Projekti për “Shqipërinë e zhvilluar”, 15 pikat e programit të Kryeministrit Berisha

0
141

Ina Jano

berishaJa cilat janë premtimet e dhëna nga Kryeministri në takimet e zgjeruara me qytetarët

 

Pas tetë vitesh në pushtet, duket se Partia Demokratike do të hyjë në betejën elektorale me një program të plotësuar dhe gjithëpërfshirës. Reformat e deritanishme të ndërmarra nga qeveria do të jenë baza se ku do të hidhen projektet e ardhshme dhe që, sipas Kryeministrit Berisha, do ta shndërrojnë Shqipërinë në një vend të zhvilluar. Në betejën elektorale që duket se do të jetë e ashpër këtë vit, Partia Demokratike hyn me qëllimin e qartë për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit dhe për të marrë edhe një herë votëbesimin e qytetarëve. Përtej kësaj duket se edhe programi që do të hidhet në garë, do të jetë tejet konkurrues, duke marrë parasysh këtu edhe vijimësinë për projektet e nisura.

Gjatë daljeve të tij publike të shpeshta në media, shefi i qeverisë, Berisha, ka zbuluar disa nga premtimet, që duket se do të përbëjnë edhe boshtin ku do të shtrihet fushata. Programi elektoral nuk është zbardhur ende tërësisht, por nëpërmjet takimeve të zgjeruara me qytetarët, kreu i ekzekutivit ka hedhur dritë mbi disa fusha ku do të përqendrohet edhe puna e ardhshme e qeverisë, sigurisht nëse PD do ta fitojë një të tillë. Premtimet e shefit të mazhorancës shtrihen nga fusha të tilla, si bujqësia, infrastruktura, arsimi, shëndetësia, rritje rrogash dhe pensionesh.

Ekonomia dhe taksat

Nga debatet e deritanishme politikanët shqiptarë po shprehen fuqishëm për ekonominë. Taksat janë ende një “patate e nxehtë” në debatin e ditës, pasi nga njëra anë opozita premton heqjen totale për taksat, kurse mazhoranca, e cila gjatë kësaj kohe ka zbatuar reforma, shprehet kundër heqjes së tyre. Sipas saj, një nismë e tillë do të thotë shkatërrim i sistemit ekonomik. Në këtë kuadër, gjatë prezantimit të programit dhe bashkëbisedimeve me qytetarët dhe grupet e interesit, shefi i qeverisë është shprehur për heqjen e TVSH-së dhe çdo lloj tarife doganore për makineritë, mjetet, imputet të cilat do të jenë në shërbim të rritjes së punësimit dhe nxitjes së prodhimit. “Rritja e pagës me 10 për qind për punonjësit me pagë deri në 30 mijë lekë, si efekt i heqjes së tatimit mbi të ardhurat personale, do të ngushtojë edhe më tej diferencën midis nivelit të pagave në vend. Si rezultat i politikës konstante të rritjes së pagave, theksoi Kryeministri, diferenca midis pagës së Kryeministrit dhe mësuesit, nga 1 me 9 që ishte shtatë vjet më parë, sot është në raportin 1 me 4.5 dhe ulet, ndërsa garantoi se qeveria është e vendosur ta ngushtojë më tej këtë diferencë”, – është një tjetër projekt që është lançuar këto kohë nga qeveria. Ajo nuk ka hyrë ende në fuqi dhe mund të cilësohet si një nga pikat që janë në programin e PD-së për zgjedhjet e 23 qershorit.

Bujqësia

Takimet më të fundit të Kryeministrit janë përqendruar edhe në zonat rurale, ku bujqësia mbetet parësore. Në takimet me fermerët e Lushnjës apo të Divjakës, numri një i kabinetit qeveritar u ka premtuar atyre se do të vijojnë projektet e nisura për ta shndërruar bujqësinë në një fushë parësore dhe që do të luajë një rol të veçantë në ekonominë totale të vendit. Ai tha se do të hiqen të gjitha TVSH-të për farërat e ndryshme të cilat hyjnë në prodhim. “Ne përcaktuam parimin: infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qytetit, në të gjitha fshatrat e vendit, shkolla të reja dhe moderne ujësjellës e kanalizime, energji elektrike dhe qendra shëndetësore”, – u shpreh krei i qeverisë në takim me fermerët e Divjakës. “Unë jam këtu për t’ju garantuar se njëlloj siç ndërmorëm programet e mëdha kombëtare të zhvillimit, do të ndërmarrim programin kombëtar të peshkimit e peshkëzimit”, – deklaroi vetëm pak ditë më parë Kryeministri Berisha.

Arsimi

Një nga premtimet më të fundit të kryetarit të mazhorancës Berisha është ajo e kalimit të rrogës së arsimtarëve deri në 700 dollarë, shifër kjo që, sipas tij, do të jetë e tillë deri në fund të katërvjeçarit të mandatit të ardhshëm. Ndërkohë që gjithashtu ai është shprehur se arsimi profesional do të jetë prioritet i qeverisë në mandatin e ardhshëm, pasi është një fushë e cila ka ende potenciale të pazhvilluara.

Urbanistika e infrastruktura

Në mbledhjen e kaluar të grupit kuvendor demokrat, kreu i kësaj force politike u deklaroi deputetëve dhe të gjithë qytetarëve se në përfundim të mandatit të tretë, Shqipëria, për herë të parë në historinë e saj, do të ketë një plan urbanistik për të gjithë territorin e saj. Nën moton “Ta bëjmë fshatin njëlloj si qytetin”, duket se qeveria do të vijojë me politikën e rregullimit, shtrimit të segmenteve rrugore, të cilat veçanërisht shtrihen në zonat rurale. Gjatë takimeve me banorët e këtyre zonave ata i kanë ngritur atij shqetësimin për të pasur rrugë të asfaltuara. Ky shqetësim i tyre ka gjetur vend në programin e demokratëve, kreu i të cilëve u ka premtuar të gjithë banorëve të zonave rurale se rrugët që lidhin fshatrat me qytetet do të jenë tërësisht të asfaltuara.

Punësimi

Opozita akuzon se Shqipëria ka një milionë të papunë, por kjo shifër hidhet poshtë nga mazhoranca, e cila duke ju referuar të gjitha të dhënave më të fundit, pohon se në vend nuk ekziston një shifër e tillë papunësie. Pavarësisht kësaj, Berisha ka deklaruar se do të vijohet politika për hapjen e vendeve të punës dhe për tu nxitur punësimi, duke liberalizuar sa më shumë tregun dhe gjithashtu duke ju dhënë liri ekonomike të gjithë bizneseve. Një tjetër masë që ka menduar Kryeministri që do të shtojë vendet e punës, por edhe do të lirojë biznesin nga taksat është premtimi që do të përjashtohen për tre vjet nga të gjitha llojet e detyrimeve të gjitha bizneset, firmat apo ndërmarrjet të cilët punësojnë të rinj.

Rrogat dhe pensionet

“Qeveria e drejtuar nga Kryeministri Berisha është zotuar që të vazhdojë me vendosmëri rritjen e rrogave dhe pensioneve për sa kohë do ta votojnë qytetarët shqiptarë”. Kështu u shpreh shefi i mazhorancës në mbledhjen e kabinetit qeveritar, disa javë më parë. Ai vlerësoi se kjo mazhorancë do të vijojë me politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve për të gjithë qytetarët shqiptarë, megjithëse opozita ka votuar në Parlament kundër kësaj politike.

Energjia

Projektet energjetike mbeten në fokus të programit të PD-së edhe për katër vitet e ardhshme. Duke synuar që Shqipëria të shndërrohet në një superfuqi energjetike në rajon, Kryeministri ka deklaruar se kjo është një proces tërësisht i mundshëm. Gjithashtu, edhe për energjinë e rinovueshme, shefi i mazhorancës ka pohuar se vendi ynë i ka të gjitha potencialet për ta prodhuar këtë lloj energjie. Në lidhje me projektet e mëdha, Berisha ka premtuar se nëse do të jetë Kryeministër edhe për katër vitet e tjera, do të marrë jetë kaskada e Devollit, e cila do të jetë një gjenerator për punësimin në vend dhe do t’i japë një tjetër hov furnizimit me energji vendit.

Shëndetësia

Kryeministri Berisha ka premtuar reformë edhe në shëndetësi. Duke hedhur poshtë projektin e Ramës, për ta bërë sistemin shëndetësor falas, Berisha e ka krahasuar atë me kohën e komunizmit dhe ka thënë se ky projekt është i pamundur, pasi nuk dihen se ku do të gjenden lekët për ta bërë realitet një projekt të tillë.

 

 

“Shqipëria e zhvilluar”

 

1-Plani urbanistik i territorit të Republikës së Shqipërisë

2-Rroga e arsimtarëve shkon 700 dollarë

3-Arsimi profesional prioritet

4-Rritje e rrogave dhe pensioneve

5-Hapja e vendeve të reja të punës

6-Heqja e detyrimeve për bizneset që punësojnë të rinj për tre vjet

7-Projekte për arrorët, ulliri, drurët frutorë

8-Projekti kombëtar për peshkimin

9-Kaskada e Devollit

10-Infrastruktura lokale

11-Heqje e TVSH-së dhe çdo lloj tarife doganore për makineritë, mjetet, imputet

12-Heqja e tatimit mbi të ardhurat personale, 10% për pagat deri në 30 mijë lekë

13-Shqipëria superfuqi energjetike në rajon

14-Shqipëria prodhon energji të rinovueshme

15-Reforma në shëndetësi

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency