Vendimi Dhunoi pedagogun Nonda Varfi te Gjuhët e Huaja, dënohet 1 vit burg

0
234

Sonja Caka

fakultetiGjykata: I pandehuri Gëzim Tota qëlloi disa herë pedagogun, duke i kërkuar me insistim punësimin e një të njohuri në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja

 

Një vit burg i kanë kushtuar një shtetasi nga Tirana lumi i grushteve ndaj pedagogut të njohur të Gjuhëve të Huaja, Nonda Varfi. Shkak për këtë dhunë është bërë refuzimi që pedagogu i ka bërë kërkesës së të pandehurit për t’i punësuar një të njohur si pedagog në këtë fakultet. I dëmtuari i është përgjigjur të pandehurit Gëzim Tota dhe të interesuarit Algert Kalica se nuk ishte ai personi që merrte në punë njerëz dhe i ishin drejtuar personit të gabuar. Kjo ka sjellë nervozizmin e të pandehurit dhe ndërsa Kalica u largua, Tota është kthyer dhe e ka qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit pedagogun Varfi.

Vendimi

I pandehuri Gëzim Tota është dënuar nga Gjykata e Tiranës për kryerjen e veprës penale të “Goditjes për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal. Gjatë shpalljes së vendimit, gjykata vendosi t’ia pezullojë masën e dënimit dhe ta lërë nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës këtë të pandehur, duke pasur parasysh edhe disa probleme shëndetësore që ka pasur dhe që vazhdon t’i ketë. Vetë i pandehuri ka pranuar veprimet e kryera para gjykatës, duke deklaruar se ishte provokuar edhe nga vetë i dëmtuari. Ndërkohë që gjykatës i ka rezultuar nga dokumentacioni mjekësor i paraqitur nga i pandehuri Tota se ky i fundit vuante në çrregullime psikiko-afektive.

Ngjarja

Në vendimin e gjykatës thuhet se shtetasi Nonda Varfi është me detyrën e pedagogut të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Pikërisht, në atë fakultet, në datën 23 janar 2012, rreth orës 10:30, kur ai ka qenë në ambientet e fakultetit dhe njëkohësisht gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i është afruar një person, i cili pasi e ka takuar i është prezantuar si Gëzim Tota (i pandehuri), duke i paraqitur edhe dokumentin e identifikimit. Pas prezantimit, i pandehuri i ka kërkuar pedagogut Nonda Varfi (të dëmtuarit) një nder, i cili konsistonte në kërkesën për marrjen në punë të shtetasit Algert Kalica (i njohur i të pandehurit), pasi ky shtetas kishte mbaruar studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë dhe plotësonte kriteret për t’u emëruar në vendet vakante në atë fakultet. Në kohën që bëhej kjo bisedë midis tyre, aty është afruar edhe vetë i interesuari për t’u punësuar Algert Kalica, i cili pasi është takuar me pedagogun Nonda Varfi, i ka pohuar atij njohjen me të për shkak të qenit student i tij, madje dhe respektin si edhe vlerësimet për të. Pas njohjes së problemit të tyre, pedagogu Nonda Varfi u ka bërë me dije bashkëbiseduesve se ai nuk ka në dorë asgjë për t’i ndihmuar rreth çështjes së tyre. Nga hetimi gjyqësor rezulton se në këtë kohë, ndërsa Algert Kalica është larguar, i pandehuri Gëzim Tota ka shtyrë dhe më pas ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit pedagogun Nonda Varfi, duke e lënduar dhe dëmtuar atë dhe më pas është larguar.

Kallëzimi

Ka qenë vetë pedagogu Nonda Varfi që i është drejtuar komisariatit të policisë me një kallëzim penal ndaj personit që e ka goditur. Ai ka rrëfyer me detaje ngjarjen, ndërsa grupi hetimor ka sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë që ka vendosur fakulteti. Në ato pamje dukej qartë dhuna e ushtruar nga ana e të pandehurit ndaj pedagogut Varfi, ndërkohë që një tjetër element është edhe dëshmia e Kalicës, personit të interesuar për punësim.

 

Vendimi

Shitja e drogës dhe vjedhjet, 15 vite burg për Durmën dhe Gurzin

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 15 vite burg në total dy të rinj, të akuzuar për disa vepra penale, dy prej të cilave u janë amnistuar. Sipas akuzës, dy të rinjtë u kapën në rrugën “Myslym Keta”, në afërsi të ish- Kinostudios në Tiranë. Policia u sekuestroi një sasi prej 1.5 kg lëndë narkotike marijuanë, një sasi hashashi, si dhe një arsenal armësh; një armë tip pistoletë “TT” mod. 54, me dy krehra fishekësh, 1 automatik mod. 56, nr. 0148-88, 13 detonatorë eksplozivi, 4 detonatorë elektrikë, 1 granatë dore difensive së bashku me ndezësen, 8 krehra automatiku etj. Sipas akuzës, dy të rinjtë e moshave 25 dhe 26 vjeç akuzohen për shitje droge dhe vjedhje, si dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve. Në përfundim të gjykimit, trupa gjyqësore dënoi përfundimisht me 9 vite burg të pandehurin Albert Durma dhe me 7 vite të pandehurin tjetër Artur Gurzi. Dy të rinjtë u dënuan për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikeve” e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” e kryer në bashkëpunim, “Largim i të dënuarit nga vendi i vuajtjes së dënimit”, ndërsa u amnistuan dy vepra penale, përkatësisht “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioni” e kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Lezhë

Përmbyset zetori, humb jetën drejtuesi 32-vjeçar

Një 32-vjeçar është shndërruar në viktimën e dytë të kohës së keqe, kësaj radhe në qytetin e Lezhës. Sipas burimeve zyrtare policore, në fshatin Torovicë të rrethit të Lezhës, ka humbur jetën shtetasi Ndue Qosaj, 32 vjeç. Po sipas të njëjtave burime, Qosaj ishte duke drejtuar zetorin e tij në një nga rrugët e përmbytura, kur papritur ka humbur drejtimin e mjetit duke u përmbysur në një kanal. Si rrjedhojë, zetori i përmbysur e ka zënë atë poshtë duke i marrë dhe jetën. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dhe forcat e policisë të cilat po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency