Françesku, një papë kalimtar?

0
138

papa

 

Dita e parë e Papa Françeskut/ Papa i ri u lut në një kishë të njohur të Romës, Basilica e Santa Maria Maggiores. Papa Françesku i Parë, papa i parë nga Amerika Latine, e filloi ditën e tij si kreu i Kishës Katolike Romane, me lutje në një kishë të njohur të Romës, Basilica e Santa Maria Maggiores. Më vonë gjatë ditës, ai drejtoi një meshë private në Kapelën Sistine, me kardinalët, të cilët e zgjodhën atë dje

 

 

Kardinali argjentinas Jorge Mario Bergoglio u zgjodh papa i 266-të. Duke komentuar për “DW”, Klaus Krämer pyet nëse Françesku duhet vlerësuar si papë kalimtar.

Edhe një herë u vërtetua fjala e urtë: Kush shkon në Konklavë si Papë, del prej saj si kardinal! Kjo, sepse nuk u zgjodh asnjëri prej favoritëve kryesorë, po një funksionar kishe, i cili është i njohur për stilin e tij të thjeshtë të jetesës dhe për angazhimin e madh humanitar. Kardinali argjentinas Jorge Mario Bergoglio është i treti papë i mijëvjeçarit të tretë. Françesk e quan veten jezuiti. Në atdheun e tij ai ka dëshmuar se gjendet pranë njerëzve, se i njeh hallet dhe nevojat e të varfërve. Edhe vetëm kaq përbën një sinjal shprese për katolikët në lagjet e varfra (favelas, slums, townships) dhe në kampet e refugjatëve të kësaj bote. Në Amerikën Latine dëshira e besimtarëve për të pasur një papë të lidhur ngushtë me rrethanat e jetës reale ishte veçanërisht e madhe.

Edhe ky pasardhës i apostullit Pjetër është një konservator, çka nuk të çudit, sepse për 35 vjet dy paraardhësit e tij kanë bërë kardinalë vetëm ipeshkvij e fretër konservatorë, e kësisoj edhe zgjedhës të papës. Pra Françesku nuk lë aspak shkas të mendosh se do të jetë modernizuesi që dëshirojnë shumë kritikues të kishës. Jezuiti ka shfrytëzuar shumë raste për të kritikuar me fjalë të qarta padrejtësitë sociale, mirëpo ai ka qëndrime të afërta me organizatën katolike tejet konservatore «Comunione e Liberazione» [bashkësia dhe çlirimi]. Teologjia e çlirimit ishte për të kokëçarje. A do të vërë në pyetje një papë i tillë momente epokale në dogmatikën katolike?

Dhe a mund të përgëzohet ky papë për marrjen e postit? Detyrat dhe problemet, me të cilat duhet të përballet 76-vjeçari, janë gjigante. Së pari Françesku duhet të rifitojë besim. Skandali rreth abuzimit të fëmijëve dhe të rinjve prej klerikëve katolikë e ka dëmtuar rëndë imazhin e kishës së tij dhe (para së gjithash në vendet perëndimore) ka shkaktuar braktisje në masë të kishës.

Françesku duhet t’u futet urgjentisht reformave brendakishtare (të cilat duhet të ishin kryer me kohë). Duhet ndryshuar shoqëria me dy klasa midis priftërinjve dhe bashkëpunëtorëve laikë dhe duhet forcuar pozicioni i laikëve në kishë. Gratë, të cilat kontribuojnë pjesën e luanit në punën kishtare në bazë, meritojnë vlerësim. Me kohë pritet e nuk zhvillohet një dialog pro-kundër celibatit. Në planin teologjik presin ndreqje trajtimi i personave që janë ndarë nga bashkëshortët si dhe refuzimi i vrazhdë në eukaristi i çifteve bashkëshortore me besime të ndryshme. Raporti me kishat jokatolike, veçanërisht me ato të reformacionit, duhet rishikuar. Dialogu ndërfetar duhet të bëjë përpara. E shumë të tjera.

Mirëpo edhe në Vatikan ka gjëra të parregulluara. Afera Vatileaks rreth dokumenteve papnore sekrete, të cilat janë vjedhur, intrigat dhe mashtrimet në detyrë nën rrogoz: të gjitha këto krijojnë përshtypjen se papa Benedikt XVI nuk e ka më në kontroll kishën.

Jo, kryebariu i ri i 1,2 miliardëve nuk është për t’ia pasur zilinë për postin e tij. Edhe vetëm mosha e tij e avancuar ngjall dyshime nëse ai është njeriu i së ardhmes. Më saktë të krijohet përshtypja se kardinalët kanë zgjedhur sërish një papë kalimtar dhe jo një papë të shtigjeve të reja. Ndoshta, përballë gjendjes së Kishës Katolike, konklava ka humbur një shans. Mirëpo, nganjëherë besimi lëviz male.

 

 

Dita e parë e Papa Françeskut

Papa i ri u lut në një kishë të njohur të Romës, Basilica e Santa Maria Maggiores

Papa Françesku i Parë, papa i parë nga Amerika Latine, e filloi ditën e tij si kreu i Kishës Katolike Romane, me lutje në një kishë të njohur të Romës, Basilica e Santa Maria Maggiores.

Më vonë gjatë ditës, ai drejtoi një meshë private në Kapelën Sistine, me kardinalët, të cilët e zgjodhën atë dje. Ai ka në plan të takojë së shpejti paraardhësin e tij Papa Benediktin, i cili u largua muajin e kaluar nga posti dhe po qëndron tani tek rezidenca papale verore në periferi të Romës. Papa Françesku është jezuiti i parë që zgjidhet në këtë pozitë dhe papa i parë që merr emrin Françesku. Udhëheqësit nga e gjithë bota e kanë uruar papën e ri, parë kardinali Jorge Bergoglio i Argjentinës për zgjedhjen e tij.

 

Nishani fton Papën e sapozgjedhur në Shqipëri

Në mesazhin e urimit, presidenti Nishani thekson se pret të vijojë bashkëpunimi i frytshëm me Selinë e Shenjtë. “Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe gëzimin e veçantë, t’ju përcjell urimet më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj si Papa Franciscus I dhe t’Ju uroj suksese në përmbushjen e misionit Tuaj të shenjtë Papnor! Unë pres me padurim për të vazhduar bashkëpunimin tradicional dhe të frytshëm me Selinë e Shenjtë, në të mirë të promovimit të vlerave universale të paqes dhe mirëkuptimit, në bashkësinë katolike dhe në të gjithë popujt, në rajonin tonë dhe më gjerë! Duke Ju përcjellë dëshirën time dhe të popullit shqiptar për t’Ju mikpritur së afërmi në Tiranë, Ju lutem pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”- thuhet në mesazhin e presidentit Nishani. Ndërsa kryetarja e Kuvendit që të mërkurën në darkë më anë të një statusi në Facebook, ka shprehur urimet e saj. “Për herë të parë prej 1300 vitesh zgjidhet një Papë jo nga kontinenti ynë. Uroj Papa Françeskun e Parë në misionin e tij Hyjnor dhe qindra milionë besimtarët në mbarë boten”, – shkroi Kryeparlamentarja Topalli.

 

 

 

Kush është Papa

Kisha Katolike ka tani titullarin e saj të parë nga Amerikane Latine, pas konklavi papal zgjodhi me vota sekrete kardinalin argjentinas Jorge Mario Bergoglio si udhëheqësin e ri të kishës. Papa Françesku është gjithashtu i pari papë që zgjidhet jashtë Evropës në më shumë se një mijë vjet.

Njerëzit brohoritën me gëzim, kur Papa Françesku doli në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit në qytetin e Vatikanit, i veshur thjesht me robën e bardhë.

Mes mijëra pelegrinëve ishte edhe mjaft nga Argjentina që nuk e përmbanin dot gëzimin.

“Nuk mund ta shpjegoj. Është e jashtëzakonshme. Kjo është hera e parë që jam në Romë dhe të kemi një papë argjentinas është mahnitëse”. “Ne jemi shumë të lumtur si argjentinas. Mendoj se ai është një person mjaft i përgatitur dhe ne duhet të lutemi për Shpirtin e Shenjtë dhe Jezu Krishtin që t’i japë fuqinë për të udhëhequr Kishën Katolike”.

Papa 76-vjeçar vuri gjithashtu në dukje se kolegët e tij kardinalë kërkuan gjithë botën për të gjetur pasuesin e Papa Benediktit, tashmë në pension.

Papa i ri, i lindur në Buenos Aires në një familje imigrantësh italianë, e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Argjentinë. Pasi mori master në Kimi nga Universiteti i Buenos Airesit, ai vendosi të bëhej jezuit. Ai u shugurua prift në vitin 1969.

Pasi dha mësim për vite me radhë në shkollën dhe seminaret katolike, si dhe pasi shpenzoi kohë duke konsultuar priftërinjtë, ai u bë kryepeshkop i Buenos Ajresit në vitin 1998 dhe kardinal në vitin 2001. Në konklavën e vitit 2005 për zgjedhjen e Papa Benediktit, Kardinali Bergohlio thuhet se ishte i dyte për nga numri i votave.

Ai është njohur për jetën e tij të thjeshtë dhe për doktrinën e tij konservatore. Në vitin 2010, kur Argjentina u bë vendi i parë i Amerikës Latine që legalizoi martesat e të njëjtin seks, Kardinali Bergolio i inkurajoi klerikët në gjithë vendin të nxisnin katolikët të hidheshin në protesta. Ai tha se legalizimi i martesave të homoseksualëve do të dëmtonte familjen.

Ai u akuzua gjithashtu edhe për pjesëmarrjen në rrëmbimin në vitin 1976 të dy priftërinjve jezuitë liberalë në periudhën e regjimit ushtarak në Argjentinë, akuzë që ai e ka hedhur poshtë kategorikisht. Por Bergoglio është njohur edhe si mbrojtës i fortë i të varfërve. Edhe pse ai e ka kundërshtuar homoseksualitetin, ai ka bërë thirrje që ata të respektohen. Rreth 10 vjet më parë, ai vizitoi një strehë për viktimat e HIV-AIDS dhe puthi dhe u lau këmbët disa prej pacientëve atje.

Amerika Latine ka popullatën më të madhe katolike nga 1.2 miliardë besimtarët katolikë të botës, me numrin më të madh në Brazil dhe Meksikë.

 

Çfarë thonë për Papën?

 

Historiani i kishës, Kristofer Belito, i cili jep mësim në Universitetin Kean në Nju Xhersi, thotë se papa i ri njihet si një njeri që ka bërë jetë të thjeshtë. “Ai nuk përdor limuzinë me shofer, ai merr autobusin për të shkuar në punë. Ai jeton në një apartament të thjeshtë dhe jo në pallatin e kryepeshkopatës. Ai njihet për një jetë të thjeshtë lutjesh. Gjithashtu duket se ai gatuan vetë hera-herës”.

 

Xhorxh Ferxoko, profesor i Teologjisë në Universitetin Bristol të Anglisë thotë se emri që merr papa i ri është një shenjë e rëndësishme. “Për pjesën më të madhe të një shekulli apo dy, të njëjtët pak emra janë përdorur vazhdimisht. Çfarë kemi në këtë rast është një zgjedhje e pakrahasuar me emrin Françesk. Ky nuk është vetëm një emër i ri, është kuptimi që ka ky emër. Ai është një shenjt dhe një emër që pasqyron shenjtorin, i cili ishte i dedikuar t’u shërbente më të varfërve mes të varfërve, paqes dhe urtisë, për të shpërndarë fjalën e zotit dhe i dedikuar për shërbimin ndaj kishës”.

 

 

 Berisha: Shqipëria, marrëdhënie të shkëlqyera me Selinë e Shenjtë

Menjëherë pas zgjedhjes së Papës së ri, nga e gjithë bota kanë vërshuar mesazhet e urimit. Edhe Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegraf urimi Papës Françesku I me rastin e zgjedhjes në krye të Selisë së Shenjtë. Duke i përcjellë urimet më të përzemërta të qeverisë dhe të të gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë, shefi i mazhorancës shprehet se marrëdhëniet e Shqipërisë me Selinë e Shenjtë janë të shkëlqyera dhe do të vijojnë të jenë të tilla. “Kam kënaqësinë e veçantë që me rastin e lumtur  te zgjedhjes Suaj, me dëshirën e Zotit, Papa Franciscum I, t’ju përcjell në emrin tim, të qeverisë shqiptare, të katolikëve shqiptarë e të gjithë qytetarëve të vendit tim përshëndetjet më të përzemërta si edhe urimet më të ngrohta, për sukses të plotë në misionin e lartë e të shenjtë të përçimit të fjalës e mësimeve të Zotit në zemrat e besimtarëve katolikë e bekimin e Tij për mbarë njerëzimin. Shqiptarët vlerësojnë lart vizionin, përkushtimin e kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në shërbim të drejtësisë sociale dhe në ndihmë të të vobektëve e të vuajturve si një ndër shprehjet më domethënëse të dashurisë e humanizmit të krishterë, një ndër virtytet më të lartë të Kishës së Jezusit. Ndaj së bashku me qytetarët e vendit tim, ndaj bindjen e thellë së nën udhëheqjen tuaj, me përkushtimin e urtësinë hyjnore që ju karakterizon, Selia e Shenjtë do të vijojë të japë kontributin e saj të paçmuar e thelbësor në forcimin e besimit ndaj Zotit, në përhapjen e fjalës së Tij të Shenjtë për dashuri e ndihmë reciproke mes njerëzve, si edhe në promovimin e mëtejshëm të paqes, bashkëpunimit e miqësisë në botë. Shqipëria dhe shqiptarët ruajnë lidhje tradicionale të ngushta e të shkëlqyera e me Selinë e Shenjtë e me Atin e Shenjtë ndaj edhe dëshiroj me këtë rast t’ju ripohoj dëshirën time të madhe dhe të gjithë shqiptarëve t’ju mikpresim në Shqipëri si Ati më i lartë shpirtëror i bashkatdhetarëve tanë të besimit katolik e më gjerë, por edhe si një mik i madh e i shquar i kombit shqiptar”, – shkruan në telegramin e tij Berisha.

Ina Jano

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency