Incidenti Socialistët e Bulqizës ndërpresin takimin e Ramës, kreu i PS-së: Dilni jashtë, bërtisni te Berisha

0
213

Gëzim Saliu

rama ne bulqizeSimpatizantët e PS-së në Bulqizë kanë kontestuar emrin e Shkëlqim Canit si kandidat për deputet

 

Takimi i kreut socialist Edi Rama në Bulqizë, në kuadër të prezantimit të programit të PS-së, ka kaluar me incidente dhe përplasje mes socialistëve. Në aktivitetin e djeshëm të zhvilluar në pallatin e sportit, pjesëmarrësit kanë ndërprerë fjalën e Shkëlqim Canit, i cili po prezantonte pjesë të programit, duke brohoritur emrin e ish-deputetit Ardit Kaja. Turma e simpatizantëve nuk ka lejuar për më shumë se 10 minuta që Cani të përfundonte fjalën e tij, ndërkohë që është dashur ndërhyrja e kreut socialist për të qetësuar situatën. Rama u ka kërkuar simpatizantëve të PS-së të dalin jashtë dhe të mos fishkëllejnë, duke u thënë se këtë gjë mund ta bëjnë në mitingjet e Berishës. “Bërtisni te mitingu i Berishës, dhe jo tek i PS-së”, – tha Rama. Më pas gjysma e simpatizantëve kanë dalë jashtë, ndërkohë që aktiviteti ka rinisur sërish, ku fjalën e ka marrë kryesocialisti Rama. Gjatë fjalimit të tij lideri socialist ka deklaruar se Ardit Kaja nuk do të jetë kandidat për deputet i PS-së. Ndërkaq, vetëm pak minuta pas përfundimit të takimit, kryesocialisti shkroi në Twitter duke pohuar: “Pas dy takimesh superentuziaste në Burrel e Bulqizë për programin, sonte në Peshkopi për konferencën e nesërme rajonale”.

 

Blogu

Teksa dje u mbushën 5 vjet nga tragjedia e 15 marsit në Gërdec, ku nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve, 15 km larg Tiranës humbën jetën 26 persona, kreu socialist Edi Rama ka postuar një shkrim në blogun e tij në internet me titull “Edhe 100 ditë”. Duke akuzuar Kryeministrin Berisha se me mandatin e tij shkatërroi drejtësinë, Rama deklaroi se mbetën vetëm 100 ditë nga ora e vendimit të popullit sovranen se kush dëshiron t’i udhëheqë për 4 vitet në vijim. “Mbetën 100 ditë nga ora e vendimit të popullit sovran për katër vitet e ardhshme. Si një rastësi domethënëse numërimi i këtyre 100 ditëve të fundit të pushtetit të zvjerdhur të PD-së, bie mu në përvjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Mandati i vjedhur i 2009-ës u përdor nga Saliu për të shkatërruar procesin gjyqësor dhe varrosur çdo shpresë të familjeve të viktimave për drejtësi. Rilindja që duam do të vijë edhe si rilindje e shpresës tek drejtësia. Duke e nisur nga qeverisja me frymën e se drejtës jo me shkopin e padrejtësisë. Përmes një qeverisjeje të drejtë, të hapur, të mbështetur tek vlera e së vërtetës e jo tek gënjeshtra si deri më sot, ne do vendosim një standard të ri”, – shkruante Rama në blogun e tij personal. Më tej, ai pohoi se sot çdo gjë që shteti ka detyrë të ofrojë, është vetëm një mall që blihet. “Drejtësia është mall. Kujdesi shëndetësor është mall. Arsimi është mall. Madje edhe vetë komunikimi me zyrtarët e shtetit është mall. Pa lekë asgjë nuk merr nga ato që të takojnë me Kushtetutë, ligj e zakon. E në fakt zgjedhja e 23 qershorit është një zgjedhje mes të drejtave e të mirave publike si vlera të garantuara të shoqërisë që duam, apo si mallra që blihen në pazarin e pushtetit të korruptuar që kemi”, – nënvizoi Rama në shkrimin e tij në blogun “edirama.al”.

 

Dade: Të rinjtë të mirëpritur, por duhen ekuilibra me figurat kontribuuese

Deputetja socialiste, Arta Dade, kërkon gjetjen e një ekuilibri mes kandidatëve të rinj në PS dhe figurave që kontribuojnë prej vitesh në këtë parti. Gjatë një interviste për “ABC News”, nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, tha se nuk i trembet lëvizjeve në rrethe të kandidatëve. “Kandidatët e prezantuar së fundmi nga Rama janë të mirëpritur, por duhet një kombinim eksperiencash dhe moshash”, – tha deputetja e PS. Nga ana tjetër Dade ftoi kolegët të mos shqetësohen për lëvizjet nga zonat që mbulonin deri tani pasi sipas saj edhe elektorati nuk duhet të lidhet me emrat e përveçëm. Sa i përket publikimit të listës së deputetëve, ligjvënësja socialiste pohoi se është ende herët dhe ka vend për përmirësime. “Nuk më shqetëson aspak prezenca ime”, – u shpreh deputetja Arta Dade.

 

Përfshirja në listën e PS-së, Gjinushi: Nuk kemi pretendime të tilla

Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, deklaron se nuk ka asnjë pretendim të bëhet pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste. Duke pohuar se në zgjedhjet e 23 qershorit forca që ai drejton kërkon të marrë atë çka i takon, Gjinushi tha: “Nuk kemi shfaqur pretendime në adresë të lidershipit socialist”. Nga ana tjetër sa u përket koalicioneve për këto zgjedhje, kreu i PSD-së kundërshtoi çdo përpjekje të kryetarit socialist Edi Rama për të afruar pranë koalicionit opozitar LSI-në. Javën e ardhshme, më 20 mars, pritet të mblidhet tryeza e koalicionit të partive opozitare. Në këtë takim do të diskutohet mbi bashkëpunimin dhe strategjinë e opozitës për zgjedhjet e qershorit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency