Task-forca Berisha: Qeveria, e vendosur të krijojë mjedisin më liberal për biznesin

0
124

Ina Jano

berishaaaaKryeministri, në një takim rreth 3 orë me biznesin, diskutoi për propozimet e Task-Forcës për Reformën Rregullatore, fokusuar tek reforma në autorizime dhe ajo në inspektim

 

Kryeministri Berisha për rreth tri orë ditën e djeshme ka diskutuar propozimet e bëra nga grupet e interesit dhe biznesi, në lidhje me tema të tilla si lehtësimi i barrës administrative të biznesit, nxitja e sipërmarrjes, investimeve dhe punësimit. Të gjitha këto çështje më parë biznesi i ka adresuar tek Task-Forca për Reformën Rregullatore dhe ditën e djeshme u diskutuan këto probleme. Gjatë fjalës së tij, numri një i mazhorancës u shpreh se qeveria që ai drejton, mbetet e vendosur që të krijojë mjedisin më liberal dhe më të lirë për të gjitha bizneset që ushtrojnë aktivitetin në vend. Berisha theksoi se tregu i lirë është gjeneratori i rritjes ekonomike, ndaj kontrollet nuk duhet ta ndrydhin tregtinë që sipas kreut të qeverisë, ka rëndësi jetike në vend. Nga 100 kënde po të vështrosh rritjen ekonomike, gjeneratori kryesor i saj është liria e tregut, është tregtia e lirë. Asgjë nuk ka rëndësi jetike sesa tregtia e lirë. Janë të rëndësishme task-at në mënyrë të padiskutueshme, janë të rëndësishme burimet, por njëshi është liria e tregtisë. Dhe i tërë ky proces do të ketë kontrollin më minimal të mundshëm sepse kontrolli është ndrydhja e saj, por a mundet që ato të mos ekzistojnë jo, sepse shoqëria duhet të ketë një mekanizmin për të mbrojtur edhe tregun për qytetarët, por është e mundur që ato të minimalizohen po kjo mund të ndodhë”, – ka theksuar Kryeministri. Sipas Berishës, minimalizimi i kontrollit është i mundur duke sjellë shembullin me licencat. “A është e mundur që administrata t’ju konsumojë sa më pak kohë biznesmenëve, a është e mundur që administrata të shmangë të gjitha format e presioneve ndaj tyre, është plotësisht ëe mundur. Unë ju thashë ju, materiali nuk ka qenë objekt diskutimi. E kam shumë të vështirë të konstatoj që autorizimet të degradojnë në licenca. Unë pranoj që të hiqen licenca, por nuk pranoj autorizimet të kalojnë në licenca. Qendra e Kontrollit të Licencave (QKL) dhe ajo vetë ka nevojë që mbi bazën e eksperiencës 2-vjeçare të na thotë cilat licenca t’i heqim fare t’i shndërrojmë në vetëdeklarime. Burokracia është e paimagjinueshme”, – pohoi shefi i mazhorancës shqiptare. Gjithashtu, Kryeministri e cilësoi reformën e inspektimit si shumë të rëndësishme, pasi sipas tij do të bëjë të mundur eliminimin e inspektimeve abuzuese ndaj biznesit. “Reforma e inspektimit është një nga reformat më të mëdha dhe më të rëndësishme që është realizuar në këtë vend. Dhe kjo ka pasur një synim heqjen nga shpatullat tuaja të barrës së rëndë të inspektimeve të cilat po grabisin 45 ditë dhe kishin një kosto shumë të lartë, 1 mijë euro në mesatare. Është bërë një punë e jashtëzakonshme për të thjeshtuar nga 36 në 11 inspektorate, për të krijuar një inspektorat qendror, me qëllimin e vetëm do të kontrollojë ndershmërinë dhe ligjin e kontrolleve mbi ju. Po vendoset sistemi online që inspektorët të lënë gjurmë dhe mos të vijnë tek ju sa herë t’u teket. Kjo reformë përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv në qëndrimin e administratës ndaj biznesit, dhe një përpjekje në luftën kundër arbitraritetit dhe një përpjekje shumë e madhe për një kontroll të ndershëm. Ka mbi 2 vjet që punohet në këtë reformë, janë ndryshuar me dhjetëra ligje dhe po ecet drejt instalimit të këtij sistemi të ri. Kemi zgjedhur sistemin më modern që ekziston dhe kjo kërkon një bashkëpunim me ju për ta kthyer në një histori suksesi”, – tha Berisha. Sipas kreut të ekzekutivit, hapa shumë të rëndësishëm janë për bërë deri në këtë moment. “Në këtë vend leja ndërtimit, që është kryesorja, kërkonte 399 ditë, e kemi zbritur në 45 ditë dhe prapë jemi të gatshëm të shqyrtojmë me seriozitetin më të madh çdo propozim tuajin për të lehtësuar veprimtarinë tuaj”, – përfundoi Berisha. Një nga propozimet që iu bë kreut të ekzekutivit ishte që ligji për Gjykatën e Lartë të shkëputet nga paketa e tri ligjeve që duhen miratuar për t’u bërë pjesë e BE-së, pasi ai duhet të miratohet sa më shpjet, edhe për të vënë në funksionim Gjykatën Administrative, shumë e nevojshme për biznesin.

 

Reforma në inspektorate  36 – 11

Ditët e inspektimit 45 – 12

Kosto 1000 euro – 100 euro

Reforma e autorizimeve – 2/3 thjeshtohen ose hiqen

 

Rama: Takimet e Berishës me biznesin, farsë

Kryetari i Partisë Socialiste i cilësoi si farsë takimet e Kryeministrit Berisha me sipërmarrësit. Në një mesazh në rrjetin social Twitter, kryesocialisti Rama theksoi se biznesi kërkon që në 23 qershor t’i japë fund dhunës së qeverisë. “Takimet e Kryeministrit me biznesin janë farsa më e madhe brenda farsës mediatike të qeverisë! Takohen dhunuesit me të dhunuarit e shtiren reciprokisht. Biznesi mezi pret t’i shpëtojë dhunës së përditshme të kësaj qeverie! Në 23 qershor ne u kthejmë sipërmarrësve lirinë, dinjitetin, konkurrencën”, – shkroi dje Rama në profilin e tij në Twitter.

 

 

Kryeministri uron sekretarin Kerry: Borxhlinj dhe mirënjohës ndaj SHBA-së

Shefi i qeverisë shqiptare i ka dërguar një letër urimi Sekretarit amerikan të Shtetit zotit John Kerry, me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Duke vënë theksin në marrëdhëniet e mira dypalëshe, kreu i ekzekutivit pohon në urimin e tij, rëndësinë që kanë këto marrëdhënie për të dy vendet. “Si sot 22 vjet më parë Shqipëria rinovoi marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ngjarje kjo historike dhe e një krenarie të veçante për të gjithë Shqiptarët. Ndaj dëshiroj me këtë rast t’ju shpreh juve, qeverisë së SHBA-së, Presidentit Obama dhe popullit amerikan mirënjohjen më të thellë për miqësinë dhe mbështetjen e palëkundur ndaj kombit tonë gjatë këtyre dekadave. Ne jemi të bindur se aleanca dhe bashkëpunimi i ngushtë midis të dy vendeve dhe popujve tanë do të thellohet e zgjerohet edhe më shumë gjatë viteve që do të vijnë”, – shkruan Berisha. Më tej gjatë letrës së tij, Kryeministri shkruan: “Kjo është një ngjarje historik për Shqipëri për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme që shqiptarët i kushtojnë marrëdhënieve të ngushta me vendin tuaj të madh, një mik i vërtetë dhe aleat i palëkundur i vendit tim dhe i të gjithë shqiptarëve. Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kryesor në pavarësinë e Shqipërisë, 100-vjetorin e të cilës e festuam vetëm katër muaj më parë. Gjatë periudhës së diktaturës komuniste që sundoi vendin tonë, Amerika qëndroi vendosmërisht kundër barbarisë së saj, në mbështetje të popullit tonë të martirizuar dhe u shndërrua në një udhëheqës të lirisë dhe shpresës për të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetonin. Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol thelbësor e vendimtar për pranimin e Shqipërisë si një anëtar i NATO-s dhe lirimin e Kosovës, për të cilën shqiptarët do të mbeten përherë mirënjohës dhe borxhlinj ndaj jush. Dëshiroj të shfrytëzojë këtë mundësi për t’ju siguruar juve, Presidentin Obama dhe popullin amerikan se Shqipëria do të vijojë të jetë një mik dhe aleat i mirë, i ngushtë dhe i besueshëm i SHBA-së dhe se qeveria ime nuk do të kursej asnjë përpjekje për të konsoliduar më tej marrëdhënien tonë të shkëlqyer dhe miqësinë tradicionale midis dy vendeve tona në interesin më të mirë të popujve tanë dhe paqes e sigurisë në botë”, – përfundon urimi i zotit Berisha për Sekretarin Kerry.

 

Meta: Punësimi, interesi më i madh i qytetarëve

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se punësimi i të rinjve ka qenë dhe mbetet jo vetëm prioriteti kryesor i programit ekonomik, por edhe obligimi më i madh që klasa politike ka ndaj gjeneratës së re. Ai u shpreh se punësimi është një nga pikat më kryesore që u intereson të gjithë njerëzve. LSI beson se “Koalicioni për punësimin e qytetarëve” është koalicioni që i duhet Shqipërisë në këto kohë të turbullta si në Greqi ashtu edhe në Itali, në mënyrë që kriza e tyre mos të ketë vetëm efekte negative por edhe oportunitete të reja për thithjen e investimeve të huaja në vend sepse “Aleanca me bizneset” që punësojnë qytetarët, sidomos të rinjtë, është ajo që hedh themelet për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të vendit dhe LSI është e vendosur të bëjë gjithçka për këtë mision”, – theksoi Meta. Sipas tij, pavarësisht impaktit negativ të krizës nga vendet fqinje, Greqi dhe Itali, ne duhet të jemi vigjilent për të shfrytëzuar edhe oportunitetet që mund të sjellin investimet e huaja në aktiviteteve të tilla biznesi në vendin tonë. “Mbështetja për këto aktivitete, për këto biznese, është një domosdoshmëri që ne të rrisim në një kohë sa më të shkurtër numrin e të punësuarve, sidomos të vajzave të reja dhe të djemve të rinj, të cilët njëkohësisht kanë edhe kualifikimin apo mund ta fitojnë atë në një kohë shumë të shpejtë për të ofruar këtë shërbim. Sot janë me mijëra të punësuar në “Call Center”, kjo falë edhe krahut të lirë të punës, por edhe barrës së ulët fiskale ne vend”, – tha Meta.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency