Trajtimi mjekësor ndahet në trajtim konservativ, intervenist. Ku në rastin e parë nënkupton përdorimin e një sërë medikamentesh të cilët ndërhyjnë në korrigjimin e shumë faktorëve shkaktarë për krijimin e gurëve në veshka. Kundër gurëve nga oksalatet e kalciumit përveç dietës së sipërpërmendur doktoresha thekson se ka edhe disa klasa medikamentesh efikase sikurse janë diuretikët tiazidike, të cilët përveç efektit diuretik influencojnë në reduktimin e ekskretimit urinar të kalciumit. Përdorimi për një kohë të gjatë e humb efikasitetin. Duhet pasur kujdes se mund të shoqërohen dhe me hypokalemi. Allopurinoli (Zyloprim) është një tjetër medikament qe ka dhënë rezultat në evitimin e krijimit të disa gurëve kalcikë. Ai interferon në prodhimin hepatik te acidit urik. Hyperurikozuria është faktor risku për gurët kalcikë. Allopurinoli redukton formimin e gurëve tek disa pacientë. Ky preparat përdoret dhe tek të sëmurët me gout apo me hyperuricemi. Megjithatë kjo situatë nuk paraqet rrezik për krijimin e gurëve të acidit urik në terrenin e një urine me Ph alkalin. Gurët me përmbajtje të acidit urik krijohen kur krahas hyperuricemisë kemi prezencën e një urine me Ph acid. Trajtimi bëhet duke alkalinizuar urinën me citrate si sodium bikarbonat, sodium citrat etj. Përdorimi i llojeve të ndryshme të citrateve parandalon në situata të caktuara krijimin e gurëve të oksalateve të kalciumit.

Terapitë

Akoma ka debate mbi efikasitetin e terapive të përdorura për parandalimin e formimit të gurëve sidomos tek pacientët me recidive. Megjithatë konkluzioni i deritanishëm është se kjo kategori pacientësh do ndjekje të kujdesshme duke përfshirë ushqimin, hidrimin dhe përdorimin e medikamenteve përkatëse. Në shumë raste kur gurët janë të vegjël dhe asimptomatikë pritet deri në katër javë për të parë rezultatin e mjekimeve të përmendura më sipër. Interventi urgjent mund të kërkohet në situata të caktuara si në personat me veshkë unike, në rastet e një obstruksioni bilateral, dhimbjeve të zgjatura të padurueshme apo në situatat kur bllokimi rrezikon dhe gjendjen septike. Në rastet kur guri nuk ka zbritur në uretër i lejon kirurgët të veprojnë me metoda jo invazive, konkretisht me Litotripsi e cila fragmentizon gurin duke krijuar mundësinë e eliminimit të tij në rrugë natyrale. Në situata të caktuara metodat invazive janë të domosdoshme. Mund të përmendim fragmentimin e gurit nëpërmjet ureteroskopisë, nephrolitotominë perkutane. Një nga metodat bashkëkohore është dhe stenti ureteral (një tub i hollë midis vezikës urinare dhe veshkës) i cili realizon çlirimin e menjëhershëm të veshkës së bllokuar. Kryesisht janë më të përdorshëm në rastet e kalkulozave ureterale. Qëllimi i gjithë trajtimeve të përmendura deri më sipër është ndërhyrja në kohën e duhur për të ruajtur sa më gjatë funksionin normal të veshkës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency